back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Traktatet e Atjon Zhitit – pjezësa –

Gazeta

Atjon Zhiti (1995 -2014)
Atjon Zhiti (1995 -2014)

Traktatet e Atjon Zhitit – pjezësa –

Ai që do ta botonte i pari Atjon Zhitin, që do të gjente diçka ndryshe dhe të veçantë te ai, vezulluese dhe të rëndësishme, dëshpëruese dhe shpresëdhënëse, do të ishte gazetari i njohur Alfred Lela. Dhe do të shkruante: “…ai që iku ishte dikush me shqetësime përtej moshës së tij. Ndoshta dhe me një idealizëm që vetëm mosha e tij mund ta ketë. I tillë është teksti sa pothuaj të bën të pyesesh: kush ka vdekur ne apo Atjoni?” (Gazeta MAPO, 26 dhjetor 2014)
“…zbuluam pa teprime atë që thotë poeti suedez Traströmer se “pa e ditur ishte hyjnor” (14 shkurt 2015) do të shkruante shkrimtari dhe gazetari tjetër i njohur Preç Zogaj, kur s’kishin kaluar as dy muaj nga tragjedia, aksident rrugor, 5 vjet më parë, që i tronditi të gjithë.
Studenti Atjon V. Zhiti papritur ikën në Qiell, duke ndërprerë gjithçka, ëndrrat, studimet, dashuritë, shkrimet, idealet, vetë jetën.
Dhe vërtet u zbulua “pa e ditur se ishte hyjnor”, siç thotë nobelisti Traströmer, me të cilin Atjoni dhe ishte takuar, janë dhe në një foto bashkë, aq sa na duket se ato fjalë ai i ka thënë për Atjonin. Një djalë i dashur dhe i bukur, me të cilin miqsohëshe menjëherë, që vetëm dinte të donte, që buzëqeshte çiltër ashtu siç dhe fliste, ëndërrimtar dhe i vrullshëm, ideal për shokët dhe shoqet, lider shpirtëror i tyre, kurajoz, me besim.
Ç’të kujtojmë më parë për Atjonin tonë? Pëlqente artet, i binte flautit, ndërkohë dhe sportiv, merrej me not, luante tenis, vizatonte, kishte pasion gjuhët dhe iu fut filozofisë. Fitoi një bursë për në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano dhe shkëlqeu qysh në vitin e parë. Nisi të botojë esetë e para, ndërkohë u bë antari më ri i PEN Clubit Italian duke qenë dhe antar i Parlamentit Europian i të Rinjve si përfaqësues i shqiptarëve.
Menjëherë ia botuan librin me ese “Për atë që dua(m)” dhe më pas albumin “Opera Atjon” me piktura nga fëminia dhe adoleshenca, që u pritën mirë nga nga lexues dhe kritika.
U hap dhe një ekspozitë me pikturat e Atjonit në një universitet të Tiranës dhe u dha dhe një koncert në Romë.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit për fëmijë “Giffoni” tani jep çmimin “Atjon Zhiti” për antarin më të mirë të jurisë, ku Atjoni vetë u dallua, ndërsa Shoqata e Shkrimtarëve “IWA Bogdan” me qendrat në Bruksel dhe Prishtinë jep Çmimin letrar “Atjon Zhiti”, që kanë marrë vitin që shkoi një poete nga Argjentina dhe këtë vit një poete nga Japonia.
Rruga pranë shtëpisë së tij në Tiranë tani ka marrë emrin “Rruga e Atjonit”, ai vërtet sikur hapi për të rinjtë një rrugë shpirtërore me dritë.
Për ta kujtuar, si përherë në këto 5 vjet, po sjell këtu 5 pjesë nga shkrimet e tij, që ai i quante traktate, po i shoqëroj me 5 thënie nga emra të njohur, ku na shpaloset forca e rrëmbyese e Atjonit dhe dashuria për të…
.
Visar dhe Atjon Zhiti
Visar dhe Atjon Zhiti

Një shok i tij ose dishepull –

1.
Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra,
ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…
Helena dhe Ismail Kadare
 

A jemi gati për atë që duam?

 
Kur isha fëmijë: Një ditë vere do të më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe, papritshmërisht, na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështroja mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetëm të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithçka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.
Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i përmbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara.
Po a jemi gati për atë që duam?
.
2.
Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik
dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…
Robert Elsie, albanalog kanadez
.

Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë…

Duke u endur nëpër Qytetin tim ngelesh gojëhapur, sheh gjithçka, disa herë je i mahnitur dhe në shumicën e rasteve të tjera i vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete. Tirana të josh, por si hije ka një bishë që e ka ngërthyer e nuk e lë të lirë dhe është po e njëjta hije që përçudnon atdheun…
Një problem që shkaktohet nga çka shkakton. Rrethi vicioz i qytetërimit tiranak. Baltë, lypsarë, tym, mizerje, kafshë, kalldrëm, arsim, politikë, po prapë kafshë, mjegullnajë kokash, mendime shterpe, art steril, dergjje.
Padyshim që shteti i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet. Drejtësia është ai princip ku çdokush bën vetëm ato gjëra që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë. Kur çdo qytetar dhe çdo “klasë” u përmbahet funksioneve të veta në mënyrën më të mirë të mundur, atëherë jeta e shtetit kryhet në mënyrë perfekte dhe kështu kemi pikërisht shtetin e së drejtës.
.
Atjon Zhiti
Atjon Zhiti

3.

Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët
e tij, fari ndriçues i brezit të tij…
Eugjen Merlika  – studiues, kritik letrar
.

Kur u shpik 1+1: mizoria që lulëzon nga dobësia

Pse korrupsioni është sistem? Sistem deri në atë pikë që seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit duke i vendosur në konditat që të mos dëmtojnë me të paparashikueshmen dhe antisistematikwn ndershmëri të tyre. Ka një arsye nistore, besoj. Që nuk është pak e vërtetë për të qenë një zbulim i momenteve të fundit. Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë.
Kush e bën sot politikën në atdhe? Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptariot. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi.
Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë, po ashtu si dhe njerëzimi. Ky qëndrim i ndërgjegjshëm kritik kundrejt vetë ideve tona është diferenca reale midis qenieve me dije dhe qenieve pa shtylle kurrizore. Qeniet me dije gabojnë, por në një mënyrë ndryshe nga jokurrizorët, qeniet me dije janë vazhdimisht të eksituara nga dëshira për të gjetur një gabim tek teoria e vet; me dëshirën për ta asgjësuar sa më shpejt. Ndërkohë jokurrizori vdes bashkë me teorinë e tij të gabuar.
Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalbura.
 
4.
Bota është më e varfër pa Atjonin, ne jemi më të varfër pa të,
është një bosh i madh…. një trishtim i madh…
Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqës…
Shikonim shumë prej projekteve tona të parealizuara tek ai…
Luan Topçiu – Kritik arti, studiues, përkthyes – Bukuresht, Rumani
.

Për “Opininon-in”

Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh.
Spektakli nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real. Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion. Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në sajë të kthimit të mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës.
Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit, zëvendësohet nga dukja.
 
5.
Kur do ta takoja për herë të parë Atjonin…
shkëlqente nga poezia. Dhe vetë ai është një poezi e magjishme.
Adonis – Poet, kandidat për Nobel, sirian, jeton në Paris.
.

Përgjegjësia për ndryshimin:

Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi…
Ne i futemi thellë të vërtetës. Sa thjeshtë e zhveshim atë. Preferojmë sinousitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë… Por rruga është keq. Ka shumë gropa. Kërkimi është zhveshje.
Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë. Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…
Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.
Të bësh të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut.
.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. 5 vite të shkuara do t’i largohej kësaj bote, ashtu befas, si një vezullim komete Atjon Zhiti, një djalosh që sapo e kishte kapërcyer adoleshencën, dhe ishte përplot me interesa, përplot letra të shkruara, përplot vizatime ndër dosje, përplot libra të nënvizuar e përplot projekte që shihnin larg… dhe iku shpejt si drita, iku larg si fryma duke lënë një dritë të bukur ndër ne, që mirësisë së tij nganjëherë ia kemi ledhatuar kaçurrelat!
    Këto bocete shkrimesh, janë dëshmi e atyre pak fjalëve që shkrova për kët engjull që na kqyr me dritë nga qiejt… po edhe përmes kësaj dhimbje të sinqertë për prindët e tij, miqtë e mi të dashur: Edën dhe Visarin… 27 dhjetor 2019

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.