back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tuneli i Llogarasë dhe Mjerimi i Përdorimit Politik të Këngës Labe – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja
Tuneli i Llogarasë dhe Mjerimi i Përdorimit Politik të Këngës Labe
nga Gëzim Zilja

Para pak ditësh me madhështi e pompozitet u bë inaugurimi i Tunelit të Llogarasë, mjaft i diskutueshëm për koston e ndërtimit dhe domosdoshmërinë e nevojave prioritare që ka Vlora (mungesa e ujit) si qytet. Festa ishte tipike nga ato të kohës së diktaturës, ku me forcë dhe kërcënime punonjësit e administratës si ushtarët të bindur, duartrokisnin e tundnin flamujt kombëtarë bashkë me disa pleq qyqarë, që po u binte dambllaja në atë vapë përvëluese. Me këtë rast u dha një koncert ku spikatën nja dy grupe polifonike, që unë i shkrova me emër, por drejtuesit e tyre mohuan duke thënë që janë grupe mikse. Meraku im nuk është që pse ata kënduan nga që u gufonte zemra prej patriotësh për hapjen e tunelit, por për devijimin, zvetënimin dhe ndryshimin e misionin historik që ka pasur dhe ka kënga polifonike e Labërisë. Poezia dhe kënga popullore historikisht i kanë shoqëruar si një dokument i kohës gjithë trevat, ku kanë jetuar e jetojnë shqiptarët. Ato u zhvilluan dhe morën hov të jashtëzakonshëm sidomos gjatë pushtimit turk nga ndalesa që i bëri perandoria turke shkrimit të gjuhës shqipe. Për shekuj me rradhë poezia dhe kënga polifonike kanë qenë një domosdoshmëri për mbijetesën dhe ekzistencën e kombit shqiptar. Një komb dallohet nga një tjetër nga gjuha, doket e zakonet e tij dhe këtë mision e ka kryer me sukses poezia dhe kënga popullore. Gjithë historia e kombit shqiptar kryesisht në shek. XVIII dhe XIX, u përcoll me vërtetësi e besnikëri të pashoqe nga poezia dhe kënga popullore. Lidhur me këtë Ismail Kadare shkruan: Për shumë shekuj me rradhë poezia popullore ka qenë për shqiptarin kronikë e jetës së tij, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare, kumti i tejçuar nga brezi në brez. Ajo zëvendësoi shkollën, botimet, gazetat, universitetin, akdeminë. Kjo poezi nuk druhet para asgjëje, dhe nuk tërhiqet para asgjëje dhe është e përbërë nga vjersha, balada, epose të tërë, proverba, vaje, këngë djepi, britme, ligje, lodra, etj, etj“Autobiografia e popullit në vargje” fq. 12. Botimet Onufri. 2002.”
Me vendosjen e regjimit komunist, poezia popullore pësoi një dëm të pallogaritshëm pothuaj e humbi rolin e saj historik dhe atdhetar, humbi elegancën, finesën, vërtetësinë, origjinalitetin dhe bukurinë e vargut. Qëllimi i poezisë dhe këngëve do të ishte partia, diktatori dhe doktrina komuniste. Poezitë popullore filluan të vinin të gurta, hermetike, të thata, pa lëng jete, larg mjeshtërisë, metaforave mahnitëse dhe figurave të tjera poetike të një arti të madh plot jetë e gjallëri. Ato prodhoheshin në kovaçanat e ideologjisë komuniste, ku skuqeshin e përpunoheshin hekuri e çeliku, shndërroheshin në kazma, lopata, pushkë e mitraloza, me të cilat ndërtohej e mbrohej atdheu socialist. Gjithçka u politizua, por gjithsesi kënga popullore polifonike mbijetoi. Ajo u dobësua në përmbajtje, por u përsos më tej në elementët thelbësorë të saj: vijën melodike, në teknikat e marrësit, hedhësit, kthyesit dhe sidomos në ison e saj, (kujto “Janinës ç’i panë sytë”) që është boshti i këngës polifonike.

Grupi Polifonik dhe Kreu i Qeverise
Grupi Polifonik dhe Kreu i Qeverise

Krahas këngëve për partinë që dominonin në sasi, të detyruara nga drejtuesit komunistë, poetët popullorë ia dolën që të krijojnë dhe këngë të mrekullueshme për figurat historike të kryengritjeve kundër Turqisë, invazionit serb e grek, për Skënderbeun dhe luftërat e tij të lavdishme, për dashurinë, natyrën, familjen dhe miqësinë midis njerëzve. Lindja dhe vdekja e këngës popullore bëhet pa komandë, pa urdhëra partie e dekrete parlamentare. Këngët ashtu si lindin edhe vdesin ose jetojnë përjetësisht; kjo varet tërësisht nga populli që i “dënon me harresë”, i mohon ose përjetëson me kalimin e kohës. Me ardhjen e demokracisë këngët e panumërta për shoqërinë socialiste, komunizmin dhe diktatorin u tretën si sheqeri në ujë.
Si një trashëgimi e tmerrshme dhe e shëmtuar nga koha e diktaturës ka ende grupe polifonike, që këndojnë për udhëheqësit e demokracisë plot pompozitet e servilizma të neveritëshme për arsye që më shumë i dinë ata dhe udhëheqësit politikë që i porosisin. Prijësve të popullit apo trimave u është kënduar dhe në gjallje. Kjo ka kuptim kur ata e meritojnë këtë. Por të këndosh për drejtuesit e Shqipërisë këta tridhjetë vjet sidomos për një kryeministër, që gjysmën e qeverisë e ka në burg është e padrejtë dhe e neveritshme. Janë po ata këngëtarë e poetë, nipat dhe mbesat e tyre, që i kanë kënduar sa u hante gabzheri, 45 vjet Enver Hoxhës dhe Sigurimit të Shtetit (Që pa gdhirë u ngrit tër’ fshati./ Oh, ç’të madh kemi gëzimnë!/ Arrestohet sot Reshati,/ Do këndojmë për sigurimnë!) që i kënduan Sali Berishës, Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majkos dhe sot Edvin Ramës. Mjaft nga këta poetë e këngëtarë tashmë qimebardhë, janë vlerësuar me titujt të lartë si “Nderi i Kombit,” “Mjeshtër i Madh” e lloj-lloj medaljesh, madje disa edhe me pension të veçantë.
Në 05.07.2024, qeveria socialiste inauguroi tunelin e Llogarasë. Në ceremoninë e hapjes së tunelit, grupe polifonike kënduan plot pathos revolucionar për këtë vepër, (historike e quajti kryeministri) dhe udhëheqësin mëndjendritur Edvin Rama, pavarësisht se ky gjysmën e qeverisë dhe administratës së lartë e ka në burg ose hetim për vjedhje. Po le të analizojmë vetëm tekstin e këngës. Sa për interpretimin e saj, ndjesia që të jep poezia nuk të le të shijosh asgjë të tillë. Sikur në katër vargjet e fundit të hiqet fjala Edi Rama dhe të vendoset Enver Hoxha kënga duket sikur është bërë në vitet e diktaturës. Gjithë Vlora dhe Himara./ Gjaku ri dhe brezi vjetër/ Mirënjohje o Edi Rama/ Fjalën e ktheve në vepër… (Krahasojini për një çast me vargjet: “U trete Gjonlekë u trete/ Tuke rënë asaj trumpete/ Sos u përpoqe për vete/ Po për gjithë vilajete/ As per mua as për ti/ Po për gjithë Shqipëri) …Autori i poezisë i jep vetes të drejtën që të përfaqësojë gjithë popullin shqiptar (Gjaku i ri dhe brezi i vjetër) si mirënjohës për Edi Ramën a thua ky paratë për ndërtimin e tunelit i ka nxjerë nga xhepi i tij dhe gjithë shqiptarët janë të lumtur. Kjo këngë u këndua nën hundën e Edi Ramës dhe ky në delir, krenar si heronjtë e miteve apo përrallave, që kanë mposhtur kuçedrën dhe kanë shpëtuar fshatin, nënqeshte gjithë krenari bashkë me Ballukun. Por më tej, kënga ngec, çalon, vargu thyhet, dhe ruhet vetëm rima: O moj ti bota shqiptare/ Ishe izoluar fare/ Hape udhë e çave male/ Je një lule planetare. Mirë shoku Enver që e kishte izoluar Shqipërinë dhe e mbylli në qyp për 45 vjet me rradhë nga rreziku imperialisto-revizionist po këtë Shqipërinë e Edi Ramës kush e kishte izoluar, dhe a ishte hapja e këtij tuneli e përmasave planetare? Autokratët në këto raste nga etja për pushtet, madhështi, lavdi, popullaritet sidomos kur janë në krizë shpirtërore, kthehen në lolo (gaztorë pallati) duke lejuar lapërdhira e jargavitje të këtij niveli. Po ka edhe më, se marrëzia nuk ka fund: O breg i bukur mbi vale/ Gjithë rrugët shkojnë në Himarë/ Tani nuk është më e ndarë/ Lulja e kombit shqiptar.
Sipas këtij poeti shërbëtor, Himara kjo lule e kombit shqiptar deri më 05.07.2024, paska qenë e ndarë nga Shqipëria. Pasi Rama me Ballukun vranë kuçedrën (hapën tunelin) kjo lule e vetmuar u bashkua me Shqipërinë.
Thuhet se këto lloj grupesh polifonike miks, janë në garë për këngën e Bexhet Pacollit kur të hapë aeroportin. Për çfarë do t’i këndojnë grupet polifonike Bexhetit, që shkatërroi një zonë të mbrojtur dhe “çliroi” Vlorën nga pelikanët, flamingot, pulëbardhat, karabullakët e gjithë shpendët e rralla që kanë aty pranë abitatin e tyre?! Thuhet se do të shtrojë një darkë të madhe (pas inaugurimit) me mish të pjekur keci, brinjë viçi, kabuni me mish dashi për grupet labe që do të jenë të ftuara. Mendoj që drejtuesit e grupeve labe, që kanë krijuar këto tridhjetë vjet këngë polifonike të një niveli shumë të lartë, mund të këndojnë këngë të çdo lloj natyre por nuk mund dhe nuk duhet të vihen në shërbim të politikës. Sigurisht ata mund të këndojnë edhe për Bexhon, por në shtëpinë e tij. Aeroporti ashtu si tuneli ndërtohet me paratë e shqiptarëve të varfër e të vjedhur. Bexhetët, kryeministrat dhe deputetët, që u këndojnë disa grupe, nuk janë bamirës, përkundrazi, kur japin një, grabisin tre. Në rastin më të mirë janë biznesmenë ose nëpunës të shtetit që kullandrisin paratë e popullit. Nëse ndodh që kënga labe përdoret për qëllime politike, ky veprim e nxjerr atë nga binarët e misionit të saj historik, si kronikë e jetës së popullit dhe arkiv i kujtesës kombëtare transmetuar në shekuj.
Botuar në Telegraf

Marrë nga Muri i FB, Gezim Zilja 12 korrik 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.