back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Treni i jetës… nga Pulvigiu – sjellë në shqip prej Jozef Radit

Gazeta

Treni i Jetes...
Treni i Jetes…

Treni i jetës…

nga Pulvigiu

sjellë në shqip prej Jozef Radit

Si nji nga gjanat ma të bukura të jetës, vlerësoj udhtimet me tren.
Qysh fëmijë, ende 10 o 11 vjeç prindët me pamundësinë e tyne,
m’përcillnin deri te stacioni i trenit, e mandej udhëtimet m’duhej me i bà vetëm.
Kam udhëtue gjithkah, ku ka pasë udhë t’hekurta Shqipnia, derisa nji ditë ato vdiqën…
Kam udhtue me tren në krejt Italinë: prej Torinos e Sondrios, deri në Bari e Napoli;
kam shkue enkas me tren në Paris, në Bernë e Montecarlo…
e nji ditë andërroj me udhëtue nji muej me tren nëpër Europë, e m’u ndalë ku t’më xejë nata…
Pikërisht kjo dashni për udhtimet me trena që më fërshellejnë përditë e përnatë te dritarja,
ma bani magjik kët rrëfim të nji personazhi jo fort të njoftun si Pulvigiu, nji sardenjas,
që shkruen vazhdimisht poezi o forma esesh të shkurta mbi jetën dhe trajtat e saj,
e ku metafora e “trenit të jetës” dhe udhëtimeve asht ndër ma t’bukurat,
pse asht pjesë e jetës së secilit prej nesh…
E solla njashtu dashunisht, tue u ndje pjesë e çdo fjale,
pjesë e këtij udhtimi magjik përmes fjalës…
jozef radi, 17 shtator 2020
.
Treni i Jetes...
Treni i Jetes…
Jeta i ngjan nji udhëtimi me tren: pse ne shpesh hypim e zbresim, pse na ndodhin aksidente, pse mbas ndonji ndalese përballemi me befasi të kandshme e ndokush mundet më pësue edhe ndonji trishtim t’thellë.
Kur lindim, e hypim në tren, takojmë njerëz të cilët besojmë se kanë me na shoqnue përgjat krejt udhëtimit: e ata janë prindët tonë.
Për fat të keq, e vërteta asht ndryshe. Ata zbresin te nji stacion, e na mbesim pa kujdesin e pa dashninë e tyne; po edhe pa mirsinë e pa shoqninë e tyne.
Po sidoqoftë, tjerë njerëz hypin në trenin tonë, e që për ne janë aq shumë t’randsishëm: Këta janë vlleznit dhe motrat tona, miqtë tonë e krejt ata njerëz t’mrekullueshëm që ne i dashurojmë.
Ndonji prej ktyne njerzve që ngjitet nalt e konsideron kët udhëtim si nji shëtitje të vogël. Tjerë gjejnë veç trishtim n’udhtimin e tyne.
Mandej ka edhe tjerë, gjithnji t’pranishëm në tren e gjithnji të gatshëm me ndihmue ata që janë në nevojë.
Dikush kur zbret, le mbas nji nostalgji t’përjetshme… dikush tjetër ngjitet e zbret menjiherë, e ne s’kemi mujtë as me e vrejtë se kush ishte…
E jem befasue, kur ndonji prej udhtarëve, që aq fort e duem, ulet te nji tjetër vagon… e ne prej atij çasti detyrohemi me e ba udhtimin vetëm.
Natyrisht, ne s’e lejojmë vedin me ndalë askend, që merr mundimin me e shty kërkimin ndër vagonat ku ai udhëton.
Për fat të keq, ndodh që ne s’mundemi me ju ulë afër, mbasi ai vend pranë tyne, tashma asht i xanun.
Po s’prish asnji punë… Kshtu janë udhtimet: përplot me sfida dhe andrra; me fantazina, shpresa e lamtumira… pakthim!
Ne përpiqemi me e ba udhtimin tonë n’mënyrën ma t’mirë të mundshme.
Përpiqemi me shkue mirë me fqinjët tonë të udhës, e lypim ma të mirën te secili prej tyne …
Mbajmë parasysh se në çdo pjesë t’udhëtimit, ndonji prej shokve tonë të rrugës, mundet m’u ndërdyshë e ndoshta i nevojitet mirkuptimi jonë. Pse edhe ne shpesh jena ndërdyshë dhe ka qenë gjithnji dikush që na ka mirkuptue!
Misteri ma i madh i udhëtimit asht se ne s’e dijmë kur vjen çasti i mbramë me zbritë përfundimisht, e aq ma pak, s’e dijmë kur edhe bashkshoqnuesit tonë t’udhtimit kanë me e ba nji gja të tillë, madje as ai që asht ulë krejt ngjitë me ne.
Un’ mendoj se kam m’u ndje shumë keq kur të zbres përgjithmonë, prej këtij treni…
Dhe për kët, jam ma se i bindun…
Ndamja prej gjithë miqve që kam takue përgjat ktij udhëtimi ka me qenë e dhimbshme, sepse me i lanë të dashtunit e mi vetëm, asht shumë trishtuese.
Po kam shpresë se herët a vonë, ka me mbrritë stacioni qendror e kam përshtypjen se kam me i pa të tanë kur t’mbrrijnë me nji valixhe n’dorë, të cilën, kur ata hypën ma s’pari në tren, s’e kanë pasë!
Ajo çka m’ban të lumtun asht mendimi se kam ndihmue me i shtue e me i pasunue bagazhet e tyne, tue i ba ma të çmueshme ato.
Të tanë ju, miqtë e mi, bani gjithçka mundemi me sigurue n’jetë nji udhëtim të tillë të bukur, se ka me ia vlejtë barra qiranë.
Le të përpiqemi ma së shumti që kur t’zbresim diku n’nji vend të zbrazët, të kemi lanë mallin dhe kujtimet ma të bukura tek ata që e vazhdojnë udhtimin.
E tanë atyne që janë pjesë e trenit tim, ju uroj veç: Udhtim të kandshëm!!!
përkthye me 17 shtator 2020,
.
Trenat që çajnë përmes pyjeve...
Trenat që çajnë përmes pyjeve…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.