back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Thjeshtësia gjer në madhështi! nga Anisa Markarian

Gazeta

Serafin Fanko dhe Anissa Markarian
Serafin Fanko dhe Anisa Markarian

“Çdo komb mburret me vlerat e tij.
Për mua kjo është më e rëndësishmja.
Nuk është e nevojshme që të bëhemi skllav të vlerave të huaja.
Nuk mund ta mohojmë Shekspirin, Molierin, Pirandelon e mjaft të tjerë,
ata ekzistojnë dhe kanë vlera botërore.
Për një teatër që i vendos në skenë këto vepra është nder,
por çdo komb duhet të mburret me vlerat e tij”.
Serafin Fanko

Thjeshtësia gjer në madhështi!

nga Anisa Markarian

Serafini kishte fisnikërinë, urtësinë, dhe hijeshinë e një princi të qëmotshëm.
E, në vend të diademës, një kurorë misteri…
Kur më njoftuan që kishte pranuar të interpretonte rolin e profesorit në filmin “Pranvera s’erdhi vetëm”, natyrshëm më kaploi dëshira t’i puthja dorën në shenjë falenderimi.
Angazhimet teatrore e patën penguar të vinte në Kinostudio për fazën pregatitore. E takova “për së vërteti”, (në ëndërr, tashmë, e hasja pothuaj çdo natë), vetëm pak minuta përpara se të xhironim skenën tonë të parë. Nuk i putha dorën, siç kisha menduar… Iu hodha në qafë !
Më ftoi t’i ulesha pranë tek po e grimonin; nxorri nga xhepi tri faqe të skenarit, (të nënvizuara, të plotësuara, të komentuara rresht pas rreshti), e m’i dha t’i lexoja.
– Si po mendon, oj burrneshë?
– Jam dakort, profesor. – iu përgjigja, sy më sy.
Ishim gjetur përpara se të njiheshim ; ishim sinkronizuar në të njëjtat gjatësi valësh; kishim komunikuar në gjuhën që flasin (ose më saktë, nuk flasin, sepse u është e tepërt) ata që mirëkuptohen artistikisht kur përbashkojnë shkëndijëzat e frymëzimit, kuturisjet e penës, azdisjet e fantazisë, përpëlitjet dhe mëdyshjet, improvizimet përpara kameras, thjeshtësinë e interpretimit…
Thjeshtësia gjer në madhështi!
Fliste pak e rrëfehej edhe më rrallë. Për t’ua lënë vendin gjesteve, veprimeve, mimikës. Dy trokitje të lehta mbi sup, për të më kujtuar që nuk duhej t’i mëshoja gërmës “sh”, (sepse gërvishja ajrin, sikur po fishkëlleja); një vezullim i syve, si një kërcitje çak-u, për të më dhënë sinjalin e fillimit të dialogut; një puthje në ballë pas dublit të fundit, për të më hequr lodhjen e ditës; zhubrosja mospërfillëse e vetullave zeshkane, sa herë që e këshilloja të paksonte duhanin; dora që kridhej në flokët e dendur e rrëzonte përdhe grimca xixëlluese… (Po shkërmoqej diadema e mistershme?!)

Serafin Fanko, Anissa Markarian dhe Fadil Kraja
Serafin Fanko, Anissa Markarian dhe Fadil Kraja

Serafini sekret, me bërthamën të padepërtueshme. Zanafillën e talentit në një burim të pazbuluar ; lëndinat e frymëzimit ende të parrahura ; hovet krijues të pazbërthyer. Gjer ditën fatbardhë kur do të shkelja në Shkodër për premierën e filmit. Në Shkodrën e tij. Aty ku më mirëpritën Fadili (Kraja), Barleti, Mjeda, Fishta, Koliqi, Prennushi, Migjeni, Gurakuqi… Në Shkodrën e kulturës gjithëkohore, që më besoi kodin e fshehtë për të deshifruar ARTISTIN.
Po përse, përse nuk e kisha njohur më parë?! (Sa herë ia kam bërë këtë pyetje vetes pas përfundimit të filmit.) Sepse do ta kisha ndërtuar ndryshe rolin e profesorit po ta kisha parandjerë që do ta interpretonte ai. Do t’i kisha vënë në gojë fjalë më poetike, në përputhje me lirizmin e shpirtit; do t’i kisha shtruar livadhe pauzash për t’i nxënë qetësinë e mendimit; do të kisha sajuar një përmasë të katërt për t’i karakterizuar eklektizmin.
Serafini ëndërrimtar, me sytë miklues drejt pafundësisë së qiellit, duke gjurmuar shtegun që do t’i lejonte udhëtimin e amshuar. Aq sa nuk ngurroi më asnjë çast, kur e pikasi. (Ç’ishte gjithë ky ngut, Profesor?!)
Shpalosi krahët ngjyrë argjendi e mori fluturimin, dy vjet, ditë më ditë, përpara sime mëje. Ja përse, më çdo 29 shtator, ndez dy qirinj mbi varrin e saj.
Edhe sot…

Serafin Fanko (1937-2007)
Serafin Fanko (1937-2007)

Pak rreshta mbi Serafin Fankon

Serafin Fanko (1937-2007) numëron rreth 125 role
në teatër dhe kinematografinë shqiptare.
Ai është dalluar në karrierën e tij artistike,
si një aktor karakteri dhe tepër potent në interpretimin e tij.
Janë të shumta dramat që Serafin Fanko
ka vënë si regjisor në skenën shqiptare,
disa prej të cilave edhe të nderuara me çmime.
Krejt çka ju desh për të ngritur përmendoren e pavdeksisë,
ai e sendërtoi në Shkodër,
aty ku jetoi dhe u madhua nga duartrokitjet dhe mirënjohja.
Në larminë e veprimtarisë së tij artistike
Serafin Fanku është një barometër vlerësimesh dhe konstatimesh,
ai ishte dhe mbetet një përcaktues i së vërtetës në gjithë ato dilema,
me të cilat po përballet arti shqiptar në përgjithësi, e teatri në veçanti.
Albert Vataj
http://www.zemrashqiptare.net

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.