back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Të fshehtat e valixhes së diplomatit Libohova nga Çerçiz Loloçi

Gazeta

Vellezerit Arsllan e Kapllan Libohova
Vellezerit Arsllan e Kapllan Libohova 

Të fshehtat e valixhes së diplomatit Libohova

nga Çerçiz Loloçi

Përvjetori i parë i vdekjes së Arslan Bej Libohovës (1917-2002)

Një vështrim i shkurtër mbi jetën e z.Arslan Bej Libohova, patriot, mendimtar, komandant dhe personalitet i shquar i kauzës kombëtare. Së shpejti do të pasqyrohet në një monografi të plotë aktiviteti i Dy binjakëve Libohova

Arslan Libohova ka publikuar shumë shkrime në gjuhën shqipe dhe veçanërisht në gjuhën franceze. Ai ishte i pajisur me një kulturë të gjerë dhe fliste e shkruante shumë gjuhë të huaja. Ishte pjesëtar në shumë rrethe kulturore dhe mondane dhe njihej në shoqërinë e lartë europiane. I dekoruar me shumë urdhra nderi shqiptare e të huaja.
Arslan Libohova lindi më 5 korrik të vitit 1917, në shtëpitë e familjes së tij në Libohovë, mbasi Kalaja e Libohovës bashkë me pallatin, në një banesë të vjetër të shtëpisë që ishte në atë kohë pjesërisht u rrënua nga lufta ballkanike dhe më vonë nga pushtimi grek, nga Lufta e Dytë Botërore dhe së fundi nga regjimi komunist. Pjesëtar i aristokracisë së vjetër shqiptare, e cila nga shekulli i 13-të për tre shekuj me radhë brez pas brezi (prej vitit 1536-1800) ka udhëhequr principatën e Janinës dhe sanxhakun e Gjirokastrës dhe Delvinës, gjithashtu dhe disa provinca që rrethojnë ato.

Myfid Bej Libohova (1876-1927)
Myfid Bej Libohova (1876-1927)

Në historinë e vjetër të Perandorisë Osmane kjo familje (oxhak), njihet si shtëpia e vezirëve Arslanpashallinjtë e Janinës – bejlerët e Libohovës. Mbas kësaj periudhe fillon udhëheqja e Ali Pashë Tepelenës në këto sanxhakë, i cili kishte bërë krushqi me bejlerët e Libohovës duke dhënë e marrë tek ato.
Malik Bej Libohova, i ati i Arslan Libohovës ishte oficer epror akademist i ushtrisë së parë shqiptare nga viti 1915-1925 dhe më vonë si diplomat përfaqësoi Shqipërinë në Paris, Londër, Romë dhe në organizatën e Kombeve në Gjenevë. Vdiq në vitin 1952, në Romë, në mërgim, duke mbrojtur me ndershmëri dhe dinjitet interesat e vendit të vet.
Arslan Libohova së bashku me vëllanë e tij binjak Kaplan bej Libohova, u rritën nga gjyshi i tyre Mufid bej Libohova, burrë shteti në nivel ndërkombëtar dhe patriot i flaktë duke qenë 10 herë ministër në dikasteret e Financës, të Jashtme, të Brendshme dhe të Drejtësisë. Gjithashtu ka drejtuar dhe një qeveri të përkohshme mbas asaj të Ismail Kemal bej Vlorës. Mufid Libohova ka firmosur shumë traktate ndërkombëtare në interes të Shqipërisë, midis të tjerave është krijuesi i Bankës Kombëtare Shqiptare.
Në Perandorinë Osmane ka qenë ministër fuqiplotë dhe më vonë deputet i Shqipërisë në Parlamentin e Stambollit ku u dallua për veprimtarinë e tij nacionaliste si flamurtar i kauzës së pavarësisë të Shqipërisë. Duke vënë jetën në rrezik mbasi xhonturqit i bënë dy herë atentat, u kthye në vendin e tij ku vazhdoi me vendosmëri luftën për pavarësinë e Atdheut.
Gjithashtu, është një nga prijësat kryesorë të lëvizjes kombëtare e të themelimit të shtetit të parë shqiptar. Në qeverinë e parë të Shqipërisë së pavarur në 1912, e kryesuar nga kushëriri i tij Ismail Kemal bej Vlora, ai ka qenë ministri i Brendshëm dhe më vonë ministri i Punëve të Jashtme gjithashtu edhe përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit të qeverisë Shqiptare.
Arslan Libohova, oficer epror, akademist dhe diplomat, ka kryer studimet e shkollës së mesme në Paris dhe në Londër. Në vitin 1934 përfundoi me sukses Liceun Ushtarak në Napoli ku kishte hyrë në vitin 1931, dhe në vitin 1936, mbaroi Akademinë Ushtarake në Modena. Në vitin 1936, u emërua oficer i Ushtrisë Shqiptare dhe vazhdoi studimet e larta ushtarake në shkollën e lartë në Parma. Ka qenë profesor në shkollën ushtarake në Tiranë gjatë viteve 1938-1939. Kapiten në Luftën Ballkanike gjatë viteve 1940-1942 në krye të një batalioni vullnetar shqiptar që luftonte për çlirimin e Çamërisë.
Më vonë u gradua Major i Ushtrisë dhe iu dha “Urdhri i Trimërisë”. Në vitin 1947, dha dorëheqjen nga ushtria dhe jetoi në mërgim për më shumë se 10 vjet në Egjypt si këshilltar i njërit prej grupeve financiare, industriale dhe ekonomike më të fuqishme të vendit. Gjithashtu pati edhe kontakte të ngushta me personalitete politike, ushtarake dhe diplomatike për t’iu ilustruar atyre situatën tragjike në të cilën ndodhej Shqipëria në ato kohëra dhe bashkëpunoi për këtë qëllim me shtypin ndërkombëtar.
Duke qenë në këtë grup të madh iu dha mundësia të udhëtojë në shumë vende të Mesdheut, Afrikës dhe Azisë duke përfituar të mbledhë një eksperiencë të vlefshme në fusha të ndryshme të jetës. Në vitin 1959, mbas revolucionit ushtarak në Egjipt, duke qenë edhe në lidhje familjare dhe miqësore me shtëpinë mbretërore të Egjiptit, që është me prejardhje shqiptare, u detyrua të largohet nga ky vend dhe të vendoset përkohësisht në Romë, ku jetonte në mërgim pjesa tjetër e familjes. Më vonë, në vitin 1960, u largua për në SHBA ku për disa vjet jetoi në New York duke iu dhënë mundësia të vizitonte edhe shumë shtete të tjera të Amerikës. Në New York pati rastin të frekuentojë disa institute kulturore dhe akademike për të bërë studime historike dhe të kulturës amerikane.

Hyrja e Kalasë së Libohovës
Hyrja e Kalasë së Libohovës

Bashkëpunoi me shumë organizata ndërkombëtare dhe amerikane si lider i pavarur duke mos pranuar të marrë pjesë në asnjë prej partive të shumta politike shqiptare në mërgim të përçara dhe në grindje të vazhdueshme midis tyre. Këto kontakte i mori me qëllim që të mbronte lirinë dhe interesat e vendit. Ka pasur rastin të njihej nga afër me shumë personalitete të rangjeve të lartë ushtarakë dhe civilë amerikanë dhe ndërkombëtarë duke iu paraqitur atyre problemet dhe situatën e tmerrshme të Shqipërisë gjatë regjimit totalitar marksist.
Rreth vitit 1964, u kthye në Romë për arsye personale dhe familjare. Edhe në Romë vazhdoi të marrë kontakte, siç kishte bërë përpara në Egjypt e Amerikë, të interesohet për problemet shqiptare duke pasur kontakte me shumë autoritete qeveritare dhe ushtarake italiane dhe ndërkombëtare duke dhënë mendime për zgjidhjen e situatës në Shqipëri. Edhe këtu bashkëpunoi me shtypin italian dhe ndërkombëtar për pasqyrimin sa më real të situatës. Autor i shumë artikujve në revistat shqiptare që publikoheshin në mërgim dhe kryesisht i revistës “Koha e jonë” që publikohej në Paris.

Kullë Vrojtimi në Libohovë
Kullë Vrojtimi në Libohovë

Gjithashtu ka bashkëpunuar me revista dhe gazeta të huaja për problematikat shqiptare. Ai ka qenë jo vetëm një studiues i mirë i shkencës ushtarake, por edhe i historisë së Shqipërisë sidomos në kuadrin e Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim kishte bërë disa udhëtime në Stamboll për të studiuar origjinën e familjes Libohova gjithashtu edhe të Shqipërisë. Shumë dokumenta të vjetra ndodhen në biblotekat e ministritë e vakëfeve të Turqisë. Biblioteka e madhe e Mufid beut në Libohovë, me shumë libra të vlefshme për historinë e familjes dhe të vendit, u dogj si rezultat i paditurisë së drejtuesve komunistë, një krim ky për historinë dhe për kulturën shqiptare.
Arslan Libohova kishte publikuar shumë shkrime në gjuhën shqipe dhe veçanërisht në gjuhën franceze, me qëllim që të njihej më mirë historia jonë edhe jashtë atdheut. Ai ishte i pajisur me një kulturë të gjerë dhe fliste e shkruante shumë gjuhë të huaja. Ishte pjesëtar në shumë rrethe kulturore dhe mondane dhe njihej në shoqërinë e lartë europiane. Ai ka qenë i dekoruar me shumë urdhra nderi shqiptare e të huaja si të vendit të tij, ashtu edhe të shteteve të tjera. Kudo, me sjelljen e tij fisnike, reflektonte traditat e lashta të familjes së tij dhe bujarinë e vendit.

Rrapi madhështor i Libohovës
Rrapi madhështor i Libohovës

Arslan bej Libohova dhe vëllai i tij Kaplan bej Libohova janë më të moshuarit e kryetarë të familjes. Jetoi 60 vjet në mërgim me shumë dinjitet, por fatkeqësisht, nuk pati fatin, siç dëshironte, të shikonte për herë të fundit atdheun e tij të dashur, mbasi më 15 dhjetor të vitit 2002, me këtë dëshirë dhe mendim në zemër, ndërroi jetë në San Remo të Italisë në moshën 85-vjeçare. Vdiq me brengën e madhe për të ardhmen e atdheut tij të dashur.

Dy fjalë për publicistikën e z.Kaplan Bej Libohova
Është në studim e sipër botimi i një libri në të cilin do të mblidhen dhe do të publikohen një pjesë e shkrimeve të paraqitura gjatë sundimit komunist në Shqipëri, nga shtypi shqiptar në mërgim dhe nga shtypi ndërkombëtar, raporte, memorandume dhe kumtesa, të cilat herë mbas here i kishin paraqitur disa përfaqësive të huaja diplomatike amerikane dhe evropiane si dhe disa selive të kryeqyteteve evropiane, të cilët Arslan bej Libohova dhe vëllai i tij binjak Kaplan bej Libohova (i cili ka ndjekur të njëjtën karrierë) pasqyrojnë si lider indipendentë (pa asnjë lidhje me grupet politike shqiptare ose të huaja), situatën tragjike dhe vuajtjet e tmershme të popullit tonë nën diktaturën brutale komuniste dhe tradhtia e lartë e klasës drejtuese marksiste-staliniste shqiptare; gjithashtu në këto shkrime e komente flitet për historinë tonë dhe evidentohen të drejtat e pamohueshme të kombit dhe popullit shqiptar.
9 dhjetor 2003 / TN
http://www.forumishqiptar.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.