back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Teatri i Karpës dhe Teatri i Tiranës – nga Paulin Paplekaj

Gazeta

Paulin Paplekaj
Paulin Paplekaj

Teatri i Karpës dhe Teatri i Tiranës.

nga Paulin Paplekaj

Në Karpën e vitit 2338 jeta vazhdonte1]...
Von Barnatari një kandidat për dhandërr prej Akripe, kalon lumin e Drinit e del në Karpë, i thirrun për martesë me mbesën e Diktatorit. Megjithë kundërshtimet e Vonit, për mos me u martue përdhunshëm, shoqnia e mbështollën në një pelerinë plastike, e vunë në barkë, e lëshuen në kulmin e Drinit, dhe e nisën për Karpë. Në skelën e Karpës, dhandrrin e ri e priste kronisti i Karpës, që ja thoshin emnin Shkriba, te cilit i ishte ngarkue detyra për ta njoh barnatarin me zakonet e qytetit. Shkriba, prej në fillim e këshillon Von Barnatarin, që për t’u ba dhandërr i qytezës së Karpës, ja vlen me prit javë, muaj a më shumë.
Karpa kryesohej prej Plakut, (Diktatori) i cili nuk shfaqej shpesh në publik. Në fakt, Karpa drejtohej prej Ajkës, nënkryetares së Bashkisë, që njëkohësisht ishte dhe mbesa e diktatorit.
Në Karpë, përurohej ndërtesa e teatrit, e cila ndriste nga brenda dhe jashtë, pa emën të posaçëm, anonim si me pas qenë ndreqë prej të parëve kund katërqind vjet më parë.
Por ajo që kishte më rëndësi në Karpë, ishte Kopshti Zoologjik, ku mbaheshin shtazët e dikurshme shtëpiake, që patën qenë egërsue mbas ramjes së shtërgatës së thatë, dhe që u bashkuan me shtazët e egra tradicionale, biles edhe u kryqëzuen me to. Nga kjo përzimje u zu rraca e një farë derri që zhbinte dheun e të gjitha prodhimet. Ajo që të binte në sy, ishte zbutja e shtazëve të egra, aq sa drejtuesit e Kopshtit Zoologjik, pështjelloheshin kur ndanin frymorët në kategori. Drejtori i kopshtit zoologjik, një frymor që me zor shquhej se me çfarë bishe përngjasonte, nuk donte të kishte asgja të përbashkët me banorët e tjerë të kopshtit. Drejtori ishte i suksesshëm në punën e tij. Sidomos në zbatimin e vendimit të këshillit shkencor për shtitërimin e një lloji të ri qenësh, zagarësh e çakejsh që u vinin në ndihmë rojtarëve në raste emergjencash.
Në faqen tjetër e Karpës, apo në katundin blegtoral mrizonin përzieshëm me dele, dhi e lopë, amvisat vejusha apo të ndame me burrat që i ndrynin në çmendore të kopshtit zoologjik, dhe shmirjakët (barinjë dashtnor të amvisave), të gjithë pa gratë e veta të cilat ishin në qytet. Katundi blegtoral kryesohej nga Kryeshmirjaku i quajtur Katalla që jo rastësisht ishte vëllai i Ajkës, por që diktatori e kishte përjashtuar nga mundësia për ta pasur si kryetar i Karpës.
Mbas vdekjes së Diktatorit, (prej një helmimi thuhej), Ajka duke dashur të mbrojw dhandrrin e ri prej akuzave, vendos të bëj kurban Shkribën. Vendi përfshihet në një luftë të përgjakshme civile ndërmjet turrës së zezë të amvisave dhe shmirjakëve nga njëra anë dhe zejtarëve dhe krahëve të punës nga ana tjetër.
.
Karpa - Roman nga Martin Camaj
Karpa – Roman nga Martin Camaj
Prej se Von Barnatari nuk ishte për luftë, por donte të merrte pushtetin me paqe, Ajka ngarkon Romancierin ta ndrynin në një shkamb, jo për ta izoluar, por për ta shpëtuar nga përleshjet e përgjakshme ku ishte përfshirë Karpa.
Ndërkohë që qyteti kridhej në luftë civile, Von Barnatari ia del të mbijetojë në luftë me kandrra, inseke e zogjt e malit, që donin pushtetin e tyre në shpellën ku Voni gjallonte. Voni arrin të fitojë lirinë dhe të dalë në shtegun e dhelpnës në mëngjesin e marsit të vitit 2339.
Në qytet lufta kishte përfunduar. Njëharazi me festën e shregullave, në qytetin malor të Karpës, Von Barnatari martohej me Borën. Qyteti gumëzhinte nga festa pas lufte, dhe të gjithë ishin angazhuar në rindërtimin e Teatrit të Karpës, me vetëm me një ballë skenari punuar në mozaik, që u quajt “Pyrgu i Utopisë”. Von Barnatari, arriti të vendoset në krye të Karpës. Dukunia e mizorisë, iu mvesh Ajkës si shkaktare të derdhjes së gjakt në fis.
Në Tiranën e vitit 2018, ka jetë po aq sa në Karpë, biles edhe ma shumë…
Von Barnatari i Opozitës, i thirrun si kandidat për dhandër me pushtetin, mbrriti prej Mbretënisë së Vendve të Ulta.
Ish lideri historik i demokratëve të Tiranës dhe ma gjanë, e ban punën fort ma mirë se Shkriba i Karpës. Madje pa droje mund të thuhet se bën edhe punën e Romancierit të Karpës. Me energji t’pashterrshme, informon gjithkënd që don me ditë se ç’ka ndodh në këtë qytet e ma gjanë, por për ç’ka është ma e rëndësishme, nuk rresht së përpjekuri për ta ba burrë Von Barnatarin e Opozitës. Por në ndryshim nga sakrificat që kreu Romancieri për ta shpëtuar Von Barnatarin e Karpës, Zoti ia kurseu këtë mundim liderit historik të opozitës. Pasi Barnatari i Tiranës, si duket i merr këshillat direkt nga “Ajka”, dhe shmanget sa herë në qytet guxon të “bulzojë” ndonjë pakënaqësi ndaj diktatorit dhe “Ajkës”, aq sa të gjithë e kanë pagëzuar me emrin “zjarrëfikësi”. “Se drapnit në thes i del maja, përjashta” – thotë Populli. Edhe barnatar, edhe zjarrëfikës, kandidati për t’u martuar me pushtetin që pret t’ia ofrojë “Ajka” e Tiranës.
Diktatori i Tiranës dhe ma gjanë, ndryshe nga ai i Karpës, është i ri, plot sharm madje nga mënyra si e demostron arrin të shkaktojë tek të gjithë ndjesinë e neveritjes së skajshme. Sakrifica e Diktatorit të ri të Tiranës për qytetin është sublime. Prej se e don deri në asht qytetin e tij ka vendosur të burgosë mbrenda qenies tij shpirtin e atit shpirtëror, të ndjerit diktator që qe aq i “dashur” me të gjithë ne, sa desh u çmendem kur Luçiferi e mori pranë vetes.
“Ajka” e Tiranës, ndryshe nga ajo e Karpës, është e vjetër, por mendjehollë e shtatëshpirtshe sepse po përcjell dy diktatorë, ndërkohë që vazhdon të drejtojë Tiranën. Tiranasit, prej se ndihen të pushtuar prej “admirimit” për “Ajkën” e tyre, madje ma shumë se Stokholmasit u dashuruan me dhunuesit e tyre, e kanë pakëzuar me titullin “Vejusha e zezë”. Vejusha e zezë, kontrollon gjithçka në këtë qytet. Dora e saj ndihet në platformën qeverisëse forcës në pushtet, ashtu edhe në platformën e Von Barnatarit të opozitës, që pret ta sjellë në pushtet Vejusha e Zezë.
Ndoshta shumë kush mund të çuditet me lëvizjet e “Von Barnatarit” të Tiranës, që djeg goma në Lushnje kur, shpërthen pakënaqësia në Kukës, apo lufton me “kandrra e bubërrec” në Vlorë, kur Parlamenti i diktatorit vjedh pronën publike, apo qoftë kur babalizon partinë me LGBT-ista, që kanë marrë yrish në kavaleta plehu, duke i dhanë jehonë ndër kazanët mediatik të diktatorit. Por kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, falë mendjes diabolike të “Ajkës” së Tiranës, e cila jo pa mundim, arriti t’i ulë në marrëveshjen e “Qe palla” diktatorin me Vonin.
Mozaikut të “Pyrgut Utopisë”, s’ka se si t’i mungojë Kryeshmirjaku i Tiranës, që prej se u mërzit me diktatorin që nuk e lejoi të merrej më me fushën e bujqësisë, krah asaj të rendit në qytet, kryekcei dhe iu mvesh malit. Thonë se merret me blegtori dhe e ka kapluar edhe pasioni i kalërimit. I pëlqejnë majat e larta, prej ku vajton mungesën e gjelbërimit të fushave. Ndryshe nga Katallani (Kryeshmirjaku) i Karpës, ky i Tiranës, pret të zgjidhë problemet me “drejtësinë” e drejtuar prej turrës së zezë të amvisave, në mënyrë që të kthehet ngadhnjimtarë për ta gjelbëruar edhe njëherë vendin me bimët e shpirtit tij.
Mozaiku, zbukurohet edhe me mister Neverinë që i pushon shpirti, vetëm kur trazit shtazët. Drejtori i kopshtit zologjik të Tiranës, që ndryshe nga ai i Karpës, ka avancuar në drejtim të kujdesit që tregon për kafshët. I bindur se është në projeksionin e “Ajkës”, për të pasur Von Barnatarin, i është vënë punës me mish e shpirt sidomos në shtitërimin e qenëve dhe zagarëve që lehin për llogari të tij në media e kudo tjetër. Pronarët e mediave, prej se e ndjejnë veten “minjë”, janë vetëofruar si nevojtore të Neverisë.
Në ndryshim nga drejtori i kopshtit Zoologjik të Karpës, ky i Tiranës, kërkon të administrojë edhe teatrin e qytetit, dhe kjo, jo krejt pa të drejtë, pasi gjithmonë ka demostruar së është aktor më i arrirë se vetë rrogëtarët e teatrit. Këta të fundit, të vetëdishëm se do cënohen nga humbja e rrogës, kanë dalë prej kopshtit, dhe kanë ngritur “Çadrën e Lirisë”, njësoj si Von Barnatari kur shpalli Republikën e Re.
Në ndihmë të rrogëtarëve aktor, janë përfshirë dhe ish zyrtarucët e partive politike, që kanë marrë peng edhe atë zë qytetar që mund të ndihej nga shoqëria civile. E të dy palët bashkë, ia arritën të “vrasin” protestën e qytetarëve, për ruajtjen e asaj që e dinë për tempull kulture, por që në fakt, për pesëdhjetë vjet ishte zyrë propagande e diktatorit të vjetër, dhe në këto njëzetë e tetë vjet, është shëndërruar në zyrë bordoroje, ku marrin rrogat të ashtuquaturit artist. Drejtori i kopshtit zoologjik të Tiranës, ia arriti të çmontojë protestën e rrogëtareve aktor, jo vetëm se nëpërmjet qenëve dhe zagarëve të tij arriti t’i ndajë nga tufa më të “devotshmit”(sigurisht nëpërmjet ofrimit të ofiqeve), por edhe se, aty bashkë me ta kishte dërguar të “protestonin” miqtë e tij që kanë marrë peng zërin e shoqërisë civile. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Një protestë që fillon me parullën e bajatshme “Unë jam teatri”, kopjuar nga qëndrimet mbështetëse për një gazetë franceze, s’mund të fitojë simpatinë qytetare, përkundrazi e trendën kauzën në shkapërderdhje. Me këta drejtues të shoqërisë civile, nëse prishja e nevojtoreve publike të Tiranës apo ndërtimeve mbi Lanë, do kishin ndodhur përpara se të ndodhnin sulmet mbi gazetën Charlie Hebdo të Francës, nuk është çudi, t’i shihnim duke protestuar me parullat “Unë jam nevojtorja” apo “Unë jam lana”. Duken të rinj, por “Dhija i ka motet e shkrueme në brina”.
E nësë në qytetin e Karpës, teatri i ri, u rindërtua vetëm me një ball, në mozaikun e të cilit ishte endur “Pyrgu i Utopisë, në qytetin e Tiranës, s’ka pse të ketë fare godinë teatri, meqë e vetmja regjizore që i lejohet të bëj teatër, është “Ajka” e Tiranës, me aktorë si diktatori, Von Barnatari e drejtori i Kopshtit Zoologjik. Le ta hedhin mllefin shurqel përpjetë aktorët rrogtarë. Mister Neveria e din punën që i është caktuar. Sepse në këtë qytet senderzohen vetëm ide meskine.
Jeta në Tiranë vazhdon… ani ç’ka bastardheshëm!
Paulin Paplekaj
Tiranë më 16.10.2018
 
1] Në romanin Karpa, Martin Camaj, ka arritur të vendos mjeshtërisht zhvillimin ngjarjeve ndërmjet viteve 1975-1980 në një libër, që lexohet nga ku personazhi kryesor në vitin 2338. Voni, së bashku me personazhet e tjerë, janë thelbe të mëparshme të personazheve të një tjetër kohe.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.