back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Te rrëfimet e Mrì Dedes, kam gjetur shumë gra të jetë sime – nga Lindita Harizaj – Dema

Gazeta

Mri Dedja e Merrnacajve - Rrefime t'nji jete - Jozef Radi
Mri Dedja e Merrnacajve – Rrefime t’nji jete – Jozef Radi

Te rrëfimet e Mrì Dedes, kam gjetur shumë gra të jetë sime

nga Lindita Harizaj – Dema

Ju falenderoj nga zemra për këtë libër me shumë vlera jo vetëm për mua! Ashtu si Mrìa, po falenderoj edhe unë, Mark Merrnaçajn, nismëtarin e këtij projekti dhe sigurisht autorin e librit Jozef Radin, (ose Ninin, siç e thërrasim ne që e njohin qysh herët) i cili me këtë libër ka bërë një vepër arti, e ku gjithkush mund të gjejë pjesë nga jeta e vet, e nga dramat e mëdha të popullit shqiptar. Ndjehem e priviligjuar që m’u dha mundësia ta lexoj e ta dëgjoj në audiobooks këtë libër të madh…
Dua ta theksoj: E kam lexuar dy herë këtë libër. Kam lotuar e kam vajtuar bashkë me nanën Mrì, po edhe kam qeshur me shpirt e jam gëzuar, ndërsa ajo rrëfente ditë mbas dite jetën e saj prej Kelmendit e deri në Nevv York… Në këtë libër të saj, kam parë gjyshen time kur na tregonte si ja vunë flakën dhe ua dogjën shtëpinë me gjithçka kishin brenda, kriminelat e kuq komunistë, në po atë vit tragjik si edhe Mrìsë, 1945. Po atë ditë, i kanë marrë brutalisht dhe kanë internuar gjyshen time me 4 fëmijë të mitur, ku babai im, Qemal Dema, ishte më i madhi i tyre vetëm 9 vjeç. Kështu ata e nisën kalvarin e vuajtjeve të egra nga bisha komuniste rrugave të Shqipërisë: sa në Berat, në Tepelenë, në Portopalermo… derisa përfunduan mes baltrave të Gradishtës së Lushnjes!
Kam parë në këtë rrëfim jetën e mamit tim, nëpër kampet e internimit, me burrë në burg e me katër vajza që i rriti më shumë pa bukë se me bukë, por na rriti me shumë dinjitet, me dashuri e displinë. Në kët libër të dhimshëm, por edhe heroik, kam gjetur edhe veten time… Ne jetonim veç me nderu, respektu e lartësu emrin e familjes edhe babanë tonë, Qemal Dema, ashtu si Mrìa që nderoi derën e Bajraktarit të Vuklit, po edhe derën e shtëpisë ku jeton sot e kësaj dite.

Lindita Harizaj Dema & Jozef Radi
Lindita Harizaj Dema & Jozef Radi

Në kët libër rrëfimesh të nanës Mrì, e cila na dëshmon modelin e malësores epike, qëndrestares, heroinës, mikpritëses së pashoqe, nanës së dhimbshme, një familje përplot me traditat të bukura, e nëpërmjet saj, unë shihja sakrificën madhore të gjysheve, të nënave, të motrave tona, të Gruas Shqiptare që diti të mbijetojë me kurajon dhe forcën e shpirtit të paepur, me mençurinë dhe fisnikërisë karakteristike gjatë periudhës më të egër në histori, asaj të diktaturës komuniste.
E ndjeva shumë këtë libër, dhe sinqerisht e kam vuajtur në shpirt e më është futur thellë në zemër.
Jam shqiptare dhe e kam për nder e krenari që jam e tillë! Por njëkohësisht më vjen turp e mallkim pse s’ka as drejtësi e as përgjegjësi, pse kurrë nuk u dënuan krimet dhe barbaritë komuniste mbi njerëzit e mirë e fisnikë! Dhimbjet tona vazhdojnë edhe sot e kësaj dite e do të jetojnë me ne, sa të kemi frymë…
Nderim dhe respekt për nanën Mrì, për gjithë sakrificat e dhimbjet që ajo ka vuajtur në jetë, e ka qendruarsokoleshë!
Zoti ja shpërbleftë vetëm me të mira: “Gruas së Hekurt me vlerën e arit”, po unë do të shtoja edhe diçka më shumë: Me vlerën e diamantit!
Ju falemnderit!

Nga fjala e mbajtur në 17 shtator 2023, në promovimin e librit në Hartsdale  – NY.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.