back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Taktika e hollë, por e rrezikshme e Ramës – nga Fitim Zekthi

Gazeta

Fitim Zekthi
Fitim Zekthi

Taktika e hollë, por e rrezikshme e Ramës

nga Fitim Zekthi

Kriza e pandemisë së koronavirusit ishte një rast i jashtëzakonshëm për këdo, për të kuptuar plotësisht natyrën e vërtetë të qeverisjes së Kryeministrit Rama dhe mënyrën sesi ai i kupton njerëzit dhe politikën. Pandemia, në njëfarë mënyre, jo vetëm tregoi gjendjen e mjerë të ekonomisë dhe të sistemit shëndetësor, jo vetëm tregoi se në krye të shtatë viteve qeverisje vendi është i mjerë, i varfër, i grabitur, pa institucione, por tregoi edhe një kornizë botëkuptimore që çon detyrimisht në këtë gjendje. Kjo kornizë botëkuptimore mund të çojë në gjendje shumë më të rënda.
Ka shumë vite që studiues të ndryshëm, filozofë, politologë e shohin dhimbjen, dominimin, nënshtrimin si koncepte, të cilat shpjegojnë shumë dukuri apo sjellje politike. Kjo gjë bëhet shumë më e dukshme kur është fjala për politikanë apo regjime që priren pa ndalur të bëhen autoritariste apo totalitare.
 
Në të vërtetë është fjala për sadomazohizmin politik si një koncept që shpjegon sjellje politike, që përqaset me mënyra të caktuara të të ushtruarit të politikës dhe të shpjeguarit të saj.
Termi sadizëm, dihet, është i lidhur me Marquis de Sade, ndërsa mazohizmi është i lidhur me shkrimtarin austriak Leopold von Sacher Masoch. Në fund të shekullit 19, psikiatrit gjermanë me këto dy terma përshkruan sjelljet anormale, të cilat më vonë u bënë thelbi i punës së Frojdit, i cili i pa ato si patologji dhe kërkoi të gjente mjekime.
Pak kohë më vonë, këto sjellje, sadomazohizmi, u paralelizua për të shpjeguar, siç thamë, sjellje të ndryshme politike, tipare qeverisjesh dhe sidomos për të kuptuar natyrën e autoritaristëve apo totalitaristëve.
Në rrënjë të këtij koncepti apo kësaj sjelljeje politike, në fakt, janë idetë e Marquis de Sade. Filozofia e tij buronte nga një egoizëm ekstrem, egoizëm që e shtyu të kthehej në mbrojtës të antiteizmit (një variant shumë më i egër sesa ateizmi). Për De Sade-in, mosekzistenca e Zotit e kthen universin në një mekanizmëm material ku lëvizja e përhershme e lëndës shpjegon gjithçka. Njerëzit janë makina molekulare të përcaktuara dhe kjo gjë shuan çdo përgjegjësi morale. Natyra është udhërrëfyesi i vetëm etik. Për natyrën, asnjë njeri nuk ka ndonjë vlerë më të lartë se një insekt. Përderisa natyra përdor lëndë nga organizmat që vdesin për të krijuar jetë të reja, atëherë krimi, dhuna, përdhunimi, vrasjet, janë të domosdoshme dhe i pëlqejnë natyrës. Në librat “Julliette” dhe “Justine”, De Sade i bën të qarta këto ide të tijat. Ai thotë se njerëzit, në mënyrë të natyrshme, tentojnë t’i dominojnë të tjerët, tentojnë t’u shkaktojnë atyre dhimbje dhe vuajtje. Ata që i pësojnë këto dhimbje dhe vuajtje, mund t’i pëlqejnë dhe mund të kënaqen nga to. De Sade, thotë, madje, se kjo kthehet në detyrë për ata që “janë më lart”, ata që janë më të fortë pasi këtë e kërkon natyra, kjo është e natyrshme. Këto ide të De Sade-t kanë qarkulluar shumë dendur në mendimin perëndimor dhe ato prodhuan nihilizmin, prodhuan dhjetëra ndikime në kulturë, art, letërsi, pikturë, por edhe në mendimin politik.
Sigurisht që idetë kaq radikale të De Sade nuk mund të artikulohen gjerësisht nga politikanët, por këto kanë formuar botëkuptime dhe kanë shërbyer si shtrat për të nënshtruar, dominuar, përdhunuar, shkaktuar dhimbje dhe vuajtje njerëzve.
Rousseau-i, një bashkëkohës i De Sadeit, kishte shkruar te “Rrëfimet” se ngrehja seksuale dhe dëshira seksuale shërbejnë për të kuptuar mënyrën sesi merr formë pushteti dhe marrëdhëniet e tij me shoqërinë. Rousseau, që ishte ideologu kryesor i revolucionit francez, mendonte se njerëzve u duhet marrë çdo liri dhe e drejtë nëpërmjet “dëshirës” së vetë atyre, duke bërë që shteti të zotëronte vullnetin e përgjithshëm të këtyre njerëzve. Në këtë moment shteti do të bënte të mundur rikthimin e njeriut dhe shoqërisë në gjendjen absolutisht të drejtë të natyrës. Që kjo të ndodhte duhet të kishte dhimbje, vuajtje, dominim, dhunë. Përmes kësaj dhune dhe këtij dominimi do të prodhohej dëshirë te njerëzit dhe kjo dëshirë do të bënte që ata me kënaqësi të pranonin masat. Pra, do të shkaktohet dhimbje, vuajtje, që të përjetohet kënaqësi më pas. Revolucioni francez prodhoi krime të përbindshme dhe e shpalli terrorin si mjet të drejtë dhe të domosdoshëm.
Sadomazohizmi si koncept politik, thotë Samanta Hill, një politologe në qendrën Hanah Arendt, e sheh politikën si një përpjekje për të ndërtuar një raport baba-fëmijë, mësues-nxënës, zotërinj-shërbëtorë. Kur kjo ndërtohet, atëherë pushteti dhe fama janë të garantuara.
.

Edi Rama -
Edi Rama –
Në qendër të këtij koncepti qëndron racionalizimi i dëshirave sipas piramidës së dëshirave të De Sade-it. Piramida e dëshirave të De Sade-it nis me dëshirën bazë biologjike për ushqim, vijon me atë seksuale dhe atë të kënaqësive nga dhuna për t’u përmbyllur nga dëshira për vetërealizim, për famë, për lavdi.
Dëshira bëhet subjekt i racionalizmit dhe për pasojë ajo bëhet një formë e kthyeshme në mall. Në këtë moment shfaqet marrëdhënia mes dëshirës dhe nevojës për famë dhe pushtet.
Kështu, ka shumë politikanë që përpiqen të prodhojnë këtë dëshirë, që përpiqen t’i shtyjnë njerëzit të zgjedhin me arsye dëshira në mënyrë që këta t’ua kthejnë dëshirën në mall.
Në fakt, zgjedhja me arsye prej njerëzve e dëshirave në këto raste është një iluzion i njerëzve. Ata shtyhen në situata të rënda dhimbjeje dhe vuajtjeje, ata bien nën vullnete sadomazohiste, sa nuk e kuptojnë që nuk po zgjedhin me arsye. Në të vërtetë, ata nuk zgjedhin me arsye.
Kjo është ajo që ka bërë Kryeministri Rama gjithnjë gjatë jetës së tij politike, por në këtë kohë pandemie ai e ktheu atë në synimin e vetëm politik të tij. Ai ndoqi plotësisht këtë qasje sadomazokiste.
Vetëm dy ditë më parë, ai u tha njerëzve se u kërkonte falje atyre që kishte mërzitur apo që kishte fyer në “Facebook”, se ai e bënte këtë nga dëshira për t’i sqaruar, se ai zihej e grihej me ta, por, ama, po u shërbente atyre.
Pra, për ditë me radhë, Rama u tha shumë njerëzve “mëso të shkruash”, “mos rri në FB”, “me çfarë e paguan internetin”, “mos fol marrëzira”, “të ka zënë truri dhjamë”, “e paske kokën bosh fare”, etj. Pasi i dhunoi, i fyeu dhe pasi shkaktoi tek ata vuajtje dhe zemërim (nuk është puna fare tek ata që u fyen personalisht nga ai, por te popullata e gjerë, ai u kërkon falje.
Duke u kërkuar falje, ai u jep atyre një kënaqësi. Është kënaqësia që merret nga përdhunimi. Gjatë kohës që i fyen, që i poshtëron, që nuk sillet si Kryeministër, por që sillet si një njeri i zakonshëm dhe vulgar “Facebook”-u, Rama prodhon te njerëzit një dëshirë “të arsyeshme” që të kemi një Kryeministër të sjellshëm, të butë, të edukuar. Dhe ai pas dhunës, duke ua kthyer në mall, këtë dëshirë ua jep.
Rama vendosi në Shqipëri një karantinë të ashpër të tipit të Kinës. Veç karantinës, ai caktoi orare. Njëherë njerëzit duhet të dilnin nga ora 07:00 deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 17:00. Më pas duhet të dilnin nga ora 05:00 deri në orën 13:00. Më pas, nga ora 05:00 deri në orën 17:30. Një herë dilej pa leje për në dyqan, më pas duhet të merrej leje me email te qeveria për të dalë një orë. Në fillim lejohej të dilnin pensionistët, më pas ata u ndaluan fare.
Pas 40 ditësh burg kinez, dhune psikike dhe fizike, Rama tha do të dalin të shtunën paradite vetëm pensionistët deri në orën 10:00. Pas dhunës, atyre u jepet pak kënaqësi. Ata, në fakt, e përjetojnë si kënaqësi. Gjithnjë pas dhunës, çdo çast pushimi, është lehtësim. Me po të njëjtën logjikë sadomazohiste, Rama tha do të dalin në një orar të njëjtë të dielën nënat me fëmijë deri në 10 vjeç. Pasi i mbylli në burg për 40 ditë si askush në botë, ai u la atyre disa orë kohë të dalin. Mjafton të shihje forcën e veprimit sadomaziht te pensionistët dhe te fëmijët, të cilët thoshin “faleminderit Edi Ramës”.
Gjuha, në këtë kohë të pandemisë, që ka përdorur Kryeministri Rama, ka qenë e dhunshme, kërcënuese. Ai ka paraqitur arkivole nga Italia, duke thënë se do të vdesim si këta në arkivole. Ai paraqiti varre nga Irani duke thënë se do të vdesim si në Iran. Ai tha se do të bëhemi si mish qeni, do të vdesin 18 mijë njerëz. Rama ka dalë në televizion përditë, me orë të tëra, duke bërë që njerëzit të shastisen, të tmerrohen, të dhunohen në palcë. Duke i tmerruar në këtë pikë, ai prodhon tek ata dëshira të arsyeshme (të cilat, e thamë, në të vërtetë janë prodhuar nga shtysa e qeverisë). Dëshira e parë është që të shpëtojnë nga virusi, të shpëtojnë jetën. Rama (çdo sadomazohist e di), duke e ditur që e ka shkaktuar këtë dëshirë, përpiqet ta kthejë atë më mall. Rama u thotë po ju shpëtoj, ju shpëtova nga vdekja, jam babai i ashpër, por i dhembshur. Ai rikthehet te raporti babafëmijë. Herë të tjera, ai kthehet te raporti mësues-nxënës, teksa u mëson si të mbrohen, si të ruhen, si të hanë apo të bëjnë joga, si të kursejnë. Ai është mësuesi dhe babai kur hakërrehet se ç’duhet të bëjnë, se kur duhet të dëgjojnë, se kë nuk duhet të dëgjojnë. Ai është gjithashtu edhe zotëria, të cilit skllevërit nuk duhet t’i kundërshtojnë asgjë. Ai dënon, ai cakton gjoba, ai fal gjoba, ai jep. zgjidh halle në tv, ai të jep bukë, ai nuk jep pagë “lufte”.
Pasi i përçmon besimtarët, pasi e shfaq kudo sjelljen e vet prej njeriu që nuk e duron dot fenë, pasi shprehet në televizione se beson diku në një forcë të mbinatyrshme, pasi qeveria e tij i quan ritualet në xhami apo kishë “grumbullime fetare”, pasi i quan ato të rrezikshme për përhapjen e virusit, pasi promovon një kulturë kryekëput antifetare, Rama, si për t’u dhënë kënaqësi pas dhunës, bën diçka sikur të jetë besimtar i devotshëm. Ai, për shembull, i uron myslimanët, duke cituar profetin Muhamed, duke cituar Aishen apo duke cituar dijetarë myslimanë, siç do ta bënte një besimtar mysliman, ai i uron të krishterët duke cituar Jezu Krishtin apo apostullin Shën Pali, siç do ta bënte një besimtar i krishterë. Pra, sadomazohizëm edhe këtu, dhunë dhe poshtërim dhe më pas kënaqësi. Ndoshta, këtë besimtarët myslimanë dhe të krishterë nuk e hanë, por Rama “bën të vetën”.
Të kuptuarit e politikës në këtë mënyrë, sjellja me njerëzit si sadomazohist, dhunimi i tyre si mjet politik, përdorimi i një gjuhe dominimi, nënshtrimi, është një tipar i mendjeve totalitare. Është një fatkeqësi që Shqipëria është sot përballë një situate të tillë. Jo vetëm në Europë, por edhe në mjaft vende të Azisë apo Afrikës, nuk gjen politikanë që të gjejnë apo përdorin si mjet politik sadomazohizmin për të qeverisur dhe nënshtruar njerëzit.
.
http://www.panorama.com.al/taktika-e-holle-por-e-rrezikshme-e-rames/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.