back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Tuj shkelë gastare yjesh e pluhun hane… poezi nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2015
Jozef Radi 2015

Tuj shkelë n’gastare hyjsh e pluhun hane…

nga Jozef Radi

(skicë për nji poemë të nesërme)

Ata që dashurojnë s’pjestojnë asgja me botën,
pse ata vetë janë botë jashtë bote
ndaj tjetër s’kërkojnë veç tjetrin te vetja
e tjetër s’dhurojnë: veç vedin ndër tjerë
Ata s’kanë kohë me hupë n’data t’lumnueme
as n’pritë s’i rrijnë ndonji dhurate shndritse –
pse ata vetë ndjehen: dhurata ma hyjnore n’udhtim…

S’përfjalem me ata që recitojnë dashni n’jehonë skene,
as me ata që e shkruejnë emnin e saj
n’gërma kapitale ende pa zbardhë drita,
hiç e hiç njatyne që iu derdhet i kuqi buzve
ndër drandofille t’shkalafituna letre
e shpallen fitimtarë t’nji beteje që s’mbaron kurrë…
Ata, s’janë veç pikza shiu që shpërfillin dritën
o pikla nafte n’rrekje m’u ba ylber n’nji liqen alpin…

Janë po njata që vezullojnë çdo Shën Valentin,
e nguten buje me e trembë Shën Shejtanin
barkun ua ka mbushë, po shpirtin sakatue…
Njashtu si dje ai amerikani i rishtë i jetës sime
që ia nisi me postë nji tufë lulesh njiqind dollarshe
“dashnisë” së vet, dymijë e përtej kilometrash larg,
po s’mujt me i grahë makinës pa e thanë fjalën: Bitch!!
Oh zot, sa m’trishtuen njato lule që s’mujshin me folë…!

Meditime dashnie...
Meditime dashnie…

U kujtova se dikur edhe unë kam dashtë
kam dashtë aq shumë sa s’dijsha m’e lexue vedin si duhet,
ndërdyshesha ndër fjalë ma të lehta se fryma
vrapoja ndër shikime ma të shpejta se drita
me thanë diçka që kurrë s’thuhesh e plotë
me derdhë prej shpirti, çka kurrë s’i shterrej shpirtit…
Dhe hupesha i gjithi n’bukurshkrime dashnie
ndër letra, që dikur s’më patën kurrë përgjigje…
Pse dashnisë s’i nevojitej përgjigje – veç nji gjest mjafton!
pse dashnia s’asht, pos nji vetvedi n’udhëtim pa adresë
sy të ngulun n’dalldi, pa nji kthim kurrë mbrapa…
E n’se dhuruem gjithçka – asht veç pak e asaj ç’ka flen ndër ne…
Ndaj sot rri e kqyri serì ata që luten n’Shën Valentina
me i dhanë nji ftyrë, njiqind ftyrave t’paftyra të dashnisë s’tyne…

Prandej vazhdoj me ecë majgishtash nterre nate
prandej vazhdoj me shkelë  gastare hyjsh e pluhun hane,
prandej vazhdoj mos m’e kuptue, n’se duhet mbrritë diku
a me ecë përjetsisht i verben përtej çdo andrre…?

Prandej trishtohem! Si mundet dashnisë nji dit’ e vetme
si mundet asaj me i mjaftue nji shenjtor mbrojtës,
kur çdo sekondë e kësaj jete dashni duhet të jetë
e çdonjeni prej nesh, ma i madhi shenjtor i dashnisë s’vet…

Jo, asnji shpirt s’ka nevojë për shenjtorë dashnie,
asht vetë ajo, shenjtorja që zbathë shkon mbi ujna tnjelmta
Dhe ne mbas saj, majgishtash e ndër terre nate
përlotshëm shkelim gastare hyjsh e pluhun hane

Florida, shkurt 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.