Testamenti i Mustafa Krujës
nga Karl Gurakuqi
Në përvjetorin e vdekjes (1959)
Me 20 shtatuer 1958, Mustafa Merlika Kruja, mbas radhitjes së titujvet të dorëshkrimevet të veta të pabotueme, më shkruente, ndërmjet tjeravet, edhè këto fjalë… “kaq, e mbas këtyne mos të presë mâ Shqipnija shkrime prej meje!… Unë kam dekun tashmâ e asaj Zotynë i lashtë bij të tjerë…” Parandiesí e idhtë! Mbas tre muejsh, me 27 dhetuer t’atij vjeti, i ndiemi i la lamtumirën për gjithmonë kësaj bote në Niagara Falls n’Amerikë.
Nuk duhej të vdiste, pse Shqipnija kishte endè nevojë për pendën e tij.
E ndryshme dhe e dendun ká qênë veprimtarija e Mustafa Krujës, thuej në pikëpamje politike, thuej edhé në fushën e letravet shqipe.
Historija e kohës së rè shqiptare, sidomos ajo prej vjetit 1921, datë e njij kthese në jetën kombtare, pikënisje e njij perjudhe qi do t’i hudhte themelel njij shteti kushtetues, nuk âsht shkrue endè, as nuk mund të shkruhet ashtu në kambë e në dorë. Janë endè gjallë njerz, qi, mirë a keq, e kanë dhânë atë ndihmesën e vet në themelimin e kësaj shoqnije shqiptare, dikush me pjesëmarrje të drejtëpërdrejtëshme në jetën politike, dikush me armë e dikush me pendë. (…)
Të shumta e të ndryshme kanë qênë peripetít nepër të cilat âsht përshkue kjo Shqipnija e jonë e mjerë; të mëdhaja kanë qênë rreziqet qi e kanë ndjekë; lojna të papëlqyeshme janë luejtë mbí kurriz të saj; ferra nëpër kâmbë i kanë qitë anmiqt, qi dojshin me i a zânë frymën në ditët e para të jetës. Shqiptarët, të parysun, pse të dalun nga nji zgjedhë shumvjeçare, shum herë, padashtas u bânë veglat e atyne qi kërkojshim me zânë peshk n’új turbull. Mjerisht ká pasë edhè asish qi qëllimisht kanë bâ lojën e anmikut. por këta numrohen ndër gishta. Pýll pá derr nuk ká, i thonë njaj fjale.
.
Por të gjitha këto ia lâmë kohës t’i gjykojë, atëherë kúr të jenë mbledhë provat prò e contra, kúr të jenë shue pasjonet, kúr të jenë hapë fletët e dokumentavet, kúr do të mund të flitet me gjak të ftoftë, larg nga interesat vetanake e nga partizanit, me nji fjalë, kúr të shkruhet historija e vërtetë.
Mustafa Merlika Kruja ká qênë nji personalitet shqiptár i radhës së parë: ká marrë pjesë aktive në jetën kombtare qysh prej krijimit të shtetit në Vlonë në Kongresin e vjetit 1912, si përfaqsues i qytetit të vet. Qeverija e Ismail Qemalit e emnoi si zâvendës-prefekt në qytetin e shpalljes së vetëqeverimit, por nuk vonoi shumë e i u ngarkue sekretarija e kryesís së Këshillit të Ministravet. Nolens volens, prá ká qênë i detyruem të ndiqte rrugën e jetës politike shqiptare deri në mbarimin e vjetit 1944. Sot për sot âsht punë e vështirë të jipet nji gjykim krejt i pa-anshëm i veprimit të tij në ketë lâmë kaq të pështjellueme.
Tue i a lânë prandej historís të gjykojë veprën e tij si burrë shteti, po shenojmë vetëm ndihmesën qi i ká dhânë lavrimit të gjuhës shqipe.
Ndonsè i diplomuem në shkencat politike (në Istambul në vjetin 1910), mori rrugën e mësuesís. Kishte nji shpirt arsimtari. Natyra e tij e pat shtŷ qyshë në rini me u marrë me arsimin e popullit, pse prej arsimit Shqipnija priste zhvillim e përparim sidomos n’atë kohë kúr duhej me i vû themelet shtetit të rí, të dalun nga errsina shekullore. Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në prefekturën e Elbasanit. Këtu u tregue në naltësín e misjonit të rrokun, tue punue me ndërgjegje e me at zellin e madh, qi e ká shque gjithmonë sá qe gjallë. Kúr në vjetin 1914, diplomatija europjane zgjodhi për mbret të Shqipnís, Princ ëilhelm ëied-in, u hodh në Durrës për të dhânë ndihmën e vet n’organizimin e arsimit si këshilltár në ministrín.
Edhè atëherë kúr rrethanat e shtŷnë të ndiqte rrugën e politikës vepruese, nuk e la mbas dorè lavrimin e gjuhës. I fali kësaj studime të matuna e të frytshme gramatikore e sintaksore. Mjafton të përmendim Fjalorin e madh të shqipes, rreth të cilit ká punue gadi krejt jetën, pá u lodhë, tue mbledhë visarin gjuhësuer të malit e të fushës. Ky fjaluer, i pajuem me shembuj e fraza të nxjerruna nga goja e gjallë e popullit, me sinonime të qemtueme me nji zèll të mrekullueshëm, pat qênë miratue nga Instituti i Studimevet Shqiptare të Tiranës, i cili pat vendosë të shtypej, por qi mjerisht u pengue nga gjendja e kapërdime. Fjalori kà qênë 2400 faqesh formati të madh me 30.000 fjalë, të shpjeguome shqip. Nuk dijmë nëse dorëshkrimi kà shpëtue nga rebeshi i kohës.
Shkrimet e Mustafës janë të shumta e të ndryshme; janë të shpërndame andej e këndej nepër fletore dhe revista: pat nisë të shkruente në moshë shum të ré ma së pari turqisht me pseudonimin A. XH. (Asim Xhenan). Ma vonë e vijoi veprimin fletoràr në vjetin 1914 në fletoren e Barit “Il Corriere delle Puglie”, e cila botonte tri herë në javë nji faqe në gjuhën shqipe nën redaksin e Sotir Gjikës. Ky pat themelue në vjetin 1910, në Romë të përjavëshmen politike “Kuvendi”, e cila e vijoi botimin deri në numrin 81 të 3 korrikut 1920. Mustafa Kruja gjatë gjithë kësaj kohe punoi në shtyllat e saja me shkrime të ndryshme me pseudonimin Mak. por edhè pà tê. Rreth kësaj reviste ishin mbledhë pendat má të mira: Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Kolë Kamsi, Kostantin Cipo, Milto Sotir Gurra, Faik Konica, Dhimitër Berati, Vasil Dodani, Mehdi Frashëri, Aleksandër Sotir Drenova (Asdreni), etj.
Prej vjetit 1920, deri me 31 máj 1923 pat dalë në Vlonë fletorja “Mbrojtja Kombëtare”; drejtori i kësaj tribune luftarake, Don Mark Vasa, e ftoi Mustafën për bashkëpunim. Edhè këtu penda e tij e vlefshme dha nji ndihmesë të çmueshme me artikuj gjithfarë ngjyrje.
Mustafa Kruja bashkëpunoi gadi në të gjitha fletoret dhe të përkohëshmet shqipe mbrendë dhe jashtë Atdheut deri në ditët e fundit të jetës. Gjatë mërgimit. në kohën e regjimit të Zogut, kúr gjindej në Zara, tue mos lánë në njênë anë vijimin e përpilimit të Fjalorit, qi ishte qëllimi i jetës së tij, e vijoi luftën e vet politike me artikujt e botuem në fletoren “Lirija Kombtare” të Gjenevës nën drejtimin e Omer Nishanit dhe në fletoren “Shqipërija e Ré” të Konstancës në Rumaní.
Por prodhimi i tij mâ frytdhánës gjindet në studimet gjuhësore qi pat botue në të përkohëshmet “Hylli i Dritës” t’Etënvet Françeskanë të Shkodrës, “Leka” t’Etënvet Jezuitë të Shqipnís, “Illyria” të Tiranës, “Shêjzat” të prof. Koliqit në Romë, etj. Të gjitha këto studime i ndiemi i ká mbledhë në nji vëllim të vetëm me titullin “Kritiqizëm gjuhësore” me qëllim botimi. Janë këto nji kritikë ndërtimtare qi u bâhet shtrêmbnimevet gjuhësore t’Aleksandër Xhuvanit, Mati Logorecit, Koço Tasit, etj. I nënshkruente gjithnji me pseudonimin Shpend Bardhi. Në krejt ketë kritikë frýn nji frymë e pastër, pá pasione, pá meni, themelue vetëm në shkencë, sikursè i ká hije njij studimtari.
Si libra të botuem, po përmendim përkthimin nga serbishtja të librit të Vladan Djordjeviq-it “Shqiptarët dhe Fuqít e Mcdhá” (Zara 1828). ashtu edhè “Abelari-n e të Mërguemit” (Aleksandrí 1952).
Pyetjes s’eme, se shka po i linte Shqipnís, i përgjegji tre muej para se të vdiste tue më dërgue listën e dorëshkrimevet gatí për shtyp. Po i radhis këtu qi të njifen prej publikut shqiptár me shpresë se mund të dalë ndonji mecenat, i cili tue u a çmue vleftën, t’i a japë shtypit.
Dorëshkrimet prá janë këto simbas radhitjes së vetë auktorit: “…E tash, lum Karl’i im, më ká mbetun me të kallzuem edhè ç’punë kam mujtun me bâmë gjatë këtij mërgimi deri ditën qi u nisa prej France për këtu (Niagara Falls). Qe prá me rend kronologjik se ç’ká shkarravitun vllai i yt”:
.
1.Mësim i gjermanishtes pa mundim (mbas methodës Assimil).
2.Kritiqizëm gjuhësore (kritikë shtrêmbnimesh gjuhësore ndër artikuj të botuem nëpër revista të ndryshme e të mbledhun në nji volum për t’i ribotuem).
3.Dr. Ludwig von Thallòczy, Illyrische-albanische Forschungen perkthyem shqip (Vëzhgime Iliro-shqiptare). Vetëm volum’i I (pjesa historike).
4.Historija e Monarqisë Maqedone.
5.Aleksandri i Madh.
6.Pyrri prej Plutarkut. Përkthye nga frëngjishtja me komentime të gjána.
7.Ilirët e Indogjermanizimi i Evropës, vepër e Prof. Hans Krahe, përkthyem nga gjermanishtja në bashkëpunim me zotin Ago Agaj.
8.Pelasgjit e Shqiptaret (për t’u botuem në nji revistë asè broshurë mbë vete).
9. Emni dhe origjina e jonë (themelisht nji studim qi kam pasë botuem në “Albanie Libre”).
10.Monarqit Ilirjanë e Epirotë – Aventurat madhështore të Pyrrit.
11.Kronologjí Balkanike.
12.Introduktë ndër Studime Historike.
13.Historija e Faraunëvet.
14.Sprovë për nji fjaluer kritik (vetëm A e B).
15.Fjalor’i Frangut të Bardhë: monografi kritike (veçanë nga sá ká botuem revista “Shêjzat”).
Mustafa e përfundon letrën me këto fjalë testamentare: “Të tâna këto shkrime, mbas dekës s’eme, i dashuni Karl, mbesin në dorë të Xhires (motrës) dhe pronë e saj absolute: i djeg, i fal, bân ç’t’i detë kokrra e qejfit me to, por jam tue ia lánë me porosi testamentare qi personalisht asnji sakrificë nuk do të bâjë për botimin e tyne…”
I ndiemi ká mbajtë nji korrespondencë të papreme me eksponentat e politikës e të letërsis shqiptare. Letrat e tija janë nji burim i mirë për historín e vjetve të fundit të Shqipnís. Po të mblidheshin, do të sajojshin nji gurrë të vlefshme për të qitë në shesh disà anë të panjoftuna të jetës shqiptare, në të cilat ai kà luejtë nji rrol me rândësí.
(1959)
.