back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Ti je kriminel i jetës tënde – nga Sadik Bejko

on

|

views

and

comments

Sadik Bejko
Sadik Bejko
Ti je kriminel i jetës tënde
nga Sadik Bejko

Një njeri më ka thënë: Ti paske qenë krimineli i jetës tënde, kriminel i familjes tënde.
Ky ishte Tahir Mehmeti.
Në Minierën Memaliaj, ai ishte shefi i sektorit 250. Tahiri ishte deputet i Kuvendit Popullor. Disa thoshin se ishte dhe Hero i Popullit. Këto për mua nuk kishin rëndësi. As për vetë atë. Ai dhe në pamje, në veshje, në sjellje nuk dallohej nga punëtorët rreth e rrotull tij.
Tahir Mehmeti në atë sektor miniere ku tani po punoja, pasi më kishin vënë shkelmin në b.. nga RTSH, nga redaktor në Radio Televizionin Shqiptar, ishte njeriu numur një. Ishte Njëshi.
Prej rreth tri javë po punoja “si punëtor i tij”. Shefi i nënsektorit, një inxhinier miniere me arsim të lartë, për ditë na fuste në punë e na kërkonte realizimin e planit. Ai ishte një përgjegjës teknik. Pa fuqi përtej minierës. Pa fuqi politike, mund të thuash, ose që në rastin tim nuk donte të merrte përgjegjësi. Për mua ishte dhënë një urdhër nga shteti që të më çonin atje thellë e më thellë, aq thellë sa mundësisht të mos dilja më. Kush i dilte përpara atij urdhëri?
Por… ato ditë isha bërë me djalë. Duhet të dilja nga miniera… me lejë sa të merrja nga materniteti i Tiranës djalin tim të sapolindur.
Lejë nuk po më jepnin.
Ai kërthiu, djali që më kishte lindur më Tiranë, kërkonte që unë babai ta nxirrja nga materniteti bashkë me mamanë e tij dhe t’i sistemoja diku. Po ku? Të dy sapo të dilnin nga materniteti, nuk kishin ku të fusnin kokën. Gruaja dhe unë para se të më zbrisnin nëntokë, banonim në hotel “Valbona” në Tiranë. Nuk kishim banesë. Gruaja më 15 shkurt 1974, lindi djalin. Unë që nga 20 janari 1974, shtyja vagona me qymyr në nëntokën e minierës Memaliaj. Tani djali dhe gruaja më kërkonin një vendbanim. Nuk mund t’u jepja strehë tek ai hotel “Valbona”. Një burrë, një baba pa asnjë mundësi t’i jepja strehë një kërthiu që më zuri në befasi me ardhjen e tij. Më të vështira ditë nuk mund të kishe. Gruaja në Tiranë, në maternitet, lind fëmijën pa burrin pranë. Babai i dënuar pa të drejtë ta presë, ta gëzojë lindjen e të birit.
Por atij kërthiut i kishte ardhur ora të vinte në këtë botë, të lindte nën shi a nën diell qoftë. Nuk mund t’ia priste askush udhën.
Dhe fëmija djalë lindi.
Babai i nëntokës mori një telegram që ai lindi, erdhi mbi tokë. Duhet të merresha me rritjen, me vendrritjen e tij. Për këto nuk donte t’ia dijë tjetër njeri. Nuk po më jepin as lejë të largohesha nga puna.
Më thonë se për këtë lejë duhet t’i drejtohem Tahir Mehmetit, kryeshefit të sektorit 250, ku punoja. As Tahiri nuk më pranoi. Nuk donte të më takonte. Më thanë t’i qepem pas në vizitën e tij të përditshme nëntokë. Si shef ai inspektonte vendet e punës më me vështirësi aty nëntokë. Iu qepa pas.
Diku në një llavë miniere e ndalova.
Tahir Mehmeti, ke punë me mua, i thashë. Dua të flas me ty. Atij i bëri përshtypje kjo thënie sikur t’i jepja urdhër dhe ndali. U futëm në një xhep një metër të lartë e një metër të gjerë. Kush je ti, më tha?
Tahiri ishte si unë me kominoshe miniere, me një llampë në ballë. I lagur, i djersitur. I llangosur me qymyr në fytyrë. Sytë e tij që në diell mund të ishin në ngjyrë kafe a të çelët, drita e llampës aty nëntokë ia bënim fare të shpëlarë. Ishte me ngut, nuk ma kishte ngenë. Më kërkoi të flisja shpejt, ta lija në punën e tij. Ishte i egër në atë fytyrë që mbi tokë ngjante krejt paqësore dhe pa asnjë veçanti. Sa nuk po më bërtiste ç’dreqin ke që më pengon në punën time.
Shef Tahiri punëtorët e sektorit i njihte një për një me emër dhe me mbiemër, dhe punëtorët e njihnin. Punëtorët më përvojë nuk donin t’ia dinin se Tahiri po u shkonte “në front”, atje nëntokë. As e përfillnin. Ata bënin punën për veten, për paratë, për familjen. Erdhi, a nuk erdhi tek puna e tyre Tahiri, a cilido, dhe më i madhi shef i botës të ishte, punëtorëve të vjetër nuk u hynte gjë në sy. As ua lehtësonin punën as ua përmirësonin. Miniera ishte plumb mbi shpatullat e tyre. Ata do ta shponin me mina plumbin a gurin a terrin, për të nxjerrë qymyrin, për të nxjerrë jetesën e fëmijve të tyre. Aq u bënte për shefin a drejtorin. Të pirdheshin. Të shkonin në të sëmës. Kur u hypnin xindet në kokë, ata grindeshin me Tahirin si të barabartë. Ta q… nënën o Tahir, ata, ua q… dhe unë, ua kthente Tahiri. Me që ndjeheshin kështu barabar, e kuptonin shefin e tyre. Ai kish për detyrë inspektimin, ata kishin detyrën të bënin planin. Secili në të vetën.
Kishte raste kur tavani i minierës çahej dhe varej si gojë mbi kokën e minatorëve. Një gojë llahtar e hapur që bie e të shkel pastaj a të shkel tani. Po do të futeshe në atë gojë. Duhej bërë plani. Dhe burrit më me përvojë miniere i dridheshin leqet e këmbëve. Një gojë e zezë, e hapur. Nuk vete në atë vend pune, kundërshtonte minatori i vjetër. Po deshe kthehu nga ke ardhur. Tjetër punë s’ka, i thoshte brigadieri. Minatori me veshje pune, me veglat në sup, kërcënues si një ushtar fronti, i përplasej, ia shkyente me shpatulla derën e zyrës shefit, Tahir Mehmetit. Përjashta, i ulërinte Tahiri. Atje ku të kanë thënë tregohu burrë, jo tek unë.
Ti nuk po më kërkon punën time, ti po më kërkon kokën. Nuk shkoj. Kur të bëj zina më nënën time, shkoj në atë vend pune.
Të bëje zina me nënën, do të thoshte, të bje në shtrat inçesti me nënën tënde. Ishte beja më e rëndë për një burrë. Por kjo do të thoshte dhe se nervat e atij burri nuk mbanin më.
Tahiri ia kthente: Vetë e ke kërkuar minierën, nuk të thirra unë. Je burrë, dili për zot punës, mos m’u legenos… Përjashta. Nënën ta bëfsha, o Tahir Mehmeti. Nënën tënde e ca më tej, ia kthente Tahiri.
Kaq ishte sherri. Pas kësaj secili në punën e tij.
E pra, në një shteg llave e kisha ndaluar Tahirin. Ç’do nga unë, më tha. Ia thashë. Ti duhet të marrësh lejë nga “Dega”, pastaj nga unë.
“Dega” ishte Sigurimi i shtetit, policia. Në miniera atëherë çonin familje që viheshin në internim dhe nën kontroll policor çdo 12 orë. Pa të drejtë largimi nga vendi i internimit.
Nuk jam nga ata, nuk kam punë me “Degën”, i thashë. Jam punëtori i yt. Po të ishte për lejë nga “Dega” do ta thosha. Mbas pune, të dielave, në ditët e festave, mund të shkoj ku të dua. Unë di që ti i merr vesh të gjitha.
Ja… nga gjiri nxora telegramin. E sheh këtë telegram, posta e shtetit ma ka dhënë… dhe jam në hall. Kërkoj lejë tre-katër ditë, ja dhe pesë ditë. Dua leje që mos më thonë je larguar dhunshëm nga puna. Djalin që më ka lindur në Tiranë, do ta marr prej andej ta çoj në Gjirokastër, te familja e nënës së gruas. Është djali im. Është gruaja ime. Kush do të m’i nxjerrë nga spitali, nga materniteti?
Tahiri për një çsat shtangu.
Ishim mijëra metra nëntokë në një xhep sa të lëvizësh krahë e këmbë jo më shumë .
Pse ke ardhur këtu? Ku ke punuar ti?
I thashë ku kisha punuar, që kisha gabuar dhe prandaj tani varesha nga ai… dhe të lutem më ler të marr djalin e gruan nga spitali. Gjithë të tjerët më drejtojnë tek ti.
Ishim gati ngjitur. Në frymë të njëri-tjetrit. Tahiri nuk po më vështronte si armik. Si njeri po më shihte. Ai burrë me kokën lart që nuk përfillte njeri, atij Tahiri që nuk i hynte gjemb në sy, tani sytë të dy i ishin bërë pelte.
Po prapë pyeti: Pse je këtu? Pse je i dënuar? Ta thashë: kam gabuar. Çfarë gabimi, kujt ia thua, mua m’i thua? Urdhëri për ty është të të fusim në vrimën më të zezë. Udhër nga shteti, nga ata fare-fare lart.
Vrimë e zezë, i thashë? Ku është? Vete ndonjë bir nëne atje, shkon ti te ajo vrimë e zezë, pse të mos vete unë? Burrë e bir nëne ti, burrë edhe unë. Kaq ditë po punoj me ju dhe asnjë urdhër nuk ua kam kundërshtuar. Pse nuk ma thatë ku është ajo vrimë e zezë, ta gjej e të shlyej të keqen? E në mos e shlefsha të gjithën, do punoj të rris djalin tim, të mbaj familjen, si të gjithë këta punëtorët që ke ti. Nuk ia përtoj punës.
Në atë çast që po flisnim, ne ishim në llavë, në gojën e minierës nga nxirret qymyri. Vrimë më të zezë më tej nuk kishte. Atëherë këtë nuk e dija.
Shef Tahiri, shkurt, jam ky që jam. Për çështje familjare po të këkoj leje.
Tani ai më ngjante një i barabartë me mua. Nuk ishte deputeti, nuk ishte shefi. Unë i kisha rënë më gjunjë… I kisha thënë jam një i gabuar.. një i mbaruar, po dua të punoj, të jetoj si të gjithë.
Papritur hovi përpjetë, nuk e nxinte vendi. I prishur në fytyrë, m’u kthye si me kërcënim dhe me plot zërin më tha: Ti paske qenë kriminel, kriminel i jetës tënde… paske qenë kriminel i familjes tënde.
E prita në heshtje këtë “verdict” që ma jepte Tahir Mehmeti atje mijëra metra nën tokë. Ai ishte i bindur top për këto që më thoshte.
Me rrëmbim, me britma, në të ikur e sipër, dëgjova që më tha: Ke lejën time. Sa të duash. Mbaro punë dhe kthehu. Tahir Mehmeti të ka dhënë lejë…

Marrë nga Muri i FB, Sadik Bejko, 20 shkurt 2024

Related Images:

Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.