back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Tre Poezi – Tre Poetë – nën leximet e Emrije Krosit

Gazeta

Gaspër Pali - (1916 -1942)
Gaspër Pali – (1916 -1942)

Elemente hermetike në poezinë e Gaspër Palit

nga Emrije Krosi

Në hullinë e poezisë moderne shqipe të viteve ’30-të, bën pjesë edhe poezia e poetit shkodran Gaspër K. Pali, i ndikuar edhe nga poezia europiane. I rritur në traditën e poezisë klasike shkodrane, ai shpërfaqi një poezi krejt ndryshe, nga ajo romantike apo sentimentale të kohës. Realizmi i tij shkoj më përtej me krahje dhe tendenca hermetike (Ashta: 1942), të vërejtura nga studiuesi Kol Ashta, që në botimin e parë të tij tek “Koha”, revistë që botohej në Romë. Shfaqja e një letërsie realiste përmes formave të reja gjuhësore, që mbizotëroj poezinë e autorëve të brezit ’20-’30 (Kullolli: 2015: 102), ishte një shmangie e qëllimshme nga vargu klasik, me figura si në aspektin përmbajtësor ashtu edhe me elemente shenjuese gjuhësore të modernitetit. Afria me simbolizmin dhe surrealizmin, me prirje drejt hermetizmit (Jorgaqi: 2002: 7), e la atë “poet” ne hije edhe në kohën e tij. Një poet i pluhurosur prej kaq vitesh, “ndez” shkëndijat e një debati letrar mes kritikës dhe lexuesit bashkëkohor, se si mund të receptohet një poet pas afro shtatë dekadash, që vdekja e mori në moshë të re, duke lënë të vetmin trashëgim të shkrimtarisë së tij poetike, vëllimin poetik: “Hyjt mbi greminë” (Pali: 1955), nga është shkëputur edhe poezia.

Mbi buzë kang’t pada m’buçisin,
n’sa gjamë luftar’sh s’paguem
n’ajri plot flakë gjimojnë.
E zajet që m’lamije t’vdek’s
ushtojnë vërshojnë në dhomën time,
ku bulojnë nji mbas nji njimij’ andrrime.
E britma t’ndryshme m’lindin n’dhomë meiherë
e ftyra t’ndryshme m’lindin n’dhomë meiherë,
fytyra t’murrme, zaje që kërcnojnë.
Hijet m’murmurojnë:
“Ende vallet s’t’janë shuem?
O, si t’kndon zemra, – m’pyesin njizani –
n’sa botë s’ndihet veç vajë,
e nga gjoksat tonë, gjaku derdhet rrkajë?”
E trandet shpirti e m’zhduken kang’t nga buza
m’duket se krejt jeta nisë me u rrënue,
njashtu si tërmeti
muret e vjetra, shkojnë tue u shkatrrue.
Por nër buzë t’mija prap nji fjal u ngjall:
“O m’leni hije – gjegja me i gjysë zani –
m’leni t’vijoj me mall,
pse kam humbë n’shoje udhën e vërtetë.
Un s’daj shtigjet, që rraha gjithherë,
s’shoh ma qiellën, që ndritte ma parë.
Gjithçka ka ndrrue:
Mbi botë thellimi ka bulue.
Prandej me kangë dëshiroj me shërue varrët.
Kanga m’ngjallë rininë,
pse vargjet lenojn dhimat,
kah shndrisin shpirtin, si hyjt mbi greminë…”
“Hyjt mbi greminë”

Qasja ndaj poezisë së tij, që në fillesa ose përmes vargut: ushtojnë vërshojnë në dhomën time,/ ku bulojnë nji mbas nji njimij’ andrrime, duket si një poezi meditative, që brenda dhomës, duke kundruar një botë prej së mbrendëshmi, (d.m.th. raporti me vetveten dhe personalen): mbi buzë kang’t pada m’buçisin,/ n’sa gjamë luftar’sh s’paguem/ n’ajri plot flakë gjimojnë./ E zajet që m’lamije t’vdek’sushtojnë vërshojnë në dhomën time,/ ku bulojnë nji mbas nji njimij’ andrrime./ E britma t’ndryshme m’lindin n’dhomë meiherë/ e ftyra t’ndryshme m’lindin n’dhomë meiherë,/ fytyra t’murrme, zaje që kërcnojnë./Hijet m’murmurojnë:/ “Ende vallet s’t’janë shuem? Raporti që krijon poeti me veten dhe vetminë e dhomës, nuk ka dëshirë që të komunikojë me të tjerët, për gjendjen shpirtërore apo dhimbjen poetike (sintagma të romantizmit/ekzistencializmit), duke “ndrydhur” unin poetik përmes trishtimit, dëshpërimit, pesimizmit, janë poetika mbisunduese me elemente simbolike të dukshme të poetit. Kjo shfaqje e modernitetit në vijim të modernitet apo të problemeve metafizike, që i karakterizojnë shumë poetë europianë të sodshëm (Draçini: 1995: 77). Ashtu si Migjeni edhe Pali, shpërfaqeshin përmes shkollës simboliste, përmes kultivimit të një forme të re të shprehjes poetike, përmes përpunimit të fjalës si rinovues radikalë të formës (Osja: 2004:115). Konceptimi i poezisë si sistem imazhesh, solli një risi ndër tiparet e lirikës së atyre viteve:
-në përdorimin e fjalëve të reja konotative,
-përmes ngarkesës së lartë të një ligjërim të ri poetik,
-me elemente dhe mesazhe të simbolizmit, si përqafësues të avangardës, do të thotë të krijosh vepra që refuzojnë standartet e pranuara nga shumica. (Porter: 2002: 117) Vargjet: e trandet shpirti e m’zhduken kang’t nga buza/ m’duket se krejt jeta nisë me u rrënue,/njashtu si tërmeti/muret e vjetra, shkojnë tue u shkatrrue, klithma për shkatërimin e mureve të vjetra, edhe pse herë-herë shfaqet ndonjë “pasiguri romatike”, tek përsëritja e vargjeve: e britma t’ndryshme m’lindin n’dhomë meiherë/ e ftyra t’ndryshme m’lindin n’dhomë meiherë, krijojnë një imazh tingëllimash përmes përsëritjes por edhe epiforat/aliteracionet/asonancat/kosonancat etj., imazhi i dhimbjes së njeriut dhe ekzistenca e tij përmes vargjeve: un s’daj shtigjet, që rraha gjithherë,/s’shoh ma qiellën, që ndritte ma parë./Gjithçka ka ndrrue:/Mbi botë thellimi ka bulue./Prandej me kangë dëshiroj me shërue varrët./Kanga m’ngjallë rininë,/pse vargjet lenojn dhimat,/kah shndrisin shpirtin, si hyjt mbi greminë, imazhet që janë sa mbresëlënëse impresioniste aq edhe provokuese. Vetë fjalët dhe imazhet, që përfaqësojnë një fragment, ose një fotografim, të përvojave dhe të vërtetave të jetuara të poetit, që pranon edhe realitetin e vuajtjeve të njeriut, si i vetmi qëllim real i poezisë: tërheqja e vëmendjes për zymtësinë e pamohueshme të jetës, poezia hermetike e pranishme në lëvizjet e saj tek poezia italiane (si simbolika, ritmi dhe struktura), si një cilësi impresioniste në këto imazhe; ndjenjat që ngjallin janë të menjëhershme, dhe lehtë për t’u kuptuar, edhe nëse kuptimi më i thellë është ende i vështirë për t’u kuptuar, përmes perceptimeve të konceptuara të botës (Dombroski: 1996: 506). Koncepti i “vuajtjes së jetës”, rrotullohet rreth konceptit se njeriu është vetëm dhe se bota është e kotë dhe e pakuptimtë. Asgjë nuk është e sigurt nga këtë realitet të ashpër; është e pranishme kudo dhe në çdo gjë, dhe nuk ka shmangie apo duke e kapërcyer atë, as përmes poezisë.

Gaspër Pali - "Hyjt mbi Greminë"
Gaspër Pali – “Hyjt mbi Greminë”

Bibliografia

1.Dombroski, Robert. (1996): “Poetry and the avant-garde.” The Cambridge History of Italian Literature, edited by Peter Brand and Lino Pertile, Cambridge University Press.
2.Draçini, Qemal. (1995): Poezia e Gaspër Palit, (përmbledhur në librin Era), Shkodër.
3.Jorgaqi, Nasho. (2002): Pionier i poezisë moderne shqiptare, Gaspër Pali. (Bisedë me vetvedin. Poezi, kallzime, artikuj kritikë). Tiranë.
4. “Koha”, nr. 20, Romë. 08. 10. 1942.
5.Kullolli, Klodiana. (2015): Poezia lirike shqipe midis dy luftrave (1914-1944), dukuri dhe individualitete në lirikën shqipe të gjysmës së parë të shek. XX., për mbrojtjen e gradës: “Doktor i Shkencave Letrare”) Tiranë
6.Osja, Vjollca. (2004): Probleme të avanguardës dhe G.Pali si artist avanguardist, në Fenomeni i avanguardës në letërsinë Shqiptare, Tiranë
7.Pali, K. Gaspër. (1955): Hyjt mbi greminë, “Naim Frashëri”, Tiranë.
8.Porter, Peter. (2002): The Avant-Garde in Poetry, Enciklopedia Encarta.

Nexhat Hakiu (1917-1978)
Nexhat Hakiu (1917-1978)

Vokacioni i lirikës erotike, në poezinë e Nexhat Hakiut

nga Emrije Krosi

Në korpusin e letrave shqipe të viteve ’30-të, shumë poetë dolën nga rrjeshti, ose më mirë nga tradita poetike përmes drejtimeve dhe rrymave letrare, që i dhanë lirikës sonë larmi, brenda një periudhe të ngushtë kohore. Kjo lirikë, kapërceu modelin e njëtrajshëm të romantizmit, veçanërisht për botën e brendshme të heroit lirik, i cili shfaqet me zërin e tij individual e të dallueshëm. Në frymën e poetikës së re realiste të viteve ’30-të, dominante ishte edhe lirika erotike, që prek të tjera dimensione (Tufa: 212). Një poeti i veçantë, që kishte vokacion të tij kryesor ndjenjën dhe dashurinë, përmes ndërthurjes së lirikës së dashurisë me lirikën e natyrës, ishte edhe Nexhat Hakiu. Me një “portret” krejt origjinal, ai i këndoi dashurisë dhe njeriut të thjeshtë, në mjediset fshatare, me protagonist të këtyre mjediseve, (bareshën/ bariun/ vajzën fshatare), përmes përshkrimit të një lirike rustike, në atë kontekst erotika e tij është një erotikë e ëmbël, e ngrohtë me thjeshtësi, sensualitet dhe me ndjeshmëri të lartë emocionale (Hakiu: 1939).

Prapa drrasash ther e kalbur, gojën pash të përgjëruar
Kur po çelte e zilepsur afshe gazi mirësie,
U thethiva i mahnitur se në buzn’ e ngashëruar
-M’u duk zemra – kur më fale një përshtypje miqësie.

Në të çarat, nëpër vrymat t’asaj portës mykur tënde,
Pash dy syt’ e tu që nxinin të groposur, të brengosur.
Dhe me zi pash këmb’t e zbathur që po shkelnin n’ato vende,
Ku, mes drrasash thyer e kalbur, po më fshihe e rreckosur…

Mos vallë turp ka dashuria që soditë fshehtësinë,
Apo druhe se je veshur me një zhele të arnosur?
Hape portën, vajz’e vrerit, nuk përbuz varfërinë,
M’a do xhani pranë teje që çdo breng’ të ketë sosur.
(Madrigal)

Vendosja e fabulës në mjediset dhe natyrën e Labërisë, por edhe mbi poezinë popullore labe, me zërin e tij origjinal i dha zëshmëri edhe natyrës së bukur të fshatit shqiptar, asaj të Labërisë, njeriut të thjeshtë dhe atij mjedisi me zakonet dhe traditën e zonës (Suta: 2004). Shqetësimet e përditshmërisë skaliten si imazhe të gjalla në lirikën e tij përmes vargjeve: prapa drrasash ther e kalbur, gojën pash të përgjëruar/ Kur po çelte e zilepsur afshe gazi mirësie,/ U thethiva i mahnitur se në buzn’ e ngashëruar/ -M’u duk zemra – kur më fale një përshtypje miqësie, poeti ka rimuar përmes vargimit ab/ab, ndjenjat e sinqerta pas një muri prej dërrasash. Një tipar modern i erotikës është:

-optimizmi dhe mbizotërimi i ndjenjës së gëzimit,
-malli dhe nostalgji për kohën e shkuar,
-një ndiesi e lehtë trishtimi.

Poeti nuk bie në pesimizëm apo dëshpërim, si tipar i poezisë së kohës, (dëshpërimi ekzistencial), në formën e argumentit poetik dhe jo kontekstit shoqëror. Forma poetike, përtej të gjitha pyetjeve e skemave, modeleve, formave, rimave të poezisë, nuk krijon një hapsisë të bezdishme pasioni: në të çarat, nëpër vrymat t’asaj portës mykur tënde,/ Pash dy syt’ e tu që nxinin të groposur, të brengosur./ Dhe me zi pash këmb’t e zbathur që po shkelnin n’ato vende,/ Ku, mes drrasash thyer e kalbur, po më fshihe e rreckosur..., sepse nuk “shqetësohet” për varfërinë e vajzës, por për sytë e saj që nxinin (të zinj). Në trajtën e “dashurisë së fshehtë” përmes marrdhënies së saj, erotika në këndvështrimin e poezisë, nuk e ka të natyrshme ritualin shoqëror fallik të vetëkënaqësisë së femrës. Poeti vdes në moshë të re, por që duke u djegur vetë, u fali të tjerëve u fali dritë dhe jetë (Shtëmbari: 2002: 134). Përveçse një poeti social, është njëkohësisht edhe poet i portreteve. Idilet e Hakiut, i qëndruan kohës, përmes hoveve lirike, situatave psikologjike me tone optimiste dhe referencave të gjalla njerëzore. Vargjet: mos vallë turp ka dashuria që soditë fshehtësinë,/ Apo druhe se je veshur me një zhele të arnosur?/ Hape portën, vajz’e vrerit, nuk përbuz varfërinë,/ M’a do xhani pranë teje që çdo breng’ të ketë sosur, e ndiellin dashurinë jo si mëkat, por si mesazh edhe për lexuesin e sotëm. Shpirti njerëzor i përket natyrës, nuk ndihet i lirë kur nuk është vetëm, por njëtrajtësohet në shpirtin binjak të dashurisë, jo vetëm për një moment kalimtar, jo vetëm për të përmbushur pasionet e brendshme të burrave, por poezia evokon një vërshim imazhi, që mund të jetë rindërtuar në mendjen e lexuesit, përmes skenave të detajuara (Rothenberg: 1993: 120). Letërsia erotike, një reagim i drejtpërdrejtë ndaj puritanizmit modern si “imponim” i dekretit të trefishtë të tabusë, fshehja, mosekzistenca dhe heshtja. Erotika nuk është botuar ose shkruar si një kundërshtim sfidues dhe rebelim ndaj rregullave shoqërore, por më tepër si një sfidë për impulset tona më të natyrshme, të censuruara, por që letërsia erotike ka ekzistur në formë “nëntokësore”, me të gjithë libidon e saj epshore dhe të magjishme…

Nexhat Hakiu - Zeri i Fyellit
Nexhat Hakiu – Zeri i Fyellit

Bibliografia

1.Agron Tufa. (2004): Një vështrim mbi zhvillimet moderniste e avanguardiste të shek. XX, në Fenomeni i avanguardës në letërsinë shqiptare, Tiranë.
2.Habazaj, Albert. (2015): Nexhat Hakiu, poeti i manifestit të dashurisë, “Tirana Observer”, 22 qershor 2015.
3.Nexhat, Hakiu. (1939): Këngët e Zambares, “Gutenberg”, Tiranë 1939.
4.Rothenberg, Molly Anne. (1993): Rethinking Blake’s Textuality. Columbia: University of Missouri Press.
5.Suta, Blerina. (2004): Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe, “Onufri”, Tiranë.
6.Shtëmbari, Kristaq. (2002) Udhëve të hapsirës letrare-gjurmime, studime, kritika “Toena”, Tiranë

Musine Kokalari (1917-1983)
Musine Kokalari (1917-1983)

Kujtesa shkrimore, për “muzën” e parë femrore shqiptare,

Musine Kokalari

nga Emrije Krosi

Në kujtimet e tij për kohën studentore në Itali, Dr. Lazër Radi, ka shkruar në librin “Shqipnia në Vitet Tridhjetë” me titullin: “Musine Kokalari” (Radi, idem: 369-377) një bashkëkohëse dhe bashkëstudente në Itali. Ka edhe foto të përbashkëta, në tragetin e kthimit drejt atdheut, por si bashkëstudentë patën të njëjtin fat: dënimin dhe persekutimin. Musineja, që në vitet ’30-të, e tronditi lexuesin e kohës me shkrimet e saj, nën pseudonimin “Muza”. Përmasa e saj femëror është tejkaluar, përmes aktit shkrimor, kur vështirësitë e emancipimit real të grave dhe vajzave në kontekstin e viteve ’30-të janë tejkaluar përmes (dis)harmonisë së modernes (Ndreca: 2018: 33), që ka përshpejtuar kohën e saj dhe nuk i dha kurrë mundësi, për të menduar të tashmen dhe me përpunuar të kaluarën. Është ndoshta nga femrat më të receptuara nga lexuesit, falë edhe botimeve të veprave të saj të ruajtura me kujdes nga familjarët. Rrekja e ndriçimit të vetëdijes së shkrimit, si akt themelues i veprës së saj letrare (Konferenca Shkencore: 2018: 8) të vetëdijes kombëtare dhe qëndresës përballë dhunës e persekutimit absurd komunist, është një akt themelues i rezistencës intelektuale e qytetare por edhe femrore. Në një Konferencë Shkencore, në Tiranë 2018, janë përrokur shumë tematika shkrimore, por edhe jetësore të një femre të guximshme që në gjenezën e saj: na duhet të kemi besim në gruen shqiptare. […] Intelektualja jonë – n’ato sprova të paka që ka kalue – ka dëshmue se në vija të përgjithëta ka po atë zotsi mendore e po aq asnjanësi gjykimi në rrahjet e problemeve sa edhe intelektuali i ynë…(Draçini: 1944: 15). Në poezinë “T’isha një lule…” (Kokalari: 2009: 95), një poezi simboliste, ku përmes simbolit të lules-vajzë, dëshmohet shkrimtaria e një vajze (femre) si akti i dokumentimit shkrimor, që la gjurmë në indentitetit e saj femërore, në antitezë me një shoqëri shumë konservatore për kohën e rinisë, por edhe në ditët e sotme.

“T’isha një lule – lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të
rinjëve.
Prej frike,
të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
do të dhurohesha te njeri-tjetri
për shënjë kujtimi.”
(T’isha një lule…)

Që në dyvargorin e parë: t’isha një lule – lule are, e vogël dhe me erë./ Të çelnja në pranverë, fillon me një figurë letrare kuptimi si krahasimi me një lule, në formë vetrrëfimi, pa asnjë subjekt rrëfimor, ashtu si ndërtimi i vetë poezisë. Ky akt vetëshkrimor autoreferencial dhe autobiografik (se vajzat janë lule që çelin në çdo stinë), filloj që me A-në instore, pa asnjë ndërmjetësim me një origjinalitet letrar (Poradeci: 1940). Duke qenë se që në nistoren e saj shkrimore, me veprën “Sa u tund jeta” (Kokalari: 1944) me ritmet e një dasme që lidh intimen me kolektiven, përmes dialektit të Gjirokastrës, mund të quhet edhe “dasma e dialektit” (Shehri: 2018: 43). Dyvargorët e tjerë: dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime./ T’isha një lule vjollce në mes të ferrave, kanë një tjetër ambiguitet, aq të qenësishëm të një amalgame të mendimit filozofik përmes flurales ku evokohet ludikja e saj diskrete, për të mëpastajmen, vjeshtën njerëzore. Fotografimi real i natyrës përmes një monologu të brendshëm, nuk është drejtpërdrejt një dafne, apo një mjellmë zeusiane, por një dëshirë intime e brendshe vajzërore, në formë vjollce, një lule erëshumë dhe në plotmërinë e saj, ajo nuk do kishte qenë, një hi, një harrim, një iluzion, një simbol, një kotësi, një absurd, një “vdekje” poetike, por një shkëlqim, eroticitet, feminilitet, aureolë, (anti)moralitet pse jo edhe në formën e ornamentit ku femërorja, dekodon shenjën letrare moderne, të dramatikës së fshehur në të gjitha rrafshet përtejhapsinore të simbolit të lules si nëntekst, (model i rrëfimit postmodern): dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të/ rinjëve./ Prej frike/ të larguar prej njerzis do t’më këputnin, marrdhënien me shoqërinë dhe individin, apo marrdhënien mes vetes dhe Uni (unë/mua/asaj/femërores). Realiteti dhe dimensioni socio-shoqëror në Shqipërinë e kohës, përmes “thyerjes” së kufijve të moralit, bota psikologjie e femrës, është e vetëmjaftueshme të sendërtojë qëndresën e saj, jo përmes fshehjes, por shpërfaqjes së saj, përmes perceptimit “të vetes” dhe “tjetrit”, përmes “gjinisë së përkryer” apo edhe gjinisë inferiore (Bouvoir: 2011) që gjendet tek filozofia e feministes Simone de Bouvoir. Përtej radikalitetit shoqëror, ajo mëton me lirinë, me zëshmërinë dhe esencën e qenies grua. Në dyvargorin e fundit: do të dhurohesha te njeri-tjetri/ për shenjë kujtimi.”, dekodohet metafora e lules, përmes shkrimit si kujtesë për lexuesin e pakohë. Ndërtimi i identitetit femëror, përmes ligjërimit, ngjallmohet përmes një vëzhgimi aq të hollësishëm të jetës, ndërtohet gruaja si amësi dhe gjuhë: ndërtohet realiteti i gjuhës amtare, si lëndë gjuhësore femërore (Asllani: 2013: 225). Ajo thirrmë zëri, ishte një devijim i gruas tradicionale, që nuk qëndroj indifererente, por bënte thirrje edhe për femrat e tjera të emancipuara, që të marrin pjesë në evolucionin e shpejtë të kombit tonë (Bardhyli: 2015), duke mos pranuar të ishte një “lule narcize”, por aromën e saj femërore dhe bukurinë ta përhapte nëpër të gjithë hapsirën mbarëshqiptare.

Vepra I e Musine Kokalarit
Vepra I e Musine Kokalarit

Bibliografia

1.Asllani, Persida. (2013): Identitetet femërore si ligjërim në prozën e Musine Kokalarit, në Konferencën Shkencore “Letërsia dhe identiteti” të Seminari XXXII të Albanologjisë në Prishtinë, botuar tek: Konferenca Shkencore: Musine Kokalari vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Tiranë.
2.Bardhyli, Alda. (2015): Colombia nuk ishte një burrë, “Shqip”, Tiranë. http://www.gazeta- shqip.com/lajme/2015/06/04/
3.Beauvoir de Simone. (2011): The Second Sex, Translated by Constance Borde and Sheila Malovany-Chevallier, Vintage Books, New York.
4.Draçini, Qemal. (1944): Nji grishje, në “Fryma”, n. 1, janar 1944.
5.Kokalari, Musine. (2009): Vepra, vëllimi i parë, “Geer” Tiranë.
6.Kokalari, Musine. (1944): “…sa u tunt jeta” Mesagjeritë shqiptare”, Tiranë.
7.Konferenca Shkencore: (2018): Musine Kokalari vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Tiranë
8.Ndreca, Ardian. (2018): Musine Kokalari: provimi i jetës i nji “zemre mendimtare” rreth librit “Jeta ime universitare”, në Konferenca Shkencore: Musine Kokalari vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Tiranë.
9.Poradeci, Lasgush. (1940): Musine Kokalari: Siç më thotë nënua plakë, “Bota e re”, nr. 1, 30 korrik 1940.
10.Shehri, Dhurata. (2018): Musine Kokalari: Vetëdija e shkrimit, në Konferenca Shkencore: Musine Kokalari vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Tiranë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.