back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Pesë poezi… dhe nji reflektim mbi Viola Dokon

Gazeta

Viola Doko
Viola Doko

Rikthime reflektive mbi poezinë e Violës…

Shpesh në ngutjen dhe rrëmujën e ditëve të mia, e gjej diku pak kohë dhe ndalem… e lexoj poezitë e mikes sime të shtrenjtë e të kahershme Violës… Viola Dokos…. e pa as ma t’voglën grimë shtirje, mundem me thanë se mbas çdo leximi më duhet të persias pak gjatë me vedin për me e kuptue si duhet at drithërimën e shpirtit të ksaj gruaje të thjeshtë e të paepun, të kësaj gruaje që lufton me shpirt nëpër dhambë, njashtu e vetme me jetën, që ka njimijë arsye me u zhgrehë në lot, por i jep ditës dhe jetës hovin e nji buzqeshjeje apo të nji poezie… dhe më shfaqet njashtu befasuese e gjithnji e ma e thellë ndër mendime, ndër dhimbje, ndër vuejtjet e saj të pafundme, e ato grimca gëzimesh që as me lente nuk shihen
E megjithatë ndër vargjet e saj gjen gjithnji delikatesë, humanizëm dhe nji frymë lirie që derdhet e shpërndahet mbi gjithçka që prek syni dhe shpirti i saj i nji mirsie të pashoqe
Viola ka nji poezi të rrallë, pse ka lanë shpirtin e saj ndër vargje… Edhe pse shpesh përpiqem me gjetë dikë prej poeteve që dua e njoh, për me e krahasue, përditë e ma tepër e kuptoj se asaj i mjafton thjeshtësisht vetvetja, i mjafton ajo Viola Doko n’at shpërfilljen dhe indiferencën e pafund ndaj vetes, e në sakrificë për të tjerët, çka e bën atë të pakrahasueshme e të pangjajshme me askënd tjetër… Megjithatë me nji guxim jo të patepruem, mund me thanë se shpesh ajo me kujton poeten time fort të dashtun, Alda Merinin, pse ka mjaft prej sensibilitetit të saj, pse shpesh me gozhdon me spontaneitetin poetik, aq sa  më ndodh me e pasë fort të vështirë me i harrue vargjet e saj që të mbeten të nguluna në shpirt
E megjithatë ngjashmëritë, Viola Doko, mbetet vetvetja…
Ju ofroj shoqninë e këtyne vargjeve të saj, me dëshmue edhe ju, se çka theksova ma nalt, s’asht aspak e teprueme…
Jozef Radi
19 dhjetor 2013

Lindje dielli mbi det...
Lindje dielli mbi det…

Pese poezi… nga Viola Doko

Unë, Jeta…

Jam unë jeta
e quajtur ndryshe,
gënjeshtra.
Vij nga lashtësia
asnjiherë nuk ika,
mësova të shkruaj
nga drita.

Ndër parada perandorësh
të vdekur
u rrita,
pa kryqe, pa epitafe
ju prente shpata
ju prente thika.

Unë jeta,
e ashtuquajtur gënjeshtra
u rrita,
me kryqin mbi shpinë
rrugëve shetita,
epitafin tim e gdhenda
jo në perëndim
por andej kah lindte dita…
19 dhjetor 2013

 

I vrava…

Rrugëtime jete m’përplasen në fytyrë
hapat ma lehtësojnë tokën n’shkëputje,
e dënuar jam ta ndjek fatin tim
ndër tempuj, dashnitë mbeten tutje.

Me t’vetmen fe pagëzuar,
me t’vetmen perëndi trupzuar
ikonave iu përlota në përgjunje
të tjerat i vrava pa shkas… i vrave ti
bashkë me to… edhe timen dashni.
17 dhjetor 2013

 

Shkruaj… e rishkruaj

Një klithme të padëgjuar
një loti diku harruar
një çatie krejt zbuluar
i shkrova… e do t’i shkruaj.

Një këmbe zbathë n’baltë
një dore në lypë zgjatë,
me t’fundmen frymarrje në vetmi
e shkrova… e do ta bëj përsëri.

Nuk dua të mbetet asgjë e harruar
si fletët e një libri ato janë
jo… s’duhen vetëm shfletuar,
nëse kjo botë u mbetet maskarenjve
jetët tona duhet shkruar… e rishkruar.
dhjetor 2013

Në pafajsinë e fjalëve...
Në pafajsinë e fjalëve…

N’pafajsinë e fjalve

Tuj përtypë pafajsinë e fjalve
bamun gur prej dhimbjes,
lidhun me orë të harrume.

Gdhendun ndër rrudha t’heshtuna
muranë e braktisun përjetsisht
prej ksaj vetmije të zdeshun.

Pa fjalë e mata mallin
tuj shky largsitë, e lodhun
ndër udhkryqe si qiri i përlotun…

31 gusht 2014

 

Andërr…

Mbi ty kam me hjedhë
krejt mushtin e dashnisë

shtratin petale drandafilash shtru,

do të mbloj me lakuriqsinë teme

e s’bashkut n’nji tjetër bote t’shkojmë.

Ndezun do e la nji dritë të madhe
ncek, n’terr dashninë s’e kam dashtë,

gjithçka e ngulun ne ashtin e kujtesës
dhe marren, ah marren tuj e qitë përjashtë…

5 shtator 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.