back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Tufë drandofilesh dhe dy pika lotë për shkencëtarin shkodran, Artan Boriçi – nga Teona Bushati Berdica

Gazeta

Arben Boriçi
Arben Boriçi

Tufë drandofilesh dhe dy pika lotë

për shkencëtarin shkodran, Artan Boriçi

nga Teona Bushati Berdica

Sot, 19 prill 2022.
Sot, ditëlindja e Artanit. Po! Sot do t’i uronim 57-vjetorin.
Por, nuk arriti ta gëzojë dhe ta gëzojmë…
Covid 19 me kthetrat e veta i shkurtoi jetën.
Një vit më parë, më 25 mars 2021, ai u nda nga jeta. Kështu ishte shkrue…
Ndaj sot varri-përmendore mbulohet me tufa lulesh,
njomun me pika lotësh në kujtim e përnderim…

Familja Boriçi - 1390-2022
Familja Boriçi – 1350-2022

Kush ishte dhe kush “është” Artani?

Pinjoll i denjë i familjes së madhe të lashtë shkodrane, (Fisi Boriçi) me tradita të shquara atdhetare, kulturore e shkencore. Dijetar, i shquar, përfaqësues i elitës shkencore, të Shkodrës së hershme, shtrirë deri në kohët tona.
U lind në Tiranë më 19 prill 1965, nga prindër studiues të kualifikuar me tituj “Drejtues Kërkimesh”, Prof. dr. Hamit Boriçi, gazetar, pedagog, historian i gazetarisë dhe Prof. dr. Myzejen Boriçi, ing. klimatologe.
Në shtypin e ditës në Tiranë Artani është krahasuar me një kometë në fushën e fizikës shqiptare, që “ndriçoi siç ndriçon fort kometa në qiell”! U karakterizua: “Shkencëtar i madh”, “Shkencëtar i nivelit ndërkombëtar”, “Yll’i shkencë shqiptare” etj. (Shih: Gazeten “Dita” on-line:, 25, 26, 27 e 28 mars 2020 )
Përtej këtyre epiteteve, rrjedhë edhe e ndjesive emocionale, sjellim në vëmendje vlera qenësore të provuara me argumente.
Artani ishte dhe “është” Akademik, Profesor Dr. i Shkencave, matematikan dhe teoricien i fizikës fondamentale.
Me krenarinë e qytetares shkodrane, ndjek vlerësimet që i janë bërë Artan Boriçit si fizikan i jashtëzakonshëm, i talentuar, shkencëtar që përfshihej në kuotat e elitës akademike të Europës së sotme”. (Nga ligjërata e Dr. i Shkencave Aleksandër Çipa në ceremoninë mortore më 27 mars 2021)
Ndjek me vëmendje rrugëtimin e tij shkencor në Shqipëri dhe nëpër botë, tashmë i nderuar në çdo hap të jetës deri në amshim. Emri i tij është shkruar në Librin e Artë të Shkencës Shqiptare.
Artani, një nga studentët ekselentë të grupit 5-vjeçar është diplomuar për Fizikë, Doktor i Shkencave Matematike i Shkollës së Lartë Politeknike Federale të Zyrihut, vijoi me kërkime shkencore më shumë se 10 vjet në institucione të specializuara në Zyrih (Zvicër), në Edinburg (Skoci) dhe në disa prej qendrave kërkimore shkencore ndërkombëtare në Europë si Instituti i Studimeve të Avancuara, qendër e llogaritjeve intensive në Julih të Gjermanisë, përfshirë edhe CERN-in, Qendër e Kërkimeve Bërthamore Europiane, ku Artani do të ftohej për të kontribuar në logaritmet komplekse dhe përveç punës në atë qendër do të vijonte bashkëpunimin nga Shqipëria deri në kohët e fundit të jetës së tij.
Sëbashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.
Atij i janë akorduar mbi gjysmë milionë dollarë grante për punë kërkimore fondametale prej agjencive zvicerane e skoceze, si dhe nga NATO (gjatë punës në Shqipëri).

Por Artanit i punonte mendja dhe i rrihte zemra vetëm për Shqipërinë. “Artani ishte një shkencëtar shqiptar me njohje ndërkombëtare dhe ndërlidhës i dijeve të vendit të tij me Botën”, shkruan Filip de Forkrand, ekspert në fizikën teorike në CERN. Prandaj, në kulmin e arritjeve shkencore, në vjeshtën e vitit 2003, vendosi dhe u kthye në atdhe me dëshirë e shpresë për të vijuar veprimtarinë pedagogjiko-shkencore, që kishte filluar që më 1988 asokohe, kur u emërua Asistent Pedagog në Katedrën e Fizikës Teorike.
Për dy dekada vijoi të ligjërojë në auditoret e Fakultetin e Shkencave të Natyrës si Titullar i Lëndëve Teorike, të drejtojë grupin e Fizikës Llogaritëse dhe të Energjive të Larta në departament. Por ai pareshtur vazhdoi edhe bashkëpunimin me institutet shkencore ndërkombëtare si CERN-i dhe institucione të tjera të Zvicrës, Gjermanisë etj, duke iu asociuar ekipeve kërkimore më të avancuara europiane…” (Profesor Marenglen Spiro, gazeta “Tema”, 16 shkurt 2022)
I njohur dhe shumëvlerësuar për studimet teorike emërtuar “Fermionet Boriçi” dhe Modeli Gross-Neveu “Boriçi-Creutz”, referencë e studimeve themelore bërthamore, Artani ka qenë i ftuar dhe ka ligjëruar kumtesa e referate në shumë shtete, si Zvicra, Italia, Gjermania, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Skocia, Rusia, Turqia, Japonia, Australia, Singapuri, Greqia.
Ai publikoi në revistat shkencore më dinjitoze në Europë dhe në Amerikë, më shumë se 60 artikuj shkencorë dhe 52 kumtesa dhe referate që së shpejti do të botohen në dy vëllime nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Shkencëtari Artan Boriçi ishte dhe mbetet jo vetë misionar i shkencave shqiptare, por edhe një nga personalitetet më të shquar të dijetarëve të Shkodrës me tradita dhe në bashkëkohësi të shkencës, kulturës dhe arteve të Shkodrës.

Dr. Shk. Teona Bushati Berdica

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.