back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Tingëllima e gjuhës së muzës femrore, në “Arie t’krisuna” të Desantila Qerimajt – nga Emrije Krosi

Gazeta

Desantila Qerimaj - Arie t'krisuna - Kompozim
Desantila Qerimaj – Arie t’krisuna – Kompozim

Tingëllima e gjuhës së muzës femrore, në “Arie t’krisuna” të Desantila Qerimajt

nga Emrije Krosi

Me shumë habi, kur lexova librin e Desantilës, jo vetëm e shtyrë nga recensioni i mikut tim Jozef Radi, por edhe një lloj muzikaliteti që ka poezia e saj, ndoshta edhe mënyra e shkrimit, që i qëllimshëm ose jo, ka ditur të ngjallë një kureshtje për lexuesin, se poezia si material parësor të “ndërtimit” të saj ka fjalën dhe gjuhën. Gjuha apo dialekti i të folurës shkodrane, me nje timbër të âmël që ngjiz afrinë me: Fishtën, Koliqin, Mjedën, Migjenin etj., në formën e një arie, që tingëllon kaq bukur në gjuhën e një muze femërore, jo bazuar mbi “morfologjinë” (forma e organeve gjenitale), sepse ekzistencializmi femëror, si një pjesë e femërores së përjetshme, se gjithçka që është grua dhe se shkrimet e grave të përkufizohen si female (femërore), (Cixous: 1975) e radhitur tashmë, jo si mision por si vlerë e shkrimit letrar, dallimi mes feminzmit dhe femërores, se feminizmin dhe të shkruarit femëror (Coward: 1980) është keqinterpretuar gjithmonë, por ky lloj shkrimi nuk është çeshtje “margjinaliteti” por çeshtje forme, si pozicion të shkuarit, që nga tekste e hershme të shkruara nga gra, si Desantila…

.

Emrije Krosi
Emrije Krosi

Të futesh brenda poezisë së një femre, kushdo qoftë ajo, nuk do të thotë të jesh patjetër kritike, apo studiuese, por thjesht një lexuese. Nëse është i saktë përkufizimi e Derrida-s se vepra nuk është shprehje, por krijim, (Derrida: 1976), libri me poezi “Arie t’krisuna”, (Qerimaj: 2020), me 80 poezi, përmban tematika të ndryshme, ku jeta lëviz brenda tyre, duke mos i shpëtuar syrit të kujdesshëm të një femre, që heton dhe vëzhgon çdo gjë. Të kuptosh rëndësinë e një mungese të gjatë, në atdheun tënd, fillon që me poezinë e parë, me titull, “Pritja e syve tuej”, me vargjet: shumica e rrugëve/ përpiu me të shpejtë tjerët, mbasditja e zakonshme/ plaket përtej dritores/ si kërkesë melankolie,/ re të pashmangshmelakojnë ndjesitë e mia,/ përhumbja e erës/ gdhend mungesa t’imta, f. 7, përcakton edhe vazhdimin e pamjeje më në thellësi, ku metaforat trupërohen dhe godasin lexuesin. Figurshmëria me metaforat si figura më dominuese në ciklin poetik, është e lidhur edhe me figurat tradicionale të afrisë si: metonimia dhe sinekdoka, por më shprehëse është metonimia e epitetit të zhvendosur, (Murry: 1931). Motivet e metaforës gjuhësore, lidhen me metaforën poetike, nëpërmjet modeleve gjithëpërfshirëse, në fushën e letërsisë artistike. Duke udhëtuar nëpër poezitë e poetes shkodrane që i nderandrrat e netëve të brishta, që nëpërmjet librave “sytë” e kohës, kanë një tjetër nur lirie, një liri më (përtej) lirisë dhe një liri më (për)tej femërores. Në vargjet: m’trajtuen si kristal që plaset,/ si tanë fundja./ Pa m’pá t’përulun, t’bjerrun,/ naltsoj fate t’djeguna,/ ditë e mendime t’báme hí, f. 14, poetja nuk ka dëshirë të jetë thjesht një relike (amnezia e disa shkrimtarëve meshkuj) ndaj femrave, por si pjesë e së tërës, si pjesa më vitale e shoqërisë, që ka në dorë zhvillimin dhe shndërrimi e një shoqërie më cilësore, më paqësore, më dashurore. Nuk ka ndonjë ndarje tematikash, pasi forma dhe gjithërrokja e temave, nuk kanë strukturë psikologjike (Holton: 1973), sepse poezia , “Edhe nesër…” vargjet: bota ka nji mnyrë të thjeshtë me dashtë/ jo si na… që tokën e qiellën s’i emnojmë Zot, f. 23, na zbresin në rrafshin horizontal apo tokësor të dashurisë. Është e pashmagshme të mos shkruash për dashurinë, por një dashuri tokësore, (dashuria ka prova jetësore), pra një dashuri që ka uljet/ ngritje e veta, që përballet me dimensionin e zhurmshëm dhe të vrullshëm të jetës moderne, ku përmbushja dhe vetëpërmbushja femërore mund të jetë ose jo(për)plotësuese edhe nga vetë dinamika e jetës, por ama dashuria është gëzimtare, është gjithmonë prore, gjithmonë lojcake edhe në momentet më ironike të jetës. Shtrirja e tematikës dhe gjithërrokja e përditësisë, nëpërmjet kujtimeve: çdo natë/ fjalë t’plasuna/ flejnë ndër kujtimet tona, f. 27, më përtej kujdesit amësor si nënë bashkëlidhet edhe me marrëdhëniet motivuese, që bashkëlidh të gjitha nivelet e tekstit: fonemën, morfemën, fjalën, vargun, strofën, si tendencë drejt vetvetores dhe referencë ndaj postmodernizmit, (Sarup: 1993). Qasja e poetes ndaj natyrës apo edhe përshkrimeve larg klasikes, nuk e harron edhe vetveten, jo vetëm si refencë femrore por edhe si ekzistencë njerëzore, në poezinë: “Ku…” me vargjet: e dij, jam për ty bora që ndjell flakë, grueja e erës,/ akorde, tonalitete që durojnë venitje/ përqafim që mban në lkurë/ botën n’prag t’buzqeshjes./ Mandej vjen çasti,/ kur shof dënimin/ i harroj tana,/ që ti t’mi thuesh/ edhe nji herë s’parit, f.33, duke u rrekur të kuptojmë shtresëzimet postmoderne, brenda poezisë, metaforicitetit i brendshëm, bashkëlidh imazhet nëpërmjet një gjuhe natyrore/amësore (gjuha e àmël shkodrane) në aksin sintagmatik, përsëritjet tingullore, nuk zhbëjnë mesazhin, por përforcojnë atë, nëpërmjet shtresave zanore ka ndërtuar:

ekzekutimin zanor,

-strukturën poetike, ritmikën e detajuar të cursus-it latin dhe verset franceze, si ndikim e

prozës oratorike latine, (Murry: 1922). Në poezi të tilla nocioni i tingullit të pastër, si një “masë estetike”, është një sistem marrëdhëniesh që na paraqet:

a.larmi të efeketeve ritmike,

b.shtresë zanore,

c.intregraliteti i krijimit poetik,

d.lidhja e qenësishme në brendësinë poetike, ku sinjali i tingullimi ritmik dallohet nëpërmjet vargjeve: ftyrave gjithfarsoj,/ padukshme, shkyeme,/ qëndisuna, t’arrnueme;/ ftyra guri dhe hapsine,/ ftyra që thahen e presin/ si gërshanë mërzinë e vedit, f.55, se si dallime të brendshme tingujt, kanë efekte speciale estetike edhe si veçantësi e muzikalitetit të së folurës së poetes, mund të shprehemi me termin “eufoni”, se këto dallime tingujsh kanë në themel: metrin, dhe ritmin, si synim jo vetëm të një realizimi artistik por dhe për kënaqësinë që i afrohet lexuesit, duke stilizuar format e ndryshme të ligjëratave ekstra-artistike, nga buron dhe uniteti kuptimor stilistikor i veprës në dy lëvizje: dimensioni horizontal dhe dimensioni vertikal, ku “ndikimet” jashtë botëperceptimeve dhe situatave emocionale të poetes, duke përdorur gjuhën në situata sociale specifike në formë interteksti, (Allen: 2003). Poezia e Desantilës është poezia që endet mes surreales,ekzistencializmit, hermetizmit, simbolizmit dhe realizmit, një realitet sa individualist aq edhe shoqëror, por me një vetëdije të lartë poetike (vetëkritike) duke “pastruar” çdo fjalë nga papastërtia e jetës tonë, e ndërtuar në disa parabola poetike:

1.parabola e imazhit/ vëzhgimit (natyral), poezitë: “Rrugë”, “Muzg”,Qiejt gati me lëshue borë”, “Shtrëngata”, “Qiell”, “Çast”, “Liqen”, “Mars”, “Natyrës”.

2.parabola e familjes/ amësisë, poezitë: “N’mujsha m’u kthye fëmi” , “T’voglës”,Nanë”, “Grueja që jam”.

3.parabola e ekzistencës/ Uni personal, poezitë: “E piva ndjenjën me fund”, “Të pashë”, “Si”, “Jetë në gjanat e thjeshta”, “Kam me jetue”, “Mbasi dhashë jetë”, “E kam pá jehonën tande”, “Dritë që s’vjen”, “Nji dhimbje n’vedi”, “Ti s’din për mue”,Dikur”.

4.parabola dashurore/ intime, poezitë: “Të prita”, “Para teje”, “Me ty”, “Me dashtë”.

5.parabola e lirisë, poezia : “Marsi i kadaltë (2020”)

Qasja në formën e një metanarrative si teknikë postmoderne mund t’i nënshtrohet keqpërdorimit (Walker: 1996), se brenda një vepre arti është krejt normale, sido­mos sot ku subjektivja e gjen veten të përfshirë në atë garë mbijetese, se mungesa e vlerave të sotme që i kundërvihen fort individëve, si imponim nga konteksti shoqëror dhe zgjedhja individuale të lexuesve, ku vargjet e një poezie ndër më të arrirat në këtë tekst poetik, është poezia: “Me dashtë” me vargjet: me mbrritë me dashtë,/ duhet me udhtue prej ku je/ tana qytetet që ke andrrue,/ me kuptue se liria asht/ me njoftë njeni-tjetrin veç me sy, f.76, nëpërmjet një procesi strategjik të ndërtimit të tekstit:

teksti si receptim narrativ,

-teksti si vlerësim i detajeve të jetuara,

-teksti si filozofi i gjërave të vogla,

-teksti si reflektim i kohës reale,

-teksti si (tej)thyerje e ritmeve poetike,

-teksti si (anti)monotonik,

-teksti si strategji e hemogjenisë kolektive,

-teksti si përmasë (përtej)shqisore,

-teksti si masë individuale e vlerësimit të receptimit/ pranimit,

-teksti si problematikë e qëndrueshmërisë së vlerave/interpretimeve,

-teksti si përpunim diskursiv përtej vetvetes, një mënyrë të ekzistencës semiotike si

aspekt edhe e një narrative kanonike në rrugën e shndërrimit nëpërmjet potenciales (Fointanille: 1989), një shndërrim jo të masës së një gruaje, as si tepri apo pakim, por shndërrim ndaj të keqes sociale dhe shoqërore, që vetë përditësia jonë, problemet, vështirësitë, pengesat, zemërimet, ankthet, lëvizjet emocionale, rrokopuja e jetës, marrëdhëniet me veten dhe të tjerët, në lëvizjet dhe përmbysjet e ku hapsirat e njeriut janë ngushtuar dhe njeriu po bëhet më i vetmuar duke u ekspozuar ndaj botës virtuale, nëpërmjet poezisë: “Metamorfozë” vargjet: sa herë mendoja, kush ishte njaj lugat!/ Mos ndoshta e keqja veshë me thes t’shkyem?/ Mos kishte dalë plasash n’forma të çuditshme?/ Mos ishte njaj korbi i zi i “lajmeve”/ që nana e baba e përmendnin tinza nesh? f. 83, me përsëritjet e pjesëzës mohuese [mos], dyshim/pohim ndaj së keqes universale që merr shumë forma, nuk i frikësohet, se kjo “metamorfozë” poetike shfaq tërë format e Unit të një nëne dhe poeteje.

Si përfundim: poezia e Desantilës shfaqet si një zë i veçantë, unik por dhe risi, në poezinë moderne shqipe të diasporës, një ngjyresë e gjetur stilistike, që do t’i rezistojë kohës, që falë shpirtit të saj kritik dhe autocensurës, poezia e saj është edhe një sfidë për kritikën e sotme dhe të ardhshme.

.

Desantila Qerimaj
Desantila Qerimaj

Bibliografia

1.Allen, Graham: (2003), Intertextuality, Routledge, London.

2.Derrida Jasque: (1976), L’écriture et la différence , Seuil, Paris

3.Cixous, Helene; (1975), “Le Rire de la Meduze”, L’arc 61.

4.Coward, Rosalind: (1980), This novel Changes Women’s Lives: Are Women’sNovesl Feminist?Feminist Revieë”, 5, XX-XX.

5.Fontanille, Jasques: (1989), Les spaces subjectifs: introduction à la sémiotique de l’observateur, Hachette, Paris.

6.Holton, Gerald: (1973), Thematic Origins of Scientific Thought: Kepler to Einstein, Cambridge: Harvard University Press.

7.Murry, J. Middleton: (1922), The Problem of Style, Oxford.

8.Murry, J.Middleton: (1931), “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London.

9.Qerimaj, Desantila: (2020), Arie t’krisuan, “Jozef”, Durrës.

10.Sarup, Madan: (1993), Poststrucralism and Potsmodernism, Great Britain, Ashford Colour Press Ltd, Gosport, Hampshire.

11.Walker, Thomas: (1996), Postmodernism and the study of the future, Futures Research Quarterly.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.