Tue pritë Nanë Terezën (1991)
Poezi nga Jozef Radi
Dola me e pritë
njat grue të mpakun dhimbjesh,
pse bota e vogël kish mbetë
në sandallet e saj.
Dola me e pritë me zemër t’mbushun
rrugës ku tanket kafshojnë mjerim.
I mbusha duert e saj eshtake
me mimoza – si lot fëmije,
dhe mirseardhjen
me lamtumira anijesh
të mbytuna ikjesh,
ia urova.
Dola me pritë Nanë Terezën
me qiej tmerri mbi shpinë.
Dola me e pritë, me i folë, me e puthë
i papërziem me klithma hipokrite,
dola thjesht, me e pritë si Nanë
mes t’mirëveshunish shpirtëzbathun,
që tan’ jetën me Zotin e saj
ishin tallë.
Dola me e pritë
njat grue t’vocërr sa grima,
që hecte pothuej zdathun
ndër plagët e mëdha
t’kësaj bote.
1991
.
Marrë nga Libri Kujtesa e Mjegullës (Tiranë 2000)