back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Thirrja – nga Muç Xhepa

Gazeta

Uran Kostreci (1938-2021)
Uran Kostreci (1938-2021) (foto qerim vrioni)

Thirrja

nga Muç Xhepa

Nëse don mos me të vdekë shpirti,
thueje të vërtetën të paktën nji herë në ditë.
Petro Zheji
.
-Si ra nata kaq shpejt? – Fola nëpër dhëmbë rrugës për në kamp. Jam tepër i mallkuar… i vetmuar… i trishtuar. Zemrën e kam të mbushur me keqardhje… prindërit e mjerë… ç’të jetë ky zog që këndon në errësirë, në mesin e dimrit? E ftohta e hidhur më ka mpiksur trurin. Dymbëdhjetë orë gatuam llaç dhe e ngjitëm lart në katin e dytë. Duart, e mbushura me flluska uji, kanë nisur të skuqen me gjak. Këmbët më janë rënduar, sfilitur. Opingat e mbajnë ujin brenda. Shiu s’ka të sosur. Jam dobësuar shumë. Xhupi më rri i gjerë. Era e lagur futet poshtë tij dhe më përshkon të tërin me të dridhura. Sa kohë do të duroj në këtë gjendje? -Derisa të përfundojë fabrika, – thanë, – e ndërtojmë me forcat tona… Ne, të burgosurit e ndërgjegjes, jemi forca e tyre. Perëndi më mbaj mendtë… !
Çanga heshti. Nisi dita tjetër. Ora pesë. Errësirë. Llamba te dera, i vetmi ndriçim, është djegur. Kam radhën të zbraz kovën me jashtëqitje.
-Ç’pret? Nxirre jashtë! Dhe, pastroje mirë kur ta sjellësh!- Më shtyn me forcë rreshteri. Mirë që nuk më rrëzon mbi kovë. Prapa kapanonit kanë hapur nje gropë të thellë, e quajnë depozitë.
Në karakoll ushtari i shërbimit fshin sytë me dorë. Trupmbushur, i shkurtër, kokëmadh, si të jetë gjuajtës ujqish ndjek çdo hap që hedh; i bindur se mbron atdheun nga armiku.
-I dënuar qëndro! – Thërret. Zë i fortë. Drejtoj trupin e nxjerr duart nga xhepat.
-I burgosur kthehu mbrapsht! – Mbush armën. I bëj shenjë të më qëllojë në zemër. Vazhdoj të ecë drejt tij.
-Armik ndal! – Merr shenjë. Arma kris disa herë. Ndjej xhupin të më tërheqë me forcë prapa. Pambuku fluturon në erë. Goditje e fortë në kokë. Shembem pa ndjenja në tokë.
-Në emër të Allahut… lehtësoja vuajtjet dhe bëja dritë çdo gjë që vjen pas kësaj…!
Zë si në ëndërr. Hap sytë. Një i moshuar, kokëqethur, në gjunjë pranë shtratit, lutet për mua.
-Biri im, Allahu paska plane të tjera për ty. Do të jetosh gjatë… – Vë dorën në ballin tim dhe fillon të lutet arabisht. Vite më vonë u takova sërish me të në Burgun e Burrelit. Kish qenë hoxhë fshati kur e kishin burgosur. Në spital e kishin shtruar ngaqë kishte pasur hemorargji në stomak. Kur na nxirrnin për ajrosje, më thoshte i bindur: “Allahu të ka thirrur përsëri në jetë që t’i tregosh njerëzimit ç’është komunizmi!”. Unë sapo isha ridënuar dhe uratat e tij më forconin shpresën se të keqes do t’i vinte fundi.
Mëngjes herët. Ndizet telefoni. Në mesinxher më thërret miku im i vjetër Shpëtim Deçani. Ka shumë vite që jeton në Gjermani. Është martuar me gjermane dhe ka dy djem të mrekullueshëm. Njëri, më i vogli, studion regjisurë dhe është duke përgatitur një dokumentar. Pjesë nga jeta e të burgosurit politik Uran Kostreci. Njëzet vjet në gulagun shqiptar: Burgu i Burrelit.
.
Një kurorë për Uran Kostrecin nga miqtë e tij të shtrenjtë
Një kurorë për Uran Kostrecin nga miqtë e tij të shtrenjtë
-Urani na la! – Sytë m’u mbushën me lot.
-E thërriti Perëndia pranë saj. I përjetshëm kujtimi i mikut tonë! E deshi fati që të ndodhem në Shqipëri. Nesër përcillet në banesën e fundit. Do të vendos një kurorë në emrin tonë.
I prekur thellë, më shfaqet Urani i mençur duke cituar Solzhenicin: “Të bekoj qeli, të bekoj që u bëre pjesë e jetës sime. Sepse atje, i shtrirë mbi kashtën e kalbur, unë kuptova se qëllimi i jetës nuk është mirëqenia, siç jemi bërë të besojmë, por pjekuria e shpirtit njerëzor”.
.
Marrë nga muri i FB i Muçi Xhepës korrik 2021
.


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.