back to top
10.5 C
Tirana
E hënë, 4 Nëntor, 2024

Takimi im me Isa Elez Ndreun… nga Kristo Zharkalli

Gazeta

Familja e Ndreve të Sllovës
Familja e Ndreve të Sllovës

Takimi im me Isa Elez Ndreun…

nga Kristo Zharkalli  

Kur nisa të shkruaj, ose më mirë të shkëpus nga shënimet e mia të shumta, shkrimet rreth disa figurave të shquara në mërgim, synoja të shkruaja shumë më tepër, jo duke e pasur ambicien që t’i përshkruaj, ose “të bëj jetëshkrimin e tyre”, por që të nxis studiues të tjerë të merren seriozisht me këto figura me shpresë se kështu nuk do të harrohen në thellësi të një kohe kaq të errët për kombin shqiptar. Falë verbërisë së fanatizmit politik, desh u la në harresë një nga faqet më të lavdishme të luftës kundër serbomëdhenjve që e bëri për vite me radhë familja e Ndreut, me kryesorin dëshmorin e demokracisë Eles Jusuf Ndreu.
Është e vërtetë se me errësimin e historisë, sa kohë isha në Shqipëri, nuk kisha dëgjuar pothuajse asgjë për këtë familje ndërkohë që bashkëluftëtari i Eles Jusuf Ndreut, Bajram Curri ishte shpallur hero kombëtar. Do të priste dikush se përderisa familja Ndreu kishte qenë Fanoliste dhe antizogiste, të vihej në të njëjtin piedestal me Bajram Currin ose të paktën të kishin vlerësuar qëndresën e saj antiserbe, kur shovinistët serbomëdhenj donin të shuanin nga faqja e dheut të tërë kombin arbëror…
Kësisoj kur u gjenda në Perëndim, fati e solli që të lidhem me djalin e Cen Elezit, Isa Elez Ndreun.

Isa Ndreu (1919-2010)
Isa Elez Ndreu (1919-2010)

“Isa Elez Ndreu ka lindur në Sllovë më 7 mars 1919, dhe është pinjoll i familjes së mirënjohur dibrane të Ndreve, djalë i Cen Elezit dhe nip i zëmadhit Eles Jusuf Ndreut, të cilët luftuan pa ndërprerje kundra serbëve në mbrojtje të integritetit të Atdheut tonë, Shqipërisë.
Isa Elez Ndreu ka krye mësimet e para në Kastriot të Peshkopisë, të mesmet i ka ndjekë në normalen e Elbasanit dhe të naltat i ka krye në Institutin “Manzoni” në Firenze. Po në Firenze ka ndjekë studimet në Fakultetin e Drejtësisë.
Isa Elez Ndreu njihet ndër tregje të huaja dhe të Italisë si industrial i shquem dhe serioz, ndërsa në rrethet shqiptare të mërgatës çmohet si Kryetar i Bashkimit Demokrat Shqiptar dhe në qarqet intelektuale shqiptare dhe të huaja si dashamirës i shtypit, i ndërmarrjeve kulturore e shoqërore…”
Ky është një shënim i shkurtër biografik i shkrojtur nga publicisti i njohur Lec Shllaku. Sigurisht unë nuk i kisha parasysh të gjitha këto, po të përjashtojmë ndonjë shkrim të shkurtër që kisha lexuar në gazetat e diasporës kur ky mirrte pjesë në aktivitete të emigrantëve ose i financonte këto aktivitete.
Besoj se që të kuptojmë se çfarë njeriu ishte Isa Ndreu (atëherë) duhet të flasim për interesimin që tregoi ky njeri ndaj meje.

Revista "Koha Jone"
Kolana e Revistes “Koha Jone”

Fillimisht më kishte shkrojtur një letër miku im Kamber Merdini që më kërkonte të mësoja adresën e tij, sepse Kamberi ishte po nga Dibra, madje nga Sohodolli, një fshat në lokalitetin e Kastriotit. Ishte e çuditshme se sa gjëra mund të mësoje nga Kamberi, megjithëse ai deri atëherë s’kishte lexuar asnjë libër (këtë sëmundje i ja vura unë më vonë). Në rrethanat e mia të një izolimi të plotë “shtatëvjeçarit të Juntës” nuk ishte e lehtët të komunikoja me emigrantë të shumtë, kur çdo gjë kontrollohej dhe mund të themi se kanali i vetëm ishte Kamberi, i cili herë-herë më dërgonte edhe ndonjë gazetë duke e kamufluar në mënyra të ndryshme. Kishim arritur pra të mësojmë të rejat shqiptare vetëm nëpërmjet Radio Tiranës! Dihet sa të mangëta ishin këto të reja, por për emigracionin nuk dëgjohej asgjë. (Në atë kohë Tirana ishte në ballë të “informacionit” për grekët demokratë dhe thuhej se programet shqiptare në gjuhën greke ishin kaq të dëgjueshme sa edhe Dojçe Velle dhe BBC. Ç’të bënin njerëzit? Besonin në… Shqipërinë Socialiste!).
Sigurisht pas ’74-rës gjendja ndryshoi, ndonëse gradualisht, në Greqi, dhe lidhjet e mia ishin bërë më të ngushta me emigracionin, por për këtë kam bërë fjalë edhe herë tjetër.
Kur më shkroi letrën e parë dhe më dërgoi revistën Lec Shllaku nuk kisha as synime as edhe shpresë që të bëhem “mik” i një industrialisti të fuqishëm shqiptar që nuk ma kishte marrë mendja se dikur do të interesohej për mua, përderisa unë isha jo vetëm krejt i panjohur deri atëherë, por edhe i izoluar dhe isha marrë më shumë me gjendjen e brendshme të Greqisë se sa me “çështjen shqiptare” si ishte bërë zakon të quhet, ashtu si quhet edhe sot. Sigurisht kurrë nuk kisha pushuar të shkruaj dhe të studioj meqenëse fati e solli të punoj në një shtypshkronjë dhe pastaj në një nga gazetat më të fuqishme të Greqisë, por kjo gjithnjë në kuadrin e inkuadrimit në jetën dhe në shoqërinë greke. Është e qartë se kur erdha në kontakt me Lecin, kisha mjaft lidhje me shqiptarët e Amerikës dhe të Francës (gjithnjë falë Kamber Merdinit) dhe mund të them se shumë pak gjëra kisha dëgjuar për një parti që quhej “Bashkimi Demokrat” dhe vepronte kryesisht në Itali. Sipas të dhënave që kisha deri atëherë dilte se kjo parti kishte pas simpati dhe afri ideologjike me atë fashiste, por nga sa mësova më vonë këto nuk ishin veçse thashetheme. Thjesht ishte një parti shumë e vogël që drejtohej nga dy burra të mençur dhe të rëndësishëm, njeri ishte intelektual i shquar, Lec Shllaku dhe tjetri industrialist i fuqishëm me ndjenja të thella mëmëdhetare, Isa Elez Ndreu.

Isa Ndreu & Adem Hodo - Rome 1968
Isa Ndreu & Adem Hodo – Rome 1968

Pasi Leci më dërgoi disa herë “të falat e Isait” një ditë më habiti kur mora një kartolinë nga dora e tij. Më shkruante disa radhë dashamirëse… “Jam shumë i kënaqur që kemi një bashkatdhetar në zemër të Greqisë dhe se revista jonë çmohet prej jush dhe do t’ju lutesha nëse aty ka shqiptarë të tjerë u bani të njoftun revistën tonë. Ju pres me u taku në Firenze dhe dëshiroj me më konsideru mik…!”
Befasia për mua ishte e madhe sepse deri atëherë besoja se ai vetëm interesohej për financimin e revistës dhe nuk çante kokën nga kush dhe ku lexohej ajo. Që atëherë, në të gjitha festat fetare të krishterimit dhe të myslimanizmit dhe, sidomos në ato kombëtare, ai do të më dërgonte një kartolinë të shtypur posaçërisht prej tij për miqtë më të mirë, zakonisht me Skënderbeun dhe heronjtë e Rilindjes. Kështu kuptova se ai bënte një jetë aktive kombëtare dhe ruante lidhje të ngushta me të gjitha qarqet e emigracionit shqiptar dhe, sidomos me arbëreshët e Italisë dhe kosovarët e emigracionit.
Meqenëse unë nuk kisha kurrfarë ndikimi në atë që quhej “emigracion”, thua se më donin vetëm si simbol që të faktojnë se kudo ka mëmëdhetarë.
Domosdo nga revista kisha informim të gjerë për emigracionin dhe fillova të marr edhe unë pjesë aktivisht me shkrime të ndryshme… pseudonime të ndryshme sepse Sigurimi (jo vetëm ai shqiptar) ndiqte çdo lëvizje, çdo fjalë të shkruar dhe domosdo kush e shkruante.
Isha në dijeni nga shkrime dhe letra të ndryshme se po bëhej përpjekje të emërohej një shesh i Parisit si “Sheshi Skënderbeg” me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar. Krahas përpjekjeve të shumë shqiptarëve një rol parësor ka lojtar Isa Ndreu, Lec Shllaku dhe domosdo revista “Koha jonë”. Pas përpjekjeve dhjetëvjeçare më 1978, Këshilli Bashkiak i Parisit, me kryebashkiak Zhak Shirak (presidenti francez) miratoi emërtimin e sheshit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeg”.
Është e vërtetë se unë nuk kisha marrë pjesë në këtë fushatë, sepse nuk kisha mundësi por as që besoja se do të realizohej kurrë. Merreni me mend habinë dhe gëzimin tim kur mora një ftesë për të marrë pjesë në përurimin solemn dhe festim të këtij sheshi. Veçse për mu ftesa të tilla mirrja përditë nga të gjitha anët e botës, për mbledhje, kongrese, festa etj. nuk kishte asnjë peshë, kurrë nuk munda të udhëtoj dhe kjo për arsye të thjeshtë ekonomike.
Duket se Isa Ndreu e kishte parasysh këtë “dobësi”. Bashkë me ftesën më dërgonte një letër ku më thoshte: “Bashkangjitur ju dërgoj edhe një çek për shpenzimet tuaja të para, sidomos për biletat e aeroplanit e për do shpenzime të duhuna për udhëtimin në Francë. Atje do të kini të siguruara të gjitha shpenzimet prej meje dhe e quaj nder që të të kemi mes nesh. Miku yt, Isai”.
Më thoshte gjithashtu se ceremonia solemne do të bëhej më 6 maj 1980 dhe se aty do të përfaqësohej i tërë emigracioni shqiptar në botë. Kishin ardhur përfaqësues të të gjitha partive, ngjyrave si dhe përfaqësues të klerit shqiptar. Arbëreshët kishin ardhur me një përfaqësi shumë të madhe.

Koha Jone 1988
Koha Jone 1988

Unë isha i panjohuri nga të gjithë dhe në aeroport më priste Leci duke ditur orën që do të arrija në Orli. Dhe besoj se për të parën herë në histori zbritën në atë aeroport kaq përfaqësi shqiptare. Atje dëgjoje emra bombastikë të së kaluarës që tashmë ishin shndërruar në skelete dhe pleq mjeranë, po shikoje edhe të rejat arbëreshe që përbënin korin kishtar dhe kombëtar, si dhe disa klerikë. Si nga arbëreshët dhe nga mbeturinat e emigracionit. Më bëri përshtypje që shumica njiheshin ndërmjet tyre.
Fjalën solemne e mbajti inxhinieri Vasil Germenji duke pas pranë gjithnjë Isa Ndreun. Domosdo pranë tyre gjendej edhe Leci e shumë të tjerë, sidomos gjatë meshës në kishën madhështore Notre Dame. Vura re se shumica e tyre, sidomos të moshuarve të njohur mes tyre përqafoheshin e putheshin duke u krenuar me të drejtë se po arrinin që në zemër të Kryeqytetit Francez një shesh do të mbante emrin e Heroit Kombëtar Shqiptar.
Në mes të atyre njerëzve dhe të asaj atmosfere festive, unë e ndjeja veten tepër të vetmuar dhe, pse jo, të trishtuar. Të gjithë e dinim se përfaqësonim një të kaluar të perënduar dhe atëherë shpresat tona ishin krejt të paqena se dikur do të mundeshim të ktheheshim në Atdhe. Nga ana tjetër kushdo nga ne përfaqësonte një tragjedi, cilido prej nesh kishte lënë prapa njerëz të dashur dhe varre të hapura nga dora vëllavrasëse. Ndërkohë nuk kisha mundur t’i afrohesha Isa Ndreut, i cili ishte gjithnjë i rrethuar nga “burra me rëndësi”, (kur ka torba fiq), vetëm kisha mundur ta përshëndes duke i dhënë dorën ndërsa Leci i thoshte se kush isha. Ai kishte mundur të murmurisë “gëzohem shumë”, sepse dikush tjetër, një burrë i moshuar e tërhiqte tutje që t’i tregonte diçka.
Ishte burrë i pashëm atëherë Isai dhe megjithëse ishte 61 vjeç, akoma nuk ishte thinjur.
Vetëm kur mbaroi ceremonia dhe njerëzit filluan të ndahen me përqafime e premtime, Leci m’u afrua dhe më tha se më kërkonte Isai.
Ai më përqafoi me ngrohtësi duke thënë: “Kisha shumë kureshtje me të njoftë! Të lumtë që more mundimin me ardhë. E shikoni, këtu ishte i ftuar edhe ambasadori i Tiranës, por ai nuk e bani kabull me nderu Skënderbeun e me bisedu me emigrantët! Me thanë të vërtetën mirë bani se kishte rrezik me u kriju ndonjë gjendje e pakandëshme…”
Nuk folëm shumë. Më shumë më pyeti ai për rrethanat e jetës në Athinë duke më pyetur në se kisha ndonjë nevojë të ngutshme. E sigurova se ka bërë mjaft dhe se po të kisha mundësi do të shkoja ta takoja në Firenze.
Nuk shkova kurrë, as e takova herë tjetër. Vetëm kartolinat e tij vazhduan të më vinin deri në vitin 1991.

Nji grup kongresisitesh Para Hotelit - Isa Ndreu
Nji grup kongresisitesh Para Hotelit – Isa Ndreu

* * *
Kam përshtypjes se Isa Elez Ndreu rron akoma në Itali dhe vazhdon veprimtarinë e tij ekonomike-industriale. Si dhe me të tjerët edhe me të kemi prerë çdo kontakt gjatë këtyre vjetëve. Do dëshiroja dikur të udhëtoja bashkë me mikun e vjetër të emigrimit Kamber Merdinin dhe mikun e ri Abdurahim Ashikun në Dibër për të gjetur e takuar pasardhësit e Elez Jusuf Ndreut. Ashtu siç do të doja që dikur të kisha mundësi të shkruaja një punim të gjatë jo vetëm për këtë burrë por edhe për shumë emigrantë të tjerë si Ernest Koliqi, për albanologun Jahallas, për “Artan Ilirin”. Karl Gurakuqin, profesor Namik Resulin dhe për shumë të tjerë.
Por me qenë se nuk i kam mundësitë dhe rrethanat le të shpresojmë se do të gjenden pena të forta që të bëjnë atë që unë nisa vetëm si shenjë nderimi ndaj disa burrave që e shkrinë jetën e tyre për mbarëvajtjen e Kombit Shqiptar. Besoj se sa më shumë figura të artit dhe të kulturës, akoma edhe të biznesit ndërkombëtar, do të pasurojmë thesarin e historisë kombëtare, aq më mirë do të jetë për të ardhmen.
Athinë, maj 2002

Isa Elez Ndreu dhe Deputeti Biaggin
Isa Elez Ndreu dhe Deputeti Biaggin

*Kristo Zharkalliun e kam njohur në vitin 1996, në muajin e parë të jetës në emigracion. Makina e tij e shkrimit “Omodoro”, dhuratë nga Kanadaja e mikut të tij të ngushtë Kamber Merdinit, do të më shoqëronte për vite të tëra derisa erdhi kompjuteri.
Kristoja ka një kujtesë që po të thosha fotografike është shumë pak. Kujtesa e tij është tërë jetë, është me shpirt, depërton në zemrat e njerëzve. Kur Kristoja nisi të bashkëpunojë me “Gazeta e Athinës”, shkrimet e tij i kalonte më parë nëpër duart e mia, çka e quaja nder dhe besim. Kishim dhe kemi një shoqëri, tashmë pesëmbëdhjetëvjeçare, të pandarë.
Shkrimi për Isa Ndreun ishte një befasi për mua. U ndjeva krenar për mikun tim, për nderin që më bënte duke më dhënë të lexoj i pari një histori sa dibrane po aq kombëtare.
Shkrimi u botua në “Gazeta e Athinës”, si shihet në faksimile, më 24 maj 2002.
Gazetën ia dhashë mikut tim Hajri Mandri si vlerë për Isa Ndreun dhe Hajri Mandri, Kristo Zharkalliun.
Shkrimin po e përcjell të plotë, (me dijeninë e autorit) pa asnjë ndryshim, me dëshirën e asaj kohe të Kristos…” se Isa Elez Ndreu, rron akoma në Itali dhe vazhdon veprimtarinë e tij ekonomike-industriale”…
Për Të, për mua, dhe për të gjithë, atdhetari Isa Elez Ndreu, rron e do të rrojë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 mars 2011 – http://gazetakritika.net/

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Një nga shkaqet që kisha porositur në një kioskë si parapagim, ishin edhe këto shkrime interesante të zotit Zharkalli!
    Ju përshëndes të gjithëve ju shkëndija të pashuara patriotizmi…

  2. Cezar Ndreu Faleminderit, ‪Jozef Radi për mundin dhe punën tuaj fisnike për të nxjerrë në dritë të vërtetat historike…

    ‪Jozef Radi Edhe unë duhet t’Ju falenderoj Cezar, se mjaft prej informacioneve i gjeta në faqen tënde të fb, që është nje tribunë dokumentesh, e në veçanti fotot, të cilat janë edhe gjuha më e drejtpërdrejtë e dokumenteve historike, po edhe e ngjarjeve dhe personazheve me rëndësi historike me të cilët Isa Ndreu, ka qenë jo vetëm bashkpjesmarrës, po edhe bashkpunues dhe financues në ato periudha tejet të vështira për emigracionin shqiptar të mbasluftës…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.