back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Me mbetë andërr… poezi nga Jozef Radi

Gazeta

Siluetë...
Siluetë…

Me mbetë andërr…

poezi nga Jozef Radi

(Dikur…
kisha lanë nji shënim delikat dhe disi ironik…

…Kohë ma vonë u riktheva te shënimi,
e gjeta njaty të paluejtun e të papëlqyem…
Edhe pse u ndjeva se kisha gabue,
s’kërkova falje…
s’kisha ndonji arsye pse!
Në t’vërtetë qe dashtë shkrue diçka tjetër,
shumë ma e thellë
shumë ma e ndjeme
ndoshta kjo poezi…)
j. radi

delikatesë dhe det...
delikatesë dhe det…

***

Ishte nji kohë
kur Ti ishe andërr…
andërr… e trazueme
shpirtnash të ndrydhun;
kur sharmi yt i dehun drite e mjalti
i bante gjethet me fërfëri ambël
e lulet me  çilë buzët me drojë…

Ishte nji kohë e trishtë çangash dhe frike
kur liria ndryhej ndër njimijë dryna
e veç andrra me pikatore
dilshin prej sysh t’lamë me dritë
e msheheshin ndër trupa të hajthëm, si yti…
e n’ecjen tande si fllad
shtyheshin qiejt e lodhun përtej,
balta na bahesh Betlehem
e liria na shkonte përskaj si kometë…

Eh,
ishte nji kohë andrrash,
kur dukej se bota
mërmëriste veç nji emën…
Tandin!

Ka nji kohë andrrash
që s’kthen për askënd…

Ku treti ajo kohë, apo asht mshehë ndër ne?!
Ajo vajza me shtat e shpirt t’shpenguem
A e kujton kush, a flet ndokush për të…
apo mbet veç hije andrrash e kohnash
që shkojnë… dhe asgja, asgja tjetër…!!?

Mos ndoshta e keni ndeshë
ndër kopshtie e ndër lojna fmijësh,
tuj mbjellë buzqeshje të rishta,
o ndër libra t’lexuem netve të pagjuma,
tretun ndër kujtime lulesh a lulemollësh
që ende biskojnë prej shtatit të saj?

S’di se ç’dritë ka lanë ndër ju
ajo kohë andrrash
kur terrorit i baheshim dashni…
Di, se ajo andërr shpesh netve të trazueme,
pa trokitë vjen e m’futet n’gjumë…
me buzqeshjen e pavrame prej kohnave
përdore më merr… e më tret diku…
s’di ku…

O mos ndoshta jena shterrë
e askush s’ka ma kohë me ia kthye ftyrën asaj kohe
kur ajo ishte andërr,
andërr e trazueme shpirtnash të ndrydhun…
Pse t’jesh andërr asht t’jesh bukë
në ditët ma t’zeza të skamjes,
t’jesh blerim – në ditët ma bisha t’dimnit
të jesh liri – në terrin ma t’thellë të qelive…

Veçse me mbetë andërr
asht ma e randsishme se me qenë andërr…

Gjithçka tjetër e ksaj bote në ngut
kuptim tjetër s’ka…
(2010-2012)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. “…po shpesh netve t’pagjuma ajo troket
    dhe vjen… me at buzëqeshjen e pavrame
    na merr përdore… e na tret diku…!”
    Ju përshëndes zotëri, jam duke lexuar nektar, të mbledhur ditëve e netëve, eter ofshamash Sizifi!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.