back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Të rikujtosh vitet e burgut komunist, vlen në çdo kohë… – nga Nini Mano

Gazeta

Shpend Sollaku Noè - “Filius Hostis ovvero Il figlio del nemico” - roman
Shpend Sollaku Noè – “Filius Hostis ovvero Il figlio del nemico” – roman
Gazetarja Nini Mano ishte e para në Shqipëri
që lexoi romanin tim “Filius Hostis ovvero il figlio del nemico!”
Ja edhe shkrimi i saj për këtë roman i botuar tek “Dielli”, New York.
E falenderoj nga zemra Shpend Sollaku Noé
***
Kjo vepër madhore është frymëzuar në ngjarje realisht të ndodhura
në më shumë se pesëdhjetë vite dramatike të të shkuarës së afërt të Evropës,
duke filluar me Ligjet Raciale të viteve 1938-s për të vazhduar më pas
me dikaturat komuniste e më tej. Skena, konflikti dhe personazhet në vazhdim
shtrihen nëpër botë, nga Kriza e Kubës (1962) deri në Recesionin botëror te filluar në vitin 2008.
Titujt e romaneve të oktalogjisë “Bij të Saturnit” janë: “I treni persi di Atzel Brauner”,
“Il pero fiorì a dicembre”, “Filius hostis”, “Il Gancio”, “Scorpius”, “Cavie”, “Walscher”,
“Gerda T. nelle braccia dei tre fiumi”. Secili prej këtyre romaneve ka një jetë të tijën,
të pavarur, edhe jashtë këtij kompozimi të madh letrar. T. Frattini
.
Nini Haxhistasa - Mano
Nini Haxhistasa – Mano

Të rikujtosh vitet e burgut komunist, vlen në çdo kohë

nga Nini Mano

Reflektime nga leximi i romanit “Filius Hostis ovvero Il figlio del nemico”
i shkrimtarit Shpend Sollaku Noè
 
Romanin e fundit të sapobotuar nga Shpend Sollaku Noe, shkruar në gjuhën italiane “Filius Hostis ovvero Il figlio del nemico” (“Biri i armikut”) e lexova me një frymë. Në të ka aq shumë Berat, aq episode, që brezi që u rrit në Shqipërinë komuniste i ndjeu në çdo hap, duke humbur aq shumë jetë lirie.
Kanë kaluar 30 vjet nga rënia e shtetit komunist dhe ne, dëshmitarët e asaj periudhe të përfshirë në përditshmërinë tonë, në luftën për jetesë, i kujtojmë shumë pak, pse jo, edhe aspak. Dhe kështu, si padashje, jemi duke bërë gabimin e madh, sepse një histori që harrohet, rrezikon rikthimin akoma dhe më të egër të pasojave të atij sistemi, që na dëmtoi përditë e ngapak. Por ja që ka disa shkrimtarë si Shpend Sollaku Noè, që i risjellin të gjalla, të dhimbshme, që përveçse na prekin kujtesën tonë, na bën të mundur arsyetimin se çdo gabim dhe krim, jetuar asokohe, duhet të rithuhet me zë të lartë. Historia e popullit tonë që ka kaluar në periudha të dhimbshme, pikërisht tek harresa e ka tragjizmin e vet. Kështu ka ndodhur ndër shekuj dhe nëse do të vijojë njëlloj, ripërsëritjet nuk do të vonojnë.
Romanin “Biri i armikut” po e quaj roman-ditar jete, një kronologji qytetare, sepse autori ja ka dalë të ngërthejë fort dhe bukur copëza jete, ndjesi të asaj kohe, pasqyruar në jetë të ndryshme personazhesh. Në çdo faqe që lexoja, sikur jetoja ditët tona të asaj kohe në Berat, ku gjithçka zjente nën rrogoz, ndërsa kujtime shoqesh dhe shokësh që vuajtën, më erdhën para syve.
Mosdhënia e një të drejte studimi në shkollën e lartë asokohe, ishte nisja e dënimeve për atë që goditej. Për një të ri 18 vjeçar, ishte nisja e periudhës së frikës, përndjekjes, revoltës dhe dënimit të pashmangshëm. Kështu ndodhi me Venetik Kazazin, personazhi kryesor në roman, rreth të cilit përsillen fate të tjerë djemsh e vajzash, familjet e të cilëve jetuan përndjekjet politike dhe dënimet e formave nga më të ndryshmet. Ai sistem këtë kishte qëllim: të ngulte frikën që të tulateshe, të mos ngrije zërin ndaj padrejtësive, përndryshe, dënimin e kishe mbi kokë.
Shkrimtari Shpend Sollaku ka përfshirë shumë aspekte të asaj periudhe dhe ia ka dalë. Kronologjia e kohës përfshin rininë më të pafajshme të moshës 17-18 vjeçare, që përballet me mungesën e të drejtës për ta jetuar jetën siç i takon. Çdo përpjekje prindërore për t’ia arritur një të drejte të tillë në roman përshkruhet me shumë gjallëri faktesh mes mundjes dhe pamundjes, mes një injorance të verbër krejtësisht deri lart në Byronë Politike, deri tek udhëheqësi satrap i kohës, ku më së shumti, gjithçka varej nga humori i zgjimit në mëngjes të tij. Sado që ka dhe skena sarkazme në këtë drejtim, revolta e mungesës të së drejtës, mbizotëron teksa lexon faktet e tilla.
.
Shpend Sollaku - Noè
Shpend Sollaku – Noè
Kushdo që ka provuar mosdhënien e të drejtës për studimet e larta, e ndjen në kockë atë dhimbje, që nuk ikën. Kam qëlluar në biseda me personazhe të tillë gjatë këtyre viteve, që ndonëse ia kanë dalë të bëhen të suksesshëm pas 90-tës në jetë, plagën e mosdhënies së të drejtës së studimit e kanë një plagë që pikon dhimbje shumë fort edhe sot e kësaj dite. Sepse askush nuk mund ta pranojë se dallimi mes të aftit dhe të paaftit që përfitonte shkollimin e lartë vetëm falë biografisë së “mirë” për sistemin komunist, përbën një padrejtësi që nuk harrohet. Dhe në një moshë 18 vjeçare, kushdo që e pati këtë fat, në fakt u bë më vëzhgues dhe kritik për sistemin politik, sepse gjykon çdo veprim që rëndon të ardhmen. Por përveç tyre, në roman përfshihen dhe një kategori tjetër të rinjsh, kryesisht nga familje pa anëtarë partie, të cilëve u jepej e drejta e studimit për degë që nuk i kërkonin, edhe pse mund të ishin fatlum. Por në këtë kategori futeshin dhe bij komunistësh, për të cilët sistemi i kohës kishte kategorizimet e veta, sepse jo të gjithë kishin të njëjtën devotshmëri bindjeje ndaj shtetit.
Për vajzat që mbeteshin pa studimet e larta, puna me turne në fabrika ishte e ardhmja, ku zhgënjimet edhe nga dashuri të pamundura, shkatërronin jetët. Ndërsa për djemtë, vinin tre vitet e detyrueshme në ushtri dhe personazhit të romanit i ra t’i bënte në ishullin e Sazanit, vendi-burg i vërtetë i sigurisë së lartë. Por me dallimin që ndërsa burgjet në tokë rrethoheshin me tela, burgu i ishullit ishte rrethuar me ujra të pakapërcyeshme. Për më shumë, largësia e detyrueshme dhe e kontrollueshme nga radarët, krijonte një mbytjeje të shpirtit, gati pa u kuptuar. Kushdo që ka kryer ushtrinë asokohe, e di mirë se ato tre vjet përbëjnë humbjen e një periudhe të shtrenjtë të jetës, ku kuptoje se duhet të përballoje një “armik imagjinar” tek mendja e sëmurë e udhëheqësit, që nuk mbrriti kurrë në prag. Por nga ana tjetër, sistemi komunist duke zgjedhur këtë lloj rruge, forcoi vëzhgimin pas jetesës dhunuese dhe arsyetimeve mes ushtarëve, që përgjithësisht vinin nga shtresat e dënuara nga politika komuniste, për një botë qesharake imagjinare, ku lufta bëhej gati me mullinjtë e erës.
Duke lexuar këtë roman me titullin domethënës “Biri i armikut”, njeh aspekte të jetës së asaj shtrese të dënuar, ku dhimbja nuk shkëputej nga e përditshmja me aq shumë fate tragjike të personazheve të ndryshëm. Secili prej tyre përbën një histori dhimbjeje, që ngushtonte hapësirat e jetës. Sepse askush sot nuk mund ta kuptojë se si vepronte Sigurimi i shtetit me grupmoshën e 20-vjeçarëve për t’i tërhequr në veprimtari spiunllëku tek shokët dhe shoqet e ngushtë. Ne që e jetuam atë kohë, pas viteve ’90-të kemi mësuar aspekte të ndryshme, kur shoqja, apo shoku i klasës, kryesisht bij komunistësh, që u përfshinë në këto veprimtari, na spiunonte ne, pa ditur gjë. Ndër ta, edhe nëse gjendej ndonjë që guxonte ta shprehte nën zë këtë fakt, vetëm rriste pasigurinë dhe frikën.
Romani “Biri i armikut” përbën tërheqje për tre kategori lexuesish. Së pari për brezin që e jetoi atë kohë me aq shumë pengesa lirie, ku mosha e rinisë piqej dhe ndryshej pa kuptuar asgjë nga jeta që ikte. Për të rinjtë e sotëm ky roman përbën një mundësi për të njohur marrëzitë e asaj jete, që ndrydhte gjithçka dhe për të kuptuar se sistemet diktatoriale pjellin vetëm krime dhe fatkeqësi njerëzore me mungesën e lirisë. Në grupin e tretë përfshij të huajt, të cilët përmes këtij romani, mund të njohin jetën në një shtet të vogël në jug të Europës, ku jeta mbyllej me një ndrydhje të frikshme, të trembur nga gjithçka.
Besoj se ky roman duhet të përkthehet edhe në gjuhën shqip, si një mundësi rikujtese për një sistem që shkatërroi njeriun dhe fatet e secilit prej nesh.
.
https://gazetadielli.com/te-rikujtosh-vitet-e-burgut…/
 


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.