back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

“Tjetërsimi” i njeriut përmes elementit postmodern, në poezinë e Erina Çokut – nga Emrije Krosi

Gazeta

Emrije Krosi
Emrije Krosi

“Tjetërsimi” i njeriut përmes elementit postmodern,

në poezinë e Erina Çokut

nga Emrije Krosi

Shumë poezi sot kanë një tjetër rend të shkruari, si një përmbushje shenjash, ku shenjuesit poetikë manifestojnë disa veçori, ndër më të rëndësishmet janë lëkundja mes modernes dhe postmodernes, si elemente tejkaluese të integrimit të përvojave të jetës njerëzore. Kjo përrokje, ka gjethnuar lloj-lloj teorish, që kritikët dhe studiuesit e kanë emërtuar metamodernizëm (Amian: 2008). Një përzierje mes të tashmes dhe të shkuarës, globalizmit dhe lokalizmit, apo edhe polet ku vetë poetët metamodernistë janë mes dikotomisë, si: dija/ injoranca, e vërteta/ gënjeshtra, sinqeriteti/ ironia, optimizmi/ cinizmi, dashuria/ urrejtja, jeta/ arti etj.
Një poete e re (e panjohur për lexuesin shqiptar), ose për një masë lexuesish online, një poete që lundron herë në ujërat bashkëkohore, herë moderne e herë postmoderne, pse jo, herë-herë rikthehet edhe tek lirika klasike.
Poezia “In Poeticum” nga Erina Çoku, na kumton një frekuencë poetike tërësisht postmoderniste, ku përmes tekstit të hapur, nxitet lexuesi, si receptuesi që i paraprin papërcaktueshmërisë së kuptimit.

Kjo poezi ngjizur me sytë e veshët e tu,
gropë e errët në gojën tënde,
gur me lak në qafën tënde,
pellg me ujë nën këmbët e tua.

Kjo.

Kjo bishë me të gjitha format,
egërsirë e vogël brenda trupit tënd
me frymën ftohmë, me ahtin zheg,
me ujin dallgë, me detin baticë,
me qiellin vranëti.

Kjo.

Kjo formë jete që plaset kraharorit tënd
një, dy, tre, shumë herë,
dhe ti i ndien krisjet, plasat, thyerjet
një, dy, tre, shumë herë.

Kjo.

Kjo poezi që kacavirret brenda lëkurës tënde
si një fëmijë i gëzuar këmbadoras,
si një krijesë e shpejtë në arrati,
si një pre e mbijetuar njëqind kafshimeve.

Kjo.

Kjo poezi që duhet thënë, që nuk duhet thënë,
që të ënjt duart, të thyen dhëmbët,
të çan lëkurën, të shpon mishin,
të shpërthen ujë sysh, të rrjedh gjak hundësh,
turjelë e re në eshtra, i burgosur androgjin në kafkë,
grahmë e re për diçka.

Kjo.

Kjo poezi që mbahet në ty, që mbahesh në të
e të ther në trup aq sa ta shpërthen,
të lë fill pa kuptim në ajër
gjersa lufta jote me boshin nis,
me siguri do të biesh, do të biesh
e po s’re, trupi yt do të gërryhet fort,
rrënjë të reja do të përgjaten brenda teje,
do të lëshojnë kërcej, degë e sytha
sërish, sërish.
Kjo.

Kjo poezi që të lufton ty dhe ti lufton atë,
dyshja jote besnike e mbijetës,
rrëzimi dhe ngritja,
agonia me kujtesë të largët vdekjeje,
përpëlitja me harresë të grisur jete,
drita dhe hija,
të gjitha zërat që mbjell e korr,
udha kah shkon, udha kah vjen,
gjithë koha që shtillet brenda saj,
gjithë koha që asgjësohet jashtë saj,
ti fantazmë e saj, ajo fantazmë e jotja,
mishi i trazuar, kocka e përzier,
palca e shqetë dhe gjaku i turbullt.
Kjo.

Kjo poezi që lind para përseve,
që përgjigjet para pyetjeve,
që nuk të duhet, që nuk i duhesh,
që e do pavarësisht, që të do pavarësisht,
kjo ndodhi e jotja në trupin tënd,
kjo luftë e vakët e jotja,
mes zotave të erës, të ujit, të zjarrit e të dheut
mes frymës, gjakut, mishit e kockës.

Kjo.
“In Poeticum”

Erina Çoku
Erina Çoku

Poezia nuk ka një rend strofimi dhe pse gjuhë e saj është përdishmëria. Duket si copëza të ngjizura trupore, ku përmes togfjalëshit emëror [kjo poezi], përsëritet në njësitë e saj strofike ose si anaforë apo inversion, për të përforcuar mesazhin: kjo poezi ngjizur me sytë e veshët e tu/ gropë e errët në gojën tënde/ gur me lak në qafën tënde/ pellg me ujë nën këmbët e tua./ Kjo./ Kjo bishë me të gjitha format/ egërsirë e vogël brenda trupit tënd, një stil kulturor dhe estetik, si një shfytyrim i paradoksales dhe pasigurisë, tjetërsimi i individualitetit, deri në limitet më ekstreme, me një gjuhë specifike, që synon të padukshmen (Dado: 2020), lidh dukshmërinë e të jashtmes dhe të brendshmes, me të gjitha format e simbolikës, me të gjitha format e vetëdijes që radikalizohen tërësisht brenda subjektivizmit. Lirika ka një projeksion totalisht magjitativ, për të kuptuar çdo shtresë të shndërrimit personal, është thelbësore, si një përpjekje për të ndryshuar gjendjen aktuale kaotike, përmes “arbitraritetit postmodern”, në vargjet: Kjo/ Kjo formë jete që plaset kraharorit tënd/ një, dy, tre, shumë herë, dhe ti i ndien krisjet, plasat, thyerjet/ një, dy, tre, shumë herë/ Kjo/ Kjo poezi që/ kacavirret brenda lëkurës tënde/ si një fëmijë i gëzuar këmbadoras/ si një krijesë e shpejtë në arrati/ si një prè e mbijetuar njëqind kafshimeve./ Kjo./ Kjo poezi që duhet thënë, që nuk duhet thënë/ që të ënjt duart, të thyen dhëmbët/ të çan lëkurën, të shpon mishin/ të shpërthen ujë sysh, të rrjedh gjak hundësh/ turjelë e re në eshtra, i burgosur androgjin në kafkë/ grahmë e re për diçka.
Poetja ka rrënjëzuar poezinë si pemë e shpirtit, duke e jetësuar në trupin e njeriut, në të gjitha organet, në çdo ind, duke kërkuar brenda lëngut limfatik të jetës, ekzistencën e fjalës, të bukurisë së shpirtit. Nuk është vetëm shkëputja nga motivet tradicionale të modernes/ postmodernes, por vetëm zhvendosja e dukshme drejt ironisë. Postmodernia po gllabëron sinqeritetin, të vërtetën, lirikën e “pastër”, me kode shenjuese përmes togfjalëshave të tillë, si: “kthimi i së sinqertës”, “fundi i ironisë” dhe “pasioni për e vërtetën” (Flecher: 2004). Përsëri poetja ripërsërit: Kjo. /Kjo poezi që të lufton ty dhe ti lufton atë/ dyshja jote besnike e mbijetës/ rrëzimi dhe ngritja/ agonia me kujtesë të largët vdekjeje/ përpëlitja me harresë të grisur jete/ drita dhe hija/ të gjitha zërat që mbjell e korr/ udha kah shkon, udha kah vjen/ gjithë koha që shtillet brenda saj/ gjithë koha që asgjësohet jashtë saj/ ti fantazmë e saj, ajo fantazmë e jotja/ mishi i trazuar, kocka e përzier/ palca e shqetë dhe gjaku i turbullt. Për një poezi, që do të kishte ende gjithë forcën krijuese të emërtimit, pa asnjë element si në aspektin historik dhe filozofik, autorja përpiqet të hedhë themelet e të menduarit gjatë gjithë kohës, për strukturën që i përkushtohet, racionalitetit ndërsubjektiv të modeleve moderne/ postmoderne, qëndron logjika e konceptimit kryesisht në aspektin kolektiv dhe fatin i rastësishëm të individit, ku rrëfimi krijon mundësinë e lojërave gjuhësore dhe modeleve intelektuale të papajtueshme reciprokisht, pa një meta-diskurs detyrues (Turner: 1996). Poezinë e shohim përmes tipologjive semiotike dhe aspektore:
-aspekti i vetëvendosjes së subjektit,
-aspekti individual legjitimues i njohjes,
-aspekti i polivalencës së shenjave dhe (de)kodimet e shumëfishta,
-aspekti i shenjimit të së tashmes si koncept modernist.

Në këtë “fotografim të gjallë” literalizmi i qenies së njeriut përmes poezisë (nëse quhet metamorfozë), bëhet përmes metaforave, vlera e poezisë kuptohet se përcaktohet, jo nga kuptimi i tij, por edhe nga efektet që ka tek subjekti lexues: Kjo/ Kjo poezi që lind para përseve/ që përgjigjet para pyetjeve/ që nuk të duhet, që nuk i duhesh/ që e do pavarësisht, që të do pavarësisht/ kjo ndodhi e jotja në trupin tënd/ kjo luftë e vakët e jotja/ mes zotave të erës, të ujit, të zjarrit e të dheut/ mes frymës, gjakut, mishit e kockës/ Kjo, që receptohet përmes sanksioneve të gjuhës së folur të përditshmërisë, si thyerje epokash drejt një tërësie të re sociale (Butler: 2002). Poezia është “goja” që na flet përmes aktit shkrimor, por edhe si akti i fjalës, (fjala ishte e para thotë Bibla), me shenja individualiste, se ekzistenca e njeriut është në dilemë: të kuptojë jo vetëm efektet specifike të kumtit poetik, por edhe të vetë qenies së tij njerëzore përmes aktit subjektiv.

Së fundmi: Poezia e Erina Çokut, është një poezi moderne që anon nga postmoderniteti, apo “humbja” e njeriut në absurdin dhe kotësinë e jetës. Një poete që mund të konkurojë me çdo bashkëkohës, duke tërhequr vëmendjen përmes pasqyrës realiste të vetë qenies, atë të njeriut si trajtë njohjeje përtej Unit ekzistencial.

Bibliografia:

1.Amian, Katrin. (2008). Rethinking Postmodernism. New York: Rodopi.
2.Butler, Christopher. (2002): Postmodernism, a very short introduction, Oxford University Press: New York
3.Dado, Floresha. (2020): Postmodrenizmi, poetika e “antirregullit”, “Kristalina-H”, Tiranë.
4.Fletcher, Angus: (2004): A New Theory for American Poetry: Democracy, the Environment, and the Future of Imagination. Cambridge, Mass.: Harvard University Press.
5.Turner, Mark. (1996): The Literary Mind. Oxford: Oxford University Press

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.