back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Të protestojmë… për t’u informuar! Klodi Stralla

Gazeta

Klodi Stralla - Tiranë 2010
Klodi Stralla – Tiranë 2010

Të protestojmë… për t’u informuar! Klodi Stralla

Tashmë është bërë publike që SH.B.A. i kanë kërkuar Shqipërisë të pranojë, në teritorin e saj, magazinimin, neutralizimin dhe asgjesimin e armëve kimike të Sirisë…
Kjo ngjarje natyrshëm ka provokuar shqetësim në opinionin publik vendas, për vetë rrezikshmërinë e lartë që paraqesin lëndet helmuese kimike për jetën e njerëzve dhe të mjedisit ku ata jetojnë, jo vetëm për të sotmen, por edhe për vitet që do të vijnë. Shqetësimi bëhet më real kur shohim që qeveria jonë, presidenti ynë apo parlamentarët tanë ende heshtin, kur kanë detyrimin t’i përgjigjen shqetësimit të ligjshëm qytetar, duke bërë transparent çdo veprimtari të tyre, veçanërisht në rastin konkret.
Deri tani kemi dëgjuar vetëm argumentat e disa personave te shoqërisë civile, të disa ambjentalistëve, por ende jo të specialistëve të mirëfilltë të fushës, të Akademisë të Shkencave, të Universiteteve apo specialistëve të ushtrisë. Megjithatë argumentat e tyre përmblidhen në dekalogun e mëposhtëm:

-Armët kimike, përbëjnë rrezik për njerëzit dhe ambientin.
-Qeveria, është në kundërshtim me veten dhe me ligjin.
-Mungojnë infrastruktura, kapacitetet dhe eksperienca.
-Mungon kuadri ligjor për trajtimin e armëve kimike në vend.
-Shqipëria ende nuk ka zgjidhur problemin e mbetjeve të saja toksike.
-Vende më të zhvilluara se Shqipëria i kanë refuzuar armët kimike.
-Sipas Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike, në asnjë rast nuk lejohet importi për qëllime asgjësimi.
-Importi i armëve kimike nga Siria, nuk është detyrim që buron nga Konventa apo nga NATO.
-Mungon transparenca dhe diskutimi me publikun.
-Shqipëria transformohet nga destinacion turistik, në destinacion toksik!!

Avni Delvina - Grafikë kundër mbetjeve toksike në Shqipëri!
Avni Delvina – Grafikë kundër mbetjeve toksike në Shqipëri!

Nëse i lemë mënjanë faktorë të tjerë që lidhen me detyrime ligjore të Shqipërisë me faktorin ndërkombëtar apo edhe me përfitimet e mundshme që do të ketë ajo si vend pritës, në një pamje të parë mund të thuhet pa mëdyshje që më mirë do të ish të mos e bëjmë ne shqiptarët këtë punë: puna me helmet, sado e sigurt qoftë, është një punë me zarar… bile me zarar afatgjatë. Por të mos harrojmë që çdo punë njerëzore mbart kurdoherë një risk dhe një përfitim dhe si i tillë duhet parë edhe rasti në fjalë. Edhe të udhëtosh me makinë, tren, vapor, avion, gjithmonë ekziston mundësia e aksidentit dhe ndotjes të mjedisit, megjithatë njerëzit udhëtojnë dhe lëvizja ka qenë ngaherë burim mirëqenie dhe pasurimi për ta; edhe të nxjerrësh krom, hekur, qymyr apo naftë nga nëntoka, ekziston mundësia e aksidentit dhe ndotjes, megjithatë njerëzit ua dedikojnë atyre zhvillimin e sotëm; madje edhe në sport apo në arte kudo ka risk, ku më shumë e ku më pak. Megjithse marrim masa mbrojtëse, kurrë nuk jemi të imunizuar nga risku. Por po ta shohim problemin më thellë Njeriu gjithmonë në veprimtarinë e vet ka vënë në balancë përfitimet dhe riskun dhe mbi bazën e tyre ka bërë edhe vendimmarrjen. Kështu duhet të veprojmë edhe në këtë rast, ndonse risku është shumë herë më i madh se në shembujt që solla më sipër.
Në rastin konkret të thuash që armët kimike përbëjnë rrezik për njeriun dhe ambjentin, dhe ta përdorësh këtë si shkak mospranimi, nuk ke thënë ndonjë gjë të re, kjo dihet; të thuash se infrastruktura e Shqipërisë, kapacitetet dhe eksperienca e saj janë të pamjaftushme, nuk është argument refuzimi, kur besohet se neutralizimin e lëndëve kimike do ta bëjnë patjetër kompani të specializuara, nën monitorimin e NATO dhe jo shqiptarët; të thuash se Shqipëria ende nuk e ka zgjidhur problemin e mbetjeve toksike të saj, të trashëguara nga koha e komunizmit, nuk do të thotë se më këtë rast mund të mos zgjidhet edhe problemi i tyre; të thuash se në një vend ku demontohen armë kimike, apriori përjashtohet mundësia që aty të zhvillohet turizmi, më duket një pretendim i ekzagjeruar; po ashtu fakti që ndonjë vend tjetër ka refuzuar t’i pranojë ato në territorin e vet, nuk përbën argument bindës që edhe ne të ndjekim shembullin e tij; përsa i përket kuadrit ligjor, edhe nëse ai është i mangët apo i munguar, atë e kanë në dorë njerëzit dhe të mos biem në pozitat e dikurshme kur Enveri na thosh se nuk merrte dot kredi, (aq të nevojshme për vendin), se e ndalonte Kushtetuta!
Por a ka përfitime Shqipëria nga kjo punë? – Sigurisht që ka. Jo vetëm përfitime materiale, për përdorimin e ambjentit ku do të bëhet demontimi, në energji elektrike dhe ujë të harxhuar, mbase edhe në fuqi punëtore, apo bonuse të tjera, që duhen negociuar me OKB-në, por veçanërisht në naltimin e profilit të saj ndërkombëtar, si një partnere dhe aleate reale e Aleancës së Atlantikut, ku ajo bën pjesë. Kurdoherë në histori pjesëmarrjet dhe kontributet janë shoqëruar me risqe dhe përfitime; Kombet kanë mbijetuar dhe janë zhvilluar vetëm duke pjesëmarrë në skenën botërore dhe jo duke bërë sehir. Ky është realiteti dhe ne shqiptarët duhet t’i përshtatemi – Do të japim, pa do të marrim!!
Nga të gjitha pretendimet e dekalogut, për mua, njëra është e vërtetë: Mungesa e transparencës dhe diskutimit me publikun. Për këtë po, ia vlen të protestohet, jo vetëm përpara Qeverisë, por edhe përpara Kuvendit dhe Presidencës, sepse kemi pranuar që jetojmë në një demokraci përfaqësuese, ku të zgjedhurit tanë kanë jo vetëm të drejta, por sidomos detyrime ndaj zgjedhësve të tyre. Heshtja, fshehja prapa gishtit, nuk janë shenja të mira; aty duhet ta këtë qëllimin edhe protesta qytetare, që ka arsye serioze të dyshojë, se qeveria e saj mund të shesë, si e ka zakon, interesat e tyre për përfitime personale. Për të tjerat duhet të shprehet Qeveria, Kuvendi, Presidenti, mbase, nëse do ta dojë nevoja edhe Referendumi, por kurdoherë pas një baraspeshimi të mençur të risqeve me përfitimet. Thëniet e Ramës, në konferencën e sotme të shtypit, se ende nuk jemi në fazën vendimarrse, nuk janë bindëse, kur ka shenja indirekte se Shqipërisë zyrtarisht i është kërkuar përmbushja e një detyrimi të tillë. Nëse vërtet, shkencërisht dhe praktikisht, Shqipëria helmohet në mënyrë të pakthyshme dhe afatgjatë nga demontimi i këtyre armëve kimike, pa mëdyshje i duhet thënë një JO kategorike!
(Marrë nga Muri i fb, Klodi Stralla, 12 nëntor 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.