Përpjekje me lexue ndër klithmat e ajkunave
shpirtin e poezisë së sotme shqipe…
esse nga Jozef Radi
Shpesh ndër lexime të mia, herë të ngutshme e herë të kujdesshme të poezisë së sotme shqipe, ajo çka më bjen ma së shumti n’sy, asht poezia femnore. Shpirti social i kësaj poezie, fryma e rebelizmit që edhe kur vargjet përpiqen të jenë disi të brishtë, shpirti i autoreve s’munden me e ndalë te ajo botë amësie e mirësie nga rrjedh, po shpërthen me dofarë gulshesh e dhimbjesh që jo të mahnisin, po njiherit të grryejnë e të naltojnë me fuqinë e tyne.
Pyetja që më lind ma së thjeshti asht: çka po ndodh sot në poezinë shqipe?! A asht rebelim i shtirun e i sforcuem, dëshirë për protagonizëm, apo asht natyrshëm shfrim i lirë i dalun nga ashku i shpirtit femënor, apo nji hop disi i vonuem i feminizmit shqiptar?! Gjithsekush mundet me ngecë në ndonjenën prej pyetjeve të shtrueme, po unë do të përpiqem me marrë pak prej tanave pyetjeve të shtrueme dhe do të guxoj me thanë pa hezitimin ma të vogël se: poezia e sotme shqipe filtrohet ma së miri prej shpirtit femnor, dhe se klithma e saj asht ma afër se askush tjetër problemeve ma akute të nji shoqnie në degradim. Edhe pse klithmat e tyne sot mund të mos ndigjohen apo pranohen, askush s’mundet me thanë nesër se s’ishin klithmat e këtyne ajkunave që po lëshojnë kujë për vdekjen e omerëve të rinj.
Dhe në përpjekje me iu afrue këtij trazimi të thellë poetik kam zgjedhë tri poezi dhe tri poete që simbas meje, janë ndër përcjellset ma të spikatuna të kësaj fryme?!
Unë besoj se në kët frymë konformiste dhe të nënshtrueme ndaj së keqes që ndodhet shoqnia shqiptare, vetëm shpirti femënor asht ai që e ndjen të keqen ma shpejt, që e vuen ma thellë, dhe shpesh duke qenë se asht edhe ma i pambrojtuni përballë së keqes, mundet me i dalë për zot shpëtimit të nji shoqnie, që n’teposhtë të saj nuk po i shfaqet kërkund gremina…
Si duket të qenit në ajër na ka shëndrrue n’nji pupël të pandjeshme ndaj fatit që na pret…
Lexim të mbarë tri poeteve Rusta – Ristani – Halilaj!
***
Tri poezi nga Elida Rusta – Enkeleda Ristani – Ada Halilaj
Ajkunë e Re
poezi nga Elida Rusta
T’shtifsha n’dhé Ajkunë,
qysh i çave gurt’e bjeshkës
gjethet i lshove përtokë,
qorrove ditën,
i çmende lisat prej piskame.
T’hiftë dreqi n’bark!
Ke njimijë vjet mbi ftyrë t’tokës
si zanë idhnake
tuj rrokullisë gur malli me mblue vorret.
Del prej vaji
hej t’vraftë Zoti i madh!
Dënimi që more
s’ish aq i randë.
Kqyru n’mue
as s’ke me hangër,
as me pi,
as me fjet.
A mendon se asnji deg’e thyeme
s’ka rà mbi ne,
se s’i ka vu kush buzët n’krue tonë?
Zbrit prej bjeshke e kqyr!
Ka kaq shumë t’vram’
dek’e pa dhán shpirt,
mbi vorrin e hapun.
Mos brit Ajkunë!
Kqyre me ata sy t’bukur
t’parin e shpisë,
vorfnue n’tym t’duhanit,
me syte përdhé
ata që n’ndrrim t’motmoteve
s’munden me e ble pemën e krishtlindjeve,
nuset që n’cep t’pajës kanë palue trishtimin.
Kado shkel káma e kalit
n’két vend mërgohet.
Omeri i ri qysh n’bark
muer dynjanë,
pa ja dhanë nji gotë uj’ nanës
n’dit’t e pleqnisë.
Kqyri kufomat e mia
dalun si prej fushash t’minueme,
ulu rránzë pemve
s’vjen má aromë dielli mbas shiut.
Del prej vaji Ajkunë bre motër
nji palë petka kam me t’i pre mas shtatit,
tamël gjini kam me t’dhánë,
e bashkë me kndue
për gjethin e ri,
për ujin e ri
për dorën që djeg.
Puthma mermerin e ftohtë Ajkunë!
Futi tirq galanat e dashnisë s’pamujtun
n’bir t’dheut me mue.
Kam me i lá n’voj argjendi
e me kmishën e lintë vesh
me jetue jetën e vorrit.
Ruej se t’ndij tuj vajtue,
se t’baj me ardh n’ket ferr,
e me ma lshu mue parajsën tánde.
Kambzbathë hajde ta kalojmë lumin
nëpër gurë
herë të mardhuna, herë tuj u kall.
Bahena shtriga malesh
t’prarueme má shumë se duhet
që edhe vdekjen ta fusin n’shtrat
e dashninë e kndojnë ma fort se e qajnë.
Má mirë me u djegë
se me u kalbë si lisi n’bjeshkë.
Rafsha unë n’vorrin tand
n’se shtatë palë qiejt
s’kanë me lshue mbi ne,
nji grusht dhé t’bardhë
pse e dinë mirë që nën fré
nuk kalërohet…
12.03.2018
.
Ne jemi… jemi… çka s’jemi…
Poezi nga Enkeleda Ristani
Jemi të numërueshëm
Të gjindshëm
Të regjistruar në vakëfe dhe hale
që vijnë erë njeri
Shenjat e gurëve të vjetër pyesin sho-shoqen
ç’kuptim kanë shkronjat kur njerëzit “e rinj”
s’kuptojnë asgjë me to
Jemi të mbetur
Të prapambetur
Të mbasmbetur
Mbeturina
Bishti i humbur i njeriut të parë
Nëse kishte bisht
Jemi prindër spurdhjakë që fshihen pas
hijes së rritur të të vegjëlve të vet
dhe fëmijë gjysmakë nga eksperiencat dështake të prindërve
Jemi kosha plehrash pa bythë
dhe plehra të riciklueshme në mënyrë qesharake
Jemi gajasja e Zotit që shpikim sa herë jemi kaps
dhe menuja e Djallit që s’di kush e shpiku
nga lëkura me qime të rëna e mamuthit të parë
që lanë me shampo
Jemi një tufë maskarenjsh me një tufë ilaçe zemre në xhep
dhe zemrën e kemi bërë transplant me shkarkuesen e ujrave të zeza
Ne jemi duhma e keqe e etheve të arit
dhe mirënjohja e parfumosur e kryetarit të bashkisë
sa herë numëron me gishta pas masturbimit
Ne jemi hienat që bëjmë të turpërohet kafshën e gjorë
që gabimisht mban këtë emër
Ne jemi kanibalë të përligjur me vendime gjyqësore
ndërsa gjykatësi pat’ fshirë buzët
nga krahu ynë i parë
Jemi bushtra që s’u lejohet aktiviteti i parë
me ligj parlamenti vetëm në vetën e dytë
(Shumësi është korridor i gjatë i lejueshëm kryesisht)
Kolerë eksperimentale jemi që funksionon gjithmonë
në rrugë institucionale
Ne jemi emra të gdhëndur në copën metalike të trurit
për apelin e vdekjes që na thanë se ekziston
Me pak fjalë, ne jemi humbje rruge e të Panjohurës
mu në Vrimën me qime të zeza të gjithësisë…
.
Prej barkut tem ka lind trupi jem
nga Ada Halilaj
Prej barkut tem ka lind trupi jem
Jam unë nana jeme e fundit
Jam unë fëmija jem i parë,
etern.
Jam nxjerrë prej ujit të mbledhun në rreth me duart e mia
e dilatume sa diametri i vetmisë
në maternitetin e grave pa burra, pa zot e pa gjymtyrë
një lindje pa bisturi
pa lotin e kuq të barkut
pa vijën e qumështit si plagë
me një dhimbje laike në mish
kam shty
kam bërtit në tre akte
kam gjujt diellin me gurë e grushta
jam rrapatos si shpirti në fije të frymës
prej ballit m’janë zgjatë damarë të përvëlum
prej trupit m’asht çu peshë tanë mishi
prej mishit kanë dalë jashtë tanë eshtnit
jam shpërnda nëpër kutinë e jetës
pa u thy
në njëmijë grimca të buta.
Veç unë n’një dhomë-pasqyrë
veç katër mure që frikën ma kishin
katër vdekje kam kthy mbrapsht
katër javë kam bind stuhitë me u ndal
pa i ngul dhambët n’asnjë kafshatë bukë
pa u tremb prej dritës në ferr
pa ushqy kafshët e komshisë
pa ia mbajt kryet natës në jastek
Vetëm.
Asnjë doktor, asnjë infermiere, asnjë korridor
asnjë pilulë për dhimbjen teme të pamposhtun
Veç britma
herë si kalë pambuku
herë si shtrigë amnore
te kambët e shtratit
ma përgjonte orën e gjumit
me saktësi hyjnore.
Prej tkurrjes erdha në jetë
lëkura e vjetër ra një copet
ftyra e tronditun ndeshi ftyrën e re
flokët e lagun iu shkëputen rranjës provizore
qava për herë të parë
me sytë e ri
një lindje natyrale
e parekomandushme
një foshnje e madhe
sa një grua
tekstualisht grua.