back to top
5.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Tefa – Shtjefën Mark Palushi – nga Fritz Radovani

Gazeta

Shtjefën Palushi (Tefa) (1943-1985)
Shtjefën Palushi (Tefa) (1943-1985)
Tefa – Shtjefën Mark Palushi
nga Fritz Radovani

Vitet kalojnë, po kujtimet mbesin të pashlyeshme për disa Miq!
E nji ndër Ata miq të paharrueshem asht edhe Shtjefni ose Tefa!
Ishim në Shtëpi të Kulturës në Shkodër, kur Tefa djalë i vogël erdhi dhe mori një letër nga Prof. Vladimir Jani, për sekretarin e Lidhjes në Tiranë, Foto Stamo, letër me anë të së cilës Prof. Vladimiri, i kërkonte me ndihmue Tefën për me u regjistrue në Lice Artistik në Tiranë, tue pasë parasysh se Tefa asht i talentuem dhe duhet ndihmue për konditat shëndetësore të tija, sigurisht pikënisja ishte talenti i tij. Që në bankat e Liceut spikat prirja e tij e veçantë për karikaturën, një gjini krejt e veçantë e grafikës, por edhe pak e zhvillueme tek na. Piktori i njohtun Zef Bumçi e ndihmoi pa rezerva talentin e ri Tefën, i cili për një kohë të shkurtë bahet i njohun në Shqipni nëpërmjet faqeve të revistës “Hosteni”. Pa kalue pak vite Tefa merr pjesë edhe ndër ekspozita ndërkombëtare ku, fiton edhe çmime artistike.
Tefa krahas ilustrimeve për revistën merret edhe me ilustrime librash dhe me vepra karikature që i paraqet në ekspozitat lokale të Shkodrës dhe ato nacionale në Tiranë, ku, pothuej vazhdimisht asht nderue me çmime për merita artistike.
Pa hy në analiza të veprave apo të ekspozitave personale të Tija, unë do të tregoj në kët shkrim dy aspekte: Tefa aplikues i parë në Shqipni i karikaturës në tekstil dhe, Tefa piktor i denjë si shok dhe mik i vërtetë me u quejt “shkodranë”.
Deri në vitin 1993, ruejta me shumë kujdes arkivin e plotë të modeleve të tekstilit të punueme në atë fabrikë që nga hapja e repartit të stampimit në vitin 1959, nga piktori bullgar, i cili, kishte ardhë në Shkodër për aplikimin e metodës së stampimit me seriografi në Shqipni. Aty ishin të gjithë negativat e modeleve që ishin stampue në fabrikë që në fillim nga piktori Franc Ashiku. Ka pasë pak filma të damtuem nga një përmbytje e fabrikës, por me pak retushime nuk humbte vizatimi origjinal, mbasi ata filma mujta me i tha nga uji në ato ditë. Mund të tham se vlera e tyne ishte shumë e madhe për historikun e tekstilit në at qytet ku, pëlhura e mëndafshit asht aq e vjetër sa vetë Shkodra…
Porsa dola në pension, në vitin 1992, u zhduk edhe arkivi. Mbas vitit 1969, aty ishin të ndamë në vite edhe negativat, edhe mjaft vizatime në letër po, edhe mjaft nga kampionet që përgatiteshin në pëlhurë për me u aprovue nga entet tregtare të krejt vendit tonë. Duhet theksue se në konsultat për këto modele paraqiteshin rreth 75-80 modele vizatimi në vit të pqrgatituna kryesisht nga unë dhe Tefa, i cili mbulonte gjokset e bluzave të trikotazhit me karikaturat e Tija aq të dashtuna për fëmijët e të gjitha moshave, madje edhe shumë pëlhura pambuku të vlefshme për me u përdorë edhe nga vajzat e reja të rritshme.
Tefa krahas ilustrimeve për revistën merret edhe me ilustrime librash dhe me vepra karikature që i paraqet në ekspozitat lokale të Shkodrës dhe ato nacionale në Tiranë, ku, pothuej vazhdimisht asht nderue me çmime për merita artistike.
Kanë kalue 16 vjet si ujë, pa kuptue… Si ecë koha… Por, nuk më shkonte kurrë mendja se me aq shpejtësi po ecin edhe këta vjet të tjera pa Tefën…!
Shumë herë harroj… se, Tefa nuk asht ma…!
Jetoj edhe sot me shumë kujtime të bukura të asaj kohe që ishim me Té, ma shumë se shokë e miq!
Ashtu si mue: Shkodrës sot i mungon nji e qeshun në ditë ma shumë…!

Tefë Palushi (1943-1985)
Tefë Palushi (1943-1985)

Rast i veçantë: Kam fillue punë në Fabrikën e Pëlhurave, si piktor tekstili bashkë me Shtjefën Palushin (ose Tefa) me 18 Korrik 1969, dhe jemi nda përgjithmonë me Té, po me datën 18 Korrik 1985, plot 16 vjet… Sikur edhe vetëm 16 faqe me shkrue në një artikull prap do t’ishte pak me anekdota, kujtime, diskutime, probleme jete e pune,ë probleme që as nuk mund të mendohen nga njerzit të cilët nuk e kanë jetue at kohë, kur Tefa tue kenë edhe anëtar i Lidhjes së Artistave, punonte me nji ish mësues të larguem nga arsimi për biografi… por, gjithmonë prej ditës së parë e deri te e fundit: “shok e mik besnik”.
Asht i përjetshëm dhe i paharrueshëm kujtimi i artistit Tef Palushi!
Vetëm ata që Tefën e njohën personalisht kanë çka me kujtue për artistin, piktorin dhe humorin e Tij të paharrueshen, ndër të gjitha kohët!
Vërtet vitet kalojnë po, kujtimet sa vijnë e nguliten ndër kujtesat tona.
Kush e njohu Tefën…, ai ruen kujtime të përjetëshme për Atë Artist!
Melbourne, 2 Nandor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.