back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tragjeditë e mëdha nënujore nga Avis Gjyshja

Gazeta

Nëndetsja argjentinase “Ara San Juan”
Nëndetsja argjentinase “Ara San Juan”

Tragjeditë e mëdha nënujore

nga Avis Gjyshja

Pothuajse e kam ndjekur live e me shumë ankth atë që ndodhi me nëndetsen argjentinase “Ara San Juan”.
Besoj se ishte ngjarja më e ndjekur nga gjithë nënujsit e botës. Regjistrimi i zhurmës së shpërthimit të hidrogjenit nga organizata Comprehensive Nuclear Test-Ban Treaty, në rajonin ku nëndetesja u zhduk nuk la më shpresa.
Ne nënujsit shqiptarë e njohim mirë shpërthimin e hidrogjenit sepse kemi dhe një rast të tillë në eksperiencën tonë. Si njeri, ndjej dhimbje por si ish nënujës më duket sikur të humburit janë shokët e mi. Dhe ngaqë nga natyra jam më pak trim se sa hiqem, me një ndjenjë frike që s’më lë të qetë ndjej dhe agoninë e fundit të tyre.
Që herët, thellë në shpirtin tim nënujsat e mbarë botës nuk kanë qenë kurrë armiqtë e mi, as atëhere kur duhej t’i mbysnim ose të na mbysnin.
Ka gjëra në jetë që njerëzit i lënë të kalojnë si vetë koha që ikën e nuk mendojnë kurrë se ç’emër mund të kenë. Shpesh kujtimet e mija ikin mbrapa në kohën e rinisë dhe jo rrallë me syrin e sotëm te analizës se një burri mbi 60 vjeç, e shoh veten e asaj kohe si ai personazhi i Remarkut, 18 vjeçari gjerman i Luftës së Parë Botërore, Paul Baumer, në “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”. Me ndryshimin se ai vdiq pa u ankuar në një mbasdite të trishtuar nga fundi i luftës, kohe kur gazetat raportonin “Im westen nichts Neues” kurse unë mbijetova duke arritur të dal në bregun e lirisë…
Ndjehem keq e i pikëlluar për rininë time e të brezit tim pothuajse njëlloj të vrarë si ajo rini e atij grupi djemsh që vdiste ose humbiste kuptimin e jetës në llogoret e një luftë të çmendur e të kotë. Më kujtohet se sa shumë më është dhimbur Paul kur në një luftim trup me trup vrau të parin njeri/ armik në jetën e tij. Vrau një tjetër djalë, njëlloj si vetja e tij, por që erdhi pa e ditur se ku po shkonte nga krahu i kundërt i frontit. Një djalë të cilin si edhe vetë Paul e kishin hequr njomëzak nga rinia e sapofilluar, i kishin rrasur një helmetë në kokë dhe e kishin nisur për në front pasi i patën mbajtur një fjalim për patriotizëm e për armiq, gjëra të cilat ai as që i kishte kuptuar. I kishin dhënë një pushkë që ishte më e gjatë se ai vetë e ca fishekë dhe në një natë të errët e në një fushë të panjohur që vinte era gjak e barut e kishin urdhëruar të vraponte në drejtim të anës tjetër të frontit. Fati e pruri që në vrapimin e tij të rrëzohej në llogoren e Paulit të llahtarisur ku dhe u ndesh me të. Të dy godisnin njeri-tjetrin nga frika dhe jo nga urrejtja. Paul qe më me fat, por i terrorizuar për çfarë u bë, kur pa “kopjen” e tij të anës së tjetër të frontit duke vdekur në atë agoni e dhembje disa orëshe, në pendimin e pangushëllim e tmerrin e pafund të asaj vrasje të pakuptim, i kërkoi pafundësisht të falur kufomës se ngrohtë e syhapur, ku akoma nën kraharorin e dobët si të një insekti, vazhdonte e regëtinte gjithnjë e më dobët një zemër e vogël si e zogut e një të riu të pafat që po e linte përgjithmonë këtë botë pa e ditur pse..
Dukej që ishte histori që përsëritej gati njëlloj në kohë të ndryshme. Zyrtarët e kohës sime pa e vrarë fare mendjen nëse isha ai që duhej për atë punë apo jo, pasi mbarova universitetin, më dhanë ca rroba oficeri dhe më urdhëruan të paraqitesha në Bazën e Vlorës!
Njerëz që s’më njihnin fare dhe që s’më kishin parë kurrë më kishin emeruar oficer në nëndetëse! Në lidhje me këtë në vitet e mbas ’90-s më pëlqente të thoja se më emëruan “armik” të Amerikës dhe të gjithë pjesës tjetër të botës së asaj kohe…
……………………………….
Por problemi ishte se unë nuk e urreja “armikun” tim. Unë e doja “armikun” tim. “Armiku” im ishte idhulli im. Në mendjen time “armiku” im ishte shembulli më i mirë që duhej ndjekur.
Njëherë, besoj se midis viteve ’81 e ’82, shoku im i ngushtë i nëndetseve, por edhe i tanishëm, Ing. Harilla Rexha, më pyeti nëse kisha dëgjuar gjë për nëndetësen nukleare amerikane “SSN-593 Thresher”. I thashë jo, dhe ai më tregoi diçka shkurt, me aq sa dinte për historinë e saj. Mbaj mënd që më dha nja dy fletë të daktilografuara ku përshkruhej shkurt historia tragjike e asaj nëndetesje.
Nëndetesja atomike “Thresher” ishte krenaria e nëndetseve nukleare amerikane në fillimet e viteve ’60. Ishte përbindëshi që të bënte gjëmën; – më e shpejta, më e pazhurmëshmja dhe më e sofistikuara për kohën. Në projektin e kësaj nëndetseje ishin bërë bashkë çmenduria dhe inteligjenca njerëzore në nivelin më të lartë të mundëshëm. Kjo lloj krijese përbindesh ishte projektuar dhe ndërtuar të zbulonte dhe asgjësonte nëndetset e të gjitha llojeve. Ishte vetëm dy vjeç e vjetër dhe në një luftë të mundëshme edhe unë me nëndetsen time mund të ishim një nga viktimat e saj.
Përmbledhtasi në ato flete të daktilografuara ishte paraqitur dhe një “timeline” komunikimesh midis nëndetses që po mbytej dhe një anije shoqëruese që ishte në atë rajon në kohën e katastrofës gjë që më bëri ta përjetoja pothuajse “live” atë katastrofë. E lexova dhe e rilexova disa herë atë histori. Ndjeva agoninë e llahtarëshme të atyre 129 njerëzve që ishin në bordin e saj pothuaj njëlloj sikur dhe vetë të isha në mes tyre. “Thresheri” u mbyt në Atllantikun Verior me 10 Prill 1963, gjatë një prove zhytjeje të thellë jo dhe aq larg vendit ku u mbyt dhe Titaniku. Mbetjet e saj dhe trupat e të 129-ve prehen në thellësinë 2600, deri 2700 metra, të pa arritshëm në errësirën e përjeteshme të fundit të oqeanit, rreth 370 km në lindje të Bostonit dhe unë oficeri i një nëndetsje armike të “Thresherit” gati mbajta zi për ta!
Dhe asnjëherë e për asnjë moment gjatë gjithë jetës time nuk mendova dot se ata ishin armiqtë e mij…
.
Nëndetsja Bërthamore Amerikane “USS Thresher” (SSN-593)
Nëndetsja Bërthamore Amerikane “USS Thresher” (SSN-593)

Historia e Nëndetses Bërthamore Amerikane

“USS Thresher” (SSN-593)

Pas postimit tim të fundit kam pasur shumë pyetje për nëndetsen “Thresher” e në disa raste dhe më gjerë. Ata që dinë anglisht mund të gjejnë materiale të bollëshme në internet kurse për të tjeret po mundohem të ndihmoj unë. është një material relativisht i gjatë (kërkoj të falur për këtë) por besoj se ky është informacioni minimal i nevojshëm për ta kuptuar e përjetuar këtë histori. Të gjitha materialet e përdorura janë marrë nga burime publike dhe janë përkthyer e përzgjedhur nga unë.
Ky postim, shkon në radhë të parë në respekt e nderim të të gjithë shokëve të mi nënujës!
……………………………………..
Kur isha në Juneau të Alaskës më kishte bërë përshtypje të madhe një memorial i një anije me emrin “USS-Juneau”, e cila qe mbytur me 687 burra në bord në betejën detare të Guadalcanal me 13 Nëntor 1942. Në memorial nuk thuhej ‘dhanë jetën” por se “vazhdonin të ishin me shërbim” (Still on Patrol). Më vonë pashë që kjo ishte një praktikë nderimi amerikane për gjithë anijet dhe njerëzit e humbur në det.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara humbën 52 nëndetse me 374 oficerë e 3131 nënoficerë e marinarë në bordet e tyre. Për qëllime nderimi dhe përkujdesje të nevojshme historike e financiare përfshi dhe ato në adresë të të afërmeve të atyre që humbën jetën në këto 52 nëndetse, 48 shtete federale të USA adaptuan nga një nëndetse të humbur ndërsa Kalifornia dhe Nju Jorku adaptuan nga dy.
Mbas luftës së dytë botërore e deri sot amerikanët kanë humbur dhe katër nëndetse të tjera. E fundit ishte “Scorpion SSN-589”, e cila u zhduk nga shkaqe të panjohura midis 22 Maj and 5 Qershor 1968, rreth 740 km në jugperëndim të Ishujve Azore në Oqeanin Atllantik.
Ndërsa më e rënda humbje për nga impakti që krijoi, por dhe nga numuri i jetëve njerëzore të humbura (129) ishte humbja e “USS Thresher” (SSN -593). Nëndetesja Atomike Ruse “Kursk“ është në vend të dytë me 118 njerëz në bord.
..Nëndetsja “Thresher” siç edhe e kam thënë në postimin e mësipërm, ishte krenaria e nëndetseve nukleare amerikane. Ky lloj përbindëshi ishte projektuar dhe ndërtuar të zbulonte dhe asgjësonte armët më të tmerrshme që kish krijuar bota ndonjëherë: – nendeteset ruse të Luftës së Ftohtë që ishin të afta të shkatërronin një shtet qoftë dhe me një raketë nukleare të vetme! Ishte vetëm dy vjeçare, në momentin që ndërtuesit vendosën të shtonin dhe një arritje tjetër të shkencës brenda saj, dhe kjo u desh të bëhej me një hapje në trupin e fortë e cila u rimbyll përsëri me vonë. Mbas këtyre ndërhyrjeve u desh që nëndetesja të ribënte disa prova midis të cilave dhe atë më të domosdoshmen, provën e zhytjes së thellë.
Me 9 Prill 1963, “Thresher” e drejtuar nga Komandant Leitenant John Wesley Harvey, me 129 njerëz në bord, 112 efektive të saj dhe 17 specialistë civile të kompanisë ndërtuese të quajtur “Portsmouth Naval Shipyard”, me qëllimin e provës së zhytjes së thellë, doli nga Portsmouth i Shtetit të Massauchets në orën 8:00 të mëngjezit e ndjekur nga anija “Skylark” e cila do të asistonte në këto prova. Provat do të bëheshin në Oqeanin Atlantik, rreth 370 km ne lindje të Kepit Cod të shtetit Massachusetts. Po atë mbasdite nëndetsja bëri diferentimin (ballancim dinamik peshash) dhe më vonë dhe dy prova zhytjeje deri në 150 m thëllesi. Thresheri qëndroi e zhytur gjatë gjithë natës dhe në orën 6:30 të mëngjezit të 10 Prillit rikontrolloi komunikimin me “Skylark” duke filluar njëherazi përgatitjet për provën e zhytjes së thellë. Sipas praktikave standarte, “Thresher” filloi zhytjen duke lëvizur në rrathë të gjerë nën ujrat poshtë “Skylark”, i cili mbante ndërlidhje të pashkëputur me Nëndetsen. Ishte paravendosur që në çdo 30 m zhytje do të kishte një pauzë në të cilën do të kontrollohej nëndetsja e do të raportohej tek “Skylark” për rezultatet e kontrollit. Kur nëndetsja po i afrohej thellësisë 300 m, Skylark mori një mesazh shqetësues jo të plotë e jo shumë të kuptueshëm të tipit “…vështirësi të vogla, kemi diferent pozitiv në rritje, po përpiqemi të çfryjmë” (“Diferent pozitiv” nënkupton bashi i nëndetses i ngritur me lart se kiçi ose bishti i saj në gjuhën popullore) Dhe pak më vonë një mesazh akoma më të pakuptueshem që kishte brenda numurin “900” …Pastaj heshtje!… Nderpreja e mesazheve nga nëndetsja i bëri njerëzit e “Skylark” të mendonin se diçka e kobëshme kish ndodhur atje poshtë. Pak me vonesë, lajmi i keq mbërriti në Komandën e Flotës së Atlanikut… Nga mesi i ditës rreth 15 anije luftarake e një numur avionesh ishin nisur në drejtim të vendit të tragjedisë.
.
John Wesley Harvey
John Wesley Harvey
…Me 18:30 të po asaj dite Komandanti i Forcave Nënujore të Atllantikut dha urdhër që të fillonin të lajmëroheshin njerëzit e afërt të 129 jetëve që tani konsideroheshin të humbura bashkë me “Thresher”! Dhe së parës që ju dha lajmi ishte Irene Harvey, gruaja e komandantit të ND-s së cilës ju tha se “Thresher” kishte humbur…
Të nesërmen shpresat për ndonjë lloj lajmi ndryshe ishin shuar dhe në 10:30 të 11 Prillit, Shefi Operativ i Forcave Detare George W. Anderson Jr. doli në konferencë shtypi në Pentagon dhe deklaroi humbjen e Nëndetses “Thresher” bashkë me gjithë njerëzit në të. Media amerikane e mori lajmin dhe e transmetoi si një “Breaking News”, e cila ngriti gjithë Amerikën në këmbë. Pothuaj në të njëjten kohë Presidenti John F. Kennedy urdhëroi zinë kombëtare duke filluar nga data 12 deri 15 Prill dhe njëherazi urdhëroi uljen në gjysëmshtizë të të gjithë flamujve amerikane në gjithë botën.
Por… asgjë nuk mund të çbëhej më! Ç’kishte ndodhur në fakt?! Cilat ishin shkaqet dhe si ndodhi mbytja e “Thresher”?!
Po ato ditë filloi një kërkim i ethshëm i shkaqeve të mbytjes. Në rajonin e katastrofes mbërriti dhe anija “Mizar” me e sofistikuara dhe më e kompletuara e botës për kërkime oqeanografike nënujore, dhe njëherazi u nis nga San Diego, California nëpërmjet Kanalit të Panamasë, Batiskafi “Triest”, i cili dihet që ishte i pari mjet i krijuar nga njeriu që mbërriti në thellësinë më të madhe të globit, Humnerën e Marianeve me rreth 11.000 metra thellësi. U desh shumë kohë që të gjendeshin mbeturinat e nëndetses, por ajo që u pa nga informacionet që vinin nga thellësia prej rreth 2600-2700 metro ku kishte përfunduar “Thresher” ishte se nëndetesja qe shkatërruar në mënyre të tmerrshme. Megjithëse nëndetesja ishte pa armatim në kohën e katastrofës, copat e saj ishin shpërndarë në rreth 134.000 metra katrore sipërfaqe. Për fat rezervuari i karburantit nuklear ishte i paprekur.
Investigimet kanë vazhduar për gati 50 vjet pa pushim. I fundit raport është paraqitur ne vitin 2012.
Të gjitha analizat fajësojne një përdorim të madh të bashkimeve me ngjitje me argjend (silver-brazed joints /s’di se si quhet në shqip) midis pjesëve të ndryshme të tubave në nëndetse (rreth 3000 bashkime të tilla në “Thresher”). Të paktën 400 nga këto mendohen të bëra në mënyrë tekniksht të parregullt. Ekspertët besojnë se një tub i tillë që transportonte ujë të kripur nga jashtë bordit për qëllime ftohëse në dhomën e motorrëve bërthamore, shpërtheu në vendet e bashkimit dhe kjo krijoi një varg problemesh zinxhir që bashke me pamundësinë e çfryrjes në rast avarie (një tjetër aspekt dështimi teknik) çuan në zhytjen e pakthim të nendetses.
Besohet se trupi i fortë i nëndetses “Thresher” është shkatërruar diku midis 400 dhe 650 metro thellësi për të përfunduar disa kilometra poshtë në fundin e oqeanit;
Ne thellesi të tilla, 2600 deri 2700 metro poshtë, ku sundon nata e përjetëshme dhe presionet shkojne 260 deri 270 atmosfere, është e pamundur të keshë kohën dhe mundësinë e një analize bindëse.
Jane ngritur shumë hipoteza e shumë shpjegime. Ka dhe regjistrime të plota, një “timeline” të komunikimeve midis “Skylark” dhe “Thresher” dhe të zhurmave hidroakustike të ardhura nga thellësia deri në momentin që mendohet si ai i shkatërrimit përfundimtar të “Thresher”. Të gjitha ndihmojnë shumë për të gjykuar por asnjëherë plotësisht. E vërteta nuk do të merret vesh kurrë.
Në raportet e investigimit, po në vitin 1963, Admiral Hyman Rickover tha: “Unë besoj se humbja e “Thresher” nuk duhet parë e vetmuar si rezultat i ndonjë dëmtimi, saldimi, sistemi apo komponenti, por duhet konsideruar si një konsekuencë e filozofisë së projektimit, e ndërtimit dhe inspektimit që ka qenë lejuar në programet tona të ndërtimit të anijeve. Unë mendoj që është e rëndësishme që ne të rivlerësojmë praktikat tona. Në dëshirën që të bëjmë arritje të reja, ne ndoshta kemi mohuar bazat e inxhiniërisë.”
.
Nëndetsja Bërthamore Amerikane “USS Thresher” (SSN-593)
Nëndetsja Bërthamore Amerikane “USS Thresher” (SSN-593)

***

Nisur nga ç’ndodhi me “Thresher” qeveria amerikane miratoi dhe vuri në zbatim me tolerance zero absolute, programin “SUBSAFE” (Nëndetse të Sigurta) i cili detyronte dhe i detyron edhe sot e gjithë ditën projektuesit, prodhuesit, inspektorët, përdoruesit dhe mirëmbajtesit e nëndetseve të zbatonin rregulla shumë strikte lidhur me prodhimimin, mirëmbajtjen e përdorimin e tyre.
Sot nëpër shumë vende e muzeume të Amerikes gjen objekte përkujtimore për “USS Thresher “(SSN -593). Në të gjitha rastet shënohet “Still on Patrol”
 
Më poshtë paraqesim kronoligjikisht (me pak koment) çka ngeli në dokumentat e “Skylark”
07:47 “Thresher” fillon zhytjen
07:52 “Thresher” arrin në 120 m thellësi, kontakton sipërfaqen, dhe raporton që nuk ka rrjedhje.
08:09 Commander Harvey raporton që arritën në 150 m thellësi.
08:25 “Thresher” arrin në 300 m thellësi
09:02 “Thresher” lëviz ngadalë në thellësinë 300 m – “Skylark” arrin të marrë sinjalin “Corpen (kursi) 090.” Në këtë moment marrja e sinjaleve nga “Thresher” u vështirësua. Mendohet si rezultat temperaturave të ndryshme të shtresave të ujit.
09:09 Këtu besohet që është momenti i shpërthimit të tubit me ujë të kripur në lokalin e motorrëve.
09:12 “Skylark” thërret “Thresher” në telefonin nënujor: “Gertrude kontrollo, K [over].” Pa përgjigje të menjëherëshme (“Skylark nuk dinte akoma asgjë rreth problemeve në “Thresher”), sinjali “K” ishte përsëritur dy herë.
09:13 Komandant Harvey raporton për situatën në “Thresher”. “Transmisioni është bllokuar…”, shumë fjalë nuk dëgjohen: “…kemi vështirësi të vogla, kemi diferent pozitiv në rritje, përpiqemi të çfryjme.” Officeret e “Skylark” regjistruan zhurmën fishkëllyese të ajrit të presionit të lartë në dy tentativa të pa sukseshme..
09:14 “Skylark” me urgjencë lëshoi kodin “Roger, out!” që nënkuptonte “Dil lart”. Dhe menjëherë pas këtij sinjali dërgoi tek “ Thresher” mesazhin, “No contacts in area, ” (Nu ka mjete në zonë) Ky mesazh nënkuptonte që nuk rrezikonte përplasje gjatë daljes së avarisë.
09:15 “Skylark” këmbengul: “Kursi im 270 gradë. Presim përgjigje.”
Nuk ka përgjigje. Kapiteni I “Skylark” Lieutenant Commander Hecker, pyet me telefonin nënujor “Keni kontroll mbi situatën?”
09:16 “Skylark” mori një pergjigje të paqartë ku dallohet një gërme dhe një numur”: N 900)
09:17 Një përgjigje e dytë e pjesëshme vjen nga “Thresher” “kapërcejmë thellësinë e provës….”
09:18 “Skylark” kap një zhurmë të fuqishme të frekuencës së ulët, karakteristikë e shpërthimeve të mëdha.
09:20 “Skylark” vazhdon të thërrasë papushim dhe me të gjitha mënyrat “Thresherin” (radio, telefon nënujor, eksplozive, etj)
11:04 “Skylark” pa pushuar përpjekjet për komunikim me “Thresher” dërgon në Komandën e Nëndetseve të Flotës së Atllantikut mesazhin “Të paaftë të komunikojmë me “Thresher” që nga ora 9:17. Jemi perpjekur me telefon nënujor, me zë, me Kodin Mors, çdo minutë. Sinjale me eksplozive çdo 10 minuta… pa sukses!”.
 
Por në atë kohë nuk kishte komunikim satelitor e ngjarjet zhvilloheshin 370 km larg bregut dhe kishte shumë vështirësi lidhjeje. Lajmi hyri në Komandën e Nëndetseve të Atllantikut vetëm në orën 12:45 të 10 prillit 1963.
Marrë nga muri i fb 29 dhe 30 nëntor 2017
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.