back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Të përkthyerit si alegori e një zëri kundërshtar ne Shqipërinë komuniste: “Epistolari i Zarates” i Luan Ramës – nga Blerina Suta

Gazeta

Luan Rama - Zaratha's Epistolary
Luan Rama – Zaratha’s Epistolary

Një zë kundërshtar në Shqipërinë komuniste

Libri i Luan Ramës

Pas botimit të librit “Epistolari i Zaratës” në Tiranë dhe botimeve në Francë “Epistolaire de Zarata” apo në versionin në anglisht botuar në Australi “Zaratha’s Epistolary”, ky libër është botuar së fundi nga shtëpia botuese e Firenzes “Scribo”. Kritika franceze dhe ajo australiane e kanë mirëpritur mjaft mirë këtë libër për të kaluarën totalitare. Nick ëalker, editori anglosakson shkruan se “Jam shumë kureshtar ndaj shkrimit të këtij libri. Duket që është një letërsi e një cilësie të lartë dhe e punuar me shumë përkujdesje në të gjitha aspektet. Është po aq tërheqëse për mua dhe mendoj ndërkohë se asnjë shkrimtar anglez apo australian s’do mund të shkruante në këtë mënyrë, duke bërë aluzion për një autor klasik dhe duke evokuar në mënyrë kaq të efekshme dhe padyshim në shijen e një shkrimtari si Koestler apo Kafka (Milton apo Blake veçanërisht para disa shekujsh), Craven dhe Philip Adams.” Kritikja Elisabeth ëade shkruan nê pasthënien e librit se: “Ky libër është një vështrim unikal, tronditës dhe prekës mbi jetën intime të një njeriu të pasionuar dhe të dashur të një mësuesi, të cilit i mungon familja dhe që shqetësohet për nxënësit e tij e që njëkohësisht ai do t’u lërë trashëgimi përkthimin e Dantes të gjithë atyre që e duan lirinë. Dhe këtë mund ta bënte vetëm me “Ferrin”, ku reflektohet gjendja e mjerueshme e këtyre njerëzve dhe shpresa se një ditë këto rrathë ferri do të kapërcehen…”
Së fundi në një konferencë ndërkombëtare të zhvilluar në Napoli nga Universiteti i Studimeve orientale nën titullin “Il selienzio e forma” studjuesja Blerina Suta, autore e disa librave kritike, ka mbajtur një ligjëratë rreth këtij romani të cilin po e sjellim në mënyrë të shkurtuar:
 
Luan Rama
Luan Rama

Të përkthyerit si alegori e një zëri kundërshtar ne Shqipërinë komuniste:

“Epistolari i Zarates” i Luan Ramës.

nga Blerina Suta

Romani i Luan Ramës “Epistolari i Zaratës” (i botuar kohët e fundit në Itali nga shtëpia botuese ‘Scribo’, me përkthim të Roza Ruci Dishnicës) përbëhet nga trembëdhjetë letra që i burgosuri politik Frederik Çoba, dikur mësues letërsie i dërgon së shoqes, duke rrëfyer përvojën e tij në përkthimin e “Ferrit” të Dantes. Pyetja e shtruar nga poeti italian Eugenio Montale se “çfarë mund të përfaqësojë Dante për një shkrimtar të ditëve të sotme”, në një “të sotme” pa hapësirë e kohë, duket se e ka përfshirë edhe shkrimtarin shqiptar Luan Rama, i cili ngjyen penën e tij në mirazhin e mrekullisë danteske në atë periudhë ‘mesjetë’ komuniste të Shqipërisë, duke na njohur me një histori të rrallë opozitare në një vend të lindjes që nuk pati shfaqje disidence, ndërkohë që atë e gjejmë në vende të tjera të kampit komunist të “shkrirjes së akujve”; (siç e quan Matvejeviç).
Romani merr si zanafillë botimin e disa letrave që Mark Ndoja i dërgon gruas së tij, Milenës. Ai është një ndër përkthyesit e Dantes në shqipe, intelektual i vërtetë (shkrimtar, studiues letërsie, me formim klasik e përkthyes i letërsisë klasike në shqipe (Homeri, Horaci, Dante), i letërsisë romantike (Karduci, Hajne), i modernizmit ( D’Anuncio) si edhe i asaj nga shqipja në italisht, veprimtar antifashist e komunist, politikan shqiptar), i dënuar në Shqipërine komuniste, si shumë të tjerë, pas Luftës së Dytë Botërore, për arsye të parimeve ideologjike që ai shprehu lidhur me letërsinë. Preteksti i dënimit për Mark Ndojën, sipas fashikullit të hetimeve të botuar së fundmi, ishte përkthimi i një satire të Haines, “Gjermania si një përrallë dimri”, me anë të së cilës, siç lexohet në një fragment të dokumentit të akuzës, paskesh dashur të paraqesë gjendjen e vendit, për të thënë se edhe aty shkrimtarët keqtrajtohen nga Partia dhe Pushteti. Historia e Mark Ndojës, shpreh një nga rrugëtimet më të ndritshme në udhën e asaj historie të Shqipërisë që mbart shtypjen dhe heshtjen, nën atë trysni që diktatura ushtronte ndaj inteligjencës shqiptare.
Dëshmi të ndryshme, që dolën në dritë kohët e fundit (cit. nga Jozef Radi, botues, biri i Lazër Radit, ish i burgosur politik), dëshmojnë për praninë e një përkimi idesh në atë epoke mes intelektualëve më të shquar të cilët, në kushte burgimi, i propozonin njëri-tjetrit të përkthyerit e veprave klasike si një mënyrë për të ndrequr disi brutalitetin e kohës. Ndokush i ka dhënë këtij lloj përkimi idesh edhe dimensionet e një “lëvizjeje” disidente, term ky mbase i guximshëm, por që në fakt përvijon një dukuri që nga forma duket si rezistencë aktive ndaj sistemit. “Duke qenë i përjashtuar nga çfarëdo lloj veprimtarie krijuese, e në atë izolim të plotë e të thellë, do të mund ta kalojë mbase jetën me këtë përkthim”, me këto fjalë profesor Mark Dema, i dërgonte Guljelm Dedës, së dënuar në burgun e Kuçit, një kopje të “Orlando Furioso”-s, libër që do ta shoqërojë gjatë 17 viteve të burgosjes në punën e detyrueshme.(3) Nga ana e vet profesori Mark Dema këshillohej prej Pashko Gjecit, përkthyesit të Dantes, që t’i kushtohej përkthimit nga origjinali të “Eneidës”, gjë e cila në të vërtetë e mbrojti atë nga terrori komunist për plot 14 vite.
 
Dante, Virgilio, Tasso, Goethe, Haine, Petrarka, Bokaçio, Hygoi, Balzak, Stendali, Tolstoi,Turgenievi, Pushkin, Lermontov, Mann, Dikens, Shou, Shileri, Gëte, Zvajg, – ishin autorë, përkthimi i veprave të të cilëve nga origjinali nxiti një veprimtari gjithpërfshirëse për gjuhën shqipe – një gjuhë që pat njohur një majë kulmore në pasurinë e shprehjes dhe nivelin më të lartë stilistikor në dialektin e predikuesve të fesë ndër kisha, në gegnishte, e cila u mohua nga gjuha zyrtare e diktuar prej pushtetit, pikërisht sepse mbahej si e lidhur me klerin e me botën perëndimore. Pjesa më e madhe e këtyre veprave, doli në dritë vetëm pas rënies së regjimit: “Komedia hyjnore” e përkthyer nga Ndoja u botua e plotë më 2015.
Pas botimit të parë të romanit të vet, Luan Rama njihet me letrat dhe historitë e ndryshme të burgosurve të tjerë politikë dhe preket thellë nga ngjashmëria e tipareve njerëzore dhe analogjia në përpjekjet për përballimin e realitetit të dhimbshëm gjatë proceseve politike e dënimeve. Autori i romanit zgjedh në mënyrë simbolike të na tregojë nëpërmjet letrave përvojën përkthimore te pjesa e “Ferrit”, edhe pse materiali që përmbajnë letrat, një preteks nga historia e Mark Ndojës, tregon në fakt çka ai i shkruan së shoqes gjatë përkthimit të “Ferrit” dhe “Parajsës”, gjatë burgosjes në ishullin e Zvërnecit.
Autori Rama e ka riprodhuar kontestin me syrin e regjizorit, duke e përshkruar ishullin e Zaratës me po ato tipare parajse që ka ishulli i Zvërnecit, pranë bregdetit të Vlorës. Në ishull e vetmja ndërtesë e ngritur rreth shekullit XIV, ishte shndrruar në burg e të burgosurit, veç rojeve, si shoqëri të vetme kishin shenjtorët e paraqitur në ikonat bizantine të pikturuara nëpër mure. Romani sfidon gjininë epistolare nëpërmjet alegorisë që i mvesh subjektit të trajtuar: përmbajtja e letrave që personazhi i dërgon së shoqes dhe na shfaq një mënyrë qëndrese ndriçimit të mendjeve duke iu kundërvënë errësirës që pjell heshtja e regjimit. Përmbajtja e letrave, që ngjyen penën tek Dante, jo vetëm lidhur me citimet në krye të çdo letre e gjetkë por edhe për sa i takon pranisë së një dimensioni më gjithpërfshirës e transfrastik, [kuptimi që ndonjëherë cek një dukuri ku kapërxehet kufiri i pranisë së një fraze apo shprehjeje duke përfshirë kështu mbase edhe një tekst të tërë] jepet si një material jetësor i aftë të trasformojë ndërgjegjen e vetë personazhit-përkthyes; një alegori për rrugën që ndjek zëri i qartë dhe i zhurmshëm i njohjes e i artit në aktin e tij shpëtimtar për jetët e shtypura nga një dhunë e heshtur.
Për një përkthyes, Dante është “një gur i vështirë prove”, si na mëson Della Volpe në “Mundësia e përkthimit të një vepre poetike” ku thotë se “Mundësia e përkthimit të një vepre poetike mund të quhet stimulante e normative nëse zbaton një mënyrë moderne e kritike, anti-estetistike, në përkthim, që synon të rrokë e ta japë thelbësoren në shumëkuptimësinë e saj, d.m.th një ide-imazh të shprehur me një mënyrë të caktuar me anë të gjuhës.” (kontestuali-organik apo stili) Letrat e personazhit “përkthyes” shfrytëzojnë në mënyrë të përsëritur analogjinë mes botës së objekteve dhe imazhin-objekt të universit dantesk: “Në heshtjen e plotë që mbretëron në ishull, dëgjohet një kambanë me tingull “të shurdhët”, simbol ky i klimës së terrorit që merr kuptimësinë e vet në analogji me imazhin që na jep përshkrimi dantesk i rrethit të shtatë të Ferrit kur i referohet ‘Veshit të Dionisit’ të Sirakuzës – shpellë në trajtë veshi, ku tirani pati mbyllur kundërshtarët e vet, viktimat që mbaheshin nën mbikqyrje vazhdimisht, nga frika se mund t’i thurrnin komplote. Trama e thurur dallohet për mënyrën alegorike të të shprehurit: heshtje dhe tingull, fjalë me kuptime të kundërta (fig. retorike e oksimaronit) që rrijnë pranë e pranë të vendosura në një skemë në formë kryqëzimi në modelin rrëfyes të epistolarit, duke bërë që zërat fizike dhe heshtja të ndërrojnë rolet.
Të trajtuarit e ideologjisë komuniste si “një vend ku dielli hesht” (e nuk shkëlqen), lidhet me heshtjen që ndeshim në fragmentet ku gjejmë përshkrimin fizik të të burgosurve: që nga errësira që mbështjell mbërritjen e tyre në ishull ku “dëgjohen vetëm splash-splashet e përplasjeve të lopatave të varkës që rrahin ujërat” e deri në përshkrimin e “qetësisë së madhe që nis të mbretërojë mbi ata trupa të mbuluar me rrecka…”. Në këtë kontekst heshtjeje, ndjesia e personazhit-përkthyes të veprës së Dantes merr vlerën e “një drite hyjnore ripërtritëse”. Citimet nga Dante në krye të çdo letre bëhen simbol i zërit shurdhues të “dhimbjes që çpon” (Cap. V) tek (cit. autori) “populli dantesk që ka humbur buzëqeshjen duke qenë i mbyllur në vendin ku Stalini konsiderohet një hero”.
Në këtë pikë, teksti zhvillon dhe pasurohet me një zë morali gjithnjë e më të fuqishëm, duke i dhënë kuptimit të heshtjes fizike të përshkruar në letra një semantikë të kundërt: …trupat fizike janë “në agoni” (Me përjashtim të llampës së varur në majë të derës së kabinës së togerit, vetëm drita e zbehtë e ndonjë qiriri që shuhet natën vonë, të lë të kuptosh se aty jetojnë njerëz, burra të dënuar, që më së shumti janë në agoni”); kemi personazhin “që nuk dëgjon më asgjë, asnjë zë, asnjë frymë, sikur gjithçka hesht” (Letra e Shtatë) dhe gjendjen në të cilën “gjithçka dergjet e mbështjellë nga një trishtim i papërshkrueshëm me një dhimbje të patregueshme” (Letra e Njëmbëdhjetë); këto shndrrohen në një objekt-materie që japin idenë e një zhurme të ndjellë nga citimet danteske: nga Kënga 5 “…io venni in loco d’ogni luce muto,/ che mugghia come fa mar per la tempesta” (unë erdha në vendin ku s’kish fare dritë/ që shungullonte siç bën deti në furtunë) (C. V); apo nga Kënga IV “sospiri che l’aura etterna facevan tremare” “ofshama që bënin të dridhej ajrin e përjetshëm”.
Edhe kur rrëfimi tregon zërin shurdhues e të egër të diktaturës, të mishëruar në urdhërat e atyre që ruanin të burgosurit, [Ndërkohë “Bulldogu” që kish dalë jashtë për të parë horizontin, kthehet nga të burgosurit duke thirrur: -Qelbësira, hyni brenda! Çfarë prisni! Të burgosurit mbetën një çast pa ditur ç’të bënin. Një breshëri e madhe shpërtheu nga automatiku i tij drejt qiellit. “Bulldogu” qesh e ulërin i egzaltuar: -Kuba do fitojë…! Rroftë Gjenerali Fidel Castro! Rroftë Ho Chi Min! E dëgjuat?! Kauza juaj dështoi. E sërish të shtëna drejt qiellit.] Po në këtë mënyrë të shprehuri gjejmë në roman, falë citimeve danteske, edhe pjesë të tjera: […Grupi i të burgosurve e pa me trishtim, në heshtje, ndërsa ngulte vështrimin ende te ajo grykë e gjatë topi…]
Falë përkthimit dhe nëpërmjet tij, realizohet ajo “harmoni” dhe ajo “ngjizje”, që sipas Benjaminit, fjala e veçantë fiton në kontekstin e ri “për të tingëlluar në vargje llojin e vet të kumtimit”9) [“Ngaqë kuptimi i fjalës me vlerën e vet poetike në origjinal, nuk përfundon në të kuptuarit e tij, por merr atë vlerë të vetën nga mënyra sesi kuptimi është i lidhur me mënyrën e të kuptuarit të fjalës së dhënë] Duke patur gjithmonë parasysh tekstin – pretekst të Mark Ndojës, duhet thënë se përshkrimi i tij i përshtatet mjeshtërisht imazhit dantesk në analogji dhe në ekuilibër me gjendjen shpirtërore që gjen harmoni mes gëzimit dhe poezisë që trazohet me helm dhe gjemba: [Zemra ime mbushet me gëzim dhe më shtrëngon, është plot poezi e përzier me helm dhe gjemba. Çfarë mund të bëjmë Milena! Kështu është jeta: e përzier me lule dhe gjemba, me helm e mjaltë[…] Edhe Dante që ka përshkruar botën e përtejme në të cilën besonte, vuajtjet dhe gëzimet i kishte parë në këtë jetë”
Le t’i kthehemi romanit në fjalë ku edhe pse personazhi – përkthyes e ndjen se zëri i vet “humbet në errësirën e natës” (Letra e Pestë), analogjia me imazhet e gjuhës danteske e ndihmon të ndërgjegjësohet e “të ndihet i lirë bashkë me shokët edhe pse të mbyllur në qeli, edhe kur ua mbyllin gojën” (Letra Trembëdhjetë). Epilogu i romanit ku protagonisti tregon se ka ndryshuar, “Tani që mbarova së përkthyeri “Ferrin” e shoh jetën në mënyrë tjetër”, është shtjellimi i një përvoje nga më të shkëlqyerat, për shpëtimin e njeriut me anë të fjalës. Kur protagonisti shpall se “Dante nuk është më ai që pata lexuar dikur”, se “Dante është një tjetër”, mund të pohojmë se është vetë autori Rama që ka ndryshuar së bashku me personazhet: Dante që pati lexuar gjatë studimeve të tij nuk është më po ai, tanimë që njeh përkthimin e vargjeve të tij të përdorura lirshëm në roman. Të tregosh mbi përkthimin e Dantes në kushtet e rënda të mesjetes komuniste, ndihmon të individualizosh konturet montaliane të “një mesjete të re ku nuk arrijmë të dallojmë karakteret”, në një botë si kjo e sotmja, kaq shumë e zhurmshme e pa një stil.
.
http://gazetashqiptare.al/2020/03/20/libri-luan-rames-nje-ze-kundershtar-ne-shqiperine-komuniste
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.