back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ti je nji drandofile drite… nga Jozef Radi kushtuar Aleksandra Tasit

Gazeta

Aleksandra Tasi
Aleksandra Tasi

Ti je nji drandofile drite…

kushtuar Aleksandra Tasit

S’ka trishtim ma të thellë s’ka dëshpërim më t’pa ngushëlluem se kur nji zonjë, nji mike me të cilën ke ndarë jetë afër dhe larg, biseda të kandshme, histori të trishta rinie, rrethue gjithkah me cak, humorin e kandshëm të besimit që jeton ndër ne… kur befas një mbramje ashtu si me droje e nënzà më thotë: “Jozef s’jam fort mirë!” – e mbas dy netësh: “Jozef, unë po shkoj! Asnji shpresë s’më kanë dhanë mjekët, se mund të bahem ma mirë!” – Dhe ti përpiqesh me e përcjellë me pak humor mosbesues, e me ‘ia çmontue ato fjalë fataliste, e me ia përmirësue sado pak at rrëzim, psikologjik duke mos ia besue kurrsesi ato çka ajo m’thoshte… Se s’mund ta besoja se pamja e solemne e Sandrës, buzëqeshja e saj ngroftë, ajo mirësia e shpirtit, ndër ato biseda të kandshme, mund t’u mungonte ditëve të mia… Mandej asht ajo pjesa e fatit të përbashkët, që më futej në shpirt e më mbetej aty.
Do t’i kujtoj me drithmë shpirti fjalët e saj nga Gjermania: “Po kthehem Jozef, të shuhem në shpi teme… Kam nji djalë, që asht i tronditun së thelli humbjes teme… – dhe ai zani i saj që dikur gurgullonte energji s’ishte ma… ajo drita e fjalëve të saj po eterizohej, e përmes tyne po e kuptoja, se të gjithë ne udhëtojmë drejt asgjasë, njashtu pa e dijtë se nji ditë mbas tanë privimeve fati na rezervon edhe nji befasi tjetër, që as nëpër mend si kem shkue…
“Të lutem Jozef, shkruej diçka për mue!”… dhe përditë kam vazhdue me i shkruejte, me e pyetë, me i dhane kurajo, me i çue lule virtuale, edhe pse përgjigjet e saj baheshin gjithnji e ma të rralla e gjithnji e ma të zbehta, (pse ajo, s’mund të shkruente, veç regjistronte zanin e saj e m’i niste!) Për do kohë mbeta pa përgjigje, deri në ditë të sodit kur lajmi i ikjes së Aleksandra Tasit, ishte grimcue në faqet e dhjetra miqve të përbashkët…
Që jemi të përkohshëm e kalimtare të kësaj jete është diçka që e nënvizojmë veç kur humbja e një të shtrenjti na rëndon përtej asaj çka kemi menduar…
 
Sandra asht nji drandofile që pikon dritë
asht nji dhimbje që s’e lodhën andrrat
asht nji e vërtetë shkrueme n’lkurë
nji kangë e këndueme në ditë festash
 
Sandra asht nji buzqeshje që meritonte qiell
nji rrugicë ku mblidhna me luejtë kohna të vrame
nji bukuri që na ban me kthye kryet gjithkah
me na e kujtue se ajo jetonte përtej bukurisë
 
Sandra mos e merr bukurinë me vedi ndër yje,
flokët prej Meduze mos i kreh Rrugës Tamblit,
mos e merr dritën tande, ka ma shum’ dritë andej,
na t’lindunit n’terr, me fill bukurie t’i arrnojmë andrrat!
 
Lamtumirë e Mira, e Bukura Sandër, Lamtumirë!
Ti je nji drandofile drite… ti mbete nji drandofile drite!
E do t’i kujtoj mija vogëlsi n’ato pak ndejte të përbashkta, n’ato biseda të kandshme… do të mendoj njashtu të bukur, të qeshun e të dashtun me at shpirt të papajtueshëm me t’Keqën e të Padrejtën e pësueme, me at krenarinë që të buronte prej lavdisë së paraardhësve tu, dhe asaj natyre pozitive, sa t’ambël aq rebele, që Zoti ta kish falë…!
S’do t’i besoj kurrë fjalët e tua për ikjen! Do të besoj se ke shkue diku, m’e çlodhë dhimbjen e dramave tua, o ke shkue me i shetitë qiejve andrrat e tua te thyeme, me na dëshmue ne të mbetunve në këto kohna të vshtira… se kjo tokë e ky vend, ka me vazhdue me shkelë andrra dhe me mbyllë portat e besimit…
Lamtumirë Sandra!
Sot në mëngjes lexova qindra përqafime e dhimbje, që kanë përcjellë dashni ndaj teje… Po e bashkoj edhe unë kët përqafim e kët dhimbje timen, njashtu si ishte dëshira jote e mbrame… e lanë me zanin tand…
jozef radi, mars 2020

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Juli Gruda Pistulli
    Nji tronditje për tanë ne që e kishim mike! Nuk e meritote një humbje kaq të shpejtë!
    Paska kenë e pafat në këtë jetë.

    Odeta Zhegu
    S’kam çfarë të shtoj, se Jozefi i ka thënë të gjitha, edhe pse ikja e saj më ka lënë pa fjalë. Ndodhi ajo që nuk duhej kurrsesi të ndodhte.
    Jeta e saj e munguar u ktheftë në dritë e forcë për djalin dhe krejt familjen.

    Shpend Sollaku Noé
    E thellë elegia jote Jozef!
    një degëz trëndafili në kupën e dhimbjes, një kujë e heshtur sfilitëse.

    Irma Muça Qesja
    Jozef, e lumturon Sandrën, miken tënde, me këtë shkrim aq të bukur, aq të sinqertë e aq të ndjeshëm! Ajo e të tjerë të dashurit e tu që kanë kalu pragun e kësaj jete do të jenë të përjetshëm në sajë të penës tënde të artë.
    I lehte qoftë dheu mbi trupin Sandrës, mikes tende.

    Gentiana Kone
    Kam qa me shpirt sot kur lajmi i ikjes së saj, më erdhi!
    Jam duke qa sërish duke lexu fjalët tuaja për të!
    U prehtë mes ëngjëjsh, Sandra e bukur si drita e parë e agut!
    Lum ata që e kanë njoftë dhe e kanë pasë pranë në këtë jetë!
    Ngushëllime familjes dhe ju mik i dashtun!

    Valbona Prendaj Marku
    Një grua që përshkruhet kaq madhërishëm nga miqtë nuk vdes kurrë… Ajo jeton në dritën që le pas… Elegji prekëse…

    Sokol Parruca
    Ikja e Sandres trishtoi dhe mori vëmendjen e kujdo që e njofti e kujdo që u njoh me fjalët e dhimbshme të miqve… aq sa u shkëputëm nga situata virusiale dhe shprehëm keqardhjen për ikjen e një njeriu të mirë…
    Pastë dritë e diell e mira Sandra!

    Teki Çarçani
    Ngushëllime të sinqerta familjes! edhe ju për shoqen tuaj. Shumë prekës e i përmallshëm shkrimi juaj. “Frymëzimi është i bukur, por përmallimi madhështor” V. Hugo.

    Brikena Shehu
    Kaq bukur sa ke shkruar ti për Sandrën, çdo fjalë është e tepërt!Ngushëllime të afërmve të saj, Tonit, të saj birit të shtrenjtë, Bonës motrës së saj të dashur, Koços vëllait të saj dhe gjithë miqve të saj të dashur…
    Sandra ishte dhe do mbetet në kujtesën tonë si një pasardhëse e denjë e një familjeje të vuajtur!
    Jemi tepër të lënduar nga ikja e parakohshme e saj nga kjo jetë…
    I qoftë dheu i lehtë e dritë pastë shpirti i saj i bukur!

    Denata Rroji
    Jozef Radi, të gjitha dedikimet për Sandrën i kam lexue. Të gjithë shprehnin hidhërim të sinqertë dhe të gjithë nxirrnin në një dritë të bukur gjithë cilësitë e saja, por ky dedikim yt është mbi tana. Ajo ishte dhe trandofile dhe lulebore, por ishte njeri me dinjitet dhe krenari prej një sojlie të një familje të rrallë patriotike shqiptare. Janë humbje të rënda këto të njerëzve me shpirt të bukur dhe të pasur në kësi kohë horrash e bastardësh. Trandafilja më e bukur e parajsës qoftë Sandra Aleksandra Tasi në parajsën tande Zoti ynë!

    Matilda Mirakaj
    Ah sa keq më erdhi. E njoha në FB, por na lidhi menjiherë e kaluara e përbashkët që na brumosi me të njejtën materie. Gjithë energji, pasion dhe sinqeritet. Shumë bukur eulogjia, por në një diçka nuk jam dakort me ty Jozef. Nuk shkojmë drejt asgjësë… Shkojmë drejt së vërtetës, e dritës nga e cila kemi ardhur. Sandra është në një realitet më të mirë se ajo që i ra për pjesë në kët tokë. Qoftë e parajses!

    Natasha Pustina
    Nuk ka dhimbje më të hidhur e më të bukur!
    Kushdo do te thotë ç’jane këto marrëzira që thua: dhimbje e bukur!
    Po është një dhimbje e shprehur në prozë poetike, është dhimbja e humbjes së mikut të bukur e të dashur. Si mund ta tretë dheu një bukuri të tillë?
    E kujtofshi me tufa të bukura lulesh dhe me vargje, gjithmonë.

    Rozeta Shebeku Groballi
    Drithëruese !!!Ngushëllime familjes… Më vjen në mendje një shprehje e vjetëer: “Ishte aq e bukur, sa ishte bërë për dhè!!”

    Uran Kostreci
    Jozef, të komplimentoj për aq të ndjerën poezi kushtuar Aleksandrës, që ishte një nga përfaqësueset më dinjitoze të shtresës fisnike të Shqipërisë tonë aq të varfëruar, kohët e fundit, nga këta egzemplarë të rrallë! Sandra ishte vërtet modeli klasik i femrës: elegante, e virtutshme, inteligjente! Ishte e bukur si shtojzovalle, që e ka vendin në Qiell!

    Ermira Mitre
    Dritë i pastë shpirti Sandrës, mikes tuj Jozef Radi, këtij engjëlli që nxitoi të fluturonte në qiell! Ndaj thonë: Engjëjt nuk janë ba për tokë! E njoha sot Sandrën nga ky homazh i juaj mbushur plot dashuri e dhimbje! Qoftë e Parajsës Mikja Juaj!

    Mirela Kamsi Gurakuqi
    Sa bukur e ke përshkrue Nini në kompleksitet Sandrën, që sot na hidhëroi të gjithëve me ikjen e saj të papritur! E dëgjova për sëmundjen, por besova në forcën dhe kurajon e saj se do ta kapërcente. Kemi qenë në fillore në klasa paralele! Ishte e zgjuar dhe e paqtë! Sot pa hapë sytë morëm lajmin nga miket e saj që kishin mbush fb me dedikime! Sa padrejtësi asht kjo jetë! Jetë e padrejtë!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.