back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Trazim shpirti dhe fjale para nisjes për Atdhe – nga Nikoleta Peppo Çabej

Gazeta

Nikoleta Peppo Çabej
Nikoleta Peppo Çabej

Trazim shpirti dhe fjale para nisjes për Atdhe

nga Nikoleta Peppo Çabej

Sa herë udhëtoj për në Europë më pushton një ndjenjë e veçantë. Jam përpjekur shumë herë që ta pershkruaj, po deri më sot nuk kam mundur.
Është një ndjenjë ngazëllimi, lumturije, mallëngjimi e kënaqësije që më pushton të gjithën e më bën që çdo gjë rreth meje të më duket më e bukur, më e mirë, më e ndriçuar. Kjo gjendje e veçantë më çfaqet gjithnjë 2-3 javë para se të nisem dhe reflektohet në të gjithë qenien time. Reflektohet në qendrimin tim, në mënyrën si flas e si sillem dhe nuk shpëton pa u vënë re nga njerëzit që më rrethojnë. Jam plot humor dhe shumë miqësore. Në çdo gjë shikoj vetëm pozitiven.
Nuk ankohem për ngarkesën e madhe punë-shtëpi, nuk ankohem për pregatitjet e nevojshme të udhëtimit, nuk ankohem për psonisjet dhe regullimin e shtëpisë. Jam e gatëshme për të kryer çdo gjë që më kërkohet pa asnjë ankesë, pa asnjë ngurim. Shpesh rrethi im familjar e shoqëror këtë gjëndje të veçantë lumturije, humori dhe ngazëllimi e përcaktojnë kështu:
“Është në formë dhe plot energji se do udhëtojë për në Europë.”
Është vërtet i çuditëshm fakti që në momentin e vendosjes së këmbës në avion më pushton një ndjenjë nostalgjije, mallëngjimi e padurimi . Më kumbojnë në veshë fjalët e Mirës:
“Kola do të vdesim pa hipur një herë në aeroplan!
Jo të fluturojmë, po të hipim, sa për qef, më thënë që hipëm një herë!” Duke kujtuar këtë thënie të shumë viteve më parë buzëqesh dhe për një moment “e humbas” e harroj që po hip në aeroplan për të fluturuar “pe vërteti, jo sa për qef”. Me duket sikur në këtë “humbje” dëgjoj zërin e babajt që më thotë: “Sa të hapen rrugët do të shkojmë në Paris e do ju tregoj mrekullitë e këtij qyteti magjik, këtij qyteti gri!”
Kujtimet e herëshme shtrohen këmbëkryq dhe bashkë me mua udhëtojnë mbi oqeanin Atllantik.
Gjithënjë, që kur kam qënë e vogël më kanë pëlqyer udhëtimet. Gjithnjë kam ëndërruar të fluturoj.
Më kujtohen udhëtimet e dikureshme Tiranë-Korçë-Boboshticë. Më kujtohet padurimi me të cilin prisja pushimet e verës. Më kujtohet lumturia që ndjeja kur takohesha me gjyshërit, tetot, xhaxhallaret, kushërinjtë, shoqet e shokët e verës, që me shumë mall e dashuri mezi na prisnin. E çuditëshme, po më janë fshirë nga kujtesa vështirësitë e këtyre udhëtimeve. Më kanë mbetur vetëm anët e bukura dhe kujtimet e shtrenjta.
I përjetoj këto ndjenja edhe sot pas kaq vitesh me të njejtën lumturi e kënaqesi tamam si atëhere. Shumë ujra kanë rrjedhur, shumë ndryshime kanë ndodhur dhe shumë njerez të shtrenjtë nuk janë më. Papritur buzëqesh e ndjej një mall të jashtëzakonshëm për të gjithë, për fëmijërinë e lodrat e asaj kohe, për gërshetat e dikurshme, të verdha me fjongo. Pa dashur ngre dorën për t’i prekur, për t’i rregulluar buklet dhe fjongot në fund! Sa më ka marrë malli për ato gërsheta, për baluket, për buklet, bile edhe për fjongot që i urreja shumë. Mamaja nuk bënte lëshim: “Të keqen mami duhet t’i vesh fjongot që të dukesh si çupkë e rregullt dhe e tapinosur.”.
Gjithnjë i bindesha pa bërë asnjë koment, pa e kundërshtuar, shpesh edhe kundër dëshirës sime.
Pa dashje, duke buzëqeshur pyeta vehten: “Po sot, fëmijët janë po aq të bindur sa ne dikur?”.
Sigurisht nuk mora pergjigje. Në të vërtetë as nuk prisja dhe as dëshëroja ndonjë përgjigje…
Në ekranin para sediljes sime po luhej nj3 film, “në qef të vet”. Unë e kisha zgjedhur pa i lexuar as titullin, ishte i pari që më doli. Tani po përpiqem të kujtoj ndonjë skenë a ndonjë personazh, ndonje gjë, çfarë do, po asgjë nuk ndizet në memorjen time, as titull, as aktorët, as përmbajtja, as ndonjë skenë, asgjë. Absolutisht asgjë!
Pa dashje m’u kujtua memorja e jashtëzakonëshme e babajt. Ai mbante mënd me një saktësi të jashtëzakonshme data, shifra, ngjarje që kishin ndodhur kohë më parë. Babait i pëlqente të na tregonte ndodhi që kishin të bënin me fëmijërinë apo rininë e tij. I pëlqente të na tregonte për familjen e tij të madhe (8 motra e vëllezër). Ne dëgjonim me ëndje dhe ishim gjithnjë të kënaqura të mësonim sa më shumë nga jeta e tij.
Kënaqësia më e madhe ishte kur na tregonte për bukuritë e Parisit.
Ai tregonte dhe unë përfytyroja vehten në të gjitha ambjentet që ai përshkruante. Gjithnjë krijoja në kokë ndodhi të ndryshme ku gërshetoja tregimet e babajt me librat që kisha lexuar nga autorë francezë.
Shpesh ëndërroja që një ditë do vizitoja Parisin dhe Kishën e Shën Mërisë. Më dukej sikur kisha qënë atje më parë.
Ëndërroja dhe shpresoja, gjithnjë shpresoja…
Udhëtimi i sivjetshëm ishte shumë i ndryshëm nga gjithë udhëtimet e tjera, ishte një udhëtim special: do shikoja, do prekja për herë të parë vogëlushen e porsa ardhur në jetë Aurèline.
Ndjehesha e lumtur dhe shumë e mallëngjyer.
Mendoja e përfytyroja shumë gjëra. Flisja, qeshja, këndoja me vehten time, këngë që i kisha harruar prej kohësh.
U çudita kur arritëm në aeroportin e ORLY-së në Paris. M’u duk sikur nuk kishim fluturuar fare.
Buzëqeshja duke vajtur për të kryer formalitetet dhe për të marrë valixhet.
Pa pritur dëgjoj një zë familjar që po më thërriste.
Kthej kokën e shikoj motrën dhe kunatin që po më përshëndesnin më dorë…
.

***

Kur pamë motrën me kunatin që po na përshëndesnin, ora lokale ishte 9:00 am. Pa dashje bëra korespondencën me orën që duhej të ishte në vendin nga isha nisur. Buzëqesha kur mendova se në të njejtën kohë, në dy vende të ndryshme, në njërin sapo kish filluar dita, në tjetrin ishte akoma natë!
Nuk kishim fjetur fare gjatë udhëtimit, po nuk ndjeheshim as të lodhur as të përgjumur. Më pëlqen që të ambjentohem me diferencën e orës që ditën e parë të mbritjes. Gjithnjë kam ndjesinë e zgjatjes të pushimeve e përfitimit të një dite. Ndjeheshim të çlodhur, plot energji e lumturi. Ishte një ditë e shkëlqyer plot diell, e freskët, e bukur pranvere…
Sipas traditës të krijuar prej vitesh,në çdo aeroport, tranzit a jo, kur udhëtojmë drejt Europës do të pimë nga një kafe ekspres. Gjithënjë mahnitemi me shijën e jashtëzakonëshme të saj dhe me shërbimin tradicional të kafesë me filxhanë dhe pjata të vogla porcelani. Gjithnjë do të bëhet i njejti koment dhe do tregohet e njejta histori, se si në një nga lokalet shumë të njohur e shumë popullore në Amerikë, ekspresi shërbehet me filxhanë letre, relativisht të mëdha. Kur kërkuam që të na shërbehej më filxhana porcelani, u çuditën dhe na e servirën përsëri në gota letre, po pak më të vogla. Për pjata as që mund të bëhet fjalë!
Duke buzëqeshur të katër u pamë sy më sy, të lumtur, të kënaqur. Na kish marrë malli për njëri tjetrin. Kishim shumë për të thënë, dhe pa dashje po lexonim mendimet e njeri-tjetrit. Ky udhëtim, këto pushime ishin vetëm për Aurèline. Pavarësisht nga fotografitë që më kishin dërguar, unë e kisha krijuar portretin e saj e
përfytyrimi shkonte shumë larg… kapërxente shumë vite… dhe ndjeja mrekullinë, madhështinë, dashurinë e vazhdimësisë së jetës.
Jeta është e bukur në të gjitha format që vjen dhe të papriturat që sjell. Akoma më e bukur, më madhështore, më magjepëse, më hyjnore bëhet kur shikon që familja rinohet, ripërtëritet, shtohet me gjak të ri. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme që të pushton të tërë dhe ti çuditesh se nga të vjen dashuria, lumturia, optimizmi dhe falenderimi i madh për natyrën dhe mrekullinë magjepëse të trashëgimisë!
Kur e preka, kur e mora në krahë, kur e puthi në kokë Aurèline m’u duk sikur u ndriçua qielli, m’u duk sikur shtojzovallet, sirenat, magjistaret e mira ishin atje dhe mrekullia kish ndodhur.
Fillova t’i këndoj këngë zemre me fjalë shpirti dhe në çdo rresht përmendja emrin e saj në shumë trajta të ndryshme përgëdhelëse e zvogëluese. Një herë e thërisja Aurelinkë, pastaj Linkë, Aurelinushkë, perendeshkë, dashuri, lumturi, shpirtushkë, përsëri Aurelinkë e Arjetushkë e plot emra të tjerë.
Gjyshja e saj po e ndiqte me vëmendje të madhe këngën time dhe nuk kupton asnjë fjalë, me përjashtim të emrit origjinal “Aurèline”, të thënë në shumë mënyra prej meje. Çuditej nga mënyra si tingëllonin këto emra në këngën time. Ime motër, ashtu si edhe unë, e vuri re çuditjen e saj dhe menjëherë, pa e zgjatur ja shpjegoi kuptimin e të gjitha emrave përgëdhelës që përdorja për vogëlushen. I tha gjithashtu që në vendin tonë fëmijët duhen dhe përgëdhelen shumë.
Duke e mbajtur në krahë e duke i kënduar këngë e vjersha në shqip, pa dashje, m’u kujtua vjersha e famëshme e Viktorit Hygoit për fëmijën e porsa lindur:
“Është kaq i bukur fëmija me buzëqeshjen e tij të ëmbël
Më çiltërsinë e më zërin e tij domethënës.
Me të qarat që i qetësohen shumë shpejt.
Duke hedhur gjithandej vështrimin e tij të çuditur e të kënaqur
Duke i ofruar plotësisht shpirtin e tij të ri jetës
Dhe gojën e tij puthjeve të ëmbla, të lumtura…”
E putha foshnjën me një dashuri të madhe në ballë dhe recitova me zë të lartë dy rreshta, vetëm dy rreshta me 7-të fjalë dhe dy nyje, nga një poezi brilate e Lasgushit:
-Qofsh gjithë jetën Aurelinkë e shtrenjtë, e vyer, e dashur, e nevojshme, e dashuruar e respektuar. Qofsh për gjithë jetën” e veshur me Diell dhe e mbathur me Hënë!”
U ktheva nga ime motër dhe me një farë ngazëllimi i thashë:
“Ti e di që unë jam e dashuruar me çdo gjë që ka shkrojtur Viktor Hygoi. Ti e di sa shumë e adhuroj.
Ti e di që vazhdoj t’i mbaj përmend shumë nga veprat e tij. Besoj se nuk është e nevojshme të ti them këto, po a mund të krahasohet poezija e Viktorit për foshnjat, që pa dyshim është madhështore, me këto dy rreshta të Lasgushit? Të lutem përktheja këto “gjyshes franceze”, sa më bukur që të kesh mundësi.”
Ajo më pa dhe disi e menduar më tha: “Lasgushi është hyjnor, jashtë tokësor!!”
M’u duk sikur edhe Aurèline aprovoi mendimin e saj.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.