back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Rrëfimet e Teze Lolosë… – pak për të qeshur nga Avni Delvina

Gazeta

Avni Delvina
Avni Delvina

Rrëfimet e Teze Lolosë…

Pak për të qeshur nga Avni Delvina

Teze Loloja dhe lajmet nga New Yorku

Ca lajme që vijnë nga New Yorku me kujtojnë teze Lolonë, që sa herë ajo donte raport mjekësor bënte të sëmurën…
Teze Loloja ishte një grua në moshë, ca e deklasuar dhe banonte në një dhomë në pallatin tonë… Me gjithë moshën e madhe, ajo vazhdonte të punonte në ndërtim për të plotësuar vitet e pensionit. Dhe vazhdimisht shtiresh e sëmurë që të merrte raport mjekesor, për të mos shkuar në punë. Në situata të tilla ajo luante gjithë ditën me letra, e ku një ndër kundërshtarët e saj në letra isha edhe unë.
Po teze Loloja donte të fitonte me çdo kusht, dhe shpesh bënte shumë hile që s’i kishin lezet për moshën e madhe që kishte. Me gishta të zverdhur prej duhanit që s’ë shkëpuste një çast, me trupin si të kufomët, dhe majën e hundës të ngjyer pak me kafe ishte si një personazh që vinte nga një botë e frikëshme përrallash…
Gjithmonë më thërriste dikush nga komshinjtë prej dritares së teze Lolosë dhe më thoshte të shkoja e të thërrisja urgjencën te telefoni i një komshije…
Një ditë ndërsa po luanim me letra, teze Loloja befas u zverdh. I la letrat dhe me ndihmën time mezi mbërriti te krevati… Më kërkoi ujë me gjysëm zeri, dhe ndërsa unë po ia vija gotën me ujë në buzë, goja i mbushej dhe uji i derdhej në bluzën e saj… U shqetësova shumë, dhe mendova se i erdhi fundi e po largohej nga kjo botë.
E ndërsa ambulanca po vonohej, teze Loloja e shtonte edhe më dramën… E motra që e njifte më mirë, i thoshte herë pas here:
“Po mjaft o Lolo, se na çmende!”
Në atë çast, ndërsa dëgjoi fjalët shpotitëse të së motrës, Loloja u nxeh keqas, “mblodhi krejt forcat e fundit…” dhe u ngrit nga shtrati i vdekjes e iu afrua së motrës gjithë mllef, si në një film horror:
“A do ti që unë të vdes, ja dhe unë do vdes!!! – dhe u nis drejt shtratit.
Megjithëse i vogël, më bëri shumë përshtypje ajo forca me të cilën teze Loloja u çua nga krevati, dhe aty dyshova vërtet për lojën e saj spektakolare… dhe hyra dhe unë në lojë, duke thirrur me zë të lartë:
“Mos o tezeeeee, se nuk të bën mirë, shtrihuuuu o tezeeeee! Dhe ia vura duart me një lloj përkundjeje dhe aq desh teze Loloja… Bëlldum e në krevat… Si përfundim erdhi ambulanca dhe s’e zgjati shumë. Ata tashmë ishin mësuar se e dinin ritualin… Mbasi e vizituan tezen-kufomë, i dhanë raportin dhe ikën. Tezja u çua, e vuri kafen në furnellë, e ndezi cigaren, dhe më ftoi sërish të luanim letra…
Dhe kjo punë kështu vazhdonte të riciklohej sa herë tezja s’donte të shkonte në punë e të merrte raport…
Një nga komshinjtë më thërriste, unë vrapoja të lajmëroja urgjencën, teze Loloja bënte të gjysëm të vdekurën… ambulanca vinte, doktori i shkruante raport dhe gjithçka mbyllej…
Teze Loloja, e vinte pak buzën në gaz, e ndizte cigaren, mashkelte paksa syrin, që edhe kësaj here ia hodhëm… dhe vazhdonim lojën me letra… e ku qëllimi im kryesor ishte, t’ia kapja hilet kur luante me mua…
.
Marrë nga Muri i Avni Delvinës, 27 Mars 2020
.
Duke kontrolluar detyrat e nipit...
Duke kontrolluar detyrat e nipit…

Mos u bëni si Teze Loloja!!!

Teze Loloja si e deklasuar që ishte, jetonte gjithnjë me frikën për çfarë mendonte e çfarë mund të fliste… E megjithatë mbahej dhe donte të dukej e ashpër…
Kur dikush përplasej apo grindej me mua, në fëmijëri, ajo i zbriste shkallët me ngut, nga kati i katërt i pallatit, dhe nuk lejonte që nipi i saj të prekej… Dhe ju përvishej me një fjalor të ashpër kundërshtarëve të mi, dhe ata edhe për moshën e saj edhe për mënyrën ofensive të të sharave të saj largoheshin…
Me thënë të drejtën, mua më vinte mjaft zor para shokëve, për këtë mbrojtje të pa kërkuar, po edhe për veshjen e saj të pakuruar, që i rrinte shumë keq në trupin e saj të dobët si skelet…
Teze Loloja ca nga halli e ca nga frika, donte të ishte në rregull politikisht me bisedat që bëheshin rreth saj… E shpesh, kur hapeshin diskutime politike me banorët e shkallëve o me gratë që rrinin në oborrin e pallatit, ajo ishte shumë e prerë… E ndërsa flitej për udhëheqës të ndryshëm të partisë duke nisurprej luftës së “madhërishme” nacional çlirimtare, si Myslym Peza, Haxhi Lleshi apo Shefqet Peçi… tezja ua ndërpriste bisedën, dhe me zë të lartë e të vendosur thërriste që ta dëgjonin të gjithë: Unë jam më Mehmetin!!!
Kudo që bëheshin biseda me vend e pa vend, do të dëgjohej zëri i teze Lolosë që bërtiste me zë të lartë: Unë jam me Mehmetin!!
Edhe ngeli si histori kjo: Teze Loloja ishte me Mehmetin… derisa e mori porropia Mehmetin…
Prandaj, jemi të gjithë në një farë moshe dhe sa kemi jetuar s’do të jetojmë… Në keni perëndi mos bëni si teze Loloja, por deklarojini qartë simpatitë tuaja politike…
Mos u bëni me Mehmetin!
.
Marrë nga Muri i Avni Delvinës, 28 Mars 2020
.

Mos bëni bè koti, si teze Loloja!

Teze Loloja pati një martesë të shkurtë me një djalë të mirë nga Korça…
Se kush e sajoj këtë martesë nuk dihet, por siç ishin kohët atëherë, u dha llafi pa e njohur mes të vjetërve dhe u vulos kjo punë…
Myrtezai i shkretë e hëngri sa krahu se tezja s’ishte për atë punë, dhe s’kishte pikë feminiliteti. Martesa nuk zgjati as një vit dhe u mbyll pa probleme, si nga ata të burrit dhe nga këta të fisit tim, që e dinin shumë mirë se ç’kishin dhënë… Meqë e kishim në të njëjtin pallat, edhe për ta ndihmuar, nëna ime i kishte dhënë detyrën që të bënte ndonjë pastrim në shtëpi dhe të kujdesej për mua… Tezja ishte një komandante pa asnjë ushtar, dhe të vetmin moment të ditës që mund ta ushtronte ashpërsinë e saj ishte kur unë ulesha të haja drekë…
Pasi lozja me top një orë pas shkolle, kthehesha në shtëpi. Pasi laja duart nën urdhërat e tezes dhe vështrimin e saj të frikshëm, ulesha që të haja drekë… I kërkoja të pija ujë, por tezja më e ashpër se kurrë s’më lejonte. Ajo ishte kategorike në këtë pikë dhe më thoshte: “Nuk pihet ujë para se të hash…!” dhe kjo ishte një lloj torture e vazhdueshme…
Tezja përtonte t’i bënte punët e shtëpisë, dhe kur afrohej ora e ardhjes së nënës, fillonte e mbyllte perdet dhe e bënte ambientin errësirë, që nëna mos ta kuptonte që tezja s’kishte bërë asnjë punë… Nëna e kuptonte dhe buzëqeshte me vehte, por ndonjëherë e ngacmonte, dhe tezja tërbohej e revoltohej, e ngrinte zërin në qiell për akuzat e nënës time… Kur nëna s’tërhiqej nga akuzat ndaj saj, atëherë tezja çohej në këmbë dhe shpërthente me zë të lartë:
“Mos vazhdo më, se do të zë bë për atë që e di ti!”
Aty mamaja bënte sikur tërhiqej dhe si e zënë në faj i kërkonte falje tezes, me kusht që ajo mos t’ia zinte atë Benë e Madhe.
Tezja qetësohej dhe kështu mbyllej historia… Më pas, kur u rrita e pyeta nënën time se çfarë ishte ajo Beja e Madhe që donte të bënte tezja kur egërsohej…
-Po hiço – më tha mamaja! – Tezja rreth 50 vjet më parë kishte dështuar gjatë lindjes se s’kishte as fizik për atë punë, dhe kur donte të mbulonte ndonjë gënjeshtër, kërcënonte se do të zinte be për bebin e parealizuar…
Kështu edhe ne të gjithëve na është bërë zakon të zemë bë për gjëra të kota si teze Loloja! Jo: “Më vdekshin të gjithë!” “Për kokën e mamit… o për kokën e babit!”, “Për këtë bukë!” Për të mos folur për kërcenimet, që: “Atë do e vras… këtë do e pres… filanen do e shqyej! Atë do e hedh në erë!” Le të shërbejë kjo karantinë për të hequr dorë nga stili i teze Lolosë!
.
Marrë nga Muri i Avni Delvinës, 29 Mars 2020
.
E moshuara dhe fëmija pikturë nga Pieter Paul Rubens
E moshuara dhe fëmija pikturë nga Pieter Paul Rubens

Teze Loloja, Zhaklin Kenedi dhe nderi i Xhipes

Teze Loloja për vetë jetën dhe natyrën e saj s’ishte shumë e interesuar për anën sentimentale të jetës dhe dashuriçkat… Si shumë të tjerë në këtë jetë, edhe ajo kishte bërë zgjedhjen e saj. Teze Loloja kishte zgjedhur ashpërsinë dhe karakterin e fortë… Por edhe këto i administronte me tolerancë dhe sipas rastit…
Vëllai i teze Lolosë, ishte burri i hallës sime, një burrë fisnik dhe i kulturuar që adhurohej nga Loloja deri në çmenduri. Halla ime kishte studjuar jashtë dhe me Lolonë mbante distancë edhe për diferencën e madhë mes tyre në kulturë po edhe në komportament… Atë vit që vdiq burri i hallës, ajo kishte ardhur me bujtë tek ne për dy a tre muaj…
Një ditë hapet dera në shtëpi hyn teze Loloja. Nëna bëri sikur nuk e vuri re, dhe vazhdoi bisedën me një kushëririn tonë, të shquar për shakara… Nëna i thotë kushëririt: “Më në fund edhe halla do të sistemohej në një martesë që do të bënte me një shqiptaro-amerikan që kishte ardhur aty pranë nesh… Sepse ai kishte shumë para dhe ajo do të bënte një jetë të qetë e do të vinte nga Shkodra në Tiranë…!” Teze Lolosë sa nuk i ra damllaja kur dëgjoi këtë bisedë. Për tezen situata u bë dramatike sepse në njëfarë mënyrë po turpërohej dhe po merrej nëpër këmbë nderi i Xhipes, vëllait të saj të larguar nga jeta… Për këtë, teze Loloja e thërret urgjentisht nënën time mënjanë dhe i tregon e tronditur për shqetësimin e saj dhe për sa kish dëgjuar…
Nëna i thotë se halla e kishte bërë një parje me amerikanin, dhe se e kishte pëlqyer shumë. Dhe në njëfarë mënyrë ajo s’mund të jetonte më në bodrumin e Shkodrës dhe se donte të vinte në Tiranë me çdo kusht… Teze Loloja vu kujën në mes të shtëpisë: Po si ore të më marri nderin e Xhipes ajo, mua! Po unë s’mundem ta duroj këtë turp! etj, etj… Tezja i thotë mamasë se ajo është e gatëshme të bëj çdo lloj sakrificë vetëm që kjo martesë të ndalohej me çdo kusht. Ajo ishte e gatëshme të flinte edhe të shkallët e pallatit dhe t’ia lironte hallës dhomën ku banonte… e lloj-lloj tratativash, vetëm për të mbrojtur nderin e Xhipes…
Një javë në shtëpinë tonë u bë super gallatë, sepse të gjithë sëbashku me kushërinjtë e tjerë u futën në këtë lojë me tezen. Kur tezja mundohej të merrte ndonjë informacion se ku ndodhej halla, të gjithë i thoshin se ka dalë me amerikanin…
Halla e shkretë as dinte gjë për këtë reng të kurdisur dhe sillej krejt natyrshëm ndaj Lolose, ndërsa Loloja e hetonte hap mbas hapi bile i servilosej në mënyrë të pështirë…
Për t’i rënë shkurt kësaj historie, më së fundi nëna dhe të tjerët vendosën mos ta torturonin më teze Lolonë… Si me lezet e thirrën një mbrëmje dhe ja thanë që kjo kishte qënë një shaka mes tyre dhe se halla as e kishte ndërmend të martohej…
Po ishte Teze Loloja që s’besonte më! Mbas shumë sqarimesh më në fund ajo u bind dhe u qetësua. Ashtu e gëzuar që Xhipes më në fund i shpëtoi nderi, nuk kërkoi asnjë llogari për humorin e bërë me të…
Një të shtunë të gjithë së bashku me kushërinjtë dolëm për një xhiro nga liqeni…
Teze Loloja ndjehej e lumtur. Kur ajo po largohej nga grupi e po shkonte drejt dhomës së saj… Më thotë nëna ime: “Shko Riçe te tezja dhe i thuaj këto fjalë… Mbasi e mora porosinë e nënës, vrapova drejt tezes dhe i them: O teze Lolo! O teze Lolo! Më tha mami, që këtu u martua Zhaklin Kenedi, gruaja e Presidentit të Amerikës, e s’u bë qameti se do të martohej edhe gruaja e Nexhip Kokës!!
Gjithë lumturia e Tezes u shua në vend! Ajo e përmblodhi vehten, dhe me tërë forcën e shpirtit të saj më tha:
“Thuaji sateme, se i kam dhjerë m’u në varrin e Zenelit, një m… të madh!” (Zeneli ishte babai i nënës sime…)
.
Marrë nga Muri i Avni Delvinës, 30 Mars 2020
.

Teze Loloja vazhdoi të trokiste tri herë

Teze Loloja ishte nga ata persona që u detyrua të ndryshonte shumë gjëra me ardhjen e komunizmit… me perjashtim të trokitjes në derë… E trokitura e tezes përbehej nga tre të rëna të njëpasnjëshme. Nga një anë mbajtja e këtyre zakoneve tregon karakter, por tezes i kushtonte shumë kjo kokëfortësi, sepse shumë dyer mbasi e njihnin tre trokitjet nuk i hapeshin…!
Një nip i teze Lolosë, ndodhej në burg, dhe mes grave të fisit u kërkua të gjendej një mënyrë si të ndihmohej… U bë një mbledhje e tyre dhe sëbashku u vendos që me teze Lolonë ne krye si do të procedohej… Çdo familje do të jepte nga 50 lekë çdo dy muaj në ndihmë të të burgosurit. Teze Loloja u caktua si menaxhere e këtij fondi. Ajo do të shkonte shtëpi më shtëpi dhe do të mblidhte shumën e caktuar, me të cilën do të blihej duhan i grirë, letra cigaresh, konserva dhe ushqimet e tjera të domosdoshme… Dhe më pas, tezja do të nisej t’ia çonte personit në takimin e burgut… Mbas herës së parë që çdo gjë shkoi mirë, kur afroi java e mbledhjes së parave, tezja nisi të bënte xhiron e parave të premtuara… Rezultatet e shumës së mbledhur ishin skandaloze, në krahasim me shumën e përcaktuar në mbledhje…
Ndërsa bisedonte me nënën time, tezja i tregonte se vajta këtu e s’i gjeta, vajta atje e nuk ishin… e gjithnjë dyert nuk i hapeshin.
Kështu kaluan dy muaj dhe pakua drejt burgut nuk u nis…! Një kushëri i joni, i tha si mënjanë nënës, se s’duhej të shkonte teze Loloja për të mbledhur lekët, se njerëzit ia njihnin të trokiturën dhe s’ia hapnin derën… plus edhe ndonjë dëshirë të madhe nuk kishin ta jepnin 50 lekshin… Pati edhe nga ata që filluan ta akuzojnë tezen shumë më përpara se të mblidheshin lekët, duke thënë se: “Tezja nuk do t’i çonte të gjitha ne burg, se do të blinte cigare e do ta pinte edhe ndonjë gotë raki për qejfin e saj!”
Si përfundim nëna e bëri vetë xhiron dhe lekët u mblodhën. Tezja u nis drejt burgut për të dorëzuar pakon, pa hequr asnjëherë dorë nga trokitja me tre te rena… Si duket në një farë mënyrë, kjo trokitje e veçantë, mbeti e vetmja gjë që nuk ia ndryshoi dot komunizmi… dhe ajo në mënyrë inkoshiente e ruante me fanatizëm…
.
Marrë nga Muri i Avni Delvinës 31 Mars 2020
.

Ulërima - Edvard Munch
Ulërima – Edvard Munch

Klithma e Teze Lolosë… përtej “Klithmës” së Munchut.

Si sot e kujtoj atë klithmë të Teze Lolosë…
Një kushërira jonë do të martohej atë të dielë. Ishte nga ato martesa që zhurma e hareja s’u shkonte. Muzikë as bëhej fjalë… Njerëz të afërt të çiftit ishin të pushkatuar, të burgosur e të internuar, dhe një ndër ata ishte edhe nipi i teze Lolosë… Ishin nga ato lidhjet martesore mes asaj klase që nuk duhej të gëzonte, e mundësisht nuk duhej të shtohej në numër e as të riprodhohej. Martesa të këtij lloji, në njëfarë mënyre ishin një bashkim antikomunist ndaj të cilave PPSH-ja u tregua tolerante e me bonsens dhe në të vërtetë nuk i ndaloi me ligj…!!
Edhe urimet bëheshin me zë të ulët…
E ndërsa njerëzit ngrinin ndonjë gotë e bënin ndonjë cin-cin ashtu në heshtje, një klithmë e shpërfytyruar dhe plot egërsi, shpërtheu në mes të dhomës…
Ishte teze Loloja që e ulëriti disa herë me sa fuqi kishte emrin e nipit të saj në burg duke ngritur gotën: Për filaniiin! Për filaniiiiiin! Për filaniiiiiiiin! Ajo i e zgjatur ishte një klithmë vdekje po kundra vdekjes dhe harresës. Në dhomë ra një heshtje e thellë e s’pipëtinte asgjë… Teze Loloja, si e çliruar prej një ankthi po e kërkonte më kot me sy një aprovim apo mbështetje sado të vogël prej të afërmve të saj, por nuk e gjeti…
Emri i filanit që ajo përmendi ishte emër i llahtarshëm për kohën e diktaturës komuniste, dhe sigurisht të gjithë ata që ishin aty u frikën e u mpakën… Dasmorët bënë sikur nuk e dëgjuan atë klithmë, dhe filluan ashtu si të mpirë të lëviznin nëpër dhomë, duke e mbuluar pak nga pak e shuar klithmën e teze Lolosë… Atë klithëm shpërthyese e dalë më shumë nga shpirti i saj i djegur se nga ai trup i dobët e i pafuqishëm, pothuaj si një skelet… Një klithëm e si e ardhur nga një botë e përtejme, një e tillë mund ta kishte frymëzuar edhe Munkun në kryeveprën e tij…
.
Marrë nga Muri i Avni Delvinës 2 prill 2020
.

Teze Loloja dhe Mosmirnjohja e Gjyshit tim.

Çdo njeri në këtë botë mundohet të kapet fort pas diçkaje dhe ta administrojë sa më mirë në marrdhënie me të tjerët, për të qenë sado pak dikushi… Edhe teze Loloja kishte zgjedhur siç i thonë Kalin e saj të Betejës…
Ajo ishte e kapur shumë mbas historive dhe personazheve të brezit të kaluar… Në bisedat e saj të gjithë të shkuarit përmendeshin me një dajë filani, xhaxha filani, teze e hallo filania… Edhe kur më drejtohej mua herë mbas here, tregonte se sa shumë e kishte dashur Avniu i parë. E vërteta është se Teze Loloja e kishte shndërruar gjyshin tim në hero. Fliste për trimëritë e tij, për forcën e burrërinë, për pasionin e tij për armët… bile edhe vdekjen e tij në një shtrat të një klinike në Bolonjë të Italisë, e tregonte sikur të ishte vrarë në fushën e betejës e në krye të një armatë të madhe. Edhe udhëtimet turistike të gjyshit për në Rome a Paris, ajo i shndërronte në vlera të pamerituara… Teze Loloja ishte e vetmja që më fliste për gjyshin, se të tjerëve as ju binte ndërmend për te…
Gjithçka ishte në harmoni në këto tregime të tezes për gjyshin, deri ditën kur unë hapa një kuti të vjetër qe mbaheshin disa letra e dokumenta… Dua të plotësoj se teze Loloja banonte me të vëllanë e saj Nexhipin, i cili ishte edhe burri i hallës sime pra vajzës së Avniut të parë… Në kuti, mes të tjerash, gjeta edhe një letër ku gjyshi i drejtohej mikut të tij, avokat Totozanit e ku ndër të tjera i thoshte:
-I dashur Totozan! Uroj të jeni mirë etj etj… Këto ditë u martua edhe Loloja, kështu që vajza ime shpëtoi njëherë e mirë dhe përfundimisht nga një katapllazëm e pafrytëshme dhe e dëmëshme… dhe në fund të letrës ishte firma e gjyshit: Avni Delvina!
Unë ngela shumë keq me emërtimin që i kishte vënë gjyshi im teze Lolosë: “Katapllazëm e pafrytëshme dhe e dëmshme”, por vazhdoja t’i dëgjoja krenaritë e teze Lolosë dhe tregimet e saj për gjyshin tim, por pa entuziazmin dhe gëzimin e dikurshëm… sepse tashmë unë kisha zbuluar në letër opinionin e tij për tezen: “Katapllazëm e dëmshme dhe e pafrytëshme!” Ndërsa tezja nën tymin e cigares vazhdonte, e vazhdonte, deri në pafundësi me tregimet dhe sajesat për një botë imagjinare të sajën, që ndoshta as përkonte fare me të vërtetën!
.
Marrë nga Muri i Avni Delvinës 3 prill 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.