back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Trungu i Princërve Gjika, në udhëheqjen e Rumanisë. nga Ndoc Selimi 190 vjetori i Lindjes dhe 130 vjetori i vdekjes së Elena Gjikës

Gazeta

Dora d'Istria - Elena Gjika (1828-1888)
Dora d’Istria – Elena Gjika (1828-1888)

Trungu i Princërve Gjika, në udhëheqjen e Rumanisë.

nga Ndoc Selimi

190 vjetori i Lindjes dhe 130 vjetori i vdekjes së Elena Gjikës

Elena Gjika, sot e njohur për gjithë shqiptarët e gjithë Europën, rrjedh nga një familje me emër të madh në Rumani, gjë që pak dihet nga populli ynë për këtë fis që dha gjithë kapacitetin fizik e mendor në udhëheqjen e popullit rumun, moldav dhe Vllahisë.
Trungu Gjika me një origjinë të kahereshme shqiptare nga vllehtë e zonës së Korçës e ndoshta nga Voskopoja (shën. im) dalin në letrat historike qysh në shek. e XVII, në Rumani duke krijuar një rëndësi jashtëzakontë në jetën e këtij vendi. Sipas studiuesit italian Antonio Alessandro (Il pensiero di Dora d’Istria fra Oriente Europea e Italia) na jep disa hollësi të reja nga ato që kemi njohur deri tani. Ai thotë se: Familja Gjika janë padyshim me origjinë shqiptare, por të qëndruar për një kohë në Azi të Vogël dhe pastaj vendosur në Rumani, si dhe për pseudonimin Dora d’Istria thotë se ka marrë emrin e Danubit të dikurshëm “Istria” pra Dora Danubiane.
.
Dora d'Istria - Elena Gjika (1828-1888)
Dora d’Istria – Elena Gjika (1828-1888)
I pari personazh i këtij trungu të familjes Gjika që takohet në histori është Georgio, mik i dy personaliteteve qeverisëse të asaj kohe; Vasile Lupu, princ i Moldavisë dhe më vonë të Gheorghe Stefan, në vitet 1634 dhe 1653, të cilët e mbajnë afër dhe caktohet si agjent diplomatik në Kostantinopoli. Në vitin 1658, i ofrohet Georgit principata e Moldavisë, kur ky jetonte në Strugë. Në këtë kohë, princi G. Stefan kishte grumbulluar një ushtri në Transilvani në bashkëpunim me princin e Valakisë, (Vllahisë) për të hequr hungarezët nga Transilvania. Georgio ndihmoi dhe okupoi Valakinë (Vllahinë), por nuk qëndroi gjatë, pasi e lë me 1660 dhe në postin e tij për dy vjet vjen i biri i quajtur (me përkdheli) Grigorasku, i cili mban këtë post dy herësh; 1660-‘64 dhe 1672-‘74. Vijnë disa vite qe kjo familje nuk ka poste, pasi me sa duket i biri Grigoreskut, i quajtur Matteo nuk ishte aq i zoti, por del në skenë i nipi, Gregori II, i cili me 1727, zgjidhet princ i Moldavisë. Ai ishte shumë i përgatitur në shumë fusha, pasi kishte studiuar në Kostantinopoli. Më 1733 e gjejmë në Vllahi dhe në 1735 përsëri në Moldavi.
-Ndodh pushtimi turk – thotë Enciklopedia italiane – dhe tërhiqet në Kostantinopoli për t’u rikthyer më 1752, në Moldavi dhe më 1753, në Vllahi, ku edhe vdes. Ai la dy djem, njëri prej të cilëve, i quajtur përsëri Matteo, bëri një karrierë jo shumë të dukshme, pasi u soll keq me popullin, e dorëzon detyrën dhe në politikë hyn vëllai i madh Skarlati, një figurë e dashur dhe liberale. Vazhdon të jetë princ i Moldavisë deri më 1766. Në këtë post gati trashëgues vazhdojnë me pastaj i biri i Skarlatit, Aleksandri, i cili bëri një revolucion në mirëqenien e popullit. Në vitin 1769, pushtohet nga rusët dhe atë e dërgojnë në Pietroburg. Pas paqes kthehet në Moldavi dhe fillon aktivitetin e tij, por në këtë kohë mpleksen shumë interesa të fqinjëve për Moldavinë dhe Vllahinë si Austria, Rusia, Turqia dhe për këtë vritet në pritë nga një i dërguar i Portës së Lartë me 1777. Ky fron nuk mbetet bosh. Tashmë një radhimë e madhe gjeneratash sundonin prej shekujsh në këtë vend dhe kështu vjen një tjetër nip i quajtur Grigori IV, i lindur me 1765 dhe vdekur me 1834, i cili luajti një rol të rëndësishëm në historinë e Rumanisë. Me 1822, ishte në detyrë, kur Rusia i deklaroi luftë Turqisë. Një tjetër Aleksandër vjen në guidën e Vllahisë në prill të vitit 1834. Bën një politikë liberale duke hequr skllavërinë për xingarët, i jep liri shtypit, zvogëlon taksat në popull etj.
.
Dora D'Istria - Per ceshtjen shqiptare
Dora D’Istria – Per ceshtjen shqiptare
Në këtë trung të Gjikajve bën pjesë edhe Mihaili, babai i Elena Gjikës, vëlla me Grigorin e IV. Ishte një arkeolog i zoti dhe për një kohë të gjatë punon në Bibliotekën e Bukureshtit duke vënë themelet e këtij dikasteri të dijes. Njihet edhe si koleksionisti i parë i pullave postare. Ishte i martuar me një grua shumë të bukur, shkrimtare e përkthyese e zonja Catincaj Gjika (Foka). I fundit në guidën rumene si princ ishte Grigori i V 1807-1857. Ishte princ i Moldavisë për shtatë vjet 1849-1856.
Në trungun Gjika, përmendet edhe Dhimitri, i biri i Grigorit IV 1816-1897, i cili u mor në fillim me ushtrinë dhe pastaj bashkiak i Bukureshtit, duke u rritë në pozitë më vonë si ministër dhe më pastaj kryeministër. Po ashtu në rolin e kryeministrit të Rumanisë ishte edhe Jon Gjika, 1866, 67. 1870-1871.
Trungu i familjes Gjika përcillet me një emër femror; Elena Gjika, (22 janar 1828 – 17 nëntor 1888) si një personalitet që i kalon kufinjtë ballkanikë e europianë me talentin e saj, dijet, shkrimet, zemërmirësinë në krahun e të dobtit. Ajo i dha një frymë të re Rilindjes sonë Kombëtare, duke i dalë zot Shqipërisë, vendit që kurrë nuk e mohoi, përkundra foli me krenari se ishte bije e popullit shqiptar. Nuk po zgjatem në këtë pikë, pasi njihet nëpërmes shkrimeve, bisedave, literaturës që la dhe nëpërmes emisioneve kushtuar kësaj figure të madhe femërore, që tashmë është shpallur “Nderi i Kombit” shqiptar në 90 vjetorin e shpalljes Pavarsisë së Shqipërisë.
qershor 2018
.
Dora d'Istria - Princess Koltsova Massalskaya - Ghica (1828-1888)
Dora d’Istria – Princess Koltsova Massalskaya – Ghica (1828-1888)

Literatura:

-Roberta Fidanzia – “Dora d’ Istria uno sguardo femminile sull Ottocento.
-Carlo Tagliavini – “La fammiglia Ghica nella enciclopedia italiana, vol. 16, 193.
-Antonio d’ Alessandri – “Il pensiero e l’opera di Dora d’Istria fra Oriente europeo e Italia”
Dora d’ Istria – Për çeshtjën kombëtare shqiptare, Tiranë 1977.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.