back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tutini i Sanxhakut – vendstrehim i Mbretëreshës Teutë? nga Ismet Azizi

Gazeta

Arsa Ilire
Arsa Ilire 

Tutini i Sanxhakut – vendstrehim i Mbretëreshës Teutë?

nga Ismet Azizi

A do të ndriçohet historia deri më tani e fshehur e Sanxhakut dhe a do të argumentohet se rrënjët e këtij populli nuk janë aq të cekëta siç janë paraqitur deri më tani? Falsifikatorët e historisë së Sanxhakut me dekada të tëra kanë falsifikuar dhe i kanë fshehur faktet historike. Megjithatë, historia për këtë rajon dhe njerëzit do të ndriçohet nëpërmjet të punimeve të hulumtuesve siç janë: Alia Xhogoviq, Ibrahim Pashiq dhe Sulejman Aliqkoviq.

Ismet Azizi
Ismet Azizi

Dëshmitë të panumërta për shtrirjen e fiseve ilire në Sanxhakun e sotshëm na bëjnë të kuptojmë se jo rastësisht Sanxhaku gjatë gjithë historisë ka qenë i banuar nga ilirët e mandej në vazhdimësi nga shqiptarët. Në fshatin Pruzhanj në Rrafshnaltën e Peshterit, në Sanxhak, arkeologët kanë zbuluar prushin (nga edhe e ka marrë emrin ky vendbanim) e trupave të vdekurve të djegur, i cilit datojnë mijëra vjet para Krishtit, që me siguri u përkasin ilirëve. Ky fakt dëshmon për autoktoninë dhe prejardhjen ilire të kësaj popullate.
T’i kthehemi onomastikës dhe historisë të cilat disa historianë të caktuara nuk i kanë shfrytëzuar në punimet e tyre. Nga të parët që janë bazuar në të dhënat e onomastikës dhe historisë janë Alia Xhogoviqi dhe Ibrahim Pashiqi. Xhogoviqi dhe Pashiqi  tregojnë se si t’i qasemi materialeve onomastike, si t’i regjistrojmë ato gjatë punës në terren dhe se si të jemi të guximshëm në marrjen e konkluzioneve gjuhësore në mënyrë që të arrijmë rezultate të mira, shkruan etnologu nga Tutini…

Arsa Ilire
Arsa Ilire

T’i  kthehem hulumtimeve të Sulejman Aliqkoviqit të bëra në rrethinën e Tutinit. Sipas tij në këtë territor janë ruajtur toponimet e shumta me origjinë ilire, si dhe të kulteve të sistemit mitik ilir: për shembull ato nga kulti i diellit, mitrizmit, nga disa kulte kozmike. Përmbajtja onomastike e këtij toponimi jep të dhëna të besueshme se në relievin alpin të kësaj treve ka jetuar një popull i cili ka kultivuar kultin e Mitrës, pra në radhë të parë kultin e diellit, dhe në këtë rast edhe kultin e hapësirës kozmike. Dëshmi për Kultin e Mitrës në Dardaninë antike kemi të konsiderueshme.
Sipas Aliqkoviqit në rrethinën e Tutinit gjithashtu gjejmë vende interesante si: Gradina – afër Tutinit, ku janë gjetur mbetjet e një qyteti të vjetër. Gjithashtu Bander i cili na asocon  me zotin ilir Bando. Velepole (nga greq. Velepo = pamje, pikëpamja.), Biohane, Jelicë, Dedilovë – fshatrave në komunën e Tutin, pastaj emrat e shumë orononimeve (maleve, kodrave) dhe emër vendeve në Peshter. Aliqkoviqi habitet me falsifikimet e tipit si në rastin e vendbanimit Sjenica, kinse e ka marrë emrin nga fjala sena (sana) e cila, sipas tij, është jo vetëm një falsifikim laik por synim perfid me aspirata politike dhe të përfitimit me qëllime nacionaliste. Një absurd onomastik është se emri i vendit Misa  kinse është krijuar nga Stefan Nemanja kur ia kishte përkëdhelur flokët vogëlushit Rastka, duke i thënë  “Muskuli im” (Misicu moj). Këto falsifikime paralajmërojnë historianët e sotëm, arkeologë, etnologë dhe gjuhëtarë që nën lupë t’iu qasen studimeve të reja në rajonin e Sanxhakut dhe më gjerë.
Në popull ekziston një besim që Tutin është emëruar sipas onomatopesë së gjëmimit të kuajve. Kinse Husein Gradashqeviq kishte “hipur” në Peshter duke shkuar drejt  Tutinit, për të vazhduar për Kosovë, është dëgjuar gjëmimi i kuajve të kalorësve të tij aq larg sa që ka arrit deri te lugina e Ibrit.
Sigurisht se rajoni Tutin dhe rrethina, që është gjeografikisht i përshtatshëm për strehim, mund të jetë argument sigurt se ka qenë vendqëndrimi i Mbretëreshës Teutë. Mandej, mbretëresha Teutë, mund të jetë varrosur fshehurazi diku në këto troje (siç ka qenë rasti edhe me varrimin e fshehtë të Atil-ës, – që është e zakonshme te disa popuj të lashtë dhe të disa qytetërimeve). Arkeologëve iu mbetet për të hulumtuar këto lokalitete dhe literaturën e mundshme.
Etnologu Sulejman Aliqkoviq shpreson  që supozimi i tij, se ky vend ka qenë vendqëndrim i mbretëreshës ilire Teuta, të argumentohet në të ardhmen. Në lidhje me emërtimet ai ka deklaruar se nuk është e pamundur që disa kujtime të tjera si Baton, bir i Mbretëreshës Teuta t’i hasim në disa toponime në territorin e Sanxhakut dhe më gjerë si: Batinci (pranë Shkupit), Batusha (fshat afër Gjakovës) Batrage (fshat pranë Tutin), Batun (mbi fshatin Ribariq në rrugën për në Novi Pazar), Batnjik, Batinci (në Vushtrri), Batoçina, Batajnicë. “Mendoj se boshnjakët duhet të fillojnë të merren me studimin e kulturës, historisë së tyre dhe nuk guxojnë të ndahen nga kultura evropiane. Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në trashëgiminë e të gjithë popujve dhe kulturave evropiane”, thotë etnologu dhe antropolgu Sulejman Aliqkoviq.

Rrafshnalta e Peshterit
Rrafshnalta e Peshterit

Rrafshnalta e Peshterit, (njihet edhe si vetëm Peshter), është rrafshnaltë karstike me një lartësi mbidetare prej 1250 m në veriperëndim të Kosovës, gjegjësisht në veriun e trojeve shqiptare. Rrafshnalta e Peshterit është e pasur me kullosa kurse popullsia kryesisht merret me blegtori. Janë të njohura prodhimet e qumështit, sidomos djathi i Sjenicës, si dhe të mishit të terur. Në kuadër të Rrafshnaltës së Peshterit është edhe Fusha e Peshterit (lartësia mbidetare e së cilës është 1150 m), me një sipërfaqe prej 65 kilometra katrorë.
Popullsinë e Peshterrit, në lashtësi e banuar nga Dardanët, e përbëjnë kryesisht boshnjakët që janë pasardhës të shqiptarëve, por shumica prej tyre jozyrtarisht deklarohen shqiptarë. Emri Peshter rrjedh nga fjala shqipe peshë – rëndë, ter – thatësi, tersi, tersi e rëndë.
Lugina e lumit Rashka me rrethinën e vet, e cila i takon komunës së Pazarit të Ri, paraqet njerën ndër hapësirat më interesante ballkanike për shkencën e historisë së mesjetës. Procesi i kolonizimit të sllavëve në këtë hapësirë nuk është hulumtuar sa duhet nga historianët tanë. Kolonizimi është bërë në etapa. Por, kolonozimi kryesor është bërë përgjatë luginave të lumenjve. Në fillim të shek. të VII-të sllavët depërtuan në këto vise, pasi që sundimi i Bizantit gati nuk ekzistonte.

Mbreteresha Teuta
Mbreteresha Teuta

Para ardhjes së sllavëve këto vise kanë qenë të populluara nga ilirët për çka flasin hulumtimet e shumta arkelogjike: Në Pazarin e Ri në vendin e tanishëm të kombinatit të Tekstilit “Rashka” si dhe të mbeturat nga ari dhe qelibari të gjetura para shumë viteve te Kisha e Petrovës. Kjo e fundit na jep njohuri për mundësinë e ekzistimit të një lidhjeje të fiseve ilire, selia e secilës ka qenë në vendin e kishës së përmendur.
Toponimet e shumta në këto vise ruajnë kujtimet për ilirët. Emrat: Ras, Ibër, Peshter, Bishevë, Vapa, Lim, etj. janë me prejardhje nga gjuha shqipe (ras-rrasë, lim-Lumi; Ibër- i bardhë; Vapë – vapa,-ë; Peshter: Pesh- peshë; ter- terr (terësi), ter – thatësi).
Kur serbët u vendosën në luginën e lumit Rashka, e detyruan popullsinë vendase të tërhiqen në male dhe ua morën tokat. Natyrisht, vendasit nuk janë tërhequr të gjithë po një numër i tyre kanë mbetur në viset malore përreth duke vazhduar të merren me blegtori. Në vazhdimësi ata jetuan në këto vise dhe kjo gjë na bënë me dije edhe për prezencën e tyre të sotshme në këto vise.
Ndërsa, për ekzistencën e Stari Rasit serb, gjegjësisht për Arsën, qytetin e vjetër të mbretërisë ilire, Myftiu i Madh i Bashkësisë Islame në Serbi, Muamer Zukorliq, në një konferencë, kishte deklaruar: “Ne boshnjakët jemi me prejardhje ilire. Dhe ajo kalaja mbi Novi Pazar, për të cilat ata (serbët) pretendojnë se ishte selia dhe djepi i shtetit serb, në fakt është Arsa, kryeqyteti i vjetër i ilir dhe nuk ka asnjë lidhje të vetme me Ras-in dhe me shtetit e vjetër serb Rashka.
——
Botuar në: *Koha Ditore, e shtunë 21 shkurt 2015, faqe 24. Prishtinë

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Unë mendoj se disa nga fjalet e vendeve në këtë shkrim, në gjuhën shqipe, sipas dialektit verior që ka ruajtur në mënyrë të përsosur rranjët e gjuhës shqipe. Kan këto kuptime:
    Peshter = shterr(rranja) = shterret = po shterron(thahet) = po shterron = peshter
    Tutini = tut = tutet = u tut= trëmbet = frikë = friksohet, tutini = trembeni = friksoni
    vapa = va = vend i ngushtë që mund të kalosh, va-pa = a ke pa ndonjë va, vend, shteg.. ngushticë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.