back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Tromba në terr… Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti 1952
Visar Zhiti 1952

Para do kohësh, iu largue kësaj bote cinike e të mbrapshtë, pa fort zhurmë e bujë, njeriu i skenës dhe humorit “të ndaluem”, shkodrani i kandshëm dhe i ambël Gjosho Vasija… duke lanë nji dhimbje e madhe ndër të gjithë ne, që e kemi njoftë dhe e kena përcjellë ndër vite me aq dashni jetën… po edhe humorin e tij pikant…
Kisha lexue “Ferrin e çarë” të mikut tim Visar Zhitit, dhe e kujtoja shpesh kët pjesë magjike nga rrëfimet e Gjoshos, në Kampin e shfarosjes në Tepelenë… dhe në at çast kur m’u desht që përmes saj me përcjellë hikjen e këtij njeriu, i cili prej vitesh jetonte jashtë vendit dhe larg fansave të tij… (gjithsesi nji vuejtje e madhe për artistin me kitarrë, humor dhe talent… i cili kurrë s’mundi me u shfaqë njashtu i plotë në krejt përmasat e veta…) nuk e gjeta…!!

Tromba Schilke
Tromba Schilke
Nji ditë, ndërsa rilexoja nji përkthim temin prej Pessoas, “Violinisti i çmendun”, u ndala në katër vargje aq të bukur… po edhe aq të ngjashme me at ngjarjen që aq me pasion ia kish rrëfye Gjosho Vasija, Visar Zhitit… dhe me thanë të drejtën, me kambngulje gërmova sërish në librin e “Ferrit” derisa e gjeta njat pjesë që asht sa e rrallë aq edhe e dhimbshme, e që ndër tjera asht edhe nderim për Gaspër Çurçinë, (në të vërtetë subjekti i atij rrëfimi…)
E rilexova dhe e shkrova, i bana të gjithë bashkë dhe u ndjeva mirë… sepse tashma ishin njaty të gjallë e të vdekun bashkë… vuejtja dhe shpresa; terri dhe kanga; ishin aty Pessoa dhe Visari, Çurçia dhe Gjoshoja, Tepelena dhe “Shtille Nacht-i” në krejt at magjinë e jetës ku të gjallë e të vdekunit japin e marrin me njeni tjetrin deri në përjetsi…
Jozef Radi, 13 janar 2014
Fernando Pessoa (1888-1935)
Fernando Pessoa (1888-1935)

“…Ai u shfaq njashtu paprimas te shtegu
dhe krejt gjindja dolën me e ndigjue
po ai befas qe zhdukë pa lan asnji gjurmë,
e m’kot shpresuen me e pa për s’dyti…”
“Violinist i çmendun” Fernando Pessoa

Tromba në terr…

nga Visar Zhiti (pjese “Ferri i çarë“)

Kisha muzikë të vdekun mbrenda vedit, por se si po ngjallej, frynte. Si era në nji grykë… Ishin Krishtlindjet… po më tregonte Gjosho Vasija, miku i tim eti, aktor komik edhe ai… -Si mundnin?…
E dëgjova me dhimbje, qeshja i trishtuar. Ai gjthë jetën interrnimeve me baba të vrarë, im atë me vëlla të vdekur gjatë torturave, edhe ai i torturuar në burg, por si doli gjallë? Apo që të lindja unë…?
Ishin Kshnellat në interrnim, përsëriste Gjosho Vasija, në Progonat, në Grykën e Bënçit. Punonim me trungjet, i hidhnim në lumë nga njiqind shtylla për brigadë, dhe i ndiqnim nëpër shkambij, ku ngecnin, i shtyjshim, bijshim në ujë edhe vetë, vriteshim. Na kthyne me qëllim ma vonë se herët e tjera nga puna, qe ba terr i madh. Tepelenë! Eh, sa fryn nj’atje!

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)

Flejshim poshtë kështjellës, ku kishte kenë edhe Bajroni, në fushë rrethue me tela me gjemba, me çadra të çame e dyshekë kashte… Duert na dhimbshin. I kishim të vrame nga puna… përgjakeshin çarçafët, nënkrejsa. Çoheshin nanat, gratë, motrat me na pà, a kishim ardhë përnjimend gjallë nga puna, e a po flejshim dot? Ftoftë! Frynte për kjamet. Ishin Kshnellat. Nuk na merrte as gjumi, as vdekja… Ankth, lodhje, asnji qiri, veç na treteshim. E kishim urue njeni tjetrin nën zà, kur na shpërndajshin langun e groshës: “Për shum vjet Kshnellat!” Kaq. Po afronte kund mesnata, e ishim të xanun me kujtimet e festës… fshamje, krumje e ndoj gërhatje e mbytun… Në kët humbtinë, na bahet sikur ndijohet gjithë jehonë malesh… nji trombë në sordinë, vajtimtare… kanga “Shtille Nacht”, e famshmja, e njef dhe e këndon mbarë bota kristiane. Ishin Kshnellat! Mos na bane veshët të tanve, haluçinacion auditiv?? Po nuk mund ta marrish me mend se çka ndodhi mbrenda gazermës: dridhje, ngritje koke, gulshe, biseda me frikë, ngricë e përndritun gjithandej… A thue përnjimend u ngjall ajo trombë…?! “Shtille Nacht”… Po, po e përhapte era si pelerinën e Bajronit… Melodi engjëllore mes nesh, mes torturave tona, besoj duhet të jetë regjistrue në faqen e parë të Qiellës aty pranë Zotit të Madh. Kjame deri në mjes, saqi kur u gjetme të rreshtuem në orën 6.30, i kishim sytë e ajun prej lotve… “Shtille Nacht”! Paskesh kenë e vërtetë kanga! Po ç’ishte ai magjistar me trombë nga erdh, ku iku? A nuk e kapne…? Ne nesre mbrama, kur mbrrijtëm prej lumit, na lajmroi “nji mik” polic, se ka kenë Gaspër Çurçija, qi asht ulë nga makina atje nalt brij rrapit e kalasë… dhe i ka ra… burisë! Ah, ai e dinte qi ishim na, s’kishte kurrnjigja me na dhurue, veç asaj melodie, së famshmes “Shtille Nacht” në terr… e na solli nëpër erë Kshnellat e mungueme, mandej ishte nisë për Gjinokastër, ku kishte shërbimin.
Eh, nuk ia harrojshin… dhe gjetne rastin, e kapën për do faje tjera, me tamam s’dihet për çka, por ai kishte futë muzikë xhazi në festivalin e XI…
Kje i pari… dhe e pushkatuen…

Gjosho Vasija 2010
Gjosho Vasija 2010

(Visar Zhiti “Ferri i çarë” fq.292-293)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Janë pafund tragjeditë e njerzve për dekada të tëra… Të dëgjoje në ato kushte “Shtille nacht”, “Heilige Nacht”, ishte sikur Zoti të kishte marrë përdore. Vetëm se heroizëm, kurajo civile është pak të thuash gjithashtu. Gjosho Vasija… i paharruar ky kollos artist… Sa për shtyllat që i hidhnin në lumë… desha edhe unë të tregoj për vëllanë tim Mirin…
    Ka qenë pa mbushur 15 vjeç, kur e dënuan dhe e çuan në burgun e Papërit. Mbas takimit të nënës tonë me vëllanë në burg, ajo e shkreta erdhi aq e dërmuar sa nuk fliste me njeri, as me ne, sepse i shpërthyen lotët nga shpirti, e nuk i mbante dot. Kishte marrë për ta përqafuar djalin e vet, kur ai kish bërtitur nga dhimbja e plagës së madhe që i kishte shkaktuar mbajtja e këtyre shtyllave mbi shpinë, sepse duke qenë aq i vogël në moshë atij i peshonin edhe më shumë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.