back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Terrori i një Kryeqyteti dhe vrasjet në Hotel “Bristol” – nga Dr. Çelo Hoxha

Gazeta

Tirana e 17 Nëntorit 1944
Tirana e 17 Nëntorit 1944

Terrori i një Kryeqyteti dhe vrasjet në Hotel “Bristol”

nga Dr. Çelo Hoxha

Më 17 nëntor 1944, Tirana nuk u çlirua, siç është thënë deri tani, atë ditë përfundoi pushtimi i saj nga partizanët. Pushtimi nisi më 28 tetor, u shoqërua me terror kundër shqiptarëve të pafajshëm dhe zgjati 19 ditë. Vetëm në bodrumet e hotel “Bristolit” u pushkatuan më 12 nëntor 1944, 14 vetë.
Në librin “Historia e Shqipërisë” 1965, thuhet se “beteja e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë, sipas normave të luftimeve midis dy ushtrive të rregullta”, por dëshmitarët okularë dhe faktet flasin ndryshe.
Partizanët shkonin shtëpi më shtëpi dhe i merrnin të piketuarit për “një sqarim në komandë… ose i vrisnin në shtëpitë e tyre, siç vranë Muharrem Lleshin, tiranasin që nuk ndërroi veshjen tradicionale: qeleshen, xhamadanin, xhymlekun, brezin dhe brekushet.
“Unë kam qenë me nënën në oborr, mbaja kandilin sepse ishte natë”, – tregon i biri, Njazi Lleshi, asokohe 10 vjeç, “Dil, o Rremë, se kemi një punë”, – i thanë (partizanët). Familja e varrosi në oborr. “Mbas dy ditësh (partizanët) vijnë përsëri dhe na thonë: ‘Ngrijeni prej këtu kriminelin’. Më 17 nëntor, kur mbaroi lufta, e çuam te Varri i Bamit”, – tregon duke qarë me ngashërim 75-vjeçari, të cilit iu vranë edhe dy vëllezër në Kosovë, Sulejman dhe Islam Lleshi. Një vrasje e tillë s’flet për përballje ushtrish në betejë, siç thotë teksti i përgatitur nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë në Universitetin e Tiranës.
Por, ky nuk ishte as rast i izoluar. Edhe Muharrem Likun në shtëpi e morën dhe pranë saj e vranë. Dali Ndreu, gjeneral i forcave partizane, i dërgoi lajm vëllait të Muharremit, Halil Likut, të fshihte njerëzit e vet. Muharremi nuk u largua. “S’i kam lyer duart me gjak!” – tha, – tregon i biri, Bahri Liku.
.
Qendra e Tiranës 17 Nëntor 1944
Qendra e Tiranës 17 Nëntor 1944
Bashkë me Muharremin vranë edhe Abdulla Saraçin, pasi i nxorën nga shtëpitë në mesnatë “për një fjalë në komandë”. Trupat e tyre i hodhën mbi një triçikël akulloreje dhe aty i lanë dy ditë, të ruajtur nga një patrullë partizane. “Babait i prenë gishtin për t’i marrë unazën”, – thotë zoti Liku; këtë ia kanë treguar pas rrëzimit të regjimit komunist.
Të gjithë thuajse kështu u vranë: duke i marrë natën nga shtëpia, sipas një liste të hartuar nga komanda partizane.
Lluka Xhumari, i cili u vra në hotel “Bristol”, ishte biznesmen. Pasi e morën partizanët dhe prej tij s’vinte asnjë lajm, e shoqja shkoi të pyeste për fatin e burrit te Spiro Mosiu, me të cilin kishin njohje dhe ai, siç tregon i biri, Jani Xhumari, iu përgjigj: “Lluka nuk është në listat që kemi për të pushkatuar”. Fati i Llukës dhe i viktimave të tjera të “Bristolit” u mor vesh një muaj e gjysmë më vonë, kur kutërbimi i trupave të tyre të dekompozuar u përhap në qytet.
Ekzistenca e listave konfirmohet edhe nga burime të tjera. “Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë”, – thotë Kristo Themelko, i cituar në dy libra, “Tirana e përgjakur” dhe “Politika antikombëtare e Enver Hoxhës”.
Ajo që ndodhte në Tiranë, është përshkruar si “terrorizëm” edhe nga figura të larta të PKSH-së.
Sejfulla Malëshova i thotë, i alarmuar, Enver Hoxhës – episod i përmendur te vepra “Titistët” e diktatorit – se në Tiranë bëhej shumë terror, po vriteshin “shumë oficerë të penduar”. Hoxha i përgjigjet: “Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit. Kë quan terror ti dhe për cilët oficerë më ankohesh?!”
Tirana në nëntor 1944
Tirana në nëntor 1944
Oficerët që vriteshin, nuk ishin të penduar, ata thjesht nuk ishin bashkuar me partizanët. Tre prej tyre kishin qenë shokë shkolle me Enver Hoxhën, në liceun e Korçës. Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi dhe Fahri Dabulla u arrestuan në shtëpinë e të parit. Patrulla partizane që shkoi për t’i arrestuar, i gjeti duke darkuar, ata i ftuan dhe të gjithë hëngrën së bashku. Pas darkës partizanët u larguan, por u rikthyen në mesnatë dhe i morën “për një sqarim” në komandë. Enver Hoxha i përmend në kujtimet e tij në mënyrë denigruese ish-liceistët e shkëlqyer. Për Nazmi Uruçin thotë, i cituar nga Bedri Alimehmeti, se “u bë oficer e mbaroi keq”. Sikur ai u vra nga rrufeja apo pësoi aksident.
Partizanët ishin krijesa të dehumanizuara. Subi Topullin, oficer karriere, e vranë dy komunistë që, sipas Alimehmetit, ai i njihte dhe “në një moment të vështirë u kishte shpëtuar jetën”. Ndërsa Doktor Rasha, mësues linguistike, ishte një njeri që bënte veç të mira. “Pse e vratë doktorin, o çuna? Doktori binte ndihma dhe e donim të gjithë, i madh e i vogël”, – u tha partizanëve i vetmi dëshmitar okular i ngjarjes, veç togës së pushkatimit, Muharrem Picalla.
Mes viktimave ishte edhe Nebil Çika, një gazetar shumë i njohur dhe, pa dyshim, i urryer nga komunistët. Vëllezërit e Musine Kokalarit, e cila, për shkak të gjurmëve që ka lënë me penën e saj, është më e njohur, Muntazi me Vesimin, patën gjithashtu një fund të tmerrshëm, në hotel “Bristol”, ndërsa vetë ajo përjetoi një tmerr që zgjati 39 vjet, deri kur mbylli sytë, e vetmuar, në internim në 1983.
Numri real i viktimave të nëntorit të frikshëm nuk dihet, por janë mbi 50. Në romanin “Nëntori i një kryeqyteti” të Kadaresë, ku rrëfimi përqendrohet te marrja e radiostacionit gjatë pushtimit të Tiranës nga partizanët, nuk ka ndonjë frymë lufte mes dy ushtrive të rregullta. Gjëra episodike, madje më shumë vend i kushtohet dilemës së njerëzve që nuk janë me komunistët, si shkrimtari Adrian Guma apo publicisti Nebil Kaçaj, kufoma e të cilit më vonë gjendet në një bodrum pa emër në roman (në historinë reale është bodrumi i hotel “Bristolit”, ku u vra edhe publicisti Nebil Çika).
Në shumë detaje tregohet përbërja e ushtrisë partizane, me njerëz injorantë si Mete Aliu që shfryn inatin, duke qëlluar me armë një radio dore, ngaqë nuk i pëlqejnë lajmet apo kur marrin radiostacionin, spikerja përshëndet përmes mikrofonit partizanët apo ngacmon një partizan të cilin e pëlqen duke i thënë, përmes radios, se e kërkon e fejuara në radiostacion. E banalitetet nuk dihet se ku do ta kishin fundin sikur të mos ndërhynte Enver Hoxha dhe t’i kujtonte se “këndej e tutje ne jemi shtet dhe se radiostacioni është zëri i shtetit dhe i popullit dhe jo një vend për të qeshur!”
.
Kartoline e prodhuar nga Posta e SHBA ne 18 nentor 1944 . Ne te shkruhet : " Tirana - Kryeqyteti i Shqipërisë u çlirua nga partizanët jugosllavë"*
Kartoline e prodhuar nga Posta e SHBA ne 18 nentor 1944 . Ne te shkruhet : ” Tirana – Kryeqyteti i Shqipërisë u çlirua nga partizanët jugosllavë”*
Edhe viktimat e tij i kanë lënë të shkruara mendimet e tyre për Enver Hoxhën. Muntaz Kokalari i dërgon një letër për Makbule Vrionin, mike e familjes, tri ditë para se të vritej, ku i shkruan:
“Jeta ime dhe e miqve të mi është në rrezik nga bashtua i Gjirokastrës, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale, se ne kemi qenë kundërshtarë të okupatorit nazifashist dhe kemi punuar për të mirën e përparimit të kombit. Siç e kemi biseduar edhe herë të tjera, fatkeqësi e kombit tonë dhe Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinëzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Fëlliqi botën me borxhe. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë. Po kam besim se këtij batakçiu, bashkë me djajtë e kuq, shpejt ka për t’i dalë boja”.
Shpresa e Muntaz Kokalarit ende s’është përmbushur. Ende nuk është shkruar e gjithë e vërteta…
.
*Ps. Foto e fundit e marrë nga muri i FB i Nebil Çikes, “Partizanët jugosllavë” , ja si i cilësonin aletatët amerikanë forcat komuniste që “çliruan ” Tiranën. Kartolinë e prodhuar nga Posta e SHBA, në 18 nëntor 1944. Në të shkruhet: ” Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë u çlirua nga partizanët jugosllavë” . Dhe foto e komandantit te tyre, Marshallit Tito. Shumë të qartë aleatët !!! Doni më për… partizanët komunistë. Kjo është ana e duhur e historisë?!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.