back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Thirrje Intelektualëve Shqiptarë – Bashkoni Fuqitë Mendore për të Mirën e përbashkët – nga Frank Shkreli

Gazeta

At Zef Pllumi (2005)
At Zef Pllumi (2005)
Thirrje Intelektualëve Shqiptarë –
Bashkoni Fuqitë Mendore për të Mirën e përbashkët
nga Frank Shkreli

At Zef Pllumi në 100-vjetorin e lindjes
Nga “Armiku i Popullit” te “Nderi i Kombit”

Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe nepërmjet korrespondetit Pëllumb Sulo në Shkodër njoftoi se ditën e hënë u mbajt në Lezhë edicioni i 8-të i çmimeve të konkursit mbarëkombëtar për letërsinë, “At Zef Pllumi”. VOA shqip transmetoi se këtë vit konkursi në Lezhë përkoi me 100 vjetorin e lindjes së françeskanit At Zef Pllumi, autorit të librit, kryevepra e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, më e njohura ndër veprat dhe shkrimet e shumta të At Zefit.

At Zef Pllumi, lindi më 7 prill 1924, në Malin e Rencit, në Shëngjin të Lezhë në një familje me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe Në konkurs u paraqitën veprat e 28 shkrimtarëve dhe intelektualëve në kategori të ndryshme, sipas Zërit të Amerikës.
Siç dihet, At Zef Pllumi – si edhe shumë bashkvëllezër ndër më të mirë e klerit katolik shqiptar – ka kaluar një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica. Prandaj, është shumë me vend që At Zef Pllumi kujtohet në këso rastesh e përvjetorësh. Ai ishte dhe mbetet ndërgjegja e Kombit që edhe sot – nëpërmjet veprave dhe shkrimeve të tija lënë pas – flet dhe dëshmon për krimet e diktaturës sllavo-komuniste në Shqipëri kundër popullit të vet për pothuaj gjysëm shekulli. Ai gjithnjë flet me bindje e fakte, me kujtesë, largpamësi dhe këshilla për të tashmen dhe për të ardhmen e shqiptarëve.
I pyetur me një rast se çfarë këshillash i jepte popullit shqiptar, At Zef Pllumi është përgjigjur: E porosis për tri gjëra: “Të kenë fé, kurrë të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni… Kjo asht porosia e kjo asht përshndetja për të gjithë popullin shqiptar!”, është shprehur frati shqiptar, para se të ndërronte jetë. Është kjo një thirrje aktuale e At Zef Pllumit për të gjitha kohërat dhe për të gjithë brezat e shqiptarëve – dashuria për njëri tjetrin! Është kjo një thirrje që At Zef Pllumi e bënte, vazhdimisht, sa ishte gjallë dhe një mesazh drejtuar bashkëkombasve të vet, e që ai e ka theksuar, vazhdimisht, pothuaj në të gjitha veprat, shkrimet, deklaratat dhe intervistat, që prej lirimit të tij nga burgjet dhe kampet e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, me 4 Nëntor, 1989. Është ky një mesazh që ai e ka theksuar shpesh duke dëshmuar të kaluarën e hidhët, por gjithmonë duke shikuar nga e ardhmja e Kombit shqiptar – mesazhe e thirrje që ai u ka bërë shpesh, sidomos, intelektualëve shqiptarë – që pas periudhës së gjatë e të errët të komunizmit, të bashkojnë, më në fund, “Jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët që, sot për sot, ashtë vetëm Progresi i Kombit”.

At Zef Pllumi dhe Madre Tereza e Kalkutës
At Zef Pllumi dhe Madre Tereza e Kalkutës

Mbas shembjes së Murit të Berlinit, në muajin Maj të vitit 1993, është promovuar ribotimi i numrit të parë i revistës së famshme të paraluftës të françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”. Në një ceremoni të rastit në Kuvendin Françeskan ku merrnin pjesë një numër i madh bashkëpunëtorësh, të rinj e të vjetër, të kësaj reviste të famshme, përfshi studiues të kulturës, artistë, gazetarë, intelektualë të fushave të ndryshme, botues dhe të tjerë, At Zef Pllumi, përshëndeti ribotimin e revistës së famshme shqiptare, Hylli i Dritës. Duke shikuar nga e ardhmja e Shqipërisë postkomuniste dhe e Kombit shqiptar – në traditën më të mirë patriotike dhe atdhetare të françeskanëve shqiptarë për dashurinë ndaj Kombit dhe kulturës shqiptare, At Zef Pllumi iu drejtua intelektualëve shqiptarë me këtë porosi për klasën intelektuale shqiptare, e cila fatkeqësisht mbetet edhe sot e kësaj dite pa u realizuar. Nuk e di nëse intelektualët nga e gjithë Shqipëria të mbledhur në Lezhë
Ditën e hënë për të marrë pjesë në edicionin e 8-të të çmimeve të konkursit mbarëkombëtar për letërsinë, “At Zef Pllumi”, menduan fare për porosinë e At Zef Pllumit drejtuar intelektualëve të Kombit shqiptar, më 1993, që intelektualët shqiptarë të bashkojnë jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë ideal të përbashkët, që sot për sot, asht vetëm Progresi i Kombit, sipas porosisë së At Pllumit.
“Miq të nderuem, falë mëshirës së Zotit ia mbërritem kësaj dite. Nata që kaluem qe e gjatë dhe e vështirë. Liria që u fitue duhet të bije edhe dritën! – filloi At Zef Pllumi fjalën drejtuar intelektualëve shqiptarë të mbledhur aty dhe vazhdoi, – Sot po jepet rasti, përsëri mbas sa vitesh që bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës” të japin kontributin e vet në kulturën shqiptare me aq dritë sa mund të lëshojë nji yll. Por, ndërkaq urojmë që kultura shqiptare nesër të ndrisë si diell, – ka shtuar ai, duke nënvizuar optimizmin e tij për të ardhmen, – E ky diell jo vetëm do të ndrisë, por edhe do të ngrohë të gjithë popullin, në qoftë se intelektualët shqiptarë kanë me i bashkue, jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë ideal të përbashkët, që sot për sot asht vetëm, “Progresi i Kombit” – është shprehur frati i Malësisë dhe i gjithë Shqipërisë – Ky progres duhet të jetë i gjithanshëm, jo vetëm ekonomik – po ma tepër mendor, shoqënor dhe kulturor”, ndërkohë që At Zefi theksoi se, “Mendoj se duhet t’u kujtoj intelektualëve shqiptarë se sado shkencë që të kenë, sado dije dhe erudicion që të përhapin, kurrë nuk do të mbërijmë në atë nivel kulturor që na duhet – po nuk patëm dashninë për njani-tjetrin. Në rast se mungon dashunia, – ka theksuar At Zefi, – Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim. Dhe nëqoftëse edhe ky do të mungojë, atëherë do t’i referohemi virtytit të tolerancës. Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë. Xhahillëku ashtë shkatërrimi i Kombit. Në qoftë se nuk respektohen mendimet e njani-tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit – praktikisht mbrrijmë në përfundimin se nuk duem as Kombin, as Atdheun, – është shprehur At Zef Pllumi. Ai ka përfunduar fjalën e tij të shkurtër me atë rast duke u bërë thirrje intelektualëve shqiptarë – që nga tubimi në Kuvendin e Françeskanëve, në maj të vitit 1993, një Kuvend që sipas tij përfaqëson shumë rryma të mendimit të lirë shqiptar të –  Marrin shembull konkret për atë bashkëpunim të inteligjencës shqiptare, që duhet t’i prijë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar.” (At Zef Pllumi, Hylli i Dritës 2-3, Tiranë, 1993).
Porosia e At Zef Pllumit në 100-vjetorin e lindjes së tij që i drejtohet edhe sot klasës intelektuale të shqiptarëve, për bashkëpunim, mirëkuptim dhe tolerancë – është më aktuale se kurrë. Është një thirrje që intelektualët shqiptarë si grup – gjë që nuk ka ndodhur deri tani, për fat të keq – të bashkojnë fuqitë mendore e intelektuale, me mendje e zemër të punojnë dhe të veprojnë së bashku për të mirën e përbashkët, ashtuqë të jenë edhe shembull i politikës, duke lëshuar sadopak dritë në rrugën e vështirë tranzicionit politik drejtë përparimit të Kombit shqiptar. Konfliktet dhe grindjet në jetën politike, shoqërore dhe intelektuale ndër shqiptarët nuk durohen më. Ato po e çojnë Shqipërinë dhe shqiptarët drejt një gremine të pafund, si shtet dhe si komb. “Shamjet dhe fyemjet nuk i përmban asnji kod njerëzor: janë arma e të mundurit, e atij që nuk ia del me anë të logjikës të përqafojë fitoren: shamja e fyemja janë dhunë!” – na porosit At Zef Pllumi në 100-vjetorin e lindjes.
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.