Trendafili i Dimrit
nga Rosalba Caffo Dallari
Një lule – simbol i dashurisë i mbledhur në brymën dimërore. Novelat – petale që përqendrohen rreth festimeve të fund vitit, moment (tradicional) i ardhur nga shumë larg, në të cilin shpërthejnë ngjarje me pranira e me mungesa njerëzish, me largësi vendesh, me ndjenja të thella. Përse vjen kjo përmbledhje letrare, e krijuar nga botime – dhurata famose për krishtlindjen me krijime të larmishme të tetëqindës e fillimit të nëntëqindës të periudhës së lavdishme të letërsisë italiane?
Iskra Thoma ndodhet larg dhéut të saj, Shqipërisë, dhe përjeton tradita e sentimente të ndryshme që e prekin thellësisht. Si studjuese e kritike letrare vihet në kërkim të gjurmëve të veprave të shquara, që e ndihmojnë të kuptojë atë që edhe pse e ndryshme lidhet me mentalitetin e kohës dhe të mjedisit. Has me traditat e letërsisë së rafinuar lindur në Angli, kaluar më vonë në Francë e pastaj në Itali, me botimet elegante të almanakëve me tituj lulesh me tregime për Krishtlindjen, nga autorë të ndryshëm që krijuan epokë. Ajo zgjedh pikërisht ato krijime me ndjesitë e problematikën e ngjashme me ato të shqiptarëve sot. Tregime që prekin kordat edhe të atij lexuesi që ka tradita e bindje të ndryshme fetare.
Qëllimi i saj, duke ofruar këtë trëndafil dimri, punuar me shumë kujdes si në përkthime e pajisjen me shënime por edhe në pasurinë e paraqitjengrafike është të bëjë të njohura për lexuesin shqiptar edhe ato aspekte letrare të këtyre shkrimtarëve të mëdhenj të pazbuluara më parë për të. Dhe kështu përkthen e nënvizon, spjegon atje ku mendon që fjala mungon ose nuk korespondon aq mirë në shqip, duke sjellë një vepër me qëllime jo komerciale po që do qëndrojë e pasurojë bibliotekën shqiptare.
Të jesh kundruall detit për të do të thotë njohje e dyanëshme e rrënjëve të traditave, mentalitetit, mënyrës së të menduarit dhe të sjellurit, të shijuarit dhe të jetuarit. Sentimente të bukura, gabime, faje rrjedhin në historitë që tregohen: ngjarje tragjike mjaft të dhimbëshme shkrihen me ëmbëlsinë e lindjes së miqësisë, trasgresioni i rregullave familjare që kujtohen me nostalgji, keqardhje, vrasje ndërgjegjeje që mpleksen me streset e krijuara nga shkëputja prej jetës së mëparshme në kërkim të harmonisë e paqes. Ngrohtësia dhe drita e vatrës ku digjet kërcuri, tavolina e mbushur plot e për plot, shkëmbimi i dhuratave kontrastojnë simbolikisht me të ftohtin dhe errësirën dhe vuajtjet e vetmisë, me vështirësitë e mëdha të jetës që duken sikur janë të mbuluara nga bardhësia e borës që izolon e fsheh. Çdo autor duke pasur një mënyrë të veçantë të shkruari, paraqet një mjedis të ndryshëm, por pengesat, tensionet, aspiratat njerëzore, të ndjera nga lexuesi janë të njëjta ngado, këtej e përtej detit.
Dashuria e thellë për letërsinë, kujdesi i veçantë për përkthimin, dëshira për të ruajtur diversitetin e çdo autori, bëjnë që kjo përmbledhje me tregime për Krishtlindjen të jetë një dhuratë e çmuar shkëmbimi, në pritje që një tjetër lule e rastit ardhtë nga Shqipëria!
Dy fjalё lexuesit
Rreth librit me tregime “Trendafili i Dimrit”
Dёshira pёr t’u bёrё dhurata tё afёrmёve, qё nё moshё tё vogёl, kthehej tek unё shqetësim jo i vogël, sidomos para festave tё fund vitit, ndjenjë që nuk u zbeh më pas, madje u forcua edhe më shumë kur u largova nga njerëzit e mi të dashur, nga miqtë e nga vendlindja ime e paharrueshme.
“Ndjehem në Shqipëri, vetëm kur jam jashtë saj…” – shkruan poeti i mërguar.
Kur i humbasim gjërat kuptojmë rëndësinë e tyre. Kështu ndodh te të shpërngulurit, ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti thellë-thellë ndihet mungesa e rëndësishme e asaj që shpesh quhet identitet dhe që lidhet me atdheun, gjuhën dhe ndjenjat njerëzore. Nga larg vështrimi bëhet më i kthjellët, kujtimet më të gjalla, mëritë më të zbehta, vogëlsitë e përditshme pa kuptim, pjekuria më e madhe, të çmuarit e vlerave të vërteta më i drejtë.
Vit pas viti, duke u zhytur në jetën e vendit pritës, sa më shumë thellohesha në njohjen e italishtes aq më shumë ndizej tek unë dëshira për të ruajtur e punuar në gjuhën shqipe. E magjepsur nga kultura e pasur e vendit fqinj, kullës së civilizimit (siç e kanë quajtur), nga librat e shkrimtarë ve të shquar, entusiazmohesha e dëshiroja të përcillja në gjuhën shqipe gjithçka. Në pamundësi zgjodha e përktheva nga disa autorë nga një novelë – tregim të mrekullueshëm për festat e fundvitit duke krijuar një përmbledhje si një buqetë lulesh, ndërsa mikja ime artiste, shkrimtare e fotografe e shquar, Rosalba Caffo Dallari, këto novela – tregime i krahasoi me petalet e një trëndafili dimri (meqë ngjarjet zhvillohen në dimër) e që “Trëndafili i dimrit” m’u duk mjaft i gjetur si titull i librit.
Parathënien që ajo shkroi m’u duk e arsyeshme ta lija në italisht, jo vetëm për faktin se mjaft lexues shqiptarë e njohin italishten por edhe se ndoshta konsideratat e saj mund të tingëllonin disi subjektive a komplimentuese në vlerësimin e punës përzgjedhëse të përballur me nivelin e krijimeve origjinale. Përmbledhja në fjalë, duke qenë frut i një pune qëmtuese e shqipëruese relativisht të gjatë, është një libër me qëllime jo komerciale, por një nga ato librat “dhuratë”, që përcjellin shpirtin e një populli, traditat, zakonet; një libër që i përket letërsisë së vërtetë, ku ndihet humanzmi, i përshkuar nga një ndjeshmëri e hollë, i një letërsie që të emocionon e herë-herë të i bën të të shtrëngohet zemra, problematika e së cilës në shoqërinë shqiptare është e ditës.
Këto novela – tregime janë shkruar me rastin e festave të fundvitit, madje për Krishtlindjen, një nga festat më popullore. Pikërisht atë ditë, më 24 dhjetor, në vigjiljen e Krishtlindjes, miliona njerëz, jo vetëm në Europë por edhe në Kontinente të tjerë, vrapojnë, bëjnë kilometra të tëra për të arritur në “grembo”, në gjirin e familjes së origjinës, pranë nënës e babait, pranë motrave e vëllezërve. Krishtlindja festohet me njerëzit më të dashur. Me të janë lidhur ceremonitë, zbukurimet, ngjyrat, aromat, shkëmbimi i dhuratave. Ritet e trashëguara brez pas brezi, hijeshuar e pasuruar në shekuj tregojnë se sa e rëndësishme është lindja e fëmijës-krisht (pra edhe e çdo fëmije) si simbol i vazhdimësisë së jetës, se sa e rëndësishme është familja, se sa ngrohtësi e mbështetje ndjen njeriu në një vatër familjare, se sa i pasur është ai njeri që dashuron e punon në të mirë të zhvillimit social dhe sa fatkeqësht ai që mendon vetëm të grumbullojë para duke shkatërruar jetën e të tjerëve. Megjithëse tematika e këtyre novelave – tregime, të shkruara në pesëdhjetë vjetëshin e dytë të tetëqindës, përqendrohet në ngjarjet e ambientet tipike të përjetuara gjatë festave të fund vitit, ama e problemeve sociale të kohës është e gjerë.
Skalitja e personazheve, zgjedhja me kujdes e detajeve jetësorë e artistikë bën që ngjarjet t’i përfytyrojmë realisht e me ngjyra të gjalla.
Faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli ndjen se arti i madh është i përjetshëm. Këto novela – tregime edhe pse janë shkruar më shumë se një shekull më parë ruajnë freskinë, bukurinë, finesën sentimentale, elegancën e magjinë e fjalës. Ato iu drejtohen moshave tё ndryshme nga adoleshenca deri nё moshat e shtyra, personazhet janё tё rinj, fёmijё, tё rritur e pleq.
Njё ndёrmarrje jo e lehtё tё sjellёsh nё shqip një vëllim me njё tufё krijimesh nga autorё me stile krejt tё ndryshëm, nga shkrimtarё qё kanё lёnё gjurmё tё pashlyeshme nё letёrsinё italiane. Ishte sa e vёshtirё dhe me pёrgjegjёsi tё pёrktheje prozёn poetike tё Pascoli-t, apo të mjeshtrit tё fjalёs, dramaturgut tё madh Pirandelo-s, të shkrimtarit tё shquar De Amiçis, apo të shkrimtares Nobeliste Grazia Deledda dhe tregimet nga figurat e shquara tё kritikёs e të artit si: D. Angeli e Ugo Fleres.
Pasuria e madhe leksikore, e shprehjeve frazeologjike dhe pёrdorimi i mjaft dialektalizmave në këto novela – tregime mё kanё bёrё qё t’i rishikoj e t’i konsultoj edhe me shkrimtarё e specialistё tё gjuhёs italiane. Disa autorё lexuesi shqiptar i ka njohur nga vepra tё shquara tё pёrkthyera, disa autorë tё tjerё vijnё pёr herё tё parё nё shqip. Pёrmbledhja ёshtё pasuruar edhe me tё dhёna biografike tё autorёve, nё fillim tё çdo krijimi lexuesi do tё njihet shkurt me jetёn dhe veprёn e secilit prej tyre. Për t’u ardhur në ndihmë lexuesve që nuk dinë italisht, na u duk e arsyeshme që emrat e autorëve t’i linim si shkruhen në origjinal e në fund të faqes është vënë një shënim se si shqiptohen e shkruhen në shqip. Emrat e vendeve nuk janë shqipëruar, vetëm ato të personazheve. Novelat – tregime janë pajisur edhe me ndonjë shënim-shpjegues. (Të ndodhur aq pranë Europës ne kemi qënë edhe mjaft larg.) Këto novela – tregime për herë të parë u botuan në fashikuj të veçantë, në numra specialë revistash, më vonë, po jo gjithmonë, janë futur nga vetë autorët në përmbledhje të ndryshme. Në origjinal shpesh mungon pikësimi, është preferuar të lihen ashtu siç janë botuar për herë të parë. Kur kanë qenë të domosdoshme, për të dalë kuptimi në shqip, janë shtuar presjet.
Do të falenderoja shkrimtaren, poeten, artisten, fotografen e shquar Rosalba Caffo Dallari, e cila e entusiazmuar nga mesazhi që pretendon të përçojë kjo përmbledhje, shkroi emocionet e saj (të cilat janë vënë në fillim të librit), si dhe ilustroi tregimet e këtyre shkrimtarëve të mëdhenj me fotografi artistike, duke rritur vlerat grafike si dhe komunikative të përmbledhjes.
Dhe së fundi, të dashur lexues, do të dëshiroja të uroj megjithë zemër, qё atё kёnaqёsi tё madhe qё kam ndjerё, kur i kam lexuar kёto krijime nё origjinal, tё kem mundur ta pёrcjell nёshqip, për ta ndier edhe ju.
Përkthyesja – Iskra Thoma
Giovanni Pascoli1 (1855-1912)
Poet i shquar italian, lindi në San Mauro di Romagna (Forli), më 1855 e vdiq në Bologna më 1912. Ngjarje tragjike prekën fëmijërinë e tij: më 1867 i vranë të atin në rrethana që s’u qartësuan kurrë. Në pak kohë humbi nënën, motrën e madhe dhe dy vëllezërit Luixhi e Xhakomo, të cilat padyshim lanë gjurmë të pashlyeshme në ndjeshmërinë e Xhovanit të vogël, influencuan thellë në vizionin e tij për jetën dhe në atë të poezisë së tij. I lidhur me idealet socialiste bënte pjesë në Internacionale, më 1879 u arrestua për pjesmarrje në manifestime e protesta, po pas tre muaj burg, me ndërhyrjen e Giosue Carducci2, lirohet. U regjistrua në Universitetin e Bolonjës për letërsi greke, laureohet më 1882. Më vonë filloi të botojë poezi, duke fituar çmime në mjaft konkurse të ndryshme si kombetare ashtu edhe ndërkombëtare. Pas viteve të mësimdhënies latinisht e greqisht në shkolla të ndryshme (Matera, Massa, Livorno), bleu një shtëpi në Castelvechio di Borga në Garfagnana, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Motra e tij, Maria, e njohur me emrin Mariu i qëndroi pranë gjithë jetën. Vepra e Paskolit është klasifikuar në tre linja kryesore: poezia, poezia në latinisht, kritika dhe komentet e Dantes. Paskoli është një nga figurat e mëdha komplekse njerëzore, intelektuale e artistike. Ai ishte krijues i një gjuhe të re, harmonioze po të rrallë, të thjeshtë po të sofistikuar, që do të ketë një influencë të madhe në gjithë poezinë e shekullit të XIX-të.
Tensionet politike e sociale, inovacionet në poezi, vizionet e magjishme të peizazheve të vendlindjes së tij, interpretacionet e guximshme kritike janë disa nga tiparet që karakterizojnë veprën paskoliane.
Kërcuri3
-Pra, u morëm vesh: mbylle portën e prit deri pas mesit të natës. Po shkojmë në meshën e San Nikollës. Do të kthehemi pas mesnatës.
-Ki kujdes mos të shuhet zjarri. Në mesnatë kur Shën Maria të dalë me Krishtin fëmijë të xhveshur, të shkretin, do të dojë ta ngrohë. Mund të ndodhë këtu menjëherë, të jetë shtëpia e parë që do të ndalë e se nuk gjen zjarr…
-Portën kyçe: është fshat me njerëz të mirë, po asnjë herë nuk i dihet. Mund të vijë rrotull ndonjë endacak.
-Ngrohu ndërkohë që pret të vijë Shën Mëria.
-Mund të vesh pak rregull ose të paktën thuaj me vete rosario4. Kjo është nata që Shën Maria bën vetëm të mira e fal mëkatet.
-Ne po shkojmë në fillim nga Mere. A meqë m’u kujtua, më sill shishen e rumit. Të bëjmë një ponç sonte për këta fshatarë të mirë.
-E dëgjon: Mere, tani është tek kambana, ra e para dyshe.
-Vajti ora dhjetë.
-Pra, u muarrëm vesh.
-Duket si për borë. Shih atë renë e zezë mbi Treppignana.
-Ndërsa mbi Barga është plot yje.
-Prit e do të shohësh. Je veshur mirë?
-Oh! Po.4
-Shkojmë pra.
-Pra…
-Ki kujdes mos të shuhet kërcuri.
-Thuaj lutjet.
-Addio!
-Kujtohu në dymbëdhjetë fiks.
-Kyçe portën.
-Shkojmë.
Kështu për disa çaste, zotnia e zonja kishin qëndruar para portës së hapur. Marieta, shërbëtorja, rregullonte kanatat prapa e dukej herë pas here aty për ta mbyllur portën: po tani një fjalë e atij pastaj e asaj e ajo ndalonte para se t’i vinte kyçin. Marieta mezi po duronte, po nuk donte të binte në sy. Ndërkohë që tërhoqi dorën e priti pak, në mes të pragut, i përplaseshin vrunduj ere, që hynin herë herë e ngrinin një copë kartë midis gjetheve të thata të gështenjave. Atëhere, kur e pa se ishte e detyruar të priste akoma edhe ca, ndoshta që t’i bëhej ndonjë porosi tjetër: dukej sikur kërkonin diçka, pa e gjetur atë, pastaj, ndoshta konfuzë që nuk kishin gjetur gjë, shkuan krah për krah, duke u shtrënguar me një rrëqethje të papritur që rezonoi me gëzimin e tingëllimave të kambanës.
“Kjo është nata e shenjtë. Nga kjo natë gruri nis të vëllazërohet. Deri tani bimëza ishte një fije jeshile e brishtë, sikur nuk ishte e veta. Kokrra e grurit ka lëshuar dy ose tre rrënjëza në tokë, e nxjerr mbi vete një thumb, një venëz të zbehtë, një filiz, që nga rrezet e dritës hapen një e pastaj dy e më vonë më shumë gjethëza. Bima ekziston, po nuk di asgjë. Këtë natë fillon ta kuptojë. Po si?
Dhimbja përçohet nga njëra te tjetra, një dhimbje e papritur, e ëmbël, gati-gati si një gudulisje, që, jep e jep, e duket dalja e një dhëmbi të vockël, fare të vogël, shumë të hollë; si një thua, po i hollë, që nuk do të donte të bënte keq. Po në të vërtetë! Rrënjëzat fillojnë të dobësohen, dhe bimëza, aq delikate vuan nga ajo gudulisje intime… bëhet e zbehtë, e flashkët, e munduar. Ndërkohë, nga qafëza, domethënë nga nyja e gjetheve, zbresin e shkojnë më thellë të tjera fibra, po ngadalë ngadalë. Bimëza ka nevojë për pushim, dhe ja, bie një çarçaf i bukur, shumë i bardhë. Fle në të ngrohtë, nën çarçafin e bukur të borës! Pret stinën e bukur të pranverës për të lëshuar tale e për të lidhur kokrrën!
Do ta kishe imagjinuar, Ines, që ajo fusha atje, e ndriçuar nga yjet, është plot ofshama pëshpëritjesh, pothuaj…? Qenie që e ndjejnë ekzistencën e psherëtijnë, që nuk dihet, nga gëzimi apo nga dhimbja. Është nata e përtëritjes, kjo. Këtë natë, ndoshta dikush dëgjon t’i thonë me një zë si nëpër ëndërr…
-Po.
-Po si? Çfarë po? Është e vërtetë.
-Është e vërtetë?
-Po, atë që di.
-Qoftë bekuar!
-Dhimbje do të thotë jetë, i dashuri im, e unë jetoj.
-Ndoshta, mos je ti, që më flet kështu? Ines?
Ines nuk përgjigjej, por qeshte me gjithë shpirt. Tani po shkonin gjatë bregut të Orsos, që gurgullonte në fund atje poshtë. Gjëmimi i kambanave kishte pushuar. Herë pas here vinin vrunduj ere që sillnin nga larg jehona të tingëllimave të kambanave të tjera, nga Gallicano, nga S. Piero in Campo, nga Treppignana. Pak nga pak filluan të pushojnë edhe ato.
Po ndiheshin zëra, zhurma hapash, kërcitje portash, që hapeshin e mbylleshin. Në çdo shtëpi kishte dritë e çdo oxhak nxirrte tym ngadalë. Në një moment në errësirë, pak para tyre, u hap një portë e doli një fashë drite e kuqe dhe një rrëmujë zërash. Kishin arritur tek shtëpia e Meres.
II
Marieta ndërkohë… Do të kishte dhënë dhjetë vjet nga jeta e saj për çdo minutë më shumë, që i duhej të qëndronte tek porta. Nuk bënte gjë tjetër gjatë asaj kohe (sa? asaj iu duk pa fund) veç filloi të thoshte me vete avemaria, pa pushim, duke u lutur, duke u lutur, që të shkonin sa më shpejt. Nuk fliste as një fjalë. Ata nuk i binin në të. Kishin të tjera gjëra për të menduar! Ishin të pushtuar nga gëzimi, që e kishte zanafillën në një zbulim që e kishin bërë ato ditë, ishte zanafilla e një shprese pas pothuaj dy vjet martese… Pikërisht për këtë, me këtë shpresë, kishin ardhur të pushonin në mal, verën e shkuar; e nuk kishin lëvizur ende, sepse ishte bukur, e ata ishin njëri shkrimtar e tjetra poete. Këtë vajzë e kishin marrë për t’iu shërbyer, gjashtë muaj përpara. Një vajzë e mirë, më duket se ishte lombarde. E mirë, e respektueshme, e heshtur. Megjithëse dukej e sëmurë. Dhe zonja e kishte kuptuar, por Marieta nuk i jepte rëndësi e nuk shkonte te mjeku. Po këtë natë vuante me të vërtetë; do ta kishte vënë re një i verbër. Po këtë natë zotërinjtë e saj nuk do të vënë re asgjë. Kishin të tjera mendime. E Marieta qëndroi akoma tek porta derisa dëgjoi hapat e tyre.
Një pafundësi tjetër iu duk se qëndroi midis vrundujve të erës që vinin duke uturirë nga ato malet shumë të bardhë e që kalonin tek këta të tjerët sterë të zinj: tek malet e tyre. E pasi nuk dëgjoi më hapat, mbylli portën e hyrjes, po ngadalë ngadalë, pa u nxituar. E qëndroi, atje pas derës, edhe pak, e kafshonte buzën e poshtëme, duke lënë shenjë, e pastaj e kafshoi akoma më fortë, duke e bërë gjak. E pastaj… E pastaj gjithë gjymtyrët e saj vunë një ulurimë të dëshpëruar nga dhimbja e tmerrshme. E nuk u dëgjua asgjë: vetëm kërcitja e dhëmbëve e kërkëllitja e kockave. Bebet e syrit do t’i zhdukeshin e brenda gropave të mëdha u duk një e bardhë e verbër: goja iu hap si e shqyer e kraharori duke gulçuar nxirrte jashtë oh! oh! pa zë, mbështjellë me psherëtima. Hë hë, duke u mbajtur në parmakun e shkallës me të majtën e duke rënë përmbys sipër derisa të shtrëngonte me dhëmbë parvazin e parmakut, shkoi në kthinën ku ishte krevati i saj portativ. Nuk kishte menduar për dritën. Ishte në errësirë. Dhe vetëm, vetëm, vetëm si një kafshë. Me një kuisje të vazhdueshme (oh! nuk ishte kafshë) përsëriste gjithmonë: oh, nëna ime! Oh, nëna ime! Po? E nëse e ëma do ta dinte! S’ka rëndësi: ajo e thërriste, po ngadalë që asnjë mos ta dëgjonte. Pas një varg psherëtimash të mbytura (ngadalë! që askush të dëgjojë!) i doli një britmë e papritur, shumë e fortë… Një vetëm, e ndjekur nga rënkime, të qara, përsëri fjalët -Nënë! Nënë! – edhe prej një…? një zë i mekur, diçka e re dhe e mrekullueshme… Në atë çast me një erë të madhe erdhi një tingëllimë kambane. Ishte gdhirë plotësisht.
III
Pas një gjysmë ore e më shumë u hap porta e shtëpisë. Qëndroi e hapur paksa dilte një fashë drite.
Maria që pas derës vëzhgonte. Mori guxim, e hapi plotësisht e tërhoqi menjëherë. U ndodh jashtë, qëndroi e palëvizur në errësirë. Retë mbulonin qiellin mbi Garfanjana. Zbriti bregun drejt lumit, duke bërë kujdes mos të lëvizte ndonjë degë, ose mos të bënte të kërciste ndonjë gjethe. Pas pak ndjeu zhurmën e ujit. U ndodh midis trungjeve të trashë të gështenjave. Degët me gjethe, që nga shirat e shumtë të atyre ditëve, nuk kishin mundur akoma t’i fshinin, mbulonin tokën. Rrëshqiti dy a tre herë, po u mbajt tek gështenjat. Ndaloi. Në ujë? që mund ta marrë me vete? Ta përplas këndej e andej? Oh! jo. Po çfarë të bëj? Nuk kishte një sqepar. S’ka rëndësi. U përkul, pastroi gjethet, pastaj me furi zuri të gërmojë në tokë e bëri një gropë. Vuri diçka (diçka!) e pastaj qëndroi sipër tokës, e mati me sy, pastaj shpërndau degët. Gjithmonë në errësirë.
Lumi gurgullonte atje poshtë. Qielli ishte krejt i zi. Copa uji të ngrira binin poshtë e bënin vrima. Gruaja u ngrit lart, u zgjat, duke u mbajtur tek një degë e cila u këput. Ra në gjunjë, po u ngrit duke u mbajtur me të dyja duart, mbi atë tokë e mbi ato gjethe. Në atë errësirë ngjante me një kafshë. Qe më këmbë e mori drejt përpjetë.
U gjend para portës, e shtyu e hyri. Oh!… Asnjë nuk e pa.
Sa do të jetë ora? Të ketë rënë il doppio del Tedeum5? Do të ketë mbaruar tani mesha? Tashmë do të jenë duke u kthyer zotërinjtë? Nuk ka kohë për të humbur. Pak guxim e çdo gjë do jetë në rregull.
Në fakt ajo vë në rregull gjithçka. Rri një copë herë aty sipër, pastaj rizbret, e prishur në fytyrë, e bardhë si një qefin, duke kërcitur dhëmbët. Hyn në kuzhinë. Ah! Kërcuri. Digjet, po. Sapo hyn, nga një nyje del papritur një flakëz blu, e pastaj bëhet e kuqe. Pastaj bëhet prush e shndërrohet në një sy.
Është një goxha trung rrapi që digjet pa zhurmë e lëshon shumë nxehtësi. Ajo ulet aty pranë e ndjen veten të përtërirë nga ajo ngrohtësi. Po ka etje. Ngrihet e shkoi të pinte ujë. Pastaj ulet përsëri. Ka etje akoma, pi akoma. Përbrënda ndihet si trëndafili i kuq, si ky kërcu me një flakë që digjet pa zhurmë. Shihte kërcurin me sy të ndezur. Ja: tingëllon kambana dy herë. Kërcuri fillon të ziejë e të kërcasë. Tashmë iu sos durimi. Me sa duket do të jetë gloria6? Sa kohë akoma duhet që të kthehen? Ka nevojë të rrijë vetëm, të shtrihet në krevat. Ndien t’i shpojë trupi nga të gjitha anët. Nuk mundet më. Janë ata? Jo: është era. Ja ata: ndihet që po vijnë. Jo: është kërcuri që po zien: Një tjetër tingëllim dyshe i kambanës. Tani do të ketë edhe pak. Ejani, ejani! E pastaj do të duan të n ngrohen, të bëjnë pak muhabet, të pyesin e të tregojnë. Në ç’moment do të jetë mesha? Do të ketë lindur…?7
Oh! Shtyjnë portën. Nuk e kishte mbyllur, si duket? Porta u hap ngadalë, ngadalë. Ajo sheh po nuk lëviz. Hyn… O zot! Kush hyn? Shën Mëria, pa u ngutur. Mban përqafuar fëmijën e saj lakuriq, lakuriq, të nxirë nga të ftohtit. Shën Mëria afrohet tek zjarri, kërcuri i vjetër çahet e hapet për të lëshuar më shumë nxehtësi. Ajo nuk e sheh gruan të ulur aty afër. Ajo mban fëmijën lakuriq në krahë, e afron pranë zjarrit ngadalë, ngadalë për ta ngrohur, me shumë kujdes e dashuri. Një ulurimë… Shën Mëria u zhduk…
-Ah! Unë nuk e kam më! E kisha edhe unë birthin tim! Mund ta ngrohja tek ky zjarr! I shkreti! E hodha poshtë! Nuk e desha! E vura nën dhe! Më erdhi, e unë nuk e desha! Kishte ftohtë dhe unë e varrosa! Qante e unë ia zura frymën! Në vend që ta mbaja në gji, pranë këtij zjarri! Për të nuk ka zjarr, nuk ka ngrohje, nuk ka krevat! Atje, jashtë, në rrugë, tek lumi, në borë, sikur ta hanë minjtë e dhelprat! O krijesa ime! Imja, imja! Nëna jote ishte e keqe! Po ti nuk e di që të do, të do, të do aq shumë! Do të të jap qumësht nga gjiri i saj, të të ngrohë në gjoksin e saj, të të përqafojë e të të puth fort, të të mbajë gjithmonë me vete, pranë, pranë! I shkreti, tani po vij: kujtove se nuk të doja? Po vij, po vij!
IV
Dhe duke e shtyrë portën me furi vrapon përjashta duke qarë e uluritur drejt bregut të lumit. Dëgjohet të bien kambanat: Sanctus, Sanctus. Bora binte e dendur si blozë e bardhë. Lumi i Orsos oshëtinte, e midis oshëtimës së tij ndihej një ngashërim i vazhdueshëm e një zhaurimë gjethesh. Ishte nëna që kërkonte krijesën e saj. Pemët ishin të gjitha njësoj. Ishte një errësirë që të zinte frymën: Ku e vura; pra? Duhet të nxitoj. Kush e di? Ndoshta është akoma gjallë? Ku është, o Zot…? Më bëj pak dritë që ta gjej vendin, o Zot! Shpejt, shpejt.
Pastaj shpërtheu në një ngashërim më të tmerrshëm, më të egër, pastaj e ndërpreu me një të klithur e pastaj pushoi. Pas pak burrë e grua u kthyen dhe e gjetën portën hapur.
E Marieta? O Marieta! Ku të ketë shkuar tani? Çfarë i ka shkrepur në kokë? Porta e hapur krejtësisht… Do të jetë këtu afër. Marieta! Marieta!
Ata kishin ftohtë, do të mbyllnin portën, do të afroheshin tek oxhaku i kuzhinës. Kërcuri digjej pa zhurmë, ngadalë ngadalë. Ines hoqi dorezat njërën pas tjetrës e duart i afroi tek zjarri duke i kthyer e rikthyer. I shoqi e shikonte i ulur mbi atë karrige… – E di që ngjan me Shën Mërinë? E djalkën fëmijën ku e ke vënë?
Ajo qeshte pa u kthyer. Ai ngrihet e i afrohet, e puth e i murmurit diçka në vesh…
Në mëngjez çdo gjë kishte një bardhësi të pafajshme. Ëngjëjt kishin shtruar një mbulesë të madhe tavoline të shenjtë mbi male. Njerëzit ishin zgjuar vonë, e tashmë shihnin nga portat e shtëpive gëlimin e bardhë që nuk pushonte. Dhe përsëritej portë më portë e skutë më skutë, një lajm. Kioda, plaka e varfër, që kishte shkuar për të gjetur ndonjë cung, për të ngrohur birin e saj, në pyll kishte parë një grumbull bore, që nga larg dukej një grua nën një çarçaf. Ishte afruar, duke larguar borën me një patericë kishte parë palën e një fundi. Kishte klithur: kishte ardhur Mere. Ishte Marieta e atyre të ardhurve.
-E vdekur.
-Prisni. E ngritën që aty: në vendin ku ajo kishte mbështetur fytyrën e gjoksin ishte një gropëz; në gropëz … një krijesë, e sapo lindur, e vdekur. Ishte e saja … E saja? Çfarë thoni?
-Kuptove! E kishte lindur. E varrosur; pastaj kishte shkuar ta ç’varroste dhe…
-Dhe ajo kishte vdekur?
-Jo… – Fatkeqe, ajo nuk kishte vdekur.
V
Dy muaj më pas.
-E, na thoni, Maria Soldani: si ju bëri zemra të vini dorë mbi atë qafë të vockël… Pse, me të vërtetë ia vutë duart? Krijesa juaj lindi e gjallë e plot shëndet, nuk është e vërtetë? Përgjigjuni: fëmija ishte…
Marieta që nga fillimi i hetimit kishte dëgjuar me një lloj padurimi të ndrydhur, të një kurioziteti të fshehtë, duke ngulur sytë herë pas here, tek gjykatësi, pastaj duke i ulur menjëherë, me një psherëtimë, pa u përgjigjur asnjëherë, po dridhej nga ato fjalë. E qante, e qante, e qante.
Ishte, fëmija e saj! Nuk kishte pasur kohë të paktën të shihte krijesën e saj ishte vajzë apo djalë! E këta zotërinj duan të dinë, duan të flasin. Oh! Tani ajo e di. Ishte bebushi i saj. Ia ka vënë emrin: më parë nuk mundëte. Çeçino ia ka vënë. Dihet që në burg nuk ka zjarr, nuk ka kërcu lisi, për ta ngrohur, e mbështjellë kruspull në një cep, me gjunjët e ngritura e të mbledhura fort me krahët, sepse kështu në prehrin e nënës nuk vuan nga të ftohtit. Dhe e përkund pa ndërprerje.
-Bëj nani, qengji i vogël…
-E i bënte me përkushtim
-Në krevat, po shkoj në krevat. Aty janë.katër ëngjëj. Dy te koka e dy te këmbët, Krishti në krahun tim… – Po pastaj rikujtohet. Çeçino nuk është më. Ishte një çast, vetëm një çast; mamaja nuk e kishte dashur, e hodhi poshtë, si një kafshëz të ndyrë, krijesën e saj… e ka fshehur nën tokë, ku ishte aq shumë ftohtë, dhe binte borë, binte borë. Dhe kishte zjarr në shtëpi, në shtëpinë e zotërinjëve të saj. Po çfarë do të kenë thënë zotërinjtë? Nuk i kishte çuar pak zjarr nga kërcuri për t’u ngrohur edhe ai, i shkreti, fare lakuriq, me një fill zëri…
E njohu nënën e tij, dhe nëna…
-O zot, – thotë murgeshë Ana – ti je i mirë: bëre të vdesë! të shkretën nënë që i u desh të vrasë krijesën e saj!
1Xhovani Paskoli – shqipt. (shën i përkth.)
2Karduçi poet i shquar italian. (shën i përkth.)
3“Il ceppo” (titulli né origj)- në traditèn popullore në qendër të festimit të Krishtlindjes ishte edhe pajisja me një kërcu të trashë peme që të rrinte ndezur tërë natën e vigjiljes. Në kujtim të traditës antike krahas panetones, torronave filluan të bëheshin edhe ëmbëlsira në formèn e kërcurit. “Notte del ceppo” bëhet fjalë për natën e vigjiljes së Krishtlindjes. (shën.i pèrkth.)
4Lutje dhe rruzare (shën i përkth.)
5Muzikë e shenjtë, hymn shumë i vjetër i falenderimit që mbyll meshën e Vigjiljes së Krishtlindjes. (shën.i pèrkth.)
6Këngë kishtare. (shën.i pèrkth.)
7E ka fjalën për lindjen e Krishtit (shën.i përkth.)