back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Tepelenasit, në ditën e Museut te Kujtesës – nga Shefqet Dobra

Gazeta

 

Tepelenw - 1952 - Klasa e VII - Mes tyre te interrnuarit, Lule Sokoli, Sose Sokoli, Gjon Tunxhi, Kristina Markagjoni, Gjon Markagjoni
Tepelene – 1952 – Klasa e VII – Mes tyre te interrnuarit,
Lule Sokoli, Sose Sokoli, Gjon Tunxhi, Kristina Markagjoni, Gjon Markagjoni

Tepelenasit, në ditën e Museut te Kujtesës

nga Shefqet Dobra

Më 23 gusht, të gjithë ish të internuarit në kampin e Tepelenës, do të mblidheshin për të kujtuar kohën e vuajtjeve të veta po dikush të prindërve apo të afërmve të tyre.
Veçanërisht, për ne që jetojmë akoma, duke parë pas kaq vitesh atë vend, ku kishim lënë vitet e fëmijërisë, na ngjallte trishtim. Unë bashkë me Bexhet Sinën – Bexhetit, aty i kishte ndërruar jetë gjyshi, por varr nuk ka – ne shkuam shpejt dhe e shetitëm pëllëmbë për pëllëmbë, ish kampin. Më pas u ngjitëm lart në qytet të pijmë kafe.
Në lokalin e parë që pamë, zumë një tavolinë. Nuk vonoi, erdhi një burrë i moshuar, ezmer, me pak mustaqe, pasi na dha dorën e na tha:
-Ça dëshironi zotërinj?
-Nga një kafe, – i thamë ne. Kurse unë shtova: – Nëse bën kafe turke, na e bëj të mirë ama, unë e dua turke pa sheqer!
-Po! – tha – Do ta bëj dhe shumë të mirë! Pasi pruri kafet dhe nga një gotë ujë, – kafen ma kishte bërë të mirë na pyeti: Doni dhe nga në raki? Unë refuzova. Ai tha: – Kafet dhe rakinë, sot i keni nga unë!
-Jo, të faleminderit! – i thamë ne.
-Po, po! Sot mos e diskutoni, i keni nga unë dhe pikë. E di unë, që ju jeni nga ata të Kampit.
Me këmbënguljen e tij, unë nuk pranova, Bexhetit ja pru një gotë të mbushur plot me raki. Edhe për vete mori një kafe dhe e pru në tavolinë tonë, ishte sa për të bërë muhabet, kur ishte i lirë. Edhe shërbente… edhe vinte bisedonte me ne. Unë jam nga Turani! – na tha. Më quajnë Çelo Muça. Mbaj mend kur të internuarit ishin Turan. Atje ishin pak më të lirshëm – tha – edhe dilnin punonin te ndonjë fshatar, kurse këtu… Këtu kanë vuajtur shumë më tepër! – shtoi – Veç halleve që i kishin zënë, – na tha – kishin edhe një komandant që i trajtonte shumë keq!
Ishte qytetar i atij qyteti, pas kaq vitesh, fliste për vuajtjet tona si t’i kishte vuajtur vetë. Ndenjëm goxha dhe u ndamë si të ishim miq që u takuam mbas gjithë atyre viteve…
Dy Malësoret e nderuara në Përkujtimin Viktimave të Kampit të Tepelenës...
Dy Malësoret e nderuara në Përkujtimin Viktimave të Kampit të Tepelenës…
Mbasdite, dolem prapë në Tepelenë të pinim kafen e mbasdites. I thashë shokut: Të dalim nga ana tjetër se ai, përsëri, s’do na i marrë lekët. Dhe ashtu bëmë. Ndaluam në një lokal përballë selisë së partive. Kishte një hapësirë të bollshme të mbuluar, të hapur nga ana e bulevardit. Aty ishte një djalë i ri rreth të tridhjetave. Na pru kafet dhe gotat me ujë. Unë e piva ujin menjëherë, e ai na pru dhe nga një gotë tjetër. Pasi vuri gotat në tavolina në tha: Ju rrini sa të doni, unë do e mbyll lokalin.
-Mirë, merr lekët që të ikim kur të duam, – i thashë.
-Ju rrini sa të doni, u thashë, se jashtë është vapë, kafet sot i keni nga unë! – Tha. Ne ngulëm këmbë, po djali nuk pranoj! Vetëm shtoi:
-Ju keni lënë, një pjesë të jetës. Keni lënë jetë njerëzish të afërm këtu, e ç’janë dy kafe që po u jap unë.
-Po ti je djalë i ri, ku i di ti këto? – i thashë unë.
-Jam i ri, po babanë e kam të moshës suaj. Na ka treguar për atë kamp. Prindërve tanë, – shtoj – u dridhej buza, kur tregoni për atë kamp. Madje, – shtoi ai – kur na tregonte baba, se si një polic i kampit kishte rrahur një djalë, vetëm pse kishte zbritur nga shkolla, këtu në qytet. Sa herë e tregonte këtë, i dilnin lot nga sytë.
Shumë na bënë përshtypje këta njerëz, me zemër të madhe. Na dha dorën mbylli derën dhe iku. Ne ndenjë mjaft kohë aty. Nga dera doli një vajzë e re, dhe na pyeti: Doni edhe nga një gotë ujë të ftohtë?
-Po, mirë do bësh, – i thashë. Kur i pru gotat, Bexheti e pyeti: Ti punon këtu?
-Jo, unë jam e shoqja.
Bexheti duke qeshur i tha: falas u jepni të gjithëve kafe.
-Joooo! Ashtu duhet ta mbyllim lokalin po, kalimtarëve si ju, po.
 Këta banorë merituan falenderimet tona për kujtesën dhe dhimbjen që u kanë trasmetuar brezave të tyre për dhimbjet e Kampit të Tepelenës.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.