back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Tri Poezi e pak… nga Cemal Süreya (1931-1990)

Gazeta

Cemal Sureja (1931-1990)
Cemal Sureja (1931-1990)

Tri Poezi e pak… nga  Cemal Süreya (1931-1990)

…të sjella në shqip prej Ilir Secit

Dy fjalë për Cemal Süreya (1931-1990)

Xhemal Sureja, (Cemal Süreya 1931-1990),  poet turk i njoftun në botë… Futet ndër poetët që i takojnë “Brezi i ri i dytë…” Autor i përkthyem në mjaft gjuhë të botës…
Familja e Cemal Süreya-s asht me origjinë zaza. Ajo u soll prej Tunçeli në Bireçik, nji qytet në Turqinë perëndimore, mbasi në lindje të Turqisë kish shpërthye kryengritja.
Ja si e përshkruen poeti shpërnguljen e tyne:

“Na hypën n’nji kamionçinë
nën mbikëqyrjen e dy xhandarëve
mandej n’nji karrocë mallnash
me po ata xhandarë
na hodhën n’nji katund,
mbas nji udhëtimi t’gjatë me ditë pafund,
ndërsa pas na lehnin
qentë e prehistorisë…”

Kjo poezi e Sureja-s, ndokujt i kujton shumçka në të kaluemen e vet…

Cemal Sureya - Libri Poetik: "Ustu Kalsin"
Cemal Sureya – Libri Poetik: “Ustu Kalsin”

“Dy Gjana” (Fragment poeme)

***
“Mos i fshij,
e dashtun
mëkatet
me lotët e tu,
pse mëkati asht pjellor;
mbart t’pashkatrrueshmen
ngjyrat e terrorit
të andrrave;
që i hapin vedit
nji shteg të errët
me gjetë honin
n’ujnat ma të kthjellta;
i beson kaosit;
epiteti i tij asht vdekja;
edhe nëse pema e tij
gumëzhin prej zgjojit të zjermtë
të bletve punëtore,
emnin e ka të gdhendun
në trungun e saj,
gjethet e saj
kullosin yjsitë
n’sa Hana
nis me u freskue

Mos provo me i fshi me lott
e dashtun,
mëkati asht dituni.”

“Poemë”

Ata e qethën renë,
e reja tash asht e dlirë;
Gjaku im derdhë përtokë,
reja aq modeste asht
sa skuqet
e zhduket.
Fytyra e nji njeriu lshon hije
në pllambën teme
unë e kqyri dhe e shtrydhi
tuj pi yjtë.
Prej uturaku
në nji gjendje idhnake,
në të njejtën gjendje që
më bani copash,
ftyra e tij gati ka shkue
shkretina ime asht e dlirë
uji asht i qetë
e dhembja sa ka nisë.

“Me vdekë në nji banjo turke”

A keni kenë kurrë n’nji banjo publike turke?
Kandili skaj meje u shue
dje unë u verbova
Bluja e kupolës u zhduk.
Ata e ndezën prap kandilin
në gurin vezak të orakullit
Mermeri qe pastru e ba xixë
Pashë pak prej ftyrës teme aty
Dukej shumë keq, diçka e tmerrshme,
Unë u bana i Verbën,
Nuk pritsha me pà bash njat prej ftyrës time
A keni dënesë ndojherë
tuj kenë i mbluem n’shkumë?
(Përkthimet nga anglishtja, prej Ilir Secit)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.