back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ti që do lahesh në dritë… Cikël poezish nga Mariklena Niço

Gazeta

Mariklena Niço
Mariklena Niço

Ti që do lahesh në dritë…

Cikël poezish nga Mariklena Niço

Kryeshkundur dimri

Dëborë endur nga duar imcake,
harruar e paprekur thellë në fëmijëri.
Hijerëndë dimri.

Dëborë dashurie të panjohur,
bie si rreze në harpë.
Dirigjon dimri.

Dëborë e mbledhur në gjoks
që shkrin përvit e nga pak.
Përrua dimri.

Dëborë e ngjeshur në krye,
për gjithë pranverat merr hak.
Kryeshkundur dimri.

Lumëgjak

Kumbim i pakumb,
rrëshqasin rrënjë,
i këputen pemës.
Pema qëndron
ngulur në dhè
me degë që s’marrin
më rrugë në qiell.

Në lumin tejposhtë
iu lëshua zemra.

Në dheun bosh
dikush mbjell ëndrra.

Ti që do lahesh në dritë

Ti që lahesh në mjegull
hedh sytë në rrjetën e ҫasteve
hedh vështrimin në rrjetën e syve
e di tashmë
sa thellë shikohet me zemër
sa larg hedh dritë vegimi.
E di që s’mund të arrihet
ajo që shikon
përveҫse me shpirt.

Ti që do lahesh në dritë.

Në jetë

Mbështillemi të mardhur me frikë
nxitojmë të flasim e s’kuptohemi
bëjmë zhurma që s’kthjellohen në zë
vegojmë parathënie që nuk ndodhin.

Rrëzohemi një shkallë e nuk ndiejmë
rrëzohemi edhe një e nuk shohim
bindemi me shenja të rreme
tjetërsohemi.

Vjetërohemi,
s’na mbajnë më shenjat e djeshme
me kuptime. E sotmja s’na pranon.

Në jetë
shumë pak mësojnë të lexojnë
të tjerët, dinë përmendësh.

Pastaj me natë mbulohet

Është një vend ku shkojnë
e vdesin fjalët.
Një fushë e vogël në kujtesë
e njomur me ujëra harrimi.
Aty ndeh krahët heshtja,
Perëndia e vdekjes së ngadaltë.

Fluturza drite ngrihen në muzg,
pastaj me natë mbulohet.

Një yll i zakonshëm

Shiko sesi një udhë e zakonshme
shtrohet me yje!
Këmbë të varfra ecin në dritë
në fund të gjitha lehtësohen
në teh të hollë, kalojnë pa u lënduar
kuptimi dhe ndjenja.

Ndihet më pak rrëzimi i mureve
më shumë frymëmarrja e shkretëtirës

Shiko, një yll i zakonshëm
me një konstelacion udhësh në krye.

Hir i ligjërimit në dhè të vetvetes

Mbaj ҫelësat e një porte
brenda në gojë
porta e drunjtë
ҫelësi kristal
gjuha e prerë.

Dritë dhe aromë.
Dielli dhe buka e një kënge
që ngjëron të pathëna.
Ligjërim i hollë e i mprehtë
në dhè të vetvetes

I le jashtë lëkurët e botës
dorëzon ҫelësat rojtarit memec
hyn të mprehësh dëgjimin
në gjuhë të harruar
tinguj – tinguj
vesë kuptimesh mëkuese.

Kështjella e gjuhës hap dyert e rënda
shpërthejnë nga frëngjitë drita dhe kënga.

Kuptohu,
ngrihu dhe kuptohu!

Mariklena Niço - Dritehije
Mariklena Niço – Dritehije

Mariklena Niço

*Mariklena Niço u lind në Korҫë më 24 korrik 1978.
*Në vitin 2000, përfundon studimet universitare në degën gjuhë-letërsi pranë Fakultetit Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës.
*Boton përmbledhjen e parë poetike, “Pylli i Muzave”, në vitin 2007 (Ombra GVG).
*Ka botuar disa cikle poetike në revistat letrare: “Mehr Licht”, “MM”, “Haemus” etj.
*Pjesë nga krijimtaria e saj janë përfshirë në Antologjinë me poetë dhe mendimtarë ballkanas, “My last million”, botuar në gjuhën rumune, 2014.
*Është e pranishme, gjithashtu, në Antologjinë e Poezisë dhe Prozës së re shqiptare, botuar në gjuhën kroate nga libraria Booksa në Zagreb, 2014.
*Aktualisht jeton dhe shkruan në Prishtinë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.