back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Të vdesësh për të qenë e lirë… ese kushtuar martires Marie Tuci – nga Emi Krosi

Gazeta

Skeda e Marie Tucit
Skeda e Marie Tucit

Të vdesësh për të qenë e lirë…

ese kushtuar martires Marie Tuci

nga Emi Krosi

Kushtuar vajzës Mirditore, mësueses Marie Tuci, (1928-1950)
të cilën regjimi enverian e torturoi në mënyrën më makabre,
duke e mbyllur në një thes, lakuriq, bashkë me një mace të egër.
Nuk mjaftonin vetëm thonjtë e kafshës së egërsuar,
por njëkohësisht, ajo goditej me mjete të forta nga hetuesat
dhe gardianët e burgut, në prani të grave të tjera të burgosura.
Pse?! Sepse mendonte ndryshe.
Vdiq e masakruar nga shqipfolësit e një ideali pa ideal…
.
Marie Tuci (1928-1950)
Marie Tuci (1928-1950)

Po vdes nanë, sot po vdes

nga Meti Fidani

 
Nan’e dashtun, sot po vdes
më kan futur, në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kan mbyll, n’thes linace
 
N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’ e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë!
 
Po vdes nanë, sot po vdes
një lamsh gjaku, brenda n’thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kan ça, bark e zorrë
hajde nan’, e ven’ një dorë!
 
Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat e m’vish murgeshë
mos qaj nan’, jam bij’ Mirdite
s’na kan mposht, tash ndër vite
jo as shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
bollshevikë e as titista
as hetues komunista!
 
Po vdes nanë, moj un’e zeza
shko e m’sill, një palë ndrresa
njëzetedy, posa kam mbush’
nuk du’ nan’, me m’qa kërrkush
as n’Orrosh, e as Ndërfush’
as në bjeshkët atje thellë
as në Fan e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë
 
Zoti nan, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu’, të vdes e lirë
më sill ndrresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes.
.
Qelia e Marie Tuci - Burgu në Shkodër
Qelia e Marie Tuci – Burgu në Shkodër

Leximi nuk është thjesht një “ushqyes” i trurit, por njohja më përtej imagjinatës. Lidhja e të gjitha shenjave, që barazohet me atë të tekstit, çon tek Lexuesi Model i Eco-s, krijon lidhjen e mundshme e të ndërsjelltë të gjitha “njësive kulturore” (Eco: 1979), të kuptuar nga konteksti apo kompleksi i tekstit që kemi përpara, për të kuptuar variacionin e mundshëm të elementeve tekstorë, të një poezie të vetme që mbetet “peshtafi” i fundëm i një vajze të re, që sfidoj jo vetëm xhelatët e diktaturës, me besim tek Zoti, por “vdiq e shqyer nga macja e egër brenda një thesi”, (Metushi: 2017), edhe vetëm pse ishte e bukur. Bukuria ishte e rrezikshme. Akoma më e rrezikshme ishte liria, sepse ajo ka fuqinë për të “asgjësuar”, sipas Sartre-it. Mallkimi i femrës për të krijuar lirinë, është një traumë e prekshme dhe e rrezikshme, për çdo femër, sidomos për ato, që përçojnë liri dhe i bëjnë rezistencë jo vetëm traumave, por edhe plagëve, që dinë si të mbrohen nga “vetërebelimi”, duke u kapur tek dyshimi: liria është dyshim; liria është kërcënim. Liria është rrënimi i mureve të paparashikueshme, është përtejcaku i përcaktimit të njerzores për të sfiduar fatin.

***
Vdekja si përcaktesë që në titull “Po vdes nanë, sot po vdes” është “fati” i çdo gjallese vdekatare, një deklamim kaq i trishtë i një vajze të re, ndaj nënës së saj përmes vargjeve: “Nan’e dashtun, sot po vdes/ më kan futur, në një thes/ lakuriq, tok me një mace/ më kan’ mbyll’ në thes linace”, është rrëfim i dhimbshëm, por tortura për një femër qëndrestare, ndaj lirisë, besimit, shpirtdlirësisë së saj femërore për të qëndruar ndaj urrejtjes ndaj së bukurës. Ndarja në (strofa), sepse poezia është thurur me vargun 7-8 rrokësh dhe me rimë [aa/bb]. Madje rima tingëllues [vdes/ thes, mace/ linace], çuditërisht mbaresat fundore, [vd-es/ th-es dhe ma-ce/ lina-ce] të japin përstypjen e rrokjeve kërcitëse, ku dhembja nuk ka më as ëndrra, sepse “përgjegjësia fillon nga ëndrra”, – thotë Yeat-s. Strofa tjetër; “N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti/ po ma merr nan’ shef Seiti/ jashtë thesit, shqip po flasin/ më shqelmojn’e më godasin/ ligësia, nuk ka ngjyrë/ shqelm në bark, shqelm në fytyrë!” me 7-vargor, ka po atë strukturë si strofa e parë, vetëm se përcaktesë krysor këtu është vendi i torturës, (burgu i Shkodrës), aty ku vajza ishte dëshmitare e fesë së krishterë, si postulate e Motrave Stigmatike, si një dëshmitare e fesë katolike, me shpirtin e saj fisnik, s’u përkul as përpara epshit shtazarak të shefit, (e dëshironte si femër) nuk mund ta mposhtte karakterin e vajzës së fortë mirditore. Torturuesit janë ata që po “ndërtonin moralin e ri komunist”, por duke shpifur për imoralitetin e një vajze të re, vetëm e vetëm pse e ka të shenjtë, besimin, lirinë dhe moralin. Vargu: “ligësia, nuk ka ngjyrë”, tregon se “të kuqtë” nuk kanë ngjyrë se janë të pangjyrë dhe dy tofjalëshat emrorë: “shqelm në bark, shqelm në fytyrë”, dy epitete përcaktues, tregojnë dhunën fizike në trup dhe fytyrë, duke e shpërfytyruar totalisht atë.
Strofa tjetër: “Po vdes nanë, sot po vdes/ një lëmsh gjaku brenda n’thes/ nuk ka vend imagjinata/ kriminelë, shpirtzinj si nata/ më kan’ ça, bark e zorrë/ hajde nan, e vem’ një dorë!” rrimarrja e titullit si strofë e parë e këtij gjashtëvargori, në formë përsëritje (metaforat pothuajse mungojnë), enumeracioni herë-herë si vargu: “më kan’ ça, bark e zorrë, nuk ka vend për imagjinatë…” Është një rrëfim i drejtpërdrejtë, prandaj edhe poezia si lloj epik (autobiografi), tregon dhunën dhe torturën e hetuesve, për të shuar qëndresën dhe besimin e vajzës luftëtare. Vetë vargu: “nuk ka vend imagjinata”, shkon përtej çdo imagjinate, apo mendimi sepse dinjiteti i saj i lartë dhe i pathyeshëm, që nuk iu dorëzua epsheve të funksionarëve të Sigurimit të regjimit të kohës, ndonëse ishte e mbyllur në qelitë e errta të komunizmit, bukuria e saj u vriste sytë e gardianëve dhe njerëzve të pushtetshëm, qëndrimi burrëror i saj nxiste dhunën brenda tyre, po Maria Tuci s’u përkul në asnjë çast duke i dëshmuar atyre se përtej një gruaja të re dhe të bukur, qëndronte një grua shqiptare plot dinjitet, e bindur në idealet e veta të larta, të shenjta e të përjetshme. Ajo u bë martire, duke iu kënduar edhe kënga “Maria Martire për fe’’, (Di Pinto: 2016).
Vazhdimi i strofës tjetër me vargjet: “Mbaju nan’, mbaju burrneshë/ më sill teshat e m’vish murgeshë/ mos qaj nan’, jam bij Mirdite/ s’na kan’ mposht, tash ndër vite/ jo as shkau, as dhe turku/ as Enveri, as dhe burgu/ bollshevikë e as titista/ as hetues komunista!” është porosia [mbaju nan’] dhe “urdhri” [e m’vish murgeshë], por forca e figurave të sintaksës poetike, në vazhdimësinë e enumeracionit dhe të lidhësave bashkërenditëse [as/dhe], janë të qëllimshme se i japin forcë lëvizëse urrejtjes edhe me anë të anaforës. Vargu: “Më sill teshat e m’vish murgeshë/ mos qaj nan, jam bij’ Mirdite…”, se Marie Tucit ia morën jetën duke e mbytur në moshë të re, mes dhimbjesh dhe torturash pafund, po në jetë e pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, “nderit dhe besimit në Krishtin Shpëtimtar” (Vatikan: 2018). Ajo donte të bëhej murgeshë, t’i përkushtonte gjithë jetën e saj, besimit ndaj Zotit, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën më të egër të komunizmit shqiptar.
Në qytetin e Shkodrës, përkrah 39 priftërinjve martirë, që sot nuk jetojnë, ka nisur procesi i kanonizimit dhe për motër Maria Tucin, të vetmen martire të kishës katolike shqiptare në diktaturë. Ajo nuk përfaqëson thjesht sakrificën heroike të një vajze të re në mbrojtje të besimit dhe nderit, po përfaqëson gruan shqiptare që ngre zërin, që akuzon haptazi prepotencën komuniste kundër atyre që mendonin ndryshe, “ajo është simboli i gruas që di të mbrojë bindjet e veta dhe t’i shpalosë ato, pavarësisht rrethanave që janë kundër saj. Ajo e do dhe respekton lirinë e saj dhe e mbron deri në fund atë. Refuzon të jetë objekt i epsheve, shembull i gruas që rebelohet dhe s’e pranon ne heshtje abuzimin”, (Saraçi: 2017). Udhëtimi poetik është një sfidë, por kësaj radhe ndaj krahinës më qëndrestare, patriote dhe katolike të Mirditës, nëpërmjet vargjeve: “Po vdes nanë, moj un’e zeza/ shko më sill një palë ndrresa/ njëzet e dy, posa kam mbush’/ nuk du’ nan’, me m’qa kërrkush/as n’Orrosh e as Ndërfush’/ as në bjeshkët atje thellë/ as në Fan e as në Kthellë/ as n’Kurbnesh, e as n’Selitë/ as kurrkund nëpër Mirditë…” Përsëritja dhe ripërsitja e vargjeve nëpërmjet enumeracionit dhe anaforës, onomanistika e toponimisë emrore të fshatrave të Mirditës, si Oroshi, (kulla e Markagjonëve), tregon edhe njëherë ndasitë fetare, fisnore, krahinore veri-jug. Ai dërgonte vrasës dhe torturues nga jugu të vrisnin dhe mbillnin terror nëpër Mirditë, Malësi e Shkodër (sidomos në popullsinë e besimit katolik), vetëm e vetëm që t’i nënshtroheshin komunizmit, kur ata nuk i ishin nënshtruar për pesë shekuj pushtimit otoman.
Eleminimi i fesë dhe prelatëve, apo edhe familjeve të bajraktarëve, intelektualëve dhe gjithë ajkës së qytetarisë së shoqërisë shqiptare të krijuar me shekuj, prishi edhe rendin socio-shoqëror, familjar dhe fetar në emër të “njeriut të ri socialist”, përmes dhunës, nënshtrimit, përdhunimit, vrasjeve, burgimeve dhe kampeve. Në katërvargorin e fundit autori konfirmon edhe dëshminë dhe “amanetin” e fundëm me postulatin e Maries: “Zoti më dha mëshirën, që të vdes e lirë”, nëpërmjte vargjeve: “Zoti nan, ka pat’ mëshirë/ m’ka dërgu, të vdes e lirë/ më sill ndrresat, po të pres/ po vdes nanë, sot po vdes…” se liria e saj për mbrojtjen e besimit është vdekja, sipas Sartre-it: se njeru është i dënuar të jetë i lirë, Maria “dënohet” për të qenë e lirë, prandaj “gjithë torturat e mundura i ushtruan mbi trupin tim. Falënderoj Hyun se po vdes e lirë”, (Gjeçi: 2009). Përsëritja e vargut të parë, se kurba zbritëse e vdekjes ishte e pashmangshme. Tani dhimbja u qetua. Vdekja mori kurmin, por jo shpirtin dhe “legjendën e gjallë” të pamposhtjes së trimëreshës mirditore, mësuesja që përçoj dritën e dashurisë, mëshirës dhe qytetërimit për shoqërinë tonë, se “e lumja Marije Tuci – emër që nuk harrohet”, (Dedaj: 2018), nuk VDES, por jeton në poezi.
 
Emi Krosi
Emi Krosi

Bibliografi

1.Eco, Umberto: (1979), Lector in fabula, Bonpiano, Milano
2.Metushi, Bleona; (2017), Vdiq e shqyer nga macja e egër brenda një thesi – vdekja tragjike e martires katolike Marie Tuci, “Shekulli”, Tiranë. http://shekulli.com.al/vdiq-e-shqyer-nga-macja-e-eger-brenda-nje-thesi-vdekja-tragjike-e-martires-katolike-marie-tuci/
3.At Di Pinto, Leonardo: (2016), Imzot Vincenc Prennushi me shokë martirë, vëllimi II, Arqipeshkvia Shkodër – Pult.
4.Maria Tuci, vajza mirditore, simbol i emancipimit e dinjitetit femëror, martire e fesë së krishterë nën regjimin komunist, Radio-Vatikani, 24 tetor 2018, https://www.vaticannews.va/sq/kisha/news/2018-10/e-lumja-marie-tuci-martire.html
5.Saraçi, Fatbardha: (2017), Kalvari i grave në burgjet e komunizmit, ISKPK, (Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit), Tiranë.
6.Gjeçi, Terezina: (2009), E djathta shqiptare  në mbrojtje të Shqipërisë etnike – (7), Lumbardhi,  Prizren.
7.Dedaj, Kristinë (2018), E lumja Marije Tuci – emër që nuk harrohet, “Dielli”, NY. https://gazetadielli.com/ e-lumja-marije-tuci-emer-qe-nuk-harrohet/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.