back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Trinomi: politikë, pushtet, ideologji – (dhe mashtrimi që u ndodh masave) – nga Ervina Toptani

Gazeta

Mustafa Arapi - Pushteti
Mustafa Arapi – Pushteti

Trinomi: politikë, pushtet, ideologji.

(dhe mashtrimi që u ndodh masave)

nga Ervina Toptani

Në vitin 1919, mbahet një konferencë e shkëlqyer nga Max Weber, titulluar “Politika si profesion”. Ai e nis këtë konferencë me një përkufizim brilant mbi shtetin: “Shteti është njësoj si grupimet politike që historikisht i kanë paraprirë atij, një raport dominimini i një grupi të vogël njerëzish mbi masën e gjerë të njerëzve të tjerë, bazuar në mjetin e forcës legjitime, dmth forcë e cila konsiderohet legjitime”. Weberi sqaron se kur forca imponohet dhe nuk diskutohet atëherë ajo merret si e mirqenë, e pranuar nga të gjithë, pra legjitime.
Në këtë përkufizim paraqitet raporti shumë i ngushtë ndërmjet politikës dhe fuqisë (pushtetit). Ai vazhdon: “Kush merret me politikë aspiron pushtetin e bashkë me të dhe fuqinë si mjet në shërbim të objektivave të tjerë, qofshin këta idealistë apo egoistikë ose thjesht pushtetin në vetvete, për të shijuar kështu në sensin e prestigjit atë çka ajo sjell si derivat. Politikani kërkon gjithnjë e vazhdimisht ngjitjen drejt pushtetit. E për të arritur majën duhet përdorur forca ose pushteti i forcës, shtrëngesat, e në çastin kur ke fituar pushtetin e plotë atëherë forcën e përdor në mënyrë legjitime.
Politika, pushteti i saj, konsiston në dominimin e një grupi të vogël njerëzish mbi masën e gjerë të njerëzve të tjerë që janë subjekte indirekte të pushtetit, e këtë e arrin nëpërmjet forcës legjitime, pra asaj force që konsiderohet legjitime bazuar në faktin se imponohet dhe pranohet si e tillë gjerësisht.
Politikani ka gjithnjë të bëjë me pushtetin dhe forcën për ta ekzekutuar atë. Politika mund të konsiderohet si një fushë forcash në të cilin politikanët luftojnë për pushtetin, për ta ushtruar atë në mënyrë të pashqetësuar nga askush ose sa më personale të jetë e mundur, në mënyrë zakonisht të kundërt me atë çka pohojnë përpara se të vijnë në pushtet…” Ky koncept i shpjeguar nga Weber më kujtoi menjëherë Macchiavelin, sa për të tërhequr një paralele të vogël në lidhje me vjetërsinë e fenomenit. “Të gjithë të armatosurit fituan e të paarmatosurit i nderuan ata” – shprehet Macchiaveli tek Princi.
Përbërësit e trinomit – politikë, pushtet, forcë – janë pazgjidhshmërisht të lidhura ndërmjet tyre. Për të arritur pushtetin përdoret politika, e cila është në vetvete arti i të imponuarit, e nëpërmjet kësaj të fundit dhe përdorimit të forcës, arrihet pushteti. Kur je në pushtet forcën e përdorur e konsideron legjitime.
Kur e pyetën Hobbs-in se ç’mendim kishte mbi grupimet dhe partitë politike ai tha: “jemi “asociuar” (kemi ndërtuar këtë lloj mënyre të të bërit politikë) duke legjitimuar politikën, pushtetin e forcën, domethënë në njëfarë mënyre abuzimin e detyrueshëm pikërisht sepse përpara se ta shpiknim këtë formë, njerëzimi ishte edhe më keq sesa është tani!” Duket shpjegim i flashkët ky kur mendon se ka dalë nga një mendje brilante si Hobbs por në fund të fundit kur duhet shpjeguar zanafilla e gjësë, bërthama e kësaj zanafille është tepër e thjeshtë. Është pikërisht ajo që e njohim mirë të gjithë: pushtetin e dua unë! Pastaj mbi këtë zanafillë mund të ndërtojmë çdo lloj filozofie të mundshme, ndonjëherë më shumë për të ngatërruar sesa për të ndrequr koncepte.
Pushteti është mjeti për të kontrolluar të gjithë njerëzit të cilët janë subjekti i drejtëpërdrejtë i këtij pushteti. Pra është mjeti i vetëm deri sot i fuqisë për të kontrolluar masat.
Pushteti ushtrohet në disa vende specifike të posaçme. Për të kontrolluar të tjerët nëpërmjet forcës që konsiderohet legjitime shërbejnë institucionet dhe i gjithë mekanizmi shtetëror. Për ta ushtruar kontrollin dhe fuqinë gjerësisht e në mënyrë të padiskutueshme pushteti duhet të jetë absolut. Dhe e dini cilët janë vendet që ky lloj pushteti ushqen për të qenë vetë në dominim absolut të masës së gjerë gjithë kohën e në mënyrë të pandërprerë? Janë pikërisht vendet më neutro, që nuk bien në sy se shërbejnë për këtë gjë; shkollat, duke filluar nga ato më të ulëtat e deri tek më të lartat. Pas tyre vendet e punës, në çdo institucion të mundshëm, sidomos ato shtetërore, dhe spitalet që përbëjnë një pikë të rëndësishme të jetës së individit. (kjo filozofi është shpjeguar mjaft mirë në një libër të mrekullueshëm titulluar “Mikrofizika e pushtetit”, shkruar nga Michel Foucault, të cilën e sugjeroj fuqishëm për këdo që ka dëshirë të thellohet). Pra politika është forcë, siç thotë Weberi, pushteti është mjeti deçiziv.
Politikani nuk bën dot pa pushtetin, dmth ai nuk bën dot pa atë mjet deçiziv që i shërben atij, forcën. Pushteti imponohet duke rregulluar sjelljet, duke i manipuluar ato dhe këtë e bën duke u ushtruar në vendet specifike që përmenda më lart, të cilat më pas përbëjnë thelbin e shtetit, familjes, shoqërisë civile si e tërë. Por pyetja nuk është vetëm në cilat vende specifike ushtrohet pushteti, por edhe në cilat mënyra. Pushteti ushtrohet pikësëpari nëpërmjet ligjit, sanksioneve, dhunës fizike dhe verbale, por ai ushtrohet edhe nëpërmjet një mënyre krejt të parënë në sy, të butë e aspak të rreptë në pamje të parë por tepër efikase, nëpërmjet ideologjisë.
Ideologjia është mjeti për të ushtruar pushtet duke e kamufluar atë. E bën të duket herë si diçka e pavënë re e herë si një mënyrë e mirë shoqërore që i shërben të gjithëve për të ndrequr gjërat. Ajo bëhet pa dhunë, në mënyrë të ngadalshme e të pandërprerë (ne shqiptarët e njohim mirë këtë lloj mënyre jo vetëm prej ideologjisë komuniste me të cilën zgjoheshin në ag e ngryseshin në mbrëmje por sot përdoret edhe më gjerësisht se dje.
Mjafton të ndezësh televizorin e shikon papushim kryetarin e shtetit, atë të bashkisë, e politikanë të tjerë që përdorin vetëm ideologjinë për të mbijetuar politikisht).
Eshtë mjaft e zgjuar si gjetje nga ana e tyre sepse çfarë i futet në kokë individit papushim deri në mërzi e në neveri, pikërisht ajo mbetet. Në të gjithë ato regjime ku pushteti nuk del i zbuluar (duket sikur pushtetin e përdorin në shërbim të qytetarit, tjetër mashtrim me përmasa gjigande), janë regjime që përdorin ideologjitë në mënyrë masive e shumë të rafinuar.
Pa ideologjinë, raportet e produktivitetit nuk do të ekzistonin. Pushteti dhe fuqia konkrete, ajo materiale ka nevojë për ideologjinë që të afirmohet. Pikërisht sepse këto raporte konkrete janë raporte forcash, mbi të gjitha ato regjime që në pamje të parë duken të buta e demokratike nga jashtë, kanë nevojë për ideologjinë për t’u afirmuar, shumë më tepër sesa në regjimet diktatoriale.
Shpesh politikanët e regjimeve të tilla e përdorin termin “ideologji” për t’u thënë qytetarëve të vendit të tyre se idelogjia përdoret si mjet politik vetëm në sistemet totalitare. Ky është nje tjetër mashtrim i kamufluar që masat, duke qenë përgjithësisht të painformuara në fusha të tilla delikate e specifike, pësojnë mbi vete. Sa më shumë ta dënojnë forcën në një vend, në dukje demokratik, aq më shumë e përdorin atë të ushtruar e të përftuar nëpërmjet ideologjisë. Edhe vetë ideologjia nuk do të ishte e mundur pa raportet materiale. Atyre që e promovojnë ideologjinë e kërkuar, u jepet gjithnjë çmim i majmë në çdo kohë, pavarësisht nga fryn era politike e pushtetit, ata janë gjithnjë në fuqi. Çdo qeveri i mban afër, çdo politikan përpiqet t’i kënaqë materialisht sepse në thelb është çeshtje interesi. Krijohet e shfrytëzohet ideologjia, mbahen të lidhur njerëzit nëpërmjet saj e politikanët përfitojnë pushtetin.
Është në fakt, kaq e thjeshtë!

Marre nga muri i FB i Ervina Toptanit, 10 qershor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.