back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tirana ose kryeqyteti me histori të falsifikuar – nga Ndoc Selimi

Gazeta

Mozaiku i Tiranes
Mozaiku i Tiranes

Tirana ose kryeqyteti me histori të falsifikuar

nga Ndoc Selimi

(Me rastin e 99 vjetorit të propozimit për shpallje Kryeqytet)

Emri i kryeqytetit të Shqipërisë Tiranë vazhdon të interpretohet me shtrembërime e gabime të mëdha të realitet historik.
Për fat të keq edhe në literaturën europiane e më andej deri në periudhën e tanishme qytetin e Tiranës e njeh një qytet që qenka themeluar nga një shqiptar i turqizuar i quajtur Sulejman Pashë Bargjini prej Mulleti. Si depërtoi në literaturën europiane ky version historik për themelimin e Tiranës? Edith Durham, pasi njihet me historinë e këtij qyteti, që ia serviren vendasit thotë: “Tirana është themeluar me 1600 nga një bej i pasur, i cili i vuri këtë emër për kujtim të një fitoreje të turqëve në Teheran të Persisë.” (E. Durham “Brenga e Ballkanit” Tirane, 1991, fq. 92). Sipas kësaj servirje emri Tiranë na del i ardhur prej Irani si derivat i këtij qyteti, gjë që është absurde dhe plotësisht e pa vartetë. I njejti shpjegim është shkruar edhe te “Enciklopedia Europiane”, botimi italisht, ku thuhet: ” Tirana da Teheran, nome che le diede, quando la fondo al principio del secolo XVII, il generale turco Suleyman Pascià…” (Tirane prej Teheran, emën që thuhet i është vënë kur e themeloi princi i shekullit XVII, gjenerali turk Sulejman Pasha.) (“Albania” botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Enciklopedia e popujve te Europës, 1965 fq, 390.)
Gjithashtu deri në ditët e sotme i mëshohet një legjende tjetër sikur në bregun e Lanës po “tirej ranë” si me thanë po hedh ranë, gjë që edhe kjo nuk ka asnjë bazë shkencore. Pa themel më duket edhe interpretimi tjetër sikur ky vend u popullua prej të ardhurve nga malet e spjegohet me “të ranët” të zbriturit në fushë.
Së fundi është hedhur edhe një ide tjetër, që toponimi Tiranë vjen prej një kalaje me emrin Trikan të përmendur nga Prokop (shek. VI), që shkruesit e tanishëm e lidhin me Tyros që në greqisht do të thotë bylmet (Theranda), që mund të ketë një lidhje me toponimin Tiranë.
Le t’i japim disa ide ma të kjarta këtij toponimi duke u nis nga literatura jonë dhe ajo botërore.
E quajmë të pamundur që emri Tiranë të jetë pagëzuar nga S. P. Bargjini, pra të jetë huazuar prej emrit Teheran, sepse Tirana ka një histori shumë më të lashtë. Nëqoftëse është e vërtetë se jeniçeri S. Bargjini u kthye në shek. e XVII në vendlindjen e tij si pasha turk dhe bëri disa ndërtime, ky fakt nuk dëshmon asgjë për themelimin e qytetit. Emrin Tiranë e përmendë Marin Barleti mbi 14 herë të “Historia e Skënderbeut” (Infobotues, Tiranë, 2005) qysh në shek. e XV duke evidentuar faktin se kishte dy Tirana; e Madhja dhe e Vogla. (shih faqet 28,32, 47, 214, 217, 220, 231, 234, 250, …e deri te 480).
.
Mosaiku i Tiranes
Mosaiku i Tiranes
Po kështu edhe Fan S. Noli në vepren e tij “Historia e Skënderbeut” thotë: “Fortesat e Gjon Kastriotit qenë Kruja, e cila ishte kryeqytet i principatës, Petrella afër Tiranës, Petralba…” (Noli vep. 4, Akademia e shkencave, Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, Tiranë 1989, fq 69). Në faqen 109, të po kësaj vepre thuhet: “Skënderbeu… sapo mori lajmin që Ali Pasha po afrohej, mblodhi ushtrinë e doli ne fushë… pranë Kasharit një fshati afër Tiranës Vogël…” dhe në shpjegim Noli vazhdon: “Tirana e vogël ishte afër Krujës. Në këtë vend lindi Justiniani, perandori roman i Bizantit, i cili ndërtoi afro 20 kisha, në Shqipëri të Mesme” (po aty fq. 107).
Sipas Biemmit, cituar nga Kristo Frashëri thotë: “Ushtria turke e tërhoqi rrethimin në Fushën e Tiranës, tetë milje larg Krujës…” dhe Biemi vazhdon se Skënderbeu kaloi në rivistë ushtrinë e tij pranë Kasharit, fshat i Tiranës Vogël “Presso Cassar vilagggio di Tirana minore”. (K. Frashëri “Historia e Tiranës” vol. I Toena, fq. 63)
Në rranzë të Dajtit, në anën e majtë të lumit dhe Grykës së Tujanit ngrihet një kala me të njëjtin emër, Kalaja e Tujanit, që sipas studiuseve i takon shek. të IV para Krishtit, dhe ishte si një portë hyrëse për koridorin Durrës – Tiranë – Dibër.
Duke shtjelluar toponimin Tujan na çon deri në kohën e etruskëve dhe sipas “Dizionario Illustrato della Civiltà Etrusca” të Mauro Cristofani, fq. 304 thuhet: “Është një hyjni etruske e barabartë me Afroditë greke e Venere romake. Mund të ketë edhe një rrënjë parahelene e quajtur “tyrannos” dhe “Tiranno”(që vërtetësisht ka prejardhje ilire, (shën. im) dhe sinjifikohet si thjeshtë me “signora” “zonjë”.
Kjo hyjni është nderuar qysh 480 vjet p. K. dhe ka pasë një përhapje të jashtëzakonëshme në Iliri e gjetkë duke krijuar edhe kult. Këtë e vërtetojnë edhe shumica e kishave me këtë emër. Jo rastësisht një e teta e kishave të vendit tonë kanë marrë emrin e Venerandes, që në popull është e Shna Premtes (Prendes) e deri te emri i përgjitheshëm europian e me andej Ana (Anna).
Po kështu këtë emër e gëzon edhe dita e pestë e javës (venerdì, dita e venerandes te latinët) dhe e premte (e prende, gegnisht) te ne shqiptarët. Tujan ose Turan është hyjni e dashurisë dhe e pjellorisë dhe ishte e martuar me Laran, çuditërisht me një afrimitet me Lana (lumi që përshkon Tiranën).
Duke u njohur me toponimet dhe objektet mbrojtëse dhe të kultit që mbështjellin Tiranën dhe rrethojat dalim në konkluzon se ky qytet e meriton plotesisht emrin “Zonjë” (sinjora) dhe mosha e kësaj zonje është mbi dymijë vjeçare.
Përveç vendit të begatë fushor të lënë nga një gji deti prehistorik, Tiranën e rrethojnë mbi dymbëdhjëtë kalà mbrojtëse si Kalaja e Ndroqit, e Petrelës, e Tujanit, e Prezës, e Lalmit, e Dorësit, e Dajtit, e Presqopit, e Shën Gjergjit, e Berzhitës, e Priskës, e Tiranës etj. (që i takojnë shek. VI të kohës Justinianit I) e deri te Kalaja e Krujës (“qe ndodhet përball Tiranës Vogël” – thotë Barleti).
.
Mozaiku i Tiranes
Mozaiku i Tiranes
Tirana dhe rrethinat e saj janë të mbushur me emra shenjtorësh të krishterë dhe bëhet dëshmitare e përqafimit të fesë së Krishtit menjëherë pas shpalljes zyrtare të kësaj feje. Kështu kemi fshatrat Shën Pal, Shën Mëri, Shën Gjergj, Shën Gjin, Përroi i Shën Mëhillit, qafë Kishë, Shën Ndoi i madh dhe Shën Ndoi i Vogël (dy maja shkëmbinjësh), qafë Shmark, Fushë Kishë, kisha Shalqizë (Lundër) si dhe mozaiku i Tiranës me vlera të mëdha historiko-arkeologjike në Shqipëri e më andej.
Si më e përmendura kishë është ajo e Shën Mërisë në Brar që datohet e vitit 1201. Në këtë kishë gjatë gërmimeve është gjetur një varr me pesë harqe që i takon pjestarëve të një familje me një epitaf dhe mbiemrin Sguro.
Të pesë harqet kanë nga një kryq dhe përfaqësojnë pesë të vdekurit e familjes, ku e sqaron edhe epitafi në greqisht që thotë: “Kujto o Zot shërbetorin tënd sevastin Mihal Sguron me bashkëshorten e fëmijët”. Këtu ndodhen edhe 8 varre të tjerë të besimit katolik dhe sipas specialisteve Tirana ka vazhduar me këtë rit fetar deri në shekullin e XV, kur fillon konvertimi i banorëve të saj në fe tjeter.
Mësuam se ky objekt i një rëndësie të veçantë u shkatërrua këtë vit nga punimet ndërtuese të eskavatorëve.
Pukëvil na bën të ditur se “Justiniani rindërtoi Tyranën, Aulonën, Musionin” dhe me poshtë në spjegimin që u bën thotë “Tyrana – Turkana, fortesë në Epirin e Ri” (Pukëvil, “Udhëtime” vëll. 1, fq. 373)
Në testamentin që Gjon Muzaka u le të bijëve në vitin 1510 thotë: “Karl Topia ishte zot i dy Shkurive, i Fizinës dhe Plevishtit në Taransen e Vogël, Kanabi, Forka..”(pra Tirana e Vogël, Krraba dhe Farka). (Emanuele Polito, “I Musachi di Berat” Muzakajt e Beratit, Paris – Lecce – Pergola Mansavium, 1996, fq 126).
Në realicionin e vitit 1570 një autor anonim venedikas shkruan: “…fushat e Tiranës, që ndodhen midis kështjellës së Petrelës dhe qytetit të Krujës”. (…le pianure della Tirana, che sono fra il castello di Passrella e la citta di Croia) sipas Injac Zamputit “Dokumente te shekujve XV – XVI për historinë e Shqipërisë” vëll, I, Tiranë, 1989.
Në vitin 1431-’32 bëhen disa regjistrime prone nga venecianët dhe rezulton se Tirana kishte 60 qendra të banuara, 1000 shtëpi dhe 7 300 banorë. Po ashtu në regjistrin e kadastrës turke të vitit 1583, treva e Tiranës rezulton me 110 qendra banimi, 2900 shtëpi dhe 20.000 banorë.
Të gjitha këto statistika dhe të tjera që ekzistojnë, por mungojnë në këtë shkrim, u takojnë viteve para 1614, që na serviren si themelimi i qytetit të Tiranës.
Duke u kthyer te Sulejman Pashë Bargjini rezulton se ai në shek. e XVI kishte shkuar jeniçer në ushtrinë turke, arriti gradë madhore deri te Pashà dhe më vonë kthehet në vendlindjen e tij Mullet (o fshatin Bargjin afër Tiranës, që tani nuk është më). Në këtë vit më 1614, u jep parat një grupi tregtarësh tiranas për të ndërtuar po në Tiranë një xhami, një furrë dhe një hamam.
Sami Frashëri në Enciklopedinë osmane (jo shqiptare) të Shkencës se Përgjithëshme thuhet se objektët e ndërtuara prej tij (S. P. Bargjinit, shën i aut.) “si një trashëgimi përkujtimore e historisë së Tiranës” (Saimir Lolja artikull “Tirana e lashtë dhe përvjetorët e saj si kryeqytet”, 02/ 2014)
Këto statistika flasin për një popullim të mjaftueshëm edhe për një qytet para se të vinte Pasha Bargjini dhe ndërtimi i këtyre objektëve nga ana e tij u bë për shkak se kishte popullim Tirana. Ky nuk dëshmon asgjë për themelimin e Tiranës si qytet. Përkundrazi, fakti se ai paratë për ndërtime ua dha tregtarëve flet me se miri për ekzistencën e mirëfilltë të qytetit, të cilit tani iu shtuan tre objekte që nuk i kishte më parë. Pas mbarimit të këtyre objekteve mund të flitet për një qytet me dizenjë osmane me xhami e hamam. Në anën tjetër nuk ka asnjë të dhënë dokumentare që tregon për ndonjë inagurim o meting se u themelua qyteti i Tiranës etj.
Sulejman Pashë Bargjini me një mbiemër kristian, tregon që i përkiste dikur ashtu si gjithë rajoni besimit të krishterë, por që e kishte braktisë përballë raprezaljeve turke kundër shqiptarëve si vrasjëve, konvertimeve dhe kryesisht deportimeve me forcë. Populli ishte i pafuqishëm te kundërshtone pushtuesin dhe në fund u detyrua t’i nënshtrohet fatit. Viti 1595, sipas dokumentave, flet për një shifër shumë të lartë, e cila shkon deri në 200.000 fëmijë që u morën për t’u rekrutuar në trupat jeniçere në luftën e Persisë. Kësaj masakre, siç duket, nuk i ka shpëtuar as djali i ri me emër të konvertuar në Sulejman.
Pashaj. Sulejman është një tjetër shëmbull i mijëra shqiptaro-arbërorë, që mbas vdekjes së heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, bënë grada në oborrin e Sulltanit o nëpër gardat ushtarake turke duke i shërbyer shtetit osman si trupë dhe si fe. Një pjesë e tyre duke harruar prejardhjen shqiptare e duke mohuar fe e atdhe u rreshtuan në krahun e pushtuesit të vendit tyre e bënë shumë ekspedita në krye të forcave osmane për të nënshtruar popullin e tyre shqiptarë, masakruar e pushtuar atë.
Ndryshe nga figurat e tjera me prejardhje ilire të perandorisë romake si imperatorë të shtetit romak, të cilët bënë ndërtime, përkrahën dhe ndihmuan njëri-tjetrin në karrierat imperatoriale duke i dhënë fytyren europiane viseve ilire, këtë gjë nuk mund ta themi për karreristet anadollakë me origjinë shqiptare, të cilët kombit të tyre i sollën vetëm të zeza.
Jeniçeri Sulejman me gradën e pashës nuk u kujtua të hapte një shkollë, të ndërtonte një rrugë, por solli xhaminë, kultin dhe edukatën fetare turke në zemër të Shqipërisë për ta tjetërsuar identitetin e saj. Dhe 400 vjet me vonë për këtë shërbim shteti ynë sot i bën përmendore, i thurë lëvdata, i atribon themelimin e Tiranës e aq me tepër zhbejnë historinë duke i ndërruar emrin Tiranës Ilire me Teheranin aziatik.
Në vazhdim të disa të dhënave po mundohemi të tregojmë në stil telegrafik ritet e ngadalëshme të ecjës së qytetit tashmë gjysëm anadollak në kohën e mëpastajme.
Dy shekuj më vonë, Tiranën e sundojnë Toptanët të ardhur nga Kruja.
Më 1780 ndërtohet kisha e Shën Prokopit dhe 9 vjet më vonë nis punimet xhamija në qendër e financuar nga Et’hem Beu e përfundon me 1821.
Kulla e Sahatit ndërtohet me 1830 dhe është e lartë 35 m.
Ndër lagjet më të vjetra të Tiranës janë Lagja e Pazarit dhe Bami. Vite ma parë kjo lagje është quajtur “Vorri i Bamit”, që është varri i Ibrahim Kokonozit, por në të folmen tiranese është quajt Bim e pastaj Bam.
Sipas statistikave Tirana si qytet më 1703 kishte 4000 frymë, më 1909 kishte 15.000 frymë, më 1938 kishte 38.000, më 1945 kishte 60.000 frymë.
Theksojmë se popullimi i Tiranës është bërë sipas përiudhave të sundimtarëve jo tiranas të këtij qyteti e krejt vendit. Toptani solli në Tiranë krutanë e zonën përreth, Mbreti Zog solli dibranët e matjanët, E. Hoxha e komunizmi sollën gjithë jugun dhe së fundi ndërrimi i sistemeve solli malësoret e të gjitha krahinave, ku sistemi i mëparshëm nuk lejonte lëvizjen e lirë të popullsisë. Sot Tirana gëzon 830.000 banorë.
Tirana shpallet kryeqytet i Shqipërisë më 8 shkurt 1920, sipas vendimeve të Kongresit Lushnjes dhe merr statusin përfundimtar me 31 dhjetor 1925.
Deri në kohën e pushtimit italian dhe koncsioneve të dhëna këtij shteti, Tirana kishte ritmin e zhvillimit shumë të ngadalshëm. Ndërtimet moderne italiane që shihen sot e kësaj dite u takojnë marrëveshjeve me Italinë dhe kjo e fundit jo se do të bënte një qytet modern shqiptar, por i interesonte për idenë e një bashkimi të mundshëm e aneksimit të saj më vonë.
Më 17 nëntor të vitit 1944 forcat partizane hynë në Tiranë duke zhvilluar dy ditë beteja me gjermanët në ikje e sipër, ku morën pjesë brigada e parë e katërta dhe e gjashta.
Tirana është i vetmi kryeqytet i Europës lindore e juglindore që nuk u ndihmua nga Ushtria e Kuqe për t’u çliruar, por për fatin e zi të kombit tonë, më pas u inkuadrua në kampin komunist.
Në fund shtojmë se historianëve tanë dhe shkencës sonë shqiptare i bie detyrë urgjente të inicojnë përmes ndërhyrjeve në institucinet përkatëse që të bëhën korigjimet e nevojshme për sa i përket shpjegimit të drejtë të prejardhjës së emrit të Tiranës, për heqjen përfundimtare nga “Enciklopedia Europiane” e çfardo lidhje me Teheranin dhe venien e identitetit të iliro-shqiptarëve dhe qytetit mijëravjeçarë të Tiranës në vendin që i takon sipas të vertetes historike.
.
Marrë nga muri i Fb i Ndoc Selimi 13 shkurt 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.