back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tre Rrëfime për gjakovarin Haki Taha – në 70 vjetorin e nji vrasje të bujshme

Gazeta

Haki Taha (1913-1945)
Haki Taha (1913-1945)

Tre Rrëfime për gjakovarin Haki Taha

Në 70 vjetorin e nji vrasje të bujshme

Lasgush Poradeci rrëfen për Haki Tahën…

Lidhur me gjithë këtë nuk po mundem pa cituar edhe një pjesë nga libri, që është në procesin e botimit në Shtëpinë botuese “Onufri” të Elbasanit, “Lasgushi në Pogradec” nga Meri Lalaj. Këtë pjesë e lexova këto ditë – të publikuar në të përditshmen “Bujku” të Prishtinës, dt.10 dhjetor 1994:
“Po ecnim rrugës të dy, me Lasgushin – shkruan këtu Meri Lalaj – dhe ai po më tregonte se si serbët i ndiqnin kosovarët në kohën e Zogut.
Kështu, kishin ardhur në Shqipëri dy kosovarë: Bajram Gashi dhe Haki Taha, që ishin mësues – njëri në njërën shkollë të Shënavlashit, tjetri në tjetrën. Një ditë në Tiranë, – vazhdoi Lasgushi, – më takoi Haki Taha dhe më tregoi një libër, ja kaq të trashë, sa gishti.
Ishte një përmbledhje me poezi për Kosovën. Aty ishte edhe poezia ime “Marshi Kosovar”.

Lasgush Poradeci (1899-1987)
Lasgush Poradeci (1899-1987)

-Të lutem – më tha Haki Taha, – të na bësh një parathënie.
-Unë nuk shkruaj në prozë, – i thashë – po për Kosovën do ta bëj.
Njëherë tjetër vajta në Shënavlash, – vijoi Lasgushi, – dhe më ftoi për drekë prifti i fshatit. Duke ecur rrugës përmes fshatit, takova Haki Tahën, i cili më tha:
-Nëna dhe unë po të presim për drekë.
-Më ka ftuar për drekë prifti i fshatit, – thashë unë, – por do të vij te ti.
Në shtëpinë e tyre ishte një koritë e madhe me 7 a 8 kile qumësht për mikun, se shqiptari kosovar e përmbys shtëpinë për mikun – vijoi Lasgushi:
Kur hyri Italia fashiste, të dy, Haki Taha dhe Bajram Gashi dolën malit për të luftuar. Bajrami u vra duke sulmuar një postë italiane. E kur Haki Taha doli malit partizan, Miladin Popoviçi i tha: “Kur të çlirohemi, në Kosovë do të udhëheqin shqiptarët…”. Pasi u çlirua vendi, Miladin Popoviçi u bë sekretar i parë dhe, atje në kolltuk, nuk po mendonte më për kosovarët. Një ditë, Haki Taha vajti në komitet dhe i tha rojës me pushkë që ruante te dera: “Lajmëroje Miladin Popoviçin se e kërkoj unë”. Pas pak, roja e lejoi të hynte brenda në komitet dhe atje, në zyrën e Miladinit, ai nxori koburen dhe ia numëroi të dhjetat mu në ballë.

Enver Hoxha & Miladin Popoviç
Enver Hoxha & Miladin Popoviç

Hakiun e fshehën kosovarët me javë të tëra, se e ndiqnin serbët. Më së fundi, kur e rrethuan dhe donin ta kapnin, Haki Taha vrau veten, se vetëm trimat vrasin veten.
-Dëgjo këtu, moj zonjushe, – tha me bindje Lasgushi – Jugosllavia nuk mund të jetojë dot kurrë si shtet, sepse është ashtu, me copa, si i thonë, shtet mozaik, me kroatë, sllovenë, malazez, maqedonas… Po serbi ka qenë dhe do të mbetet armiku i përjetshëm i shqiptarëve…”
Pa marrë parasysh sa ishte i informuar për jetën e Haki Tahës pas vitit 1941, është interesante si e shihte, apo më mirë, si e ndjente poeti ynë i madh veprën heroike të Haki Tahës – atë ditë gushti të vitit 1981 kur po bisedonte me Meri Lalajn.

(…)

Nuk ka rëndësi që Lasgush Poradeci atëherë nuk e ka ditur se Haki Taha nuk ka qenë kurrë partizan dhe se trupi i tij i vrarë është gjetur vetëm dy-tri ditë pas vrasjes së Miladin Popoviçit. Është me rëndësi vlersimi që Lasgushi i bën veprës heroike të Haki Tahës.

Prenk Gruda (1912-1999)
Prenk Gruda (1912-1999)

Një kujtim për Haki Tahën Prenk Gruda (1912-1999)

Populli ynë ka nxjerrë gjithmonë nga gjiri i vet njerëz të sakrificave e në shërbim të çështjes kombëtare e për qëndresë burrnore, tue përballua me vetmohim vështirësitë ashtu siç asht tue i përballue me vetmohim e tue qëndrue granit-heroizmi populli i Kosovës. I frymëzuem natyrisht prej bijëve e bijave të tij si Haki Taha, duke ecur në gjurmët e Azem e Shote Galicës, të Gjon Serreqit e Marie Shllakut e me qindra të tjerë heronj e dëshmorë që luftuan për Kosovën, për Shqipërinë Etnike. Ata u desh të përballonin në këtë luftë jo vetëm pushtuesit sllavë, por edhe komunistët shqiptarë të çoroditun me kryetarin e tyre të degjeneruar, sllavo-komunistin, shkatrruesin e Kombit, Enver Hoxha.
Për kryetrimin Haki Taha mund të flasish e shkruash një libër të tërë, por unë po marr përsipër veç një kujtim të shkurtër nga njohja e miqësia në rininë time shkollore e më pas.
Ishte prej Gjakove që ka qenë gjithmonë një çerdhe e shqiptarizmit. Hakiun e njoha për herë të parë në konviktin “Malet Tona” në Shkodër, mandej na ra për disa vjet me kalue së bashku në Normale të Elbasanit e Shkollë Teknike në Tiranë, gjatë pushimeve shkollore.
Hakiu ishte i gjatë e i hollë me një trup të hijshëm burrnor. Ishte i dashtun e shumë i njerëzishëm, por i padurueshëm me ata që anonin nga e majta duke mendue se kështu i shërbenin Kosovës e Shqipërise Etnike. Bile një herë u ngatrrue keq me Asim Vokshin e gjithnjë i kritikonte Emin Durakun e Xheladin Hanën tue iu thanë se rusët kanë ndryshue kryeqytetin e taktikën, por kanë gjithmonë të njëjtën strategji pansllave, përpimjen e shqiptarëve për dalje në ujrat e ngrohta të Mesdheut, etj.
Fjalët e Hakiut ishin bindëse, sepse ai thoshte të vërtetën pa zbukurime si dhe pa frikë. Fjala e tij zinte vend dhe sytë e tij ishin imponues besimi. S’kishte shumë shokë, mbasi ai gjithnjë lexonte vepra frëngjisht dhe nuk e kisha parë të lexonte shpesh libra të mësimeve shkollore, e megjithatë ai ishte përherë ndër të parët e klasës së tij, gja që e provon se ishte shumë i squet.
Ka qenë shkrimtar i mprehtë e prozator e poet. Përshëndetja e Kosovës nga Qafa e Prushit 1938, në “Hylli i Dritës” është shumë mallëngjyese, një hymn i djelmënisë shqiptare për Nanën Kosovë. Ma vonë shumë shkrime të tjera të botueme apo dorëshkrime provojnë aftësitë e Hakiut si shkrimtar.

Ai ndiqte gjurmët e Apostujve të Rilindjes. Fishta e Naimi ishin për të Ungjilli e Kurani. Admironte Mjedën e Asdrenin, Prennushin e Çajupin. Interesant ishte për mue kur vinte padër Anton Harapi e fratel Gjoni me u takue me Haki Tahën në Normalen e Elbasanit e në Shkollen Teknike në Tiranë.
Më 28 shkurt 1937, Hakiu formoi një celulë të fshehtë, në formë organizate, vetë i pestë: Haki Taha kryetar, Minush Lipovski, Zeki Shehi (të tre gjakovarë), Murat Llabunishti nga Struga e Prenk Gruda prej Malësisë së Madhe të Shkodrës. Ne ishim të gjithë të betuem për çdo gja me e mbajt sekretin, me qenë të gatshëm po të jetë nevoja, me e dhanë jetën për kauzën e shejtë të Kosovës.
Duhej me u ruejt mos me ra në sy të Qeverisë së asaj kohe, e cila nuk lejonte manifestime për çështje të Kosovës as të vendeve të tjera etnike në robni në Jugosllavi e as për Çamërinë nën robërinë greke. Qëllimi kryesor ishte me mbledhun lajme për gjendjen e terrorit në Kosovë, për krimet serbo-malazeze e maqedone mbi shqiptarët e pambrojtun.
Mu në anën veriperëndimore në Fushë-Mbret në Elbasan, ishin instalue nja 30 familje kosovare dhe me ta ishim për çdo javë, disa prej tyne pranuen me shkue në Kosovë mëfshehtas me marrë hetime mbi çdo gja që banin sllavët në damin e shqiptarëve.
Haki Taha kishte takime me disa personalitete në Tiranë dhe me fretën në Shkodër. Ishte shumë aktiv dhe për çështje shqiptare nuk lodhej kurrë tue folë e punue. Thonte, duhet edhe ne shqiptarët të bashkohemi si bota e qytetnueme në Shqipni Etnike. Ai nuk ishte agresor e as urrejtës për hakmarrje, por vetëm për liri e bashkim të trojeve, sepse thonte: “S’ka Shqipni të Madhe e as të Vogël, veç asaj ku ende janë shumica shqiptarë e shungullon amël gjuha shqipe…!”
Në Shqipni e në Kosovë Haki Taha, pothuejse asht harrue nga terrori e nga propoganda komuniste e Enver Hoxhës me shokë, që janë përpjekë me vu në dukje Miladin Popoviçin, mësuesin e tyre si gjoja shqiptarofil ndërsa Haki Tahën si fashist e udbash. Kurse në mërgim asht folë e shkrue shumë pak për Haki Tahën nga disa grupe e njerëz partinash, tue dashtë me paraqitë se Hakiu ka qenë me ta e asht i tyne…
Mirëpo Haki Taha nuk ka pas grup e as parti, vetëm ka qenë shqiptar e për Shqipni Etnike.
Haki Taha i qëndron besnik betimit dhe më 13 mars 1945, i hyn në zyrë në Prishtinë Miladin Popoviçit tue i thanë se “mjaft ma i ke mashtrue e tradhëtue shqiptarët” dhe e vret.
Hakiu nuk ja duel me u arratis prej Prishtine, prandaj vret veten. Minush Lipovski e Zeki Shehi kanë vdekë ndër tortura në Goli-Otok, ndërsa Murat Llabunishtin, Sigurimi i Shqipnisë e ka arrestue në Elbasan e dorëzue UDB-së jugosllave në Shkup ku e kanë mbyt me tortura, ndërsa Prenk Gruda (shën. autori i shkrimit) ka mbet dëshmitar i shokëve të tij dhe i shumë çështjeve tragjike shqiptare.
Asht folë se masakrimi i 5-6 mijë shqiptarëve në Tivar u ba atë ditë që Haki Taha vret Miladinin, gjoja për hakmarrje. Prishtinën e hymnizoi gjaku i Haki Tahës – Hero dhe Tivari u la me gjakun e mijra shqiptarëve të pafajshëm – dëshmorë të Kombit Shqiptar.

Tahir Zajmi (1897-1971)
Tahir Zajmi (1897-1971)

Akti guximtar i Haki Tahës Tahir Zaimi

Në javën e parë të Frorit 1945, bahet nji mbledhje në Bashkinë e Gjakovës, në të cilën asistojnë Parija e vendit, kryetar’i këshillit të rrethit dhe Miladin Popoviçi.
Nji qytetar i cili ishte prezent në kët mbledhje i ban kët pyetje Miladin Popoviçit.
-Si u ba kështu z. Miladin që s’e mbajtët fjalën dhe nuk i zbatuet premtimet që na bajshit, kur ndodhej kësajde okupatori, tue thanë se Kosova do të jetë e bashkueme me Shqipninë, ase do të ketë Republikën e vet me të tana liritë dhe të drejtat qi ka nji popull’i lirë?
– E tash, – vijon qytetari i gënjyem dhe i dishpruem, – as flamurin t’onë nuk po e lejoni të ngrihet!.
Vrae e pezmatue keq nga kjo pyetje e guximshme, ia kthen menjiherë Miladini:
-Or ti shok! Hala me këso andrrash po e rreni vetveten?
-Edhe nji herë tjetër – shtoj aj – nuk më pëlqen ta ndëgjoj kët far kuvendi!…, dhe ngrihet e del nga mbledhje pa u përshndet fare me bashkëfjaluesat shqiptarë dhe thrret shoferin e tij q’e priste te porta, të cilit i nep urdhën që t’i grahë automobilit me të shpejtë në drejtim të Prishtinës, ku e pritshin, shumë punë të tjera ma të ngutëshme.
Nji djaloshi idealist q’e kishte ndëgjue kët bisedë të vrazhdë filloj t’i nxehet gjaku e t’i prishen shumë keq nervat dhe duel me kërkue nji kubure për t’ia dënue jetën këtij malezezi të pabesë, i cili bashkë me shokun e tij Dushan Mugoshën, kishin mbërrijtë me e mashtrue rininë e Shqipnisë dhe nji pjesë t’asaj të Kosovës.
Ma vonë u muerr vesht se djaloshi qi kërkonte armë kishte qenë idealisti Gjakovar Haki Taha, i cili i armatosun me nji revole Nagante të re, pa humbë kohë niset për Prishtinë dhe vete m’u në zyrë të Miladin Popoviçit, të cilin e qëllon mu në kokë tue i thanë që ky asht dënimi i trathtisë që të nep Rinija e mashtrueme e Kosovës!
Mandej për mos me u ra në dorë gjaksorve partizanë q’e kishin rrethue e doshin m’e zanë gjallë në nji plemë kashtet, vret veten dhe i nep fund jetës s’tij djaloshare për idealin e Kosovës arbnore.
Shkrimet janë marrë nga siti: https://vargmal.org

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.