Tri Poezi origjinale botuar në vitin 1937
prej Pashko Gjeçit (Pseudonimi Pa-Gjë)
Mshirë
Pushojnë uratët me’ i herë, rrìn kisha e qetë:
Nji tingëll t’ambël zili i vogël xirë.
Tuj fshâ gjujohen burrat, ndìhet letë
nji zhurmë stringlash ndër grá të stolisna mirë.
Drejtue syt lutsa n’Hoste, çue përpjetë,
u bijn parzmeve t’zeshkta tue britë: mshirë!
Kisha e vogël shungullon dhe kur të ketë
zili rá n’fashë e merret frymë me t’vshtirë.
Ndiehet atbotë e kjartë luta e meshtarit:
Kí mshirë, o Zot, për duer, për kta krahnorë,
qi prishen pá xjerrë fryt ndër tokët e t’parit!
Kí mshirë, o i Lum! E diejm, se jemë fajtorë.
Shikjoi deh fmít e njomë! Sielli për s’marit!…
vijon përsrí rruzarja me uratë n’dorë.
.
[Botuar në të përkohshmen fetare-kulturore “Zâni i Shna Ndout”, Vjeta XXV, Nr. 2-3, fq. 69, Fruer-Marc 1937, me inicialet Pa-Gjë.]
.
Ecce Homo!
“Ecce Homo”! briti, me sá zâ, qi ki’te,
romaku. Krahve t’shprishun hjellë nji mlojë,
me ‘i kunorë ferrash n’krye, kambë-zbathë, po vite
nji nieri. Populli uluriti: “Kryqzoje!”
“Mâ ky s’ka faj” tha, kah për te dhimë ndiete.
Ndrejtë n’kambë, me ‘i kallam n’dorë, pá qitë fjalë goje
kish mbetë, e gjak prej krés nper mjekerr bite –
“Ká fye Cezarin” zâne ushtuen. Të droje
filloi zyrtari atbotë: “S’due me u perzí
n’gjak t’njaj t’pafaji”. U dridhen si n’gjamë t’motit
shpijat: “Aj gjak raftë krejt mbi né, mbi fmí!”
Kadalë i çoi qerpik’t e rît prej lotit
Martiri edhe i shikjoi… Por e kan ndí
ato mure sá i randë kje gjaku i Zotit.
.
[Botuar në të përkohshmen fetare-kulturore “Zâni i Shna Ndout”, Vjeta XXV, Nr. 4, fq. 105-106, Prill 1937, me inicialet Pa-Gjë.]
.
Perfectum Gaudium
Françesku ‘i ditë po shkote kah Perugja
Tue i kuvendë kshtù shoqit, qi kish me veti:
“O frat Leon, ti delja e t’Naltit t’Qiellve,
M’a ven mirë veshin: Në kje se frati i vogël
Lëvizjet po i kupton të hyjve e t’qiellit
E po zbulon t’shkambijve e t’pemve e t’ujit
Të gjitha virtytet, pá bâ perjashtim,
E po spjegon at giuhën e mshehët t’shtâsvet,
Qi përmbí tokë gërmuças e shkojn jetën,
E t’zogjve, qi npër ajr i rrahin fletët,
T’a dijshë se as n’ktë nuk âsht nji gzim i plotë.”
E, si pat bâ do rrugë, përsrí ia nisi:
“O frat Leon, ti delja e t’Naltit t’Qiellve,
M’a ven mirë veshin: N’kje se frati i vogël
Po na kupton e flet mirë giuhët e botës,
Qi patën sa kjenë gjind, qi rrnuen mbí dhé,
E po fiton shka gjinden n’libra shejtën,
Dije se urtí edhe po bân për vete
Gjithçka shkruen Etënt, po lexon pá t’vshtír
Mendimet e t’gjith Ejve, t’gjith Shejtënve,
T’a diejshë se as n’ktë nuk âsht nji gzim i plotë.”
E, si pat bâ do rrugë, përsrí i a nisi:
“O frat Leon, ti delja e t’Naltit t’Qiellve,
M’a ven mirë veshin: N’kje se frati i vogël
Po ká fuqí sá me shërue gërbulen,
Po bân qi t’shkjeptit t’hecin ndrejt n’kambë t’veta
E po u kthen syve t’fikun përsrí dritën:
Ne kje se me fjalë t’veta po zbutë zęmrat
Mâ t’fortat e mkatnorvet e n’fé t’Krishtit
Po kthen të gjith t’páfét, po i bân t’ndigiueshëm,
T’a diejshë se as n’ktë nuk âsht nji gzim i plotë.”
E, si pat bâ do rrugë, përsrí i a nisi:
“Ndigio, ndigio ti delja e t’Naltit t’Qiellve,
O Frat Leon. Kúr na mbrenda Perugjes
Do t’hîjm kshtu zbashku, n’kjoftë se ‘i çetë anmiqsh
Do t’na rrethojn, e si coftina t’kqija
Do t’na përbuzin, do t’na tresë kapuçat,
Do t’na shkrryejn zhgunat t’onë npër baltë e llom,
Mandej, tue kapë në dorë gurë e shkopij,
Do t’na lâjn lmuç, as gjáll as dekë mbi dhé,
T’a diejshë se veç n’njikte âsht gzimi i plotë!”
Kshtu tue folë Shejti, u ndal në gjysë t’termales.
Dielli, qi n’maje t’Katries ish ndalue,
Lëshote t’mektat rreze mbí fytyrë t’fratit;
E hiç s’u ndiete mâ zhaurrima e prronit,
E larg në pyll dallndyshat krejt heshtojshin,
Ndigioi Frati Leon atbotë nji pvetje
N’at heshtim t’plotë; drejtoi të butit sy
Ka’ e ambla ftyrë e Msuesit, qi i tha: “T’shkojm”.
.
[Botuar në të përkohshmen fetare-kulturore “Zâni i Shna Ndout”, Vjeta XXV, Nr. 1, Kallnduer 1937, fq. 19-21, me inicialet Pa-Gjë.]
.
Poezitë në fjalë janë korigjue për disa ë të mungueme, si dhe fjalën Mshrirë – asht vendosë fjala mshirë!