back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Të vajtova, Ilir, siç vajtohen vëllezërit requiem nga Shpend Sollaku – Noé

Gazeta

Shpend Sollaku - Noé - Dhimbje
Shpend Sollaku – Noé – Dhimbje

Të vajtova, Ilir, siç vajtohen vëllezërit

requiem nga Shpend Sollaku – Noé

 

Lajmi i Shpendit për “Ikjen e Ilirjan Hoxhës” më trazoi shpirtërisht dhe më tronditi.
Ishte një prej personazheve të klasës sonë, i ulur diku nga fundi,
si zakonisht me Sandrin, “Kokbardhi e Kokziu” që fliste me atë zërin
që kishte tonalitete dramatike, dhe me atë të qeshurën shpërthyese,
ishte ndër djemtë më të mirë të klasës, sepse në kohën e ideollogjisë,
ai ishte tejet jashtë saj dhe në kohën e cinizmit iliri ishte më njerëzori.
E thyen, e përthyen, në një farë mënyre e vranë… dhe iku shpejt ndër të parët,
mori shumë pak thuaj asgjë… e jetoj në shpërfillje të asaj bote të egër që i vret ëndrrat…
Lamtumirë miku im i mirë, Lamtimirë Ilirjan Hoxha,
zëri yt, e qeshura jote, shpirti yt i lirë, tashmë ka qiejt për të shetitur!
jozef radi, 19 maj 2023

Gjimnazi i Lushnjes '70
Gjimnazi i Lushnjes ’70

I shtrenjti Ilirian Karafil Hoxha,

vetëm sot e mora vesh që ti nuk je më mbi këtë botë, që prej disa ditësh ke fluturuar larg. Larg, atje ku ligësia, sëmundjet, presekutimi i dikurshëm, përbuzja e komitetsave nuk mund të të arrijnë dot, sepse ata të gjithë janë përtej zjarrit të ferrit e digjen përjtësisht, si dënim i krimeve të tyre kurrë të pranuara, kurrë të rrëfyera, kurrë të ndjera si të tilla, por si përmbushje e detyrës perverse.
Shoqëria jonë e gjimnazit ka qenë vëllazëri, rrinim e flisnim më shumë mes shokësh të ngushtë se me vëllezërit tanë. Hidheshim në zjarr për njeri-tjetrin, derisa partia e fëlliqur nuk na hodhi mua në Sazan e ty të veshi me një uniformë që asnjëherë nuk e deshe.
Do të ishe bërë një aktor i shkëlqyer, u përgatite për këtë, dhe disa shfaqje edhe në Kinoteatrin e Lushnjes, ku shiteshin të gjitha biletat vetëm që të të shihnin ty.
Nuk besoj të kesh harruar kur të prezantova me Kadri Roshin tek kafja e pallatit të Kulturës, në sheshin Skënderbej. Ai, pasi të pa e dëgjoi, të tha: “Je i prerë për disa lloj rolesh!” Dhe vazhdoi me shaka: “Ke për ta nxjerrë në pension Ndrek Lucën! Ha, ha, ha!”. Premtoi të të ndihmonte. Por nuk ta dhanë të drejtën për të dalë para komisionit të Institutit të Lartë të Arteve.

Ilir i dashur,
Nuk kam asnjë foto këtu larg prej teje, prej kujtimeve tona 1997-a la vetëm boshllëkun që nuk mund të mbushet më me asgjë. Nuk mund të marr pjesë në varrim, nuk e dija as edhe që nuk ishe më. Nëse nuk do të më kish shkruar një mesazh një miku ynë i përbashkët i viteve të çmuara, do të mendoja akoma të gjallë e të qeshur, shakatar si atëhere, me shpirtin tënd tolerant e të pastër, gjithmonë gati të shuaje sherre e mërira të kota.
Hera e fundit që mbaj mend prej teje ishte në Lushnje.
Kur unë të thirra nga mbrapa, nga një fare largësie: “Iliiiir!”
Ti ktheve menjëherë e kokën i befasuar duke thënë: “Shppendooooo, nuk mund ta harroj, kurrë këtë zë!”. Dhe u përqafuam të mallëngjyer, pas aq shumë vitesh mërgimi.
Të vajtova, Ilir i dashur, siç vajtohen vëllezërit, edhe pse kaq larg, por të imagjinoj tashmë atje lart, ulur mbi një stol, si dikur, me vështrimin tënd të zgjuar, me ironinë tënde të çmuar, me zërin tënd prej aktori të talentuar, me veshin tënd të rrallë të muzikës… ndërsa kendon pranë Zdravkos që i bie kitarës: “Pusti, pusti Modu”!!

Marrë nga Muri i FB i Shpend Sollakut, 19 maj 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.