back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Tre fragmente nga Jeta dhe vdekja e gjeneralit Halim Xhelo

Gazeta

Gjen. Kol. Halim Xhelo
Gjen. Kol. Halim Xhelo

Nga libri “860 ditë lufte” – nga Halim Xhelo

Botimi “Dega e Historisë Ushtarake e MMP”, Tiranë 1960

.

Po citojmë disa pjesë që flet dhe për Zagorien…
 
17 dhjetor  – Picar-Palokastër-Labovë…
“Kam dhimbje të tmerrshme te dhemballave. Sot te një njeri që kish një darë të ndryshkur hoqa dy dhëmballë dhe dhimbjet pushuan. Drekën na e grumbulloi këshilli. Bukë e qepë po nga që kishim shumë uri na u duk si mish i pjekur…
 
18-19 dhjetor –  Labovë-Topovë-Nivan
Mbrëmë harritëm në Topovë dhe këshilli na shpërndau për të ngrënë darkë e për të fjetur nëpër baza.
Kur vajtëm në shtëpinë që na caktuan, i zoti nuk deshi të hapte derën.
-Ç’doni? – bërtiti nga brenda.
I thamë ç’kërkonin. Ai shkoi në një dhomë tjetër, foli me të shoqen dhe pas pak u kthye me të. Dera kërciti.
Na dolli përpara një burrë i gjatë, më fytyrë të ngjallur, me një qafë të trashë si të kaut, me bark të madh e të rrumbullakët sa një fuçi, me ca sy mu si të dreqit vetë. Mbante në dorë një petromaks që ndriçonte tërë oborrin.
Pranoi të na futë brenda në një hajat të vjetër, bile na solli edhe ca kashtë e bar të thatë si miq që i erdhëm. Gjynah të ankohemi. Na solli ca bukë e patate të ziera me kripë.
Pyeta antarin e këshillit që na shpërndau:
-Ç’është ky njeri?
-Ah! – me tha ai – ta dish ti se ç’është ky plendës i pa larë! Rrjedh nga një origjinë pak a shumë e pasur!
-E mesme, – i thashë unë.
-Epo ashtu mund ta quajmë, – tha ai, – Ka qenë 12 vjet në Amerikë dhe pesë vjet në Greqi. Atje vuri shumë pasuri se i vdiq një kushëri i parë që ish njeri pa njeri dhe ja la këtij edhe pasurinë e tij. Menjëherë e ndërpreu tregimin.
-Si the, – u kujtua antari i këshillit – i mesëm? Jo or derëzi! Ai është më i pasuri i Zagorisë tani. E ku e lamë llafin, – vazhdoi -Hë, po. Në Greqi zuri miqësi me personalitete sidomos me Kotokon e të tjerë. Atje ka hotel, restaurant etj. Ka dhe shumë para, po… Oh po iki se më thërret kryetari i këshillit! Natën e mirë!
Vendosa ta njoh më afër këtë buall, prandaj i trokita në derë me preteks se desha ca ujë.
-Hajde brenda, – me tha – se po bie shi!
Ishte vetë i treti. Kishte një grua trashamane, me surrat të vrarëlie, dukej nazelie e shumë e mërzitshme. Kishte dhe një djalë që siç dukej ishte çun tigani i llastuar, një budalla që do të kishte shok vetëm vehten. Që në të parë, i zoti i shtëpisë nuk të bënte përshtypje të mirë. Flokët e tij të thinjura e të qethura si furçë ngriheshin si gjëmba mbi atë ballin e tij si bostan. Buzët e tij të holla lëviznin pa pushim dhe nënqeshnin me dhelpëri. Pasi biseduam ndonjë gjysëm ore më tha:
-Unë erdha të marr gruan e djalin dhe do të shkoj në Greqi. Lufta që bëni ju nuk me intereson mua.
-Si urdhëron, – i thashë, -Për ju s’ka rëndësi liria! Për ju kanë rëndësi vetëm paratë.
-Po, ashtu është, – tha pa pikë turpi. – Më falni, do bie të fle se vajti vonë.
-Flij, fleç të madhen!Vetëm populli i thjeshtë do të zgjuajë.
 
20dhjetor – Sheper-Poliçan
Sot në mëngjez u nisëm nga Sheperi për në Poliçan, ku do të bëjmë organizimin përfundimtar dhe nisjen për në veri.
(faqe 147-148).
Këto janë faqe nga Ditar i mbajtur nga Gjeneral-Major Halim Xhelo,
që me sa di me vonë e pësoi si shumë “armiq të partisë”, dikur ushtarë të bindur të saj…
.

Jup Kazazi - Viktimë e Terrorit Komunist
Viktimë e Terrorit Komunist

Halim Xhelo: Enver, njerëzit po mbushen me urrejtje

Letra anonime që Xhelo i dërgonte Enver Hoxhës viti 1966

“Ushtarakët i trajton si qeni dhe do të japin kokën për ju”
“Populli është i pakënaqur dhe po mbushet përditë me urrejtje. Përse të rrezikojmë për një parti që nuk mendon fare për njerëzit, por u ka vënë litarin për fyti?”.
Plot 22 vite pas ardhjes në pushtet, Enver Hoxha merrte për herë të parë një letër proteste me akuza të rënda, shkruar nga njëri prej të besuarve të sistemit, që preferonte të mbetej anonim. Nisur nga pakënaqësitë për heqjen e gradave në Ushtri, gjeneral Xhelo, autori i saj, sillte një panoramë të trishtuar të gjendjes në vend, jo nga pozitat e armikut të klasës, siç shprehej ai, por nga njerëzit e pushtetit, që deri dje luftuan e menduan se të tillë do të ishin deri në fund. Më poshtë botojmë të plotë tekstin e letrës që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit…
 
I dashur shoku Enver,
Jemi një grup komunistësh ushtarakë e civilë, që kemi luftuar, që e duam partinë, pushtetin e popullin tonë, por duke parë se këto po rrezikohen, vendosëm t’ju shkruajmë juve që të vini dorë para se të jetë bërë vonë. Ju keni vendosur që të bëni një mori reformash: si uljen e rrogave, dërgimin e kuadrove në kazmë, heqjen e gradave, veshjen me uniformë kineze etj., etj. Fshatarësisë po i rrëmbehet gjithçka dhe janë katandisur në pikë të hallit për bukën e gojës. Punëtorët duhet të punojnë prej mëngjesit deri në mbrëmje për të realizuar normat e larta. Shkurt, të gjitha shtresave të popullsisë po u shtrëngohet litari për fyti. Përse të gjitha këto mbas 22 vjetësh çlirim? Tani të gjithë mendojnë për të ardhmen, ç’do të bëhet? Asnjeri nuk e ka të nesërmen të sigurt. Armiqtë na rrethojnë, por me këtë valë pakënaqësie që ka përfshirë të gjithë popullsinë, vështirë të mbrohet pushteti. Përse të rrezikojmë për një pushtet e parti që nuk mendon fare për ne. Juve keni vënë triskëtimin e heshtur. Buka, vaji, makaronat, djathi etj., jepen vetëm në bazë të regjistrit. Por, mos harroni se të pakënaqurit nuk janë më armiqtë e klasave, por neve njerëzit e pushtetit, ne që deri dje luftuam e sakrifikuam dhe që mendonim se të tillë do të ishim deri në fund. Po jini kaq të ndërgjegjshëm për kursimet në interes të popullit, jepni ju të parët shembullin tuaj personal në çdo gjë, duke filluar nga vetja juaj. Lini makinat e shumta luksoze, vilat e rehatshme të ngritura në çdo qytet për ju, paguani vetë qiratë, ngrohjen, ushqimet, ujin, dritën, hiqni rojet e shumta në Tiranën e Re dhe do të shihni vështirësitë e mëdha të jetës. Hiqni më parë gratë dhe të afërmit tuaj nga përgjegjësitë e mëdha, të venë të parët në prodhim dhe aty do të shihni valën e pakënaqësisë që ekziston. Dilni ju, gratë tuaja dhe fëmijët tuaj në gjimnastikën e mëngjesit, vraponi rrugëve të Tiranës dhe pastaj pas jush do vrapojmë edhe ne. Kështu jepet shembulli i mirë personal. Mandej shkoni në fshatra pa i lajmëruar që t’u presin dhe do të shihni ku është katandisur fshatari jonë, sa keq jeton populli dhe oficeri që do të mbrojë Republikën. Jo me konferenca, por në doni opinionin e vërtetë të masës, i vini në votim të fshehtë këto reforma në Ushtri e në popull dhe pikërisht këtu do të merrni atë që mendojnë njerëzit, mbështetjen që trumbetoni ju. Në konferenca të hapura, njerëzit nuk mund të thonë lirisht ato që mendojnë, sepse s’duan të venë në burg apo në kampet e internimit. Rëndësi ka ajo që njerëzit gjithandej flasin dhe preokupohen se ç’do të ndodhë nesër me neve. Njerëzit po mbushen me urrejtje dhe çdo durim ka një kufi. Fëmijët tanë s’duan të jetojnë e të rriten me komoditetet e fëmijëve tuaj, por me ato të një kërkese të domosdoshme.
Ushtarakët mendojnë: Pse nesër të rrinë ushtarakë? Apo për një trajtim si të qenit? Dhe nesër të japin kokën të parët. Pse kjo? Paskan të drejtë të gjithë ata që na akuzojnë për dogmatizëm. Ishin jugosllavët e ne bënim si donin ata, erdhën sovjetikët e ne bënim si urdhëronin ata, erdhën kinezët dhe ne o burra të bëhemi aziatikë. Kinezët vunë punën fizike dhe neve menjëherë, kinezët bëjnë gjimnastikë rrugëve, të bëjmë edhe neve! Kinezët heqin gradat, o burra t’i heqim edhe neve! Po të hanë kinezët…, patjetër do hamë edhe neve… Këto janë kulmi i servilizmit, kopjimeve dhe varrim i çdo gjëje nacionale, i çdo gjëje kombëtare. Ne po humbasim çdo gjë, çdo krenari si popull e si komb. Këto nuk ju thuhen juve haptas, por të gjithë i bisedojnë midis shokësh të vërtetë ku kanë besim. Vetëm ju, shokët e udhëheqjes duhet t’i mendoni thellë këto çështje dhe mos lejoni që të rrezikohen fitoret tona. Këto hapa të pamatura sot, ndoshta nesër do të jenë të pandreqshme. Vini dorë sa nuk është vonë. Mos i nënvleftësoni këto mendime që jua thonë shokët tuaj. Këto qarkullojnë në masën më të madhe të komunistëve dhe veçanërisht të kuadrove. Po të reagoni drejt, ne kurrë nuk do të mendojmë se “ja, u tërhoqën nga presioni”, por do themi udhëheqja dëgjoi zërin e masës. S’ka çudi të qeshni me këto mendime. Një ditë do na jepni të drejtë!
Me nderime dhe respekt!
Një grup kuadrosh ushtarakë e civilë.
Afrim Imaj
.

Këtu po vdes e çmendem dita-ditës:

Halim Xhelo, nga burgu i Burrelit:

Letra e panjohur që gjenerali i shkruante KQ në prill 1966

Ky është dënim me vdekje, por i papushkatuar, i zgjedhur posaçërisht për mua. Një çmenduri më vete”. Halim Xhelo me bashkëshorten dhe fëmijët, në kohën kur mbante gradën e gjeneralit dhe kryente detyrën e drejtorit të Sigurimit të Ushtrisë.
I njohur për letrën e famshme kundër heqjes së gradave, Halim Xhelo, gjenerali që protestoi tek Enver Hoxha, duke ruajtur anonimatin, pak muaj më vonë i ka adresuar këtij të fundit dhe një të dytë, por këtë radhë me identitet të plotë dhe në kushte krejt të tjera.
“Këtu është ferri vetë”, “Mynxyrë që përpin jetën çdo minutë”, “Po vdes dhe çmendem dita-ditës”. E dominuar fund e krye nga përcaktime të tilla, letra që Halim Xhelo i shkruante liderëve të Komitetit Qendror, në prill të vitit 1966, nga Burgu i Burrelit, është nga ato dëshmi autentike që provon në mënyrë të pakontestueshme represionin çnjerëzor në ferrin e burgjeve të diktaturës. I sjellë aty tri ditë pas gjyqit nga spitali ku kurohej për krizat e ulçerës, gjenerali i dënuar apelon pranë udhëheqjes që të vërë “dorën në zemër” se është në gjendje kritike. “Këtu gjendem i vetëm, pa shpresë, shkruan Xhelo, i izoluar mes armiqsh, i terrorizuar nga krizat e padurueshme, dhimbjet e plagëve të luftës, tronditjet e tmerrshme nervore; i dënuar me vdekje, por i papushkatuar, zgjedhur posaçërisht për mua.” Për ta bërë më bindës argumentin, ish-funksionari i regjimit, i dënuar në mesin e vitit 1966 për veprimtari armiqësore antiparti, sjell në vëmendjen e ish-kolegëve të dikurshëm, rrethanat çnjerëzore që ia kanë bërë jetën të padurueshme. Në fakt, Xhelo edhe para se të dënohej, ka qenë një i sëmurë kronik, i njohur e i kartelizuar si i tillë nga institucionet shëndetësore të kohës. Shëndeti i tij, qysh nga vitet e luftës, pavarësisht mjekimit të specializuar, ka ardhur duke u përkeqësuar. Në kushtet e burgut, ca më tepër atij të Burrelit, jeta e gjeneralit kërcënohej nga çasti në çast. Jo rastësisht apeli i Xhelos u adresohet tre ish-bashkëluftëtarëve, Hysni Kapos, Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut, asokohe tre nga liderët më të rëndësishëm të regjimit, për të përfituar sadopak nga lidhjet dhe njohjet e dikurshme. Njëherazi me thirrjen njerëzore, gjenerali i kryqëzuar nuk harron t’u kujtojë miqve të tij të armës edhe një fakt intrigues, që lidhet me të kaluarën e lavdishme. “Jeta ime këtu, – shkruan Xhelo, – s’kërcënohet vetëm nga sëmundja, por edhe nga prania e armiqve, agjentë të jugosllavit, grekut, amerikanit dhe reaksionit, që i kam arrestuar me dorën time dhe u kam pushkatuar të afërmit”. Pavarësisht këtyre sensibiliteteve, nga krahu tjetër nuk pati përgjigje (s’kishte si të ndodhte ndryshe) dhe letra përfundoi si gjithë simotrat e saj në kasafortat e Sigurimit. Sakaq, jeta e gjeneralit mori tatëpjetën, sikundër ai kishte paralajmëruar aq sa një ditë e gjetën të vetëflijuar në qelitë e burgut. Po çfarë shkruan tjetër Xhelo në letrën drejtuar Komitetit Qendror, më 7 prill të vitit 1966.
Bashkë me të “Panorama” publikon sot edhe letrën anonime që ish-funksionari i lartë i Sigurimit, i kishte shkruar pak muaj më parë kreut të regjimit…
Faksimile e letrës që Halim Xhelo i shkruante nga burgu i Burrelit Mehmet Shehut, Hysni Kapos dhe Kadri Hazbiut nëpërmjet të cilës i kërkonte transferimin e tij nga ky kamp në një tjetër me kushte më të mira dhe më afër familjes
.

Dokumenti: Letër e gjeneral Halim Xhelos

Komitetit Qendror të Partisë

Sh. Mehmet Shehu, sh. Hysni Kapo, sh. Kadri Hazbiu

Më falni për shqetësimin, por duke parë fundin e jetës time në Burgun e Burrelit, po ju drejtohem me thirrjen për shpëtimin e jetës. Nuk dua të justifikohem për fajet e mia dhe dënimin që m’u dha me të drejtë. I ndiej ato thellësisht dhe mendoja e shpresoja se do më jepeshin mundësitë që me punën dhe gjakun tim t’ia laja në të ardhmen Partisë.
Ndonëse gjyqi im u bë me dyer të mbyllura, por me pretencën e prokurorit, mbrojtjen dhe dhënien e vendimit të gjyqit që u bënë me dyer të hapura, asistuan shumë njerëz, të cilët mësuan dy fajet për të cilat u dënova, si dhe angazhimin tim për të ardhshmen.
Por, ditën e tretë të dënimit, në kulmin e krizave të ulcerës, u mora nga spitali dhe më prunë në Burgun e Burrelit. Për mua, kjo do të thotë se: Partia, pushteti me të cilët kam luftuar e punuar po më braktisin plotësisht, duke më hedhur në kampin e armiqve dhe duke më ndarë me familjen.
Këtu gjendem i vetëm në këtë botë, i izoluar në një dhomë midis tetë armiqve të Malësisë së Shkodrës, duke urinuar gjatë gjithë kohës nga kulmi i krizave të padurueshme të ulcerës, dhimbjeve të plagëve të luftës, krizave të tmerrshme nervore. Jetoj vetëm me një lëng barishtesh larg familjes dhe mundësive për të më ardhur sadopak në ndihmë etj., e tjera vështirësi, të cilat nuk i kapërcej dot. Në këto kondita shpejt po mbaron jeta ime. Ky është dënim me vdekje, por i papushkatuar, i zgjedhur posaçërisht për mua.
Siç e shihni shumë ashpër po dënohem, kurse unë mendoj se nuk e meritoj një dënim të tillë.
Jugosllavëve, grekut, amerikanëve, revizionistëve modernë e reaksionit të brendshëm, u kam arrestuar me qindra njerëz të tyre dhe me dhjetëra nga ata i kam pushkatuar me dorën time, kështu që kam qenë dhe mbetem armik i betuar i tyre. Pavarësisht nga fajet që kam bërë, unë i përkas vetëm Partisë e pushtetit dhe po jetova, koha do ta provojë. Në këto kondita mendoj që Partia e pushteti nuk duhet të më braktisin plotësisht sepse jam gjaku e mishi i tyre, prandaj dhe ato duhet të më marrin nën mbrojtjen e tyre, ashtu siç më morën atëherë kur isha fëmijë.
Për hir të luftës, punës e sakrificave të mia 25-vjeçare, për hir të gruas e tre kalamajve të mi, në emër të çështjes tonë të madhe, ju bie në gjunjë dhe ju lutem mos më lini të vdes ose të çmendem midis kriminelëve, por ndërhyni urgjentisht të më transferoni në artizanat, në kampin ose burgun e Tiranës, ku mund të mjekohem, aty jam afër kirurgjisë, mund të shoh gruan e kalamajtë, mund të ndihmohem sadopak prej tyre dhe do jetoj me ambientin e shpresës për jetën. Edhe kur isha i lirë, mjekët më kanë dhënë raporte që të qëndroja afër spitaleve kirurgjikale, raporte të cilat ndodhen në Drejtorinë e Kuadrit të Ministrisë së Brendshme. Prandaj është e drejtë humanitare që të më plotësohet kjo kërkesë, e cila u është plotësuar edhe kriminelëve që kanë kryer krime me pasoja të rënda për pushtetin. Në qoftë se kjo kërkesë e imja për jetën do të më refuzohet dhe vdekja ose çmendimi im i intereson Partisë, atëherë me anën e kësaj letre uroj: Të rrojë Partia, pushteti dhe shoku Enver!
Duke përfunduar në këto çaste kritike të jetës sime, ju bie në gjunjë si fëmija fajtor para nënës së tij, duke ju kërkuar ndihmën që më premtuat nëpërmjet gjeneral Kadri (Hazbiut -shënim i red.) që të më shpëtoni jetën, e cila do të më ngjallë shpresat e së ardhmes që unë ta filloj dhe një herë jetën nga e para në interes të Partisë, pushtetit dhe popullit tim.
Një kërkesë të tillë po ia drejtoj edhe shokut Mehmet dhe shokut Kadri.
Ju lutem ndërhyni urgjentisht se po mbaroj.
Jam vetëm në pritje nga minuti në minutë.
Me nderime dhe respekt të veçantë
Halim Xhelo – Reparti 321 Burrel
7 prill 1966
.
Panorama 23 qershor 2015
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.