Ja një shkrim i vogël.
Ia nisa një gazete, ama nuk e di se a do të botohet apo jo.
Në Shqipërinë e sotme më duket
se duhet “kurajë” për të botuar një shkrim të tillë.
Të reja për Patriarkun e Letrave Shqipe (?)
nga Hans-Joachim Lanksch
Vjet, rreth datës së 13 tetorit, me rastin e përvjetorit të 85-të të ditëlindjes së shkrimtarit D. Agolli, në shtypin shqiptar pati një dyndallë shkrimesh për “Dritëroin”. Për të shkruanin bashkëshortja, vajza, motra, mbesa deri te gjuhëtari Emil Lafe, i cili e shfrytëzoi rastin për të shkruar ca llafe edhe për lopën e tij të shenjtë, “standardin”. KM-i Edi Rama i dërgoi “Dritëroit” një shishe vere, MK-ja Mirela Kumbaro, i shkoi në shtëpi për t’ia uruar personalisht ditëlindjen “Dritëroit”. Kryeparlamentari, në mos gabofsha, ia dërgoi një tufë lulesh. Për të gjitha këto si dhe për “djalin rus” të shkrimtarit lexuam dhe pamë një mori shkrimesh dhe fotografish. Lexuam edhe se “Dritëroit” iu akordua titulli Doctor honoris causa.
Sot lexuam dhe pamë në disa gazeta një shkrim dhe disa fotografi se “Si e priti Vitin e Ri Dritëro Agolli”, ku mësojmë tri lajme të rëndësisë së parë: “Patriarku i letrave shqipe mbushi vitin e kaluar 85 vjeç” (këtë e dimë qysh prej vjeshtës së kaluar), se “shkrimtari feston në gjirin e familjes” (lajm senzacional!) dhe “shihet shkrimtari në kolltukun e tij së bashku me të shoqen, Sadijen” (gjë që e shohim dhe me sy të vet në foto).
Lidhur me përvjetorin e Dritëro Agollit u thua dhe u shkrua se ai është shkrimtari më i popullarizuar i letërsisë shqiptare, gjë që ma përkujton faktin resp. karagjozllëkun se pas vdekjes së Johann Wolfgang von Goethe, për disa dhjetëvjetëshe shkrimtari Christian August Vulpius, autor i romanit trivial “Rinaldo Rinaldini”, në Gjermani u bë më i botuar, më i lexuar dhe më i popullarizuar se autori i veprave “Faust”, “Elegjitë romake”, “Divani perëndimoro-lindor” etj.
Nejse. Por, ama, djalli e mori – kujt iu kujtua se qysh e priti Vitin e Ri shkrimtari pa titull madhështor si Patriarku i Letrave Shqiptare, shkrimtari më i moshuar i gjallë ndër shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë shqipe, i groposur në heshtjen zyrtare dhe mediatike, Kasëm Trebeshina? Për ditëlindjen e tij të 90-të u kujtuan studiuesit Behar Gjoka, Belfjore Qose dhe ca të tjerë, kritiku Agim Baçi, shkrimtari Jozef Radi, vogëlsia ime. Nuk iu kujtua, me sa di unë, Ministrisë së Kulturës, UT-së, Akademisë, QSA-së. Zyrtarët shtetërorë nuk u panë me të dhe nuk ia dërguan dhe as më të voglën dhuratë a urim. Personalisht më zhgënjeu se për këtë përvjetor nuk e vizitoi as z. Edi Rama që e njeh Kasëm Trebeshinën qysh prej ditëve të përbashkëta të revoltës studentore siç e dimë nga libri i Ardian Klosit dhe Edi Ramës: “Refleksione”. Nuk pritet që rreth z. Kasëm të bëhet një kult personal si për “Dritëroin”, por vetë mirësjellja do ta kërkonte që të nderohej një shkrimtar 90-vjeç, autor i veprës “Kënga shqiptare”, “Odin Mondvalsen”, “Dafinat e thara”, i dramave të shumta, i poezive të hidhura e të bukura dhe i shumë e shumë të tjerave.
Pavarësisht nëse botohet apo jo në gazetë,
mendoj se shkrimi mund të figurojë edhe në RadiandRadi.
Për këtë po jua nis shtojcën e vogël:
Jam i një mendjeje me mendimin e Rezart Palluqit se u mbyll debatimi me postimin e Ardian Vehbiut. Kush mendon se gjithçka është në rregull në skenën letrare të Shqipërisë nuk do ta ndryshojë mendjen, gjë që nuk e bën as ai që mendon se ajo skenë është kiamet. Për ta rrumbullaksuar pak diskutimin shtoj një rrëfim të vogël që s’ka lidhje as me Realizmin Socialist dhe as me realizmin simbolik të Trebeshinës, por me realitetin e punërave të letërsisë shqiptare. Më 1994, Trebeshina ishte mysafir i qytetit të Munihut për një rezidencë disamujore në vilën e shkrimtarëve dhe artistëve “Villa Waldberta” në breg të liqenit “Starnberger See”. Atje, Televizioni bavarez zhvilloi një intervistë me Kasëm Trebeshinën. Isha i pranishëm si përkthyes. Intervista zgjati një orë e gjysmë dhe përfshiu dhe ca kritika të Trebeshinës ndaj Ismail Kadaresë. Redaktori përkatës e ballafaqoi Kadarenë me intervistën resp. kritikat përkatëse dhe desh ta transmetonte intervistën bashkë me reagimin e Kadaresë. Mirëpo, në vend të reagimit të tij të fundit, Televizionit bavarez i erdhi një reagim i botuesit francez të Ismail Kadaresë, Fayard.
Shtëpia botuese Fayard iu kanos Televizionit bavarez se po të botohej intervista, me thëniet kritike për Kadarenë, justiciari (këshilltari juridik i botuesit Fayard) do ta padisë Televizionin bavarez…
Për fat të keq, megjithë memorien e tij fantastike, Trebeshina kish bërë një gabim ku kish thënë se Kadareja për një kohë paska qenë, ndër të tjera, edhe kryetar i LSHASH (në vend të sekretar). Termini e transmetimit u shty. Pas një gjysme viti, u transmetua intervista në kohëzgjatje 7 (shtatë) minutashe. Nuk u përmend emri i Kadaresë. Pas transmetimit të intervistës së sakatuar pasoi një emision për fërgimin e derrkucëve dhe viçëve në hell. Ky emision zgjati sak një orë e gjysmë.
***
E lexova me mjaft trishtim shkrimin mbi trajtimin politik të përvjetorëve të shkrimtarëve shqiptarë, nga zoti Lanksch. Nuk është e para herë, nuk është i vetmi rast, dhe mbetem i bindur se nuk do të ketë ndonjë përgjigje dinjitoze edhe për mjaft kohë, ndaj këtij shqetësimi të Lankschit dhe shumë tjerëve që mendojnë afërsisht si ai…
Ajo çka ishte e rëndësishme nga shkrimi në fjalë, është se aty u hap një debat ku morën pjesë mjaft emra të rëndësishëm të botës së letrave; debati qe i ndezur dhe pozitiv edhe prej atyre që nuk kanë raporte simpatike me mediat e pushtuara të pushtetit si Gjoka, Guma, Palluqi, Kola, Xhekaliu, po edhe tjerëve si Gashi, Graçi, Vehbiu, Medi, Demneri, Zekthi, Cenolli e tjerë…
E vërteta është se shkrimi ende s’është botuar nga shtypi shqiptar, ndërkohë që zoti Lanksch e ka plotësuar atë edhe me nji dëshmi mjaft interesante, të cilën me kënaqësi iu përgjigj ftesës të paraqitet edhe në faqen radiandradi.com…
Ju falenderoj për të gjitha zoti Lanksch….
Ndërsa po i shkruaja këto rreshta me erdh në vesh një shprehje e posathënë e Papa Françeskut se: “Kush e dëshiron Dritën, del nga vetvetja dhe e kërkon Atë!”
jozef radi, 6 janar 2017
Vaso Papaj
Sigurisht që përbën një shqetësim të madh për ardhmërinë, por edhe problem po aq të madh. S’ka qenë e lehte, s’është dhe s’do të jetë e lehtë të zhbësh një fortesë të ashtuquajtur Art… të ngritur dhe të sponsorizuar me aq kujdes nga diktatura si dorë e djathtë e saj (quajeni dhe të majtë po të doni), si ushqim shpirtëror, si mbështetje të fuqishme në indoktrinimin e një populli të tërë me jetë të lumtura, me parajsa kooperativiste, me realizimin e endrrës së madhe socializmit fitimtar dhe me përgatitjet për të kaluar në fazën më të lartë – komunizmin. Koha i zhvlerësoi të gjitha në bllok, me një rrëzim bronzi. Kështjella mbeti në këmbë pa i rënë një gur. Dhe jo vetëm, po vazhdohet të studjohet nëpër të gjtha nivelet e shkollës, të ushtrohet censura në heshtje për çdo oponent. Por unë besoj se kjo strategji s’do mund të zbatohet gjatë, se e zhvesh lakuriq monstrën drejtuese që quhet demokomunizëm. Çdo ditë që kalon çelin emra të rinj, talente të reja, që s’i kanë borxh asgjë atij sistemi vrastar. Pak flitet për dëshminë rrëqethëse (e quaj triumf të shkrimit shqiptar), pak për Visar Zhitin (duhet të ishin përkthyer nëe tre-katër gjuhë europiane gjer tani) me fonde të Ministrisë së Kulturës, dhe jo të harxhoheshin fonde fasade për zyra e parada mode. Aspak për dëshminë për fatin e një të riu (dhe jo vetëm por edhe stilin e Maks Rakipajt, të Dhurata Mulletit etj. Dëshmitarët po shtohen, fisnikë dhe të guximshëm. Po koha është më e drejta gjykatëse po dhe më e pamëshirëshmja).
Është provuar tashme gjykimi i saj në shekuj.
Marre nga muri i fb. 8 janar 2017
Robert Martiko
Unë jam një individ që ndonëse merrem me letërsi, kam lexuar rastësisht, fare pak, pothuajse asgjë, nga gjithë gjoja ”të mëdënjtë” e Ujrave të Zeza të Diktaturës. Kjo vjen ngaqë neveria që ndiej për ta, si njerëz, është aq e madhe saqë ndiej se nuk mund ta vijoj në asnjë mënyrë leximin. Duke ditur se ke të bësh me ish spiunë e keqbërës, si është e mundur të admirosh artin e tyre! Lexova një dite një poezi ndriçuese për mua, në faqen e Fb. së Kazanova Aliaj, një poezi të ”Doctor Honoris Causa”, me vjen ndot t’i zë edhe emrin në gojë, dhe u befasova. Jo vetëm që shkruante ndyrësira prej hajvani, por paraqitet edhe si flamurtar i amoralizmit. Nuk e di sa mund të shkojë në poezi të shprehesh si rrugaç, me fjalë të ndyra maskarenjsh, se njeriu për të shpëtuar në jetë duhet të bëjë maskarallëqe, të tradhëtojë këdo për të shpëtuar lëkurën e tij. Megjithatë, duhet të ndjehemi krenar që i përkasim shkollës së Zef Jubanit, Pjetër Meshkallës, babait të Marie Lasgush Poradeci-it, At Anton Arapit dhe një plejade të tërë individësh të rrallë e të jashtëzakonshëm. Bota tonë është një botë fisnike. Nuk është botë zvarranikësh dhe krimbash dheu. Me ndershmëri shpirtërore, sakrifica, burrëri, ndershmëri shkon Shqipëria përpara dhe jo me plehrat e mirënjohur… Individët e jashtëzakonshëm, të mësipërm, duhet të projektohen në Antologjitë Shqiptare, për të parë një ditë të bardhë Shqiptari. Por për fat të keq e Keqja ka përparuar aq shumë saqë Njeriu i Ri nuk mund të ndajë të mirën nga e keqja.