Tri këndvështrime në një pikë mbi poezinë e Shaip Beqirit
![Poeti Xhevahir Spahiu (1 mars 1944)](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2024/03/21-1-239x300.jpg)
Ngjizja së brendshmi – nga Xhevahir Spahiu
Poezia e Shaip Beqirit nuk priret të të ngrejë peshë, ajo synon diçka tjetër më të thellë: të bën të mendosh. Në hapësirat e kësaj poezie midis Rrënjës e Rrufesë shfaqet Murana. Murana e fatit të grisur apo e gjymtimit njerëzor. Përgjigjen e kësaj pyetjeje gërryese e gjejmë në shkrirjen harmonike të porosisë me ritmin që e përcjell atë, në fjalën e zgjedhur e disi të zhveshur poetike që lind së brendshmi dhe ngjitet lart për të shpallur të vërteta njerëzore plot hidhësi, dhembje dhe ankth. Në këtë tip ligjërimi, metafora dhe simboli jetojnë në saje të nxjerrjes jashtë loje të retorikës. Në fund të fundit, poeti pikturon me dorë të sigurt udhëkryqin për të nënkuptuar vetë Udhën e jetës.
Tiranë, 1992
![Poet Ali Podrimja (1942-2012)](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2013/08/Poeti-Ali-Podrimja-211x300.jpg)
Harmonia nga kaosi – nga Ali Podrimja
Në letrat shqipe ka kohë që Shaip Beqiri është i pranishëm me një artikulim të veçantë. E them këtë sepse ky poet është dëshmuar me vlera, duke ofruar një poezi që shumë pak ka fërkime me atë dërrmuesen që shkruhet në hapësirën tonë gjuhësore.
Në leximin e parë më del personaliteti i autorit, përplasjet dhe përpëlitjet e tij: “Në pyllin e dendur të hijeve”, siç thotë ai në poezinë “Akuariumi”, me kërkimin intensiv të paqes shpirtërore, të vlerave njerëzore dhe të shenjave të identitetit kombëtar në një kaos, ku duhet të veprosh patjetër nëse dëshiron të ekzistosh, apo: “Të ndrydhësh plagën tënde/ Që po na i lulëzon kremtet…” (“Unaza e gjakut”). Sidoqoftë, thyerjet dhe bezdisjet brenda e rreth vetes, të cilat poeti i ngre si çështje para lexuesit-interpretuesit, nuk janë thjesht konstatime. Shtrimi i klithmë-dilemës: “Ah koha është të vdesim moj/ Ende pa jetuar” (“Ritmi e asgjë”) është filozofi e rebelimit që paralajmëron se asgjë s’mund të ketë vulën personale në mposhtjen e ogurit të zi e as nuk mund të elaborohet në kuadër të personales, edhepse ligjërimi i tij në të parë na bëhet se është një monolog iracional.
Leximin e dytë e shoh në rrafshin e aktit krijues, të punës sizifiane në ngritjen e arkitekturës më se të çuditshme shpirtërore-imagjinative, e cila ka të bëjë me vlerat, me artin. Antologjinë personale Beqiri e mbështet në tri pika, që janë edhe referuese: Prologu, Intermexo, Epilogu, të lidhura me emërtimin e idealit vetjak estetik: Lasgushiana. Po të elaborohen me kujdes këto tri pikëmbështetëse, vëren se poeti shtron edhe problemin e gjeniut tonë krijues, individualitetin e tij të formatit të një Lasgush Poradeci, prania e të cilit hetohet jo vetëm në leksikun, por edhe në elementet përcjellëse të aktit krijues të Beqirit, i cili përqafon, selit dhe mbron një ligjërim poetik shqip lasgushian. I udhëhequr nga ky mësues i tij i madh shpirtëror dhe i mbështetur në njohjen e thellë të poezisë moderne, Beqiri ngre para së gjithash çështjen e gjuhës poetike, variantet e mundshme të fjalës, magjinë mahnitëse dhe provon mundësitë që ofron ajo kur mjeshtri i saj di t`ia gjejë vendin aty ku duhet në tekst.
Gjenevë, 1998
![Xhemal Ahmeti](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2025/01/maxresdefault-1-300x263.webp)
Gjunjëzimi i Poetit – nga Xhemal Ahmeti
Për të hapur këtë shënim mbi librin më të ri të Shaip Beqirit “Eklipsi i gjakut”, si dhe për shkak të natyrës së këtij manifestimi, do ta lexoj dhe trajtoj vetëm njërën nga poezitë e tij:
Joni
E preka fundin tënd/ Në ëndrrat plot kripë
Ndër guaska klithmash/ Të këngës së përzishme
Ti je syri im i zmadhuar/ Pas gulfës së pamposhtur
U fute fshehtas në mua/ Të më bësh një breg të gjallë
Me kokrra rëre e kodra shkume
Fytyrën ta stërpikte purpuri/ Kur u krodha në uturimën tënde
Dhe rashë në gjunj/ Para asaj fryme hyjnore
Të më bënte deltë pikëllimi/ Në trajtë të zemrës së plagosur
Kjo poezi i përngjan një pikture të vizatuar me zë, i përngjan një skene të gjallë teatrore ku rolin kryesor e luajnë dy personazhe; Deti dhe Poeti. Një poet që bie në gjunj përballë detit, pra detit të gjallë me kodrat e tij të shkumës (valëve). Si në planin skenik, gjuhësor, muzikal etj. etj. shohim se kemi të bëjmë me një lirikë të bukur e të veçantë të autorit, mirëpo unë nuk do të ndalem për të dëshmuar këto segmente tashmë të verifikuara në lirikën e Shaip Beqirit, por do të përpiqem të shpjegoj konceptin, mënyrën se si arrin ky poet që prej çdo poezie të bëjë një vepër, një artefakt që ligjëron për shumë çështje.
Në leximin e parë kjo poezi na duket si një Himn për Detin, kjo për shkak të forcës skenike që reflekton gjuha e autorit; titullit që mban poezia si dhe për shkak të prirjes sonë defektoze njerëzore për të lënë anash autorin gjatë përjetimit të artit të tij. Pas një zhytjeje më serioze në përmbajtjen e saj fillon irritimi i parë: është himn për detin apo për poetin? Faktikisht një irritim, një dilemë shumë e drejtë, sepse është një himn edhe për detin, edhe për poetin. Kjo poezi nuk mund të paramendohet as pa njërin e as pa tjetrin. Në këtë poezi ka ndodhur një shkrirje e Unit të Beqirit në detin e pasur Jon dhe Deti me valët e tij të shkumta e plot gjallëri është futur në brendinë e tij. Pas këtij procesi deti bëhet edhe syri i zmadhuar i poetit, me të cilin ai e shikon botën dhe e koncepton jetën. Gjatë deshifrimit të simbolikës së kësaj poezie kuptojmë edhe filozofinë e autorit në këtë poezi: Shaip Beqiri nëpërmjet detit si simbol na e jep një fotografi të shpirtit të pasur e të paqetë të poetit, nëpërmjet valëve kallëzon për gjendjen e tij intensive gjatë procesit të krijimit. Pas eskursionit nëpër thellësitë dhe mbi valët e detit përfundojmë në bregun e gjallë, pra aty tek poeti.
Me këtë poezi Shaip Beqiri i jep një strukturë të re mendimit mondan mbi poetin, duke përshkruar e vizatuar atë jo vetëm si qenie me frymë hyjnore, por duke e bërë të dukshme edhe përmbajtjen e tij, brendinë e tij dhe më interesantja është se na e sjell në skenë, duke na bërë njëherësh të kapshme, gjendjen më sublime të qenies së poetit në fazën kur ai është duke krijuar!
Me interpretimin e kësaj poezie dua të jap një sinjal parapërgatitor se si duhet lexuar e kuptuar poezia e këtij autori, se nuk kemi të bëjmë me vjersha që mund t’i këndojmë ecurazi nëpër trotuar e të mendojmë se e gjetëm melodinë, porse kemi të bëjmë me një poezi e cila ka dalë nga një botë intelektuale e rrahur dhe e farkëtuar mirë, kemi të bëjmë me një art nobël që del nga një shpirt i përmasave të mëdha.
Këtë shënim për librin më të ri pesëciklësh “Eklipsi i gjakut” të Shaip Beqirit do ta përmbyll me një parabolë, me një citat të Thomas S. Eliot që e thotë për ndikimin e Ezra Poundit tek poetët e rinj: “Ata poetë të rinj që nuk janë të ndikuar nga Pound nuk meritojnë qortimin tonë, por duhet të na vijë keq për ta”! Kjo vlen edhe për ata që s’e kanë lexuar Shaip Beqirin.
Bern, 2001
Marrë nga Muri i FB Shaip Beqiri 4 Janar 2025