back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Treva e Tiranës – jashtë vëmendjes së arkeologjisë – nga Ndoc Selimi

Gazeta

Rrënojat e kalasë Ilire të Dorëzit
Rrënojat e kalasë Ilire të Dorëzit (Tiranë)

Treva e Tiranës – jashtë vëmendjes së arkeologjisë

nga Ndoc Selimi

Pse ky mosinteresim qysh nga paslufta e Dytë Botërore e deri sot? Janë bërë gërmime brenda mundësive deri në skajet e largëta të Shqipërisë, ndërsa Tirana dhe nëntoka e saj e mbushur plot dëshmitarë të një kohe të lavdishme, të luftrave, të kulturës dhe disfatave nuk evidentohen dhe nuk bëhen gërmime për të mësuar atë që fsheh kjo nëntokë!?
E vendosur në një pellg deti prehistorik, rajoni i Tiranës ruan në gjirin e vet dëshmi të padiskutueshme të një të kaluare të largët e deri në ditët e sotme. Zbulimet arkeologjike me interes dhe me një bujë në mediat, janë gjetur krejt rastësisht gjatë gërmimeve për themele, etj. Të tilla janë psh. Mozaiku në Bazilikën në Rrugën “Naim Frashëri” zbuluar gjatë themeleve të një blloku pallatesh më 1972.
Te Krojet e Shëngjergjet gjenden fragmente muresh dhe asnjë interes, veç një ideje që ishte një kishë e vjetër e mjaft.. tani e mbuluar me pallate.
Konsulli francez Aleksandre Degrand, më 1901, na bën me dije se ndodhet pranë lumit të Tiranës një nekropl romak dhe thotë se: “…kjo gjetje të çon te lufta midis Cezarit dhe Pompeut…”, por në 100 vitet e fundit asnjë interes. (Degrand “Suvenirs de la Haute – Albanie ” Paris, 1901 fq. 196).
.
Rrënojat e Kalasë së Prezës
Rrënojat e Kalasë së Prezës

Austriaku Karl Patsch, me 29 maj 1923, gjen themelet e një ndërtese në Laknas po në Tiranë, si dhe një thikë, ene balte si dhe një gjilpërë ari në lagjen Brutka. (Patsch – “Gendja eknomike e kulturore e Shqipërisë”, Tiranë 1925, fq. 59). Përgjat lumit të Tiranës, te vendi i quajtur Argjilata, Refik Toptani gjen një dysheme me tulla ku dilte edhe një burim i quajtur nga vendasit “Vendi i mirë” si vazhdim i një qyteti të nëndheshëm deri në Valias, ku përsëri Patsch thotë se banonte një popullsi e dendun. (Asnjë interes nga organet kopetente!!). Për të vazhduar më tej te skulpturat antike të Baldushkut, Statuja e Hermesit në Berzhitë, gjatë hapjes së rrugës, pllakat dhe varret prej guri në Paskuqan, monedhat e argjentit pranë Pallatit të ri Mbretëror me 1963, Thesari i Vrapit me një mori veglash prej ari që sot gjenden në Paris e Amerikë etje etje, ku deri tani nuk është thënë fjala e specialistit dhe nuk janë vënë në planin e kërkimeve.

.

Rrënojat e kishës së Shën Mërisë në Brar 2003 (g.b)
Rrënojat e kishës së Shën Mërisë në Brar 2003 (g.b)
Po kishat e rrënuara në zonën e Tiranës?!?
Asnjë fjalë, asnjë shkrim, asnjë kërkim me specialistë.
Popullsia e Tiranës konvertohet në muslimanizëm rreth viteve 1610-1634, për të arritur deri te vitet 1650, këto sipas relacioneve kishtare të këtyre viteve. Kur Konsulli Johann G. von Hahn, viziton Shqipërinë për herë të dytë më 1863, shkruan: “…se në viset ku buron Erzeni ndodhen shumë kisha të krishtera, të rrenuara” (Hahnn “Udhëtime nëpër viset e Drinit e Vardarit” fq. 29.)
Dom Mark Dushi i përmend me emra ish kishat tashmë të rrënuara në trevën e Tiranës si: Kisha e Shën Gjinit, te krojet e Shën Gjinit, Kisha e Shën Mërisë në Brar, Kisha e Shën Kollit në kodrat e Selitës, Kisha e Shën Kollit në Priskë të Vogël, Kisha e Shën Kollit në Qafë-Mollë, Kisha e Shën Gjergjit në Tujan, Kisha e Shën Pjetrit në Shën Pjetër” (quhej vendi ku është sot Sanatoriumi). Kisha e Mukajt e kthyer në xhami, si dhe një tjetër numër kishash na përcjell Fulvio Cordignano si ajo e Shën Barbaras në Bastar, e Shën Mikelit në Mner etj. (D. Mark Dushi “Tirana dhe rrethinat e saj” fq. 143,158, 159, Cordignano: “Geografia ecclesiastica dell’ Albania…”1934, fq. 159.)

.

Rrënojat e Fortesës Ilire të Persqopit
Rrënojat e Fortesës Ilire të Persqopit
Arkeologu Skënder Muçaj thotë se: “Tirana ka qenë qendra e krishtërimit në Shqipëri. Nga vëzhgime krejt të përcipta në zonën e Priskës deri në Percëllesh janë gjetur shtatë kisha, ku njera ka një sipërfaqe prej 2000 m2, çka mund të ketë qenë edhe një qendër peshkopale. Po ashtu vetëm në fshatin Derje janë gjurmuar shtatë kisha e kapelone deri tani. Numri më i madh i kishave janë gjendur rrëze Dajtit, por edhe në Vorë, ku është zbuluar një faltore dhe një kala. Kjo tregon për një popullsi të dendur dhe banoret ishin të besimit katolike. (Gazmend A. Bakiu, “Tirana e vjetër” fq. 37)
Fati i këtyre kishave ka qenë vetë një trishtim.
Me okupacionin turk shumica e tyre u shembën, një pjesë u kthyen në xhami dhe të tjerave u ka humb nishani. Po interesimi i mëpastajmë?! Komunizmi!! Postkomunizmi!!
U lumtë atyre njerzëve që punojnë me shpirt e zemër, në mënyrë të pavarur e me shpenzimet e tyre për të nxjerrë në dritë diçka, për popullin e tyre, për Shqipërinë, për të ardhmen e brezave.

.

mars, 2018.

 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.