back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tri poezi – nga Martin Camaj

Gazeta

Mes Alpeve (Pikturë nga George Pali)
Mes Alpeve (Pikturë nga George Pali)

Tri poezi – nga Martin Camaj

Camaj vlerësohet si nji ndër krijuesit më të veçantë në letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Poet dhe prozator, studiues, filolog dhe gjuhëtar i formimit akademik.
Vështirë të gjendet një tjetër krijues që si Camaj të ketë prodhimtari dhe shkëlqim
në krijimtarinë e mirëfilltë letraro-artistike dhe në punën kërkimoro-studimore,
që të ketë një individualitet krijues të spikatur dhe të veçantë apo që të mitizojë
dhe ndërtojë e rindërtojë me një origjinalitet artistik të spikatur dhe me një pasuri të rrallë
stilistikore atdheun e munguar, natyren, malin dhe kodin e tij të munguar, mitet dhe legjendat,
zakonet dhe traditat të cilat gjithnjë e gjithherë vijnë për lexuesin e huaj.
Së pari pse ai vendit të vet i ishte ndaluar e së fundmi dhe për lexuesin shqiptar
me një visar të pasur leksikor prej maleve të vendlindjes ku zakonet dhe traditat njerëzit dhe
kodet e jetesës dhe mbijetesës marrin jetë në një mjedis
të ishullzuar tradicional dhe të papërsëritshëm.
Ai identifikiohet me tokën e vet edhe si territor edhe si mjet prodhimi.
Toka, vathi, mrizi, stani, delja, dhia, ara, lumi, qielli, ajri, reja, mali janë kordinatat
prej nga buron e rrjedh jeta e tij fizike, mendore dhe shpirtërore…
gjon marku
Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)

Shiu mbi Lum

Mjegulla nga bjeshka ulet kadalë
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
në qiellin e vranët lëviz nji halë
shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjumë.
 
Ujë a ba gjethi e teshat e blegës
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
dëshira e pjekun po bjen prej degës
shpirti s’don dhimba e shtati lyp gjum.
 
Në votër flaka po del krandeve
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
veshët e mij janë lodhë prej zaneve
shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.
.

Drekë Malesorë

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.
 
Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)
 
Sot ashtë marrë një gjak.
 
Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë
 
Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.
.

Aty si tash para se me ardhë fiset

Aty si tash para se me ardhë fiset
Ishe
Me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm një emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
E të hodhën përkrye gur e hekurat e para.
 
U zgjove e përgjakun sa herë
E u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
T’lumenjve dhe ndeje me petka të reja
Në shkamb
E ndritun ballë diellit mbi fusha.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.