back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Tragjedia e Antenës… ke Arra e Modhe – rrëfim mbi një tragjedi nga Alda Butka Aliçka

Gazeta

Alda Butka Aliçka
Alda Butka Aliçka
Tragjedia e Antenës… ke Arra e Modhe*
Rrëfim mbi një tragjedi nga Alda Butka Aliçka

Shtëpinë time në Rrugën e Fortuzit, nga ana e pasme e ndante vetëm avllia me shtëpinë e madhe të familjes tiranase Koçi. Njerëz punëtorë, të gjallë, të zhurmshëm, të hareshëm e aq të bukur!
Njëra nga gocat e shtëpisë, Leta, ishte rrobaqepëse shumë e mirë. Rrobat, që u qepte ajo atyre trupave të gjatë e të drejtë, u rrinin mrekullisht! Dalloheshin që te Universiteti, kur dilnin në xhiron e darkës.
Shtëpia e tyre ishte njëkatëshe, me shumë dhoma dhe kishin një oborr të stërmadh, plot me pemë frutore e trëndafila. Mu në mes të tij ishte një arre gjigande. Nga të gjitha ballkonet e shoqeve, që banonin në pallate, e gjeja menjëherë shtëpinë time, nga ajo arrë.
Çdo mbasdite, aty mblidheshin kushërinj, miq e sidomos fëmijë. Dëgjoheshin vetëm të qeshura, këngë, dhe radioja në kupë të qiellit, me zërin e Fitnete Rexhës, Hafza Zyberit e të Naile Hoxhës. Nusja dhe gocat, gjithë kohën, qerasnin shurup trëndafili. Shishet me ujë, petale rozë e limontoz, ishin të rradhitura nëpër dritare.
Në darke ishte turni tjetër.
Ata ishin nga të paktët, që kishin televizor në atë kohë. E nxirrnin në hajatin me shtylla druri, mbi një tavolinë të vogël… dhe njerëzit të ulur ca nëpër karrige, ca nëpër stola e ca nëpër jastekë e shilte.
Gjithe lagjen e mbushte me zhurma e gëzim ajo shtëpi…
Një mëngjes ra bomba!

Burgjet e diktatures komuniste
Burgjet e diktatures komuniste

Lagja u mbush me policë e “kaleca” kostumgrinj! U tmerruam. Heshtjeeee! Ne të gjithë nga mbrapa perdeve, duke u zgjatur për të marrë vesh ç’po ndodhte…
Babi hyri i zverdhur brenda. “Arrestuan Yllin!” – tha.
Ylli ishte piktor dhe babi im e kishte mik. Kishte një djalë nja 7-8 vjeç. Gjithë lagjes i ra hija e keqe. Hynin e dilnin në heshtje.
Nga dreka, dëgjohen sirenat e zjarrfikses dhe ambulancës. Sërish lagja në këmbë! S’po merrnim vesh ç’kishte ndodhur. Ca afroheshin e ca nga frika, vetëm prisnin lajmet tek portat e tyre. Mbas pak shpërtheu lajmi: “Xhaja i Yllit, i kishte vënë flakën vetes!” Lajm i tmerrshëm! “Po nuk duroi dot mi i shkreti!!” – tha dikush. Tjetri ia bëri me sy e me shenjë “mos fol”. Të nesërmen morëm vesh ç’kishte ndodhur në të vërtetë.
Xhaja i Yllit, në klub me nji shokun e vet, kishte thën: “Ç’u knoqëm tu pa italionin. Ka vu Ylli i anten t’modhe ke arra. Atje bohet jet, o vlla! Na përktheu Ylli i film, ene u knoqëm!”
Shoku drejt e në degë. Shtoi dhe nga vetja, sigurisht…
Kur u zgjua xhaja, mori vesh ç’i kishte ndodhur me nipin dhe iu kujtua biseda, qe kishte bërë me shokun. Pas pak i troket dera. Një punonjës i degës së brendëshme, i kërkon të paraqitet e të dëshmojë. Atëherë ai, merr shishen e benzinës, u lye dhe u dogj përsëgjalli. Ishin dëgjuar vetëm “T’mura m’qaf!”, T’mura m’qaf, or çun!”
Gjithë zilia, refuzimet e gocave të bukura, që u kishin bërë kalecave këmbështrembtë e xhuxha, poshtërsia e ligësia, pangopësia e inferioriteti, u derdhën e pamëshirshme mbi ta…
Pa mbaruar gjyqi i Yllit, erdhi një makinë e i përmblodhi të gjithë brenda. Pak orendi morën, të tjerat hynë e kush merrte një gjë, e kush një tjetër. Gjyshja ime, ishte bërë meit. I kishte të njohura skenat. “Korbit ata, ç’i gjeti!”; “Të zestë ata ç’i gjeti!” dhe përplaste duart mbi gjunjë.
Mbas një jave fiks, erdhën e shembën shtëpinë. Mbaj mend që më dilnin lotët vuu e me binin mbi fustan. Të nesërmen filluan themelet e pallatit. Ia vunë syrin katundarët e pushtetit të asaj toke, asaj bukurie në mes të Tiranës dhe e çuan deri ne fund!
U gëzova vetëm kur prenë e sharruan arrën. Më dukej sikur ajo e kishte gjithë fajin që kishte mbajtur antenën.
Ylli u dënua për “agjitacion e propagandë”.
Kur u kthyen nga burgu dhe internimi, pas 90-ës, të gjithë të plakur, të shkatërruar e pa shtëpi…

*Titulli redaksional radiandradi

Marrë nga Muri i FB, Alda Butka Aliçka, 21 mars 2024

 

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Kur e mbarova së lexuari e kët rrëfim të shkurtë po dinamik, m’u duk sikur pashë skenarin tragjik të një filmi, të cilin ende shumë prej nesh e kanë në lekurë… Mjeshtërisht, Alda Butka Aliçka me një tekst të ngjeshur, të thukët e tejet të sinqertë na ka përshkruar një kohë, një regjim dhe një familje të hareshme tironase e cila, u shkatërrua prej kriminelave të kuq, për thuajse asgjë! Edhe pse janë me qindra ata që marrë e merren me filma, me drama, apo edhe me romane… nuk kanë bërë aq sa ka bërë zonja Alda me këtë rrëfim tragjik të saj.
    Mirënjohje dhe respekt për Ju Alda!
    jozef radi, 21 mars 2024

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.